back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Do pika drite… për Ahmet Kolgjinin – nga Jozef Radi

Gazeta

Ahmet Kolgjini (1939-1999)
Ahmet Kolgjini (1939-1999)

Do pika drite… për Ahmet Kolgjinin

nga Jozef Radi

…në të 15 vjet të ikjes së Tij!

Me shkruejtë për Ahmet Kolgjinin, e kam mendue gjithherë sa ishte gjaja ma e lehtë që mundesha me ba, bile mund ta baja edhe me sy mbyllë, edhe në gjumë, edhe midis çorodisë së përditshme… Pse mundem me thanë… e çka  s’mundem për Ahmet Kolgjinin… mundem me shkrue me lehtësinë e çeljes së lules apo ramjes së gjethes, me lehtësinë e frymës së flladit apo rrjedhjes se ujnave, mundem m’u rrefye edhe me Ju si n’nji bisedë hokatare mes miqsh… mbasi akumulimi i gjatë n’heshtje, për çdo grimcë të dhunueme jete të këtij djaloshi të ikun herët, ndër kohna të përgjakuna shtazësh të egra, ka pikue në mue si dhimbje hane e asht i mbledhë njashtu si mjaltë blete e pret… Prandej guxoj me thanë se gjithçka mundet m’u shfaqë kurdoherë njashtu si nji krue që rrjedh pa ia kërkue kërkujt kurrgjà, thjesht, Ahmet Kolgjini hyn te ajo kategori e njerzve që mbeten “djaloça të përjetshëm”, pse shpirti i tyne i dhunuem n’adoleshencë prej shtetit, ruen nji përmasë të veçantë e të papërsëritshme: ai mujti me ia ndalë ecjen moshës e me i dhanë krahë Pegasit të shpirtit të vet e me i grahë qiellit kah mundet, derisa ta lodhë edhe qiellin vetë…
Ka kohë që i ndjehem disi dalazotas i jetës dhe veprës së këtij njeriu modest, që ai i dha vuejtjes kuptimin ma sublim, pse dijti me i ba vend vedit ndër miq e shokë në kohë të mosbesimit, po edhe ndër urrejtsa dijti me u mbrojtë edhe pse u rrit rrugave… Qysh fëmijë ndër vuejtje e tortura të mnershme luftoi si burrë, pse i rritun pa babë, e nën “kujdesin e veçantë” t’nji partie që s’e la me gëzue qoftë edhe nji ditë t’vetme, at përmasën e tij t’imtë e njerzore,  në papërmasën e nji diktature… Pra, respekt për Ahmet Kolgjinin, që i mbijetoi së keqes së madhe!
E përkujtojmë sot në kët përvjetor të rradhës të ngjitjes ndër qiej, i bindun se Ai kqyr mbi ne, kqyr me dhimbje gjithçka ndodh, e pse shumçka asht njashtu si ai s’e kish andrrue… e sigurisht ndër qiej përlotet… jo për  çka hoqi e vuejti vetë, po për çka andrra e tij për vend të vet… vazhdon me mbetë andërr…
E përcjell kët nderim ndaj tij me disa poezi që ai mbrriti me i ba libër, pak para se me i mbyllë kapakët e syve, me na dëshmue që edhe pse futën në burg pa mbushë të 18 vitet, edhe pse bani 20 e kusur vjete burgjeve të tmerrit, edhe pse u rrit pa babë e me pesë motra rrugëve të krejt kampeve të tmerrit, Ai fitoi dhe ka m’u kujtue si poet… Bile si poet delikat i asaj dashnie që mbetet veç andërr…
Ky njeri i brishtë e i tejdukshëm, ky zog vetmitar kange, fitoi betejën ma të madhe të jetës së vet: betejën me urrejtjen, mbasi kish fitue betejën mbi trishtimin, betejën e pafund me burgjet dhe interrnimet, presionet që e krrusën, betejën me provokuesit e ndytë që s’i lanë nji ditë gëzimi me gëzue si duhet… Ahmeti fitoi betejën e të mbetunit Njeri, bile Njeri i Dashunuem… bash në kohën kur bishat e shkelnin me kambë e me dhambë Njeriun…
Nderim, respekt, mirnjoftje… po edhe nji pikë loti… për zotin Kolgjini!
2 gusht, 2014

Ahmet Kolgjini - Libri Poezia
Ahmet Kolgjini – Libri Poezia

Nji cikël poetik nga Ahmet Kolgjini (Libri i tij Poezi)

Poezia

Ti je masë, ti je trajtë, je gjallni
Në rrëmujë ti të hedh, moj e brishtë!
Ti je temp, je muzikë, melodi
Zbulon hiret në kullë të fildishtë

Je kadencë, je mister, harmoni
Je kujtesë e kujtesës së amshimit
Je gazmend, elegancë, melankoli
Bukuri e bukurive të frymëzimit

Ti je ngjyrë, je aromë, ti je shije
Ti je shqotë, je furtunë, uragan
Ti je dritë, ti je vapë, ti je hije

Je rrufe, bubullimë, oqean
Firmamentin ti e zbret posi fjollë
Sublimon ndjenjën tonë ma të hollë!….
Maj 1992

***

Zemra ndjen, zemra ndjehet
Zemra deh, zemra dehet
Zemra shihet, zemra sheh
Zemra njihet, zemra njeh
Zemra pritet, zemra pret
Zemra vritet, zemra vret…
Prill 1991

***

Guxova me guxue; ndo keq, ndo mirë
Se, pa guxim, s’arrihet asnji cak.
Shumë kufinj kam shkelë me hir, pa hir
Dhe vdekjes, ndonjiherë, i shkela në prag

Zbraztinë e shpirtit shqyrtova tejpërtej
Edhe me shpresë e mbolla, me besim
Dhimbjes ia zbuta plagët gjithandej
Kështu iu kthye hareja shpirtit tim

Me terrin u përfyta me guxim
Sa, ma në fund, ia çarta dhe rrethimin
Dhe dritën përshëndeta me gëzim

Çdo padrejtësie ia shkela kufinin
E i zbërtheva prangat e vetmisë
Për t’u ngritë në qiejt e kaltërsisë
Janar 1992

 ***

Përherë me ty, përherë pa ty
Kërko me zemër, kërko me sy
Nji çast m’u shfaqe: shkreptimë e nur
Ooh, çast fatal, mos ardhsh ma kurrë!…
Kur t’gjeta ty, unë humba veten
Kur t’humba ty, gjeta vetveten…
Korrik 1991

Malli per vendlindjen…

Foshnje më rrëmbyen nga gjini yt
Të fundit pashë Gjallicën kapuç-bardhë
Pastaj gjithçka nëpër mister u zhyt…
Oh, malli po më djeg, se due me ardhë

Sërish të shoh Gjallicën si shkërbé
Veshun në jeshil me gajtana bore
Kryet e argjentë krenare përmbi ré
Kambët mbështetun fort nëpër tërthore

Që me dashuni ia freskojnë Drinat
Dhe lulet që rreziten në pranverë
Rudat që kullosin… Të shoh trimat

Sesi n’betejë u turrën si skifterë
Të shoh Qafën, Kullën, historinë
Gjurmët e atyne që për komb u shkrinë…
Qershor 1993

Gjylie Kolgjini (Lokja) me nusen dhe mbesat
Gjylie Kolgjini (Lokja) me nusen dhe mbesat

Vdekja e Lokes

    I
Ja, mu aty ku je, qe Baba Aliu
Më tha: erdhi vakti, tashti eja, mjaft ma…
Hajt Loke, se sa andrra sheh njeriu
S’duhet me u ba vesvese. Nuk thonë gja…

Nuk qe andërr, jo, moj teleshmene
Baba Aliu më foli, me t’vërtetë…
Due me t’porositë për disa sende
Këtu në zemër, nakël m’kanë mbetë.

Po kemi kohë. Shko ban paçamurin.
Fëmijët duen me ngranë. Vjen e lodhun Seri.
Rregulloje llambën, kujdes vojgurin

Mos harro drutë, mbush nji krah e bjeri
Cucat mbas darke, leshin të lënurin
Lëveret e pelenat nusja le t’i teri!

II
Due me ba nji banjë, të kem abdes.
E lanë, e veshën, ia krehën flokët
Nanës së përvuejtun. Ashtu plogët
Në dyshek e vunë me shumë kujdes.

“Mbromi o Zot këto foshnje! Me derte
Po rriten, jetimë me babë gjallë!”
Reshti tue përsëriti me afsh të rrallë:
“Na mëshiro o Zot, na mba për Vete!”

Kur erdhi e reja mbas dite vonë
Nji zarf mbante në dorë si hajmali.
Mbas nji viti, i kishte shkrue djali!

N’votër ushtoi gëzimi me jehonë
Nana puthi letrën e shtiu në gji
E iu përlot fytyra me lot malli!

III
Kujdes! Mos m’ia shëmtoni djalit shpinë!
M’i sillni cullët t’i shoh, të nxjerr mallin.
U prek fytyrën, u ledhaton ballin…
“Bani gajret! Keni Baba Alinë.”

Paradite fjalët i shqipton qartë
Mandej i trashet gjuha, fjalët ngecin
Ballin, flokët, kambët, duert ia prekin
Mpaket, kotet, jermohet, flet përçartë

Disi qetësohet, e kap nji gjumë i thellë
Frymëmarrja – shungullimë në shpellë
Befas humbet, mundimshëm nisin grahmat

Me napë të lagët ia njomin buzët
E rreshkuna… vonë ndihen piskamat!
Rrethi i syve – si gjerdan i bruzët…
Maj 1981

O ju shtinjakë

 I
Me iso lehët, hunguruet, u skërmitët
Dhelpënisht me gjurmuet, orë e çast
Nga nji herë, si majmuna, m’u avitët
Lajkatueshëm më lavduet, në çdo rast…

Sinqerisht ju kam folë, ashtu si folet
Por e pashë se çiltërsia s’ban dobi
Më dyshuet, më gjykuet, më përfolët
Sjelljen time ju e patë me zili…

Puna flet. Flet me fakte. Zgjodha punën
“Do të ngihen ndoshta këta, kur të vdes”
Dhambë-shtrënguet përballova edhe dhunën

Por dhe vuejtjet ju m’i patë jo pa smirë
Erdhi dita, u çliruet, shkuet serbes
Ç’ngazëllim, kur më patë në teneshir!…
Nandor 1995

II
Turrmuni sërish, në ju kaptë ndeza
Me shetën, me lopata, tërnakopë
Me temp ushtarak marshoni kah varreza
Me turn rrëmihni, hapeni at’ gropë…

Mish nuk ka teprue për ju të gjorët
Mos nxitoni, gjithkush pjesën e vet
Se mishin e rrufitën rrëshqanorët
Banketi juej – vetëm nji skelet…

Ndajeni, pra, njerëzisht skeletin
Secili le të marrë aq sa i takon
Kësisoj, ndoshta, e hiqni sikletin…

Ma i afërmi, ashtu siç meriton
Kafkën të shijojë, të bame trokë:
Pa buzë e hundë e veshë, pa kokërdhokë!…
Maj 1996

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Eugjen Merlika
    Falenderim e vlerësim autorit të shkrimit.
    Të lumtë, Jozef, për këtë shkrim të bukur, në përvjetorin e ndërrimit jetë të një shoku e miku që na la shumë para kohe…
    Ka shumë për të shkruar për Të, në këtë ditë të trishtuar, që është 15-vjetori i largimit të tij nga bota jonë. Kujtimet e tij na vijnë në të gjithë vërtetësinë e tyre, për mua një mbi të gjitha: Arrestimi i tij i parë. Ishim bashkë e po niseshim për në Savër, ku banonim, kur dy oficerë Sigurimi na dolën para dhe morën Ahmetin, që më la në dorë librat e tij. Ishte viti 1958, ishim në vitin e dytë të gjimnazit…
Në këto çaste nuk mund të mos e kujtoj mendjen e mprehtë e kulturën e gjerë, arsyetimin e saktë e pjekurinë e parakohëshme, bujarinë proverbiale e respektin për tjetrin. Por do të shtoja këtu një tjetër anë të personalitetit të tij, besimin e thellë tek Zoti, dhe mësimet e fesë. Ai besim i ka shpërblyer të gjitha mungesat e një jetë të privuar nga të gjitha të drejtat, sepse prej 15 vitesh ai shijon jetën e pasosur…
    Nderim e respekt emrit e kujtimit të tij, si shok, si mik, si bashkëvuajtës, si poet, si njeri, si përfaqësues i një brezi të dënuar nga historia, një brezi të humbur nën thundrën e diktaturës më të zezë.
    7 gusht 2014
    http://gazetadielli.com

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.