back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Dokumentari “Golgota e Lazër Radit” – reflektime, opinione

Gazeta

Promovimi i dokumentarit "Golgota e Lazër Radit"
Promovimi i dokumentarit “Golgota e Lazër Radit”

Dokumentari “Golgota e Lazër Radit” –

11 Shkurt 2017 – Reflektime dhe Opinione

E Shtunë e 11 Shkurtit…

refleksion nga Jozef Radi

E shtuna e 11 shkurtit, edhe pse në zemër të dimrit, kishte mbi vete nji diell të rrallë pranvere. Nji diell që aq shumë i ngjan një ftese për t’u mbledhur e për të ndarë diçka të bukur bashkë!
E ndërsa ti jeton me ankthin e një dite tejet të rrallë, një prej atyre ditëve që as ti vetë shpesh s’e ke besuar se mund të ndodhin në jetë! Aty buzë të Parkut të Madh, ti je ulur dhe pret vetëm… e përpiqesh të gjesh pak qetësi para filxhanit të kafes… Dhe së pari i gëzohesh Kohës… sepse koha, kohrat dhe njerëzit ndërthuren bashkë në një nyje të përbashkët e që në kët ditë të sotme, duket sikur mund të flasin me emrin e përveçëm të një njeriu, të cilit sot edhe jeta… edhe vepra… edhe krejt sakrificat do t’i shfaqen përmes një filmi! Një dokumentar ku njerzorja, përvuajtja, heroikja, tragjikja dhe sublimja do të vërtiten rreth një intelektuali i cili mban mbi shpinë emra të panumërt, të shquar, të nderuar, të heshtur, të zhdukur, të vrarë e të rivrarë… është krejt një frymë intelektuale shqiptare e dhunuar gjer në skaj të së pabesueshmes që sot do të jetë e gjitha bashkë!
Janë ca emocione që ta prishin gjumin, t’i trazojnë emocionet, të shtyjnë të mendosh edhe më të keqen po dhe më të mirën, por gjithsesi të lejojnë të besosh se gjithçka e kësaj dite është si shpirti i Atij Njeriu!
Dhe ti e rufit kafen në atë qëtësi vetmie me diell!
Edhe pse e ke bërë gjumin të trazuar, në 6 e gjysëm të mëngjesit, ke parë pas perdes se qielli është tejet i qelqtë, se njeriut të cilit i është shkruar kjo ditë, ka pasur me siguri edhe një bekim hyjnor, se gjithçka e tij do ta mbrrinte kët mëngjes drite plot diell e plot miq!
Mbas pak ti do të ndjehesh midis miqsh, shokësh, të afërmish dhe dashamirësish të shumtë ardhur nga gjithandej, e që mjaft prej tyre duhen falenderuar për sakrificën e ardhjes nga larg, të tjerë pse kanë shpërfillur moshën dhe janë aty, të tjerë pse do të ritakohesh me ta mbas aq shumë vitesh e në përmasa të përmallshme kujtimesh, të tjerë të panjohurën do ta shlyejnë njiherë e përgjithmone; të tjerë do t’i kërkosh me sy e do të shohësh se mungojnë miq “të justifikuar” e “të pajustifikuar” që salla sigurisht nuk nuk do t’i ndjente!
Si mikpritës ti futesh i fundit dhe e sheh se salla “Black Box”, e Universitetit të Arteve është plot, se dokumentari është gati të nisë e të shkundë kujtesën dhe të ngulë dhimbje… edhe aty ku dhimbja është e madhe sa një mal…
Pjesa tjetër, është e gjitha e depozituar në shpirtrat e atyre që e ndoqën këtë dokumentar, e që në fund u shndërrua në një duartrokitje të gjatë e në falenderime të pafundme…
Më pas është e përbashkëta miqësore e një kokteji, shtruar në ambientet e jashtme, që do të vazhdonte hareshëm për më shumë se dy orë!
Qe nji ditë e mrekullueshme mes njerëzish të njohur e të panjohur, ndër biseda e kujtime për të gjithë ata që s’i kanë shkruar në pluhur emrat e tyre, që edhe pse të mbledhur në nderim të një njeriu të vetëm, s’duhet të harrojmë se kujtimi i tij mund t’i shërbejë seicilit prej nesh, për t’i risjellë në dritë ato figura të nderuara që ende flenë nën pluhurin e një kohe të trishtë që po bëhet gjithnjë e më përbaltëse…
11-13 shkurt 2017
Promovimi i Dokumentarit "Golgota e Lazër Radit"
Promovimi i Dokumentarit “Golgota e Lazër Radit”

Visar Zhiti – poet, dipllomat

I dashur Jozef, urime për dokumentarin për Zotin Lazër, ikonën tonë, dhe faleminderit për ftesën!
Vërtet nuk vij dot, kur mendoj që edhe leja duhet nga Tirana, etj, por ndjehem pranë Tij më shumë se kurrë, se dhe vetë më shumë flas me Qiellin se sa dëgjoj tokën që më ka vrarë…
Ndërkaq po mendoj se mbase do të ishte mirë që filmi i Lazrit të promovohej më pas dhe në “La Sapienza ku Protagonisti u laurua…!”
Përzemersisht, Visari
10 shkurt 2017
Lazër e Vitore Radi - Pranverë 1975
Lazër e Vitore Radi – Pranverë 1975

Shpend Sollaku Noé – gazetar, poet

Unë kështu e kam fiksuar në kujtesë, mbi këtë biçikletë “Mifa” – 28, kur kalonte para shtëpisë sime dy herë në ditë, Savër-Plug dhe kthim. Nuk munda të gjej një foto më të kjartë, por po jua sqaroj vetë: E kam fjalën për eruditin e rrallë Lazer Radi. Ishim me fat që njohëm njerëz të tillë. (Në këtë foto me të shoqen që sapo kish dalë nga sanatoriumi, në rrugën për Savër, viti 1975).
Ah, këtë të shtunë, ora 11, në Universitetin e Arteve, një dokumentar i çmuar rreth jetës dhe veprës së këtij intelektuali të madh.
Për hollësira shihni ftesën përkrah fotos.
9 shkurt 2017
 
Mesdita e 11 shkurtit 2017
Mesdita e 11 shkurtit 2017

 Enkeleda Ristani – poete

Ai (Jozef Radi) u përpoq të bashkojë shumë ndërgjegje së bashku… e të shpërndaje në to diellza mendimi… e shkuara jonë nuk është asnjëherë e largët… vetëm se ne nuk mund ta shkelim të ardhmen pa gjetur gabimet e së shkuarës…
Katarsis është ajo që na shërben, nëse duam të ringrihemi për të qenë misionarë të qytetarisë.
Me preku ky dokumentar, sikurse libri i jetës së Kurt Kolës, apo edhe libri i Visar Zhitit për të birin, me të cilët kam punuar dhe i kam ndjerë së thelli.
Jemi në ngërç për vlera. Kaq.
13 shkurt 2017
 

Bilal Kola – jurist

Sot në promovimin e dokumentarit mbi jetën dhe veprën e Dr. Lazër Radit, i cili realisht përfaqson një plejadë intelektualësh dhe patriotësh disidentë të regjimit komunist që me vetmohim rrezatuan përgjat 46 viteve të terrorit komunist vlerat e larta të lirisë dhe demokracisë.
Nji shtet real i së Drejtës e ka detyrë imediate dhe imperative rivlerësimin historik për të nxjerrë në dritë të diellit nga “pluhuri i harresës së projektuar” krimet monstruoze të komunizmit dhe vlerësimin e vërtetë të patriotëve dhe martireve të Lirisë!
11 shkurt 2017
 

Miqtë nga Lushnja në Promovimin e "Golgotës..."
Miqtë nga Lushnja në Promovimin e “Golgotës…”

Engjell Zerdelia – studies, historian,

Diell dhe rezatim rrëzellyes këto dite dimri të Shkurtit në Shqipëri.
Pikërisht në këtë muaj në datat 10 dhe 11 në qytetin kapital, Tiranën tonë u përkujtuan dy pesonazhe të shquar të panteonit kombëtar. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i pashembullt e megjithatë ata jetuan në vështirësi dhe krijuan yllësi diellore.
Adhurim për Musine Kokalari dhe Lazër Radin!
Së bashku me Dritën dhe në shoqërinë e Advie Hoxhës morëm pjesë në këto veprimtari duke vizituar ekspozitën e perëndeshës-muzës Musine Kokalari dhe duke ndjekur një nga dokumentarët më të arrirë të kohëve të fundit kushtuar “Golgotës apo kauzës së Lazër Radit”.
11 shkurt 2017
 

Klodi Stralla – profesor, jurist,

Para dy ditësh, miku im Jozef Radi, që aktualisht banon në Itali, më dërgoi në inbox një Ftese, ku më ftonte të merrja pjesë në promovimin e një dokumentari kushtuar jetës dhe veprës të të atit, Dr. Lazër Radit, me rastin e përvjetorit të vdekjes.
Natyrisht, ftesën e pranova me shumë kënaqësi, edhe për faktin se Lazrin pata fatin ta njoh në të gjallë të tij, në vitet e para të demokracisë, kur ai dhe familja e tij kish pak vite që banonte në Tiranë, pas tre dekada internimi në Savër të Lushnjës.
Dokumentari, i realizuar me shumë art e vërtetësi, ma plotësoi më mirë informacionin rreth jetës dhe punës të tij krijuese, në fushat e letërsisë artistike, përkthimit, publicistikës, studimeve të mirëfillta albanologjike, por edhe kalvarit të gjatë të vuajtjeve, fizike e morale, të intelektualit me kulturë perëndimore, përfaqësues i të rinjve idealistë të viteve ’30 të shekullit që shkoi, siç ishte edhe ai.
Por, ajo që më mbeti në kujtesë e në shpirt, në përfundim të këtij dokumentari kaq informues, e që më shyu ta bëj publik këtu në fb, ishte fuqia morale e përballimit të diktaturës, jo vetëm e një njeriu, por e një brezi shqiptarësh si ai. Diktatura mundi t’u vrasë trupin shumë prej tyre, por nuk mundi t’u vrasë shpirtin krijues, ndjenjën e lirisë dhe së drejtës, zemrën e mirë dhe dashurinë për popullin dhe vendin e tyre. Mesa duket, ndonse me vonesë, idetë e vërteta triumfojnë dhe nuk vdesin kurrë!
Mirënjohje kujtimit dhe veprës të dr. Lazër Radit!
12 shkurt 2017
Grupi i Punës i Dokumentarit
Grupi i Punës i Dokumentarit

Advie Hoxha – mjeke

Ishte vërtet diçka shumë e bukur këtë ditë. Për këtë takim, meritë të madhe e stafit të mrekullueshëm, përveç meritës së padiskutueshme të shokut tonë të hershem Jozef Radit dhe dhe familjarëve të tij, ke edhe ti profesor Engjëll Zerdelia, që më shpirtin tënd dhe me forcën tënde aktive, ke ndikuar indirekt në këtë hark kohor kaq të bukur.
11 shkurt 2017
 

 Mirela Kamsi – profesore

“Golgota e Lazër Radit”, shfaqur përmes një dokumentari të realizuar me shumë profesionalizëm në një nga sallat e Akademisë së Arteve, Tiranë.
Një bravo e madhe për Bijtë e Tij të denjë, Alfredin, Jozefin, Adrianën dhe Luçin që na mundësuan të njohim të plotë historinë e një jetë plot dinjitet të një gjeniu që kaloi 45 vite në burgje e internime.
12 shkurt 2017
Me bashkëvuajtësit e Savrës
Me bashkëvuajtësit e Savrës

 Nini Mano – gazetare

Një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Dr. Lazër Radi sot, në një aktivitet ku salla ishte plot e perplot, më bëri të mendoj se sa pak intelektualë ka ende sot Shqipëria.
I titulluar “Golgota e Lazër Radit”, dokumentari i plotë dhe shumë i pasur me dokumenta origjinale, dëshmi të regjistruara të vetë Dr. Radit pas viteve ’90, të përforcon mendimin se njeriu që formohet që në rini me kulturë, zor se humbet rrugën gjatë gjithë jetës.
Një jetë me plot 30 vjet burg politik, që nisi me gjyqin e parë kundër inteligjencës në 1945, dhe më pas, internimi në Savër, me punë nga më të mundimshmet. I arrestuar nga dy shokë të Gjimnazit, u dënua vetëm sepse komunizmin nuk e deshi, nuk përqafoi idetë e rinisë komuniste. Gjithë këto mundime nuk ja zvjordhi dëshirën për jetën Doktorit të lauruar në Drejtësi në Romë, sikurse as për të shkruar deri dhe poezi lirike gjatë viteve të errta në Savër.
E arriti rrëzimin e komunizmit dhe pas ’90-ës, ja doli të botoje 16 libra me letërsi, poezi, studime, përkthime deri sa jetoi…
Bashkëstudent me Musine Kokalarin, Dr. Radi ka lënë pas respekt për jetën dhe veprën që i dëshmoi të plota, por mbi të gjitha, për të menduar se sa rëndësi ka morali politik në këtë shoqëri ku jetojmë…
Të falenderoj Jozef Radi, për mundësinë që më dhe për të njohur babanë tënd fisnik!
11 shkurt 2017
Djemtë, nipat dhe mbesat e Lazër RaditDjemtë, nipat dhe mbesat e Lazër Radit
Djemtë, nipat dhe mbesat e Lazër Radit

 Bedra Kaba – bashkevuajtese

Salla pothuaj u mbush plot. Unë ulem afër një zonje dhe i them: “A është zënë ky vend!”, “Jo më thotë, ulu!” Fillon e më tregon, pastaj kthehet e më thotë: “Ti je Bedra?! Të kam lexuar në fb… të kam mike më thotë…!” Shkëmbejmë pak fjalë dhe pastaj organizatorët e këtij evenimenti flasin pak dhe pastaj fillojmë të shohim këtë film biografik të atij njeriu të pamposhtur Dr. Lazër Radi dhe futesh në magjinë e atij filmi që të gozhdon me një realitet tepër të hidhur të tij. Në fund e ndjen se shpirti të është mbushur plot dhimbje dhe nga sytë të dalin lot dhe brenda vetes ndjen ulërimën e shpirtit… Përse?!?
Po ta shohësh me kujdes, të gjithë do të zgjidhin atë enigmën e madhe që krijoi sistemi komunist, se ne ishim armiq të popullit dhe që ju a injektoj në shpirt gjithë njerëzve që kur lindnin. Aty në këtë film do të shohësh madhështinë e këtij njeriu, por edhe të qindra të tjerëve që ai sistem u dogji jetën, por jo shpirtin atë e ruajtën fort duke i rezistuar atij sistemi me çdo mënyrë, e në fund thua: “Bravo këta djem të këtij njeriu që ditën ta ngrenë atje ku ishte, sepse ai vetë e ngriti figurën e tij lartë në piedestalet e kohës. Pata fatin, atje në Saver ta njoh këtë familje dhe pata fatin të flas e ta përqafoj këtë njeri të madh dhe sot para syve dhe mendjes sime ai shfaqesh si vigan i pavdekshëm.
Qofsh i paharrueshëm Lazër Radi!
11 shkurt 2017
 

Kastriot Frashëri – studiues, aktivist

Sot në Akademinë e Arteve u shfaq premiera e dokumentarit televiziv “Golgota e Lazër Radit” kushtuar jetës dhe veprës së tij përmes studimeve universitare, publicistikës, përkthimeve, burgjeve dhe internimeve të regjimit ish-komunist.
Një intelektual i njohur dhe mik i Migjenit, Koliqit, Musine Kokalarit, Vangjel Koças, e shumë emrave të tjerë të shquar të viteve 1930, sigurisht që veprimtaria e tij nuk mund të mos spikaste po të merret parasysh fakti që ai braktisi katedren e Universitetit La Sapienza, ku u emërua pas diplomimit të tij, për t’u kthyer në atdhe për t’i shërbyer vendit që e lindi, pa ditur që ata që do të vinin në pushtet do ta syrgjynosnin burgjeve të ferrit komunist.
Kam patur fatin ta njoh në fillim të viteve ’90 e të kem miqësi me Prof. Lazrin, madje duke punuar për kauza të mëdha siç ishte Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e pagëzuar nga unë për një dimensionim të ri të mendimit politik shqiptar drejt interesit kombëtar të Shqipërisë…
Për fat të keq Profesor Radi, jetoi shumë pak në liri, por ai la pas një vepër të gjallë si simbol të qëndresës për brezat që do të vijnë.
Ndihem krenar që nga ky dokumentar i realizuar me vërtetësi, ne miqtë e tij, përmes punës, përpjekjeve dhe vlerave të tij, të gjejmë vetveten mes sakrificave tona për një Shqipëri tjetër, nga e djeshmja dhe kjo e sotmja.
12 shkurt 2017
Fotot e realizuara nga Albert Thoma

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.