back to top
15.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026

Dy fjalë për Mozën…. – nga Ilir Çumani

Gazeta

Poetja Mimoza Ahmeti
Poetja Mimoza Ahmeti
Dy fjalë për Mozën….
nga Ilir Çumani

Mimoza Ahmetin e njoh prej më shumë se 4 dekadash. Njoh gjithashtu krijimtarinë poetike dhe publicistike të saj. Ajo është rasti sui generis kur një prani e vetme në hapësirën publike kthehet në provë për vetë nivelin e shoqërisë që e sheh dhe tashmë po e ndjek për të kuptuar disa gjëra që nuk i ka kuptuar apo perceptuar më parë.
Ridalja e saj kësaj radhe kaq e pranishme në skenën publike përmes një programi që përfshin një shikueshmëri kaq të madhe, në momente të tilla nuk matet vetëm me ndikimin e një individi, por edhe me kapacitetin e shoqërisë për të kuptuar një grua që nuk pranon të reduktohet në një rol të parashikuar për të.
Moza është gruaja, intelektualja, krijuesja, polemistja dhe artistja antikonformiste e përveçme mes gjithë të ngjashmëve të saj, që mendon ndryshe, që flet dhe sillet ndryshe, që qëndron ndryshe në hapësirën publike dhe që gjithmonë e vë në siklet një kulturë që është mësuar të ndihet rehat me uniformitetin.
Prania e saj në një format masiv si “Ferma VIP” nuk është thjesht një episod televiziv, por një zhvendosje simbolike e figurës së intelektuales në një territor ku zakonisht dominon spektakli i lehtë. Pikërisht kjo e bën momentin më domethënës, sepse kur një zë i mendimit hyn në hapësirën e spektaklit, ai nuk e humbet domosdoshmërisht peshën e vet; përkundrazi, i detyron kufijtë e kësaj hapësire të zgjerohen.
Në të vërtetë, shoqëritë e vogla shpesh kanë një marrëdhënie të ndërlikuar me gratë që refuzojnë të jenë periferike.
Ato i admirojnë, por njëkohësisht përpiqen t’i shpjegojnë. I duartrokasin, por edhe përpiqen t’i vendosin në korniza të sigurta, sepse individualiteti femëror i fortë është gjithmonë një sfidë për strukturat mendore të trashëguara.
Në këtë kuptim, figura e Mimoza Ahmetit nuk është vetëm një figurë artistike, por një mënyrë e të qenit në publik, një mënyrë që nuk kërkon miratim për të ekzistuar, që nuk negocion identitetin për të qenë e pranueshme. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ajo vazhdon të prodhojë reagim, debat dhe vëmendje sot.
Një shoqëri që nuk arrin të lexojë figurat e saj të pavarura rrezikon të mbetet peng i stereotipeve që vetë i ka krijuar, ngase nuk është vetëm individi që ekspozohet para publikut, por edhe publiku që ekspozohet përmes mënyrës si reagon ndaj tij. Në këtë pasqyrë kuptohen jo vetëm shijet estetike të një kohe, por edhe kufijtë e saj kulturorë.
Në fund të fundit, prania e figurave të tilla në qendër të vëmendjes nuk është luks për një shoqëri, por domosdoshmëri, sepse janë pikërisht këto figura që e detyrojnë opinionin publik të dalë nga rehatia e gjykimeve të shpejta dhe të përballet me pyetje më të thella për rolin e gruas, për vendin e mendimit dhe për vlerën e individualitetit në jetën publike shqiptare.
Ndoshta kjo është arsyeja pse çdo rikthim i një personaliteti publik si Mimoza Ahmeti nuk është thjesht një çast mediatik, por një moment ndërgjegjësimi kulturor për mënyrën se si një shoqëri e sheh veten përmes figurave që nuk pranojnë të jenë kurrë të zakonshme.
Tiranë, e mërkurë, 8 prill 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.