back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Drithërima – rrëfim nga Muç Xhepa

Gazeta

Musine Kokalari - "Letërkëmbime, shënime, kujtime"
Musine Kokalari – “Letërkëmbime, shënime, kujtime”
Drithërima –
rrëfim nga Muç Xhepa

Trafik i rënduar. Ndaloj pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Visar Zhiti më kërkon ndjesë që u vonua pak. Ndjekim automobilat që lëvizin ngadalë. Në kryqëzimin që të shpie te stadiumi “Air Albania” presim gjatë. Po shkojmë për të ngrënë drekë diku që Visarit i ka pëlqyer, një vend nën pemë. Jemi pranë një pallati madhështor. Ndryshe nga të tjerët. Ai që e ka ngritur duhet të jetë shumë i pasur them me vete. Luks i tëri.
-Të bën përshtypje.
-Si të jetë ndërtuar në Uashington.
-Është bërë në tokën e dikujt tjetër, thonë.
-Aha “Pushtues” i ri.
-Më keq akoma.
-Çfarë.
-Pallatet përreth i kanë zënë frymën shtëpisë së pronares. Po rrënohet. Në vend që të kthehet në një muze.
-Kush është ajo.
-Musineja.
-Musine Kokalari, shkrimtarja, politikania, themeluesja e partisë Social-Demokrate të vërtetë në 1943. Që e lanë të vdesë në mjerim.
-Po, heroina…

***
Përhumbem në çfarë më ka treguar Mërgim Korça, një mik i vjetër. Musinenë s’e kishin lënë të vizitohej te ndonjë mjek specialist. Kishte pasur dhimbje të forta në pjesën e poshtme të barkut. Humbje peshe. Gjakderdhje. Probleme me urinimin. E internuar në Rrëshen, nuk i lejohej të shkonte në Tiranë pa aprovimin e “Çlirimtarëve”.
-E ke njohur doktor Nunin.
-Doktor Naum Theodhosin. Specialistin e dëgjuar. Po, është kushëriri i mikut tim të ngushtë, mjekut Grigor Nosi. E shpëtoi Grigorin nga një sëmundje e rëndë.
-Po, ai. Këtë që do të të them, dua që ta shkruash. Ashtu siç ma ka treguar Nuni.

***
-Të ngacmon emri i lokalit.
Visari tregon me dorë hyrjen madhështore të pallatit.
-I paska vënë emër biblik, “Grail”.
-Ironia qëndron te përballja e asaj që, në sipërfaqe, duket se është e vërtetë me atë që është në të vërtetë.
-E të mendosh që i referohet “Kupës së Shenjtë”. Kupës që përdori Krishti gjatë Darkës së Fundit.
-Këtu vazhdon të përdhoset çdo gjë e shenjtë. Janë po ata, miku im.

***
Musineja pas shumë përpjekjesh dhe refuzimesh – nga mjekë të partishëm, kishte mundur të takonte doktor Naum Theodhosin. Doktori rridhte nga një familje që “Çlirimtarët” e kishin halë në sy. E padëshiruar për ta.
-Mërgim, më duhej ta shikoja brenda. Ajo ishte e lexuar dhe dyshonte: tumor brenda shtresës së brendshme të mitrës.
Nunit iu drodh zëri. Filloi të marrë frymë thellë, të zvogëlojë stresin, të kontrollojë ndjenjat.
-Musinenë e kapën të qara, me dënesë, nuk po e kuptoja, nga dhimbja, hidhërimi… Prita të qetësohej. Por ç’të shikoja. Ishte e virgjër. U drithërova. Bisturia m’u bë plumb. Perëndi, thirra me vete, mëshiromë.
Kanceri i kishte përparuar shumë.
Nuni s’mundi ta shpëtojë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.