back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Dokumenti i ri që pritet të ngjallë shumë debat… nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Gazeta

Monedhe e Mbreterise Shqiptare - 20 Franga ar
Monedhe e Mbreterise Shqiptare – 20 Franga ar

Dokumenti i ri që pritet të ngjallë shumë debat…

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Ari që mori me vete Mbreti Zog dhe dokumenti i ri që pritet të ngjallë shumë debat!
Arkivi i shtetit publikon sot për herë të parë një dëshmi të re rreth sasisë së arit të marrë me vete nga Mbreti Zog gjatë largimit nga Shqipëria.
Sipas dokumentit që është shkruar dhe firmosur nga Gjon Lusha, ai pretendon se sasia e Arit që Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete gjatë largimit nga Shqipëria për në Greqi në Prill të vitit 1939 është shumë herë me e madhe se ajo që dihej deri më sot.
Dokumenti është nxjerrë nga fondi i milicisë Fashiste dhe vjen në formën e një raporti si më poshtë:

Mbreti Zog dhe Mbreteresha Geraldine
Mbreti Zog dhe Mbreteresha Geraldine

Shkëlqesi*
Më informojnë nga burime sigurie se në datën 8.4.39 kalimi i mbretit Zog me suitën e tij në Greqi kontrollohet nga autoritetet greke dhe u gjetën:
-250.000 napolona ari të mbretit Zog
-60.000 të Abdurrahman Mati
-40.000 to Gjeneral Araniti
-Ministri Musa Juka 40.000
Suita tij përbëhet nga kabineti:
-Gjeneral Araniti
-Kolonel Hysen -Selmani
-Shefki Thatku
-Fiqri Dinja
-Ali Riza
-Nënkolonel Komani e Osman Gazepi
-Nënkolonel Koka
-Major Zidki Shkupi
-Sabri Xhilani.
-Allaman Çupi
-Kapterr Ndre Kurti
-Hasan Kupi e Xhemal Herri
-Toger Hasan Kaloshi
-Toger Beqir Zeneli dhe shumë oficerë të tjerë me gradë të ulët.

Dokumenti Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Dokumenti Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Disa oficerë janë shprehur se: Ne duam të shkojmë me ty, por ai u përgjigj: jo. Kthehuni se me mua do të vuani, nuk mundem. Bukë e shtëpi janë e vetmja gjë të cilën mund tua ofroj. Dhe pas kësaj shumë nga ata u kthyen. Ata që e ndiqnin dhe janë në Greqi me të, të gjithë janë në dëshpërim. Ndihmës të tij janë kolonel Selmani. Nënkolonel Sami Koka. Në Greqi po flitet se kanë shumë frikë nga një pushtim italian atje.
Unë uroj të kem konsideratën tuaj pasi jam personi i parë që gjeta guximin dhe iniciativën të përshëndesja në stilin romak në Shqipëri ish- komandantin e mbrojtjes kombëtare për të cilin u ndëshkova me 91 ditë arrest në kala. Jam gjithmon i gatshëm dhe në dispozicionin tuaj në çdo moment. Nderimet e mia,
Tiranë 10.04.1939, XVII E.F
Gjon Lusha

Dokumenti Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Dokumenti Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Arkivi i Shtetit ka publikuar për herë të parë një dëshmi të re rreth sasisë së arit të marrë me vete nga Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria.
Sipas dokumentit që është shkruar dhe firmosur nga Gjon Lusha, pretendohet se sasia e arit që Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete kur u larguan nga Shqipëria drejt Greqisë në prill të vitit 1939, është shumë herë më e lartë se ajo që dihej deri më sot.
Dokumenti është nxjerrë nga fondi i Milicisë Fashiste, ku shkruhet se mbreti Zog ka marrë rreth 250.000 napolona ar.
Në dokument është shkruar ndër të tjera se “…mbretit Zog, kontrolluar nga autoritetet greke, i janë gjetur 250.000 napolona ari”
Në kohë të ndryshme janë dhënë shifra të ndryshme mbi sasinë e arit që Zogu grabiti në arratinë e tij nga Thesari i Shtetit.
Por shifra që del tani është shumë më e lartë se ajo që kanë dhënë historianët.
Psh, sipas historianit Artan Lame, në autokolonën e mbretit udhëtonin 11 valixhe me afro 178 kg flori që ai kishte marrë “me vendim të Këshillit të Ministrave” mbrëmjen e datës 6 prill të 1939-ës.
Lame thotë se këto përbënin rreth 28.000 napolona ar.
“Më 6 prill të 1939-ës rreth orës 21.00 Mbreti urdhëroi ministrin e Financave, Kol Thaçi, që e gjithë gjendja e Thesarit të Shtetit t’i bëhej atij prezent. Në fakt, ari i Shqipërisë ruhej kryesisht në Banka di Napoli (2.454 kg ar) dhe vetëm një pjesë e vogël floriri (afro 178 kg) gjendej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë.
Arkëtari i Përgjithshëm, Ramadan Berberolli, sipas urdhrave të qeverisë, i dorëzoi Mbretit shumën prej 448.535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës dhe afro 118.195 monedha, vonë në mesnatë në shtëpinë e vëllait të Mbretit në afërsi të Stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”. Zogu i zhvillonte mbledhjet e qeverisë aty.
Sipas dokumenteve, Mbreti Zog tërhoqi në total afërsisht 567 mijë franga ari. Thuajse gjithë atë që kishte në dispozicion Thesari Shqiptar. Nisur nga llogaria që një Napolon Flori përbëhej nga 20 Franga ar, Mbreti kish marrë me vete një shumë prej 27.848 napolonash ar. E kalkuluar me kursin e floririt të sotëm (Kursi i datës 10 Shtator 2014), rezulton se Mbreti Zog kish marë me vete, një shumë të barabartë sot me 6 milion euro.
Në kujtimet e tij Mbreti sqaron se pjesa kryesore u shpërnda nën kujdesin e një komisioni prej 7 vetash për zyrtarët e dalë në Larisa, Follorinë dhe Beograd. Por askush nuk di të thotë sot sesa mund të ketë qenë sasia e arit që Mbreti posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallat, por ashtu si edhe bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë”, tha ai.
Ndërkohë një dokument i CIA i datës 19 shtator 1949, botuar nga DITA vite më parë, thotë:
“Sipas kërkesës për informacion mbi ish-mbretin e Shqipërisë Zog, Zoti Church deklaroi informacionet e mëposhtme për të:
Ai ka 108.000 dollarë në bankën National City Bank, rreth 5.000 dollarë në fondin Guaranty Trust, toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40.000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 mijë dollarë, dhe rreth 750.000 dollarë në flori nga rreth 3.000. 000 që mori me vete nga Shqipëria…”
Marre nga https://gazetadita.al/arkivi-

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.