back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Dje e sod – Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939

Gazeta

Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939
Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939

Pjesë nga kryeartikulli i revistës Hylli i Dritës, korrik 1939.
Unë do t’ia kisha dhanë një titull tjetër
ma kuptimplotë me një fjali të vetë këtij artikulli
‘E pushka iu ngrî në dorë!’
Çdo ngjashmëni me persona dhe ngjarje reale
asht Shqiptaro-Historikisht e rastësishme!
Agim Morina

Dje e sod*

Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939

Kur u bâ Shqypnija, nji shumicë e shqyptarëve u gëzue. Robnija e errsija e pêsëqindvjetëve na ndrroi êmnat, por nuk muejti me na i ndrrue zêmbrat.
Se e deshtëm lirín, se punuem për lirí, flasin lufta e Kosovës, luftat e Malcís së Madhe e të Dukagjinit, luftat e viseve të Jugut, flasin sá flamuj, sá libra, sá kangë, të cillat ngrohen, u dhane flakë zêmbrave; flasin sá lot përmallimi e gëzimi kur flamuri, i mshehun, i ruejtun me zilí, pau nji ditë dritën e diellit; flet Karlo Suma, i cilli në mes jetës e dekës i kërkote me lot per faqe doktorit me i a zgjatue jetën deri sá të shihte symbolin e dishruem të kombit tuj value të lirë mbi Rozafë. Flet Dedë Gjo Luli, Çerçiz Topulli, Bajram Curri, Themistokli Germenji, Luigj Gurakuqi, Mustafa Qulli, e sá heroj tjerë.
U suell fleta e parë e historís s’onë së lumnueshme. Në fleten e dytë nisen me u regjistrue përpjekjet e ndërtimit. Si në çë do vend, porsá të lindun, bîjten ndërtuesa, bîjten shkatrruesa. Urdija e hajdutve, e gjaksorëve, e trathtarëve grabiti, mbyti, shiti. Selija e te këqivet u vendue mbi shpinë të njij populli fisnik. E tokë e zêmbra e vepra u mbyten n’ujë e vorfní, u mbyten në gjak e lot, u mbytën në harresë e përbuzje.
Dikush na këqyri me çudí si na qi diejtëm me shkundë nji robní të randë shekullore, nuk po ishim të zotët me i zëvendsue të këqít me flamurtarët e rí të mirsis! Por na, protagonistat e shkatrrimit t’onë as nuk i deshtëm as nuk i përkrahem; kjené rrethanët e ndryshme qi na i prune, kjenë rrethanët e ndryshme qi na i imponuene. Në mjes frigës e mnerìmit, shum burra e djelmosha guximtarë panë burgjet e mundimet, e na e çuem shum herë zânin t’onë me luftue sá vepra t’urrejtshme, me i bashkue fuqít e pastra për ditë mâ të mira.

Hylli i Drites Vjeti - XV - 1939
Hylli i Drites Vjeti – XV – 1939

Kuidesi i jonë mâ i forti kje me ndalue nji koncept të keq qi po formohej për fjalën pamvarsí. Shumica e atyne, qi historín e dán ndër perioda të shkurta jete, priti ato të mira qi falë lirija: lirín me punue, lirín me mendue. Priti prej drejtuesave shqyptarë ndimë, kujdes e përkrahje, priti dashtuni e drejtsí. Shqypnija u bâ pasuni e njij grupi, shqyptarët u êmnuen shërbtorët e vllaut. Luftari i maleve, puntori i fushave dikur rroku pushkën me trimní të pashembull kundra anmikut qi deshti me i pushtue tokën; në ditët e lirís u gjet para vllaut-anmik qi i grabiti tokën, i shkeli zêmbrën, i nëpërkambi nderën. E pushka i u ngrî në dorë! Pamvarsija e jonë jetoi ndër ditë t’errta aq sa shumkush mërrijti me vshtirsi të dallote robnin prej lirís. Na u dha sá herë me mendue mos nuk ishim bâ ende për lirí, mos ishim këputë pá pjekë. Mund të jetë kênë deri diku e vërtetë.
Por na, nak dishrojshim me këthye mâ mbrapa.
Deshtëm me i provue, me i jetue fazët e vshtira të historís së njij populli, deshtëm me shpresue se ky vend qi i fali sá heroj, sá punëtorë Ballkanit, do të qitëte prej gjiut të dërmuem aq bij t’aftë, aq luftarë trima, aq punëtorë të nderëshem sá me dishmue se gjaku i derdhun nuk kishte humbë kot. (…)

*Artikulli asht pa emën autori
Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939 XVIII Vjeti XV Shkodër, fqt. 145-148

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.