
Do t’vijë koha kur horri do t’jetë prap horr…
reflektim nga Ilirjana Stankaj
Baba jem (Dritë pastë!) thoshte: “Do t’vijë koha kur horri do t’jetë prap horr, kurse zotnia – Zotni, se njerëzit janë si ujnat (e prej ujnash); sado të përzihen, shkojnë në shtratin e vet në fund…!”
Edhe sot m’erdhi ndër mend kjo fjalë e tij.
Në kohën tonë, e shumta i ngatërrojnë “ujnat”: horrin e mbajnë për “zotni” (se e shohin derr të kënaqun), kurse zotninë e ulin me përçmime e mosmirënjohje, (se e shohin si Sokrat të vuejtun…)
E çuditena mandej se pse na del realiteti pis, pse na shfaqen baltë e llum në çdo hap…
Baba jem kishte të drejtë: si ujnat, as shpirti i njeriut nuk e mban dot për shumë kohë çka s’i përket: Horri, qoftë i veshun edhe me kostum, a i zhytun n’ar, prap horr mbetet. Zotnia, edhe i zhveshun, edhe i nëpërkambun, prapë zotni asht, se e ka në reflekset (e këto edukohen qysh…)
Por ne (si njerëz të vegjël që s’duan me u rritë), bajmë sikur nuk e shohim, mbyllim sytë e rrejmë vedin me: “Të gjithë njisoj janë!” (se rrenat e bukura janë metodat ma të hershme për me qetësu egon e pakënaqun të të vegjëlve…)
Në fakt jo, nuk janë të gjithë njisoj!!
E kena fajin ne kur i barazojmë baltën me arin, siç llumin me ujin e kthjellët!! E ankohena pse na mbyti era e keqe, kur duhet t’i hapim fort sytë për vedin: çfarë uji jemi ne?! Çfarë shtrati, a kanalizimi, kemi zgjedhë, a ndërmarrë?!
Se në fund të fundit, horrin e njohin të gjithë – edhe kur ai vetë e ka harru!
Për ironi të fatit, këtë postim po e shkruaj nga telefoni, me nji kafe përpara…
E kafja, ma mirë se çdo fjalë, ta shpjegon krejt qartë se mund ta trazosh sa të duash, por llumi prap bie në fund, ashtu si horrat, që sado të ngrihen nalt a të duken si “kremi i shoqnisë”, koha i ul rishtas aty ku e kanë vendin – në fund të filxhanit, si në fund të kujtesës, në fund të fundit – aty ku përfundojnë tana llumnat…
i.s (reflektim), 14 tetor 2025