back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Don Pashko Muzhani nga Fritz Radovani

Gazeta

Dom Pashko Muzhani (1915-1995)
Don Pashko Muzhani (1915-1995)

Don  Pashko  Muzhani

nga Fritz Radovani

Në 100 Vjetorin e Lindjes...

Don Pashko Muzhani asht le me 31 Janar 1915, në fshatin Mushan të Shkodres.
Kur ishte dhjetë vjeç familja e Tij erdhi në Shkodër ku, Pashkoja, mori mësimet e para.
Në vitin 1931, ndjek Seminarin Papnuer të Arkidioqezit të Durrësit, prej ku, më 1937 ka vazhdue studimet e nalta në Propaganda Fide në Romë, dhe me 29 Qershor 1942, ka thanë edhe Meshen e Parë. Porsa erdhi në Shqipni u emnue zavendësfamullitar i Tiranës pranë Don Shtjefën Kurtit. Vazhdon famullitar në Zheji deri në vitin 1947, kur e marrin me krye shërbimin ushtarak… (Nji nga mënyrat e zhdukjes së disa klerikëve katolikë!!!)
Me datën 25 Gusht 1948, arrestohet ditën që do të lirohej prej shërbimit ushtarak, pra kështu Don Pashko fillon Kalvarin 15 vjetë si “Armik i Popullit”, tue u akuzue se “ka mshehë nji pistoletë ndër fletët e Ungjillit”… Kush ka vizitue në Shkodër mbas vitit 1970 “Muzeun Ateist”, të ngritun nga Ramiz Alia ka pasë mundësi me e pa aty të ekspozueme. Autori i këtij krimi që ka futë revolverin në fletët e preme të Ungjillit, ka shkue në Moskë dhe mbasi ka krye studimet atje, asht kenë kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, si nji “sherbëtor besnik i Sigurimit Shtetit”… emnin e të cilit, Don Pashko, nuk e ka tregue as mbas viteve 1990, mbasi kështu i kishte premtue kur e “ka falë” kriminelin e vet.
Don Pashko Muzhani, bani dhjetë vjetë burg ndër kampe shfarosje dhe u lirue në mars 1958. Nuk Ju dha e drejta me shërbye si Klerik edhe pse Argjipeshkvia e Durrësit e emnoi në Zheji sepse, nuk firmosi “Statutin e Kishës Katolike” të 1951. Mos me rrezikue njerzit e vet punoi punë të randa dhe banoi në shtëpinë e Shaqe Kadares, pranë Kishës së Arrës së Madhe. Edhe pse ishte i sëmunë mbas vitit 1991, porsa u rihapën Kishat, Don Pashko shkoi ndër disa Kisha të shkatrrueme të Durrësit, ku ndihmoi edhe rindërtimin e tyne.
Ka vdekë në vitin 1995, në Famullinë e Tiranës, i knaqun nga vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipni në Prill 1993, kur pat fatin edhe me u takue me Papën në Shkodër.
Don Pashko Muzhani ishte ndër Klerikët e nderuem të Kishës Katolike Shqiptare dhe për kët Ai asht perndjekë edhe mbas dënimit me akuzen fallco të “mbajtjes së armës”. Motivacioni i Imz. Vinçenc Prennushit kur emnoi Don Pashkon pranë Dekanit Tiranës, Famullitarit Don Shtjefën Kurti (i pushkatuem në vitin 1971), ishte ky: “…Jam kah ta porosis e due të gjejë me ty, ky meshtar i ri i Arkidioqezës sonë nji drejtues të përzemert, nji Famullitar gjithë dashni e gjithë kujdes; i sigurt se edhe Don Pashkoja ka me dijtë me i përgjegjë asaj mirsije e ka me të dalë krah i djathtë nder të gjitha veprimet e shumta qi lypë ajo Zyrë. Shndet e bekim…” (Imz. V. Prennushi, 6 Gusht 1942, Nr. 348/42, Tiranë).
Ishte viti 1966 kur hapa Ekspoziten e pikturës (ndoshta e vetmja) pranë Klubit Vllaznia.
Në nji mbasdreke të bukur nga fundi i muejt qershor, ishe krejt vetem kur shoh në hymje të Ekspozitës tre klerikë të njohun që po vinin me vizitue buzagaz… Po u printe piktori i njohun, i lauruem në Siena t’Italisë At Gegë Lumaj, dhe mbas Tij Don Nikoll Mazrreku, letrar i madh dhe artist i vërtetë. I treti ma pak i njohun për mue ishte Don Pashko Muzhani, fjalëpak dhe i saktë në gjykimet artistike. Ndoshta, ajo vizitë e asaj ditë ishte ndër ma të bukrat dhe ma mbresëlanset për mue, mbasi rezultati i “provimit” para Atyne artistëve mbet i pashlyeshëm përgjithmonë në kujtesën time. Shënimi në librin e përshtypjeve ishte ky: “Nji ekspozitë dinjitoze ndër të paktat që kemi vizitue në qytetin tonë historik, me punime grafike prej piktorit Fritz Radovani. Firmat”.

Fritz Radovani
Fritz Radovani

Mbas pak ditësh erdhën edhe në shtëpi për urime… Në shtëpi u knaqën kur ua tregova punimin e “Krishtit të vdekun”, nji grafikë e punueme në vitin 1961 dhe, që në vitin 1993, u vendos në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990” që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, me rasën e vizitës në Shkodër.
Kalueme orë të bukra!
Me datën 28 Qershor 1966, ishim për darkë natën e emnit tek Prof. Petro Fundo, ku veç tre Klerikëve të sipërm ishte edhe Don Mark Hasi, Prof. Gaspër Ugashi dhe disa vetë të tjerë që koha pasuese nuk na dha mundësi me u mbledhë kurrma bashkë!
Ndoshta, Ju duket e pabesueshme… Po, për orë të tana që kalueme në atë darkë tek Profesor Fundo, mësallat që kishim përpara na u nevojitën me fshij lotët nga humori i hollë e i mrekullueshëm i At Gegës, “thumbave” të Don Nikollit, seriozitetit Don Markut dhe ironisë së Don Pashko Muzhanit! Prof. Gaspri dhe Fundo i hoqën fare gjyslykët…
Asht vështirë me u shlye nga kujtesa kujtime të këtilla!
Ishin Burra të mëdhej e të ditun, prej të cilëve mësueme shumë!
Melbourne 2015.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.