
Dy figura botnore shqiptare – Gjergj Kastrioti Skënderbeu e Imzot Pal Engjulli
përgatiti Fritz Radovani
Në Shqipninë plakë janë gurrat e lumejve dhe të prrojeve, janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit!
Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna ndër Shtetet ma të njoftuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kërkojnë me e mohue e ndryshue historinë!
Aty janë pasuesit e atij Burri që me shpatën e vet, i tha otomanëve: “Ndal… e jo, ma andej!”, dhe, po prap… mbi gjurmët e tij, Shqiptarët vazhduen luftën për mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kërkoi Atdheu për Até dhanë edhe jetën. E ku janë Varret e tyne të bekueme!?
Ku janë bré, trojet e harrueme të atyne Trimave që në vitin 1911, trandën Stambollin e sot Emnat e tyne nuk i gjen as ndër librat e shkollave fillore?! Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk përmenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni prekalor, Binak Lulashi toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).
Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, At Mati Prennushit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e sa e sa Heroj dhe Heroina Shqiptare, që na nderuen me vepra emnin e Kastriotit… E t’Imzot Pal Engjullit!
A mundet me pasë Shqipnia histori pa Formulën e Pagzimit t’Imzot Pal Engjullit?! – Asnjëherë!
Lavdi figurave të pavdekëshme të historisë sonë të nderueme Gjergj Kastriot – Skënderbeut dhe
imzot Pal Engjullit!
Melbourne, 1 Qershor 2026