
“Djegia e dosjeve të Sigurimit i shërben partisë dhe popullit” – viti 1990
nga Kastriot Dervishi
Në diskutimin e bërë në Byronë Politike (si i ftuar), të datës 01.06.1990 zëvendësministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi, ngriti problemin e asgjësimit të dosjeve që ndodheshin në kartotekat e degëve të punëve të brendshme në rrethe. Kartotekat ishin njësi të specializuara arkivash në veprim (me kohë të caktuar ruajtjeje të dosjeve), të cilat mbanin dosjet e bashkëpunëtorëve dhe të raportuarve në mënyrë të fshehtë. Ashtu u bë. U zhdukën dosjet e këshillimeve, të cilat ishin unikale dhe me shumë vlerë historike. Për këtë arsye, Shqipëria nuk ishte rast i ngjashëm me asnjë vend në Lindjen komuniste, në lidhje me konsultimin e dokumenteve. Personat që jetonin në vitin 1990 e më pas, kishin shumë pak mundësi për të konsultuar dosjet me të cilat ishin raportuar. Midis të tjerave, Zylyftar Ramizi thotë:
“Ose le të marrim problemin e agjitacionit e të propagandës, për të cilin kemi një udhëzim që e përfunduam me shokët e gjykatës, të prokurorisë dhe të hetuesisë, të cilët janë plotësisht dakord. Për t’u zbatuar ky udhëzim, do të ketë përsëri hezitime, megjithëse e diskutuam më poshtë.
Ne mendojmë që me këtë udhëzim, të hiqen të gjitha emrat e personave që janë këshilluar. Bashkë me këtë të asgjësohen të gjitha dosjet e personave që janë këshilluar për 45 vjet, me të cilat janë mbushur të gjitha magazinat. Me këtë udhëzim mendojmë gjithashtu të heqim nga kartotekat tona materialet për të gjithë personat që kemi në përpunim për agjitacion e propagandë, që me ligjin e ri, nuk quhet më si i tillë, si dhe të atyre personave që kanë kohë që e kanë ndërprerë veprimtarinë armiqësore. Po ta lirojmë kartotekën nga të gjitha këto, duke i asgjësuar komplet, kam mendimin që i bëjmë mirë punës së partisë dhe popullit”.

Selami Zalli
Jo vetëm këshillimet, por edhe diskretitimet, dosjet e përpunimeve paraprake, arrestet e fshehta, skicat dhe hartat e vendvarrimeve, mbajtjes në burgje sekret, dokumentet e qendrave të filtrimit, asgjësimet sekrete dhe pjesa e madhe e planeve për eleminim në kohë lufte e “të fjeturve”.
Gjithsesi ka dhe do gjenden shumë që mbahen “fshehur”, siç thuhet në disa vargje të përshtatura kësaj tematike që ngjallin shpresë; “se pas vdekjes, ndriti jeta… ”
Rexhep Rrugeja
Për ato që nuk më njohin, quhem Rexhep Rrugeja. Jam nga Kavaja. Shkurtimisht po rrëfej torturat çnjerëzore që kam marrë nga Zv/ministri i Brendshëm Zylyftar Ramizi: Jam personi i parë që jam ngritur me dy gishta lart duke thërritur Liri-demokraci, Enver-Hitler, Poshtë diktatura komuniste etj, me 25 mars 1990, në stadiumin Besa të Kavajës me ndeshjen Besa-Partizani. Pas demonstratës së 25 marsit jam arrestuar me 26 mars të vitit 1990, nga i plotfuqishmi i lagjes Sharrë Shaqir Hasanlliu në shtëpinë time në prani të nënës dhe babait tim. Jam torturuar në mënyrat më çnjerëzore i lidhur duar e këmbë nga Zv/ministri i Brendshēm Zylyftar Ramizi, shefi i Policisë së Kavajës Sazan Tare dhe një sigurims tjetër me 26 mars 1990, në Rajonin e Policisë së Kavajës. Edhe pse gjaku me dilte nga goja e nga veshët ata as donin t’ia dinin. Ata hipnin sipër prangave me vida të cilat ishin lidhur te kyçet e duarve të mia. Sa herë që ata hipnin me këmbët e tyre sipër kyçeve të duarve të mia të lidhura me pranga me vida aq shumë shtërngoheshin prangat te kyçet e duarve. Prangat m’u futën thellë në kyçet e duarve. Nga goja e xhelatëve përveç fjalëve “armik”, “trego se ke lehtësira”, “kush të ka mësur të shash qeverinë” etj fjalë kërcënuese me tone të larta, ata më ofendonin me fjalët më të pista nga familja. Gjaku filloi të më rridhte në të gjithë pjesët e trupit. Jam marrë në pyetje nga operativi Gjon Momli, Osmon Guma, etj. Pas torturave çnjerëzore që mora në Policinë e Kavajës, bashkë me Selaudin Carën na futën në një xhip, anash u futën dy policë të armatosur, para xhip-it u futën dy xhelatët e mi: Zv/ministri i Brendshëm, Zylyftar Ramizi dhe një xhelat tjetër të cilët na shoqëruan në degën e Durrësit. Në Durrës pasi hoqa vetëm këpucët, sepse para, rrip apo sende të tjera nuk kisha, më përplasën në birucën e fundit përballë banjove në katin e parë. Në birucë kam ndenjur fare i vetëm. Dysheku më i mirë për mua ishte shallesa e dyshemesë. Batanije s’më dhanë. Në Policinë e Kavajës edhe pse u torturova në mënyrën më çnjerëzore nuk pranova asgjë. Në birucën e Durrësit jam torturuar mizorisht nga xhelati Zylyftar Ramizi dhe të tjerë xhelatë si drejtori i birucave Feridi i cili ishte ezmer, Rexhep Kajoshi dhe hetuesi. Torturat ishin si në Policinë e Kavajës por ato binin pa pushim mbi trupin tim sepse më merrnin orar pa orar. Edhe pse gjaku më kullonte nga veshët e goja edhe pse më ra tre herë të fikët, Zylyftar Ramizi me xhelatët e tjerë nuk donte t’ia dinte. Më kanë lagur me ujë për të ardhur në vetë, më pas më kanë mjekuar pasi kam rënë tre herë pa ndjenja. Nga torturat çnjerëzore që mora dhe në birucën e Durrësit nuk kam pranuar asgjë. Jam liruar me kusht nga kryetari i Gjykatës së Kavajës, Kristaq Andoni bashkë me Selaudin Carën dhe jam marrë në gjykim të lirë nga kryetari i gjykatës së Kavajês Kristaq Andoni, gjyqtari Pluton Bylibashi dhe sekretari i partisë Agron Tafa. Pas disa muajsh shkova në Tiranë për të takuar një oficer të lartë i cili quhej Andon Minxha. Andoni është dhëndër Kavaje dhe kishte kryer ushtrinë me babanë tim. Arsyeja e takimit me Andonin ishte që ai të na ndihmonte për të mbajtur vëllanë tim Ilirin sa më afër, mbasi Iliri u dënua sërisht me 4 vite burg dhe po në seancën e gjyqit i hoqën nenin e agjitacion e propagandës dhe i dhanë 1 vit burg për kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë. Duke ecur, vura re se po na ndiqnin. I thashë nënës mos e kthe kokën prapa se dikush po na ndjek. Kur mbrrita në rajonin e Policisë së Tiranës i thashë policit të shërbimit: Dua të takoj shef Andonin. Duke pritur jashtë portës vjen Andoni. Sapo u përshëndeta me Andonin përpara meje shfaqet xhelati Zylyftar Ramizi i cili i tha Andonit: “Ndihmoje Andon armikun e klasës t’i mbash vëllanë sa më pranë, ndihmoje. Më mban mend! Të kam shkelur me këmbë, të kam shkër…yer… Nga goja e tij dilnin fjalët më të pista, fjalë që m’i kishte shprehur edhe në Policinë e Kavajës dhe në degën e Durrësit.
Pas disa viteve pyeta persona, si Andon Minxha ,Gjon Momli etj dhe dy prej tyre më thanë që xhelati që të ka rrahur në mënyrën më çnjerëzore dhe që të ka ndjekur nga pas, ishte Zylyftar Ramizi. Shkurtimisht rrëfeva disa çaste të torturave çnjerëzore marrë nga krimineli Zylyftar Ramizi. Pas gjykimit të lirë, unë u arrestova dhe dy herë të tjera në 1990. Dosjet i kam kërkuar dhe do të vazhdoj t’i kërkoj me shpresën te i madhi Zot mbasi shpresa vdes e fundit!
Fatkeqsi për mua dhe për të gjithë shqiptarët që nuk e fituam demokracinë e vërtetë pasi ne, na udhëheqin bijtë e Enverit. Respekte për të gjithë ato burra që u torturuan mizorisht në birucat enveriste…
Qazim Neza
Këshillimet kanë qenë form diskriminuese dhe jo proçes me vlerë morale… Mblidhej i gjithë fshati apo e gjithë ndërmarrja dhe të diskreditonin me fjalët më fyese dhe nëse t’i jepje shpjegim ose arsyetim dhe nuk flisje ashtu siç dëshironin ata (të bëjë autokritikë pa bërë asgja) të vejshin hekurat në mes popullit… Dami i madh me dosje është bërë që janë zhdukë ato ku kanë pasë pasqyrime veprimtarie të personave që me shërbimin e spiunazhit të tyre janë vrarë e varur, dënuar e internuaër e shkatërruar shumë familje pa kryer asnji faj… Të shumtit ose të gjithë ata sot ose kanë pensione të majme ose me pasaportë USA e djem e nipa Deputetë, ministra eeee Kryeministër…
Marrë nga Muri i Kastriot Dervishi, 29 mars 2025