
Djaloshi tepelenas që foli në foltoren e Berishës
fjalimi i plotë i Alessandro Xhufit
Faleminderit, Alessandro
Kur Alessandro përfundoi fjalimin e tij, e gjithë foltorja mbeti e mbushur me një heshtje të ngazëllyer – disa duartrokitën, disa ndjenë rrahje zemre nga emocionet. Një pjesë e parme e sallës, ku uleshin bijtë e ish-persekutorëve dhe spiunëve të diktaturës, u mpinë për një çast – fjalimi i riut i goditi thellë, duke ua përplasur para fytyre të shkuarën që ata shpesh e kishin dashur të harrohej.
Në atë çast, shumë sy prisnin që Sali Berisha të ngrihej, të thërriste djaloshin pranë, t’i shprehte mirënjohje dhe ndoshta edhe ta përqafonte për guximin e tij të rrallë. Por Berisha, me atë përvojë të gjatë politike dhe fytyrë të ftohtë të stërmësuar nga vite betejash, nuk e ndryshoi shumë shprehjen. Ai dëgjoi fjalimin, e përtypte brenda vetes dhe i ktheu një përgjigje formale, pothuajse rutinore, pa ndonjë emocion të hapur.
Në një moment, ai dukej si njeriu që po shikonte një fjalim normal, jo një thirrje të zjarrtë nga zemra e një të riu për lirinë dhe dinjitetin e kombit. Reagimi i tij ishte i djallëzuar, politikisht dhe moralisht, – një falenderim nga afër apo një shtërngim dore i munguar që shumë e prisnin, por që nuk erdhi. Megjithatë, kjo heshtje dhe kjo ftohtësi e Berishës nuk zbehën dot fuqinë e momentit: Alessandro kishte folur, kishte lënë gjurmë, dhe e gjithë audienca e ndjeu guximin dhe pasionin e tij.
Faleminderit Alessandro – nga Kujtim Cekani

Alessandro Xhufi është një i ri 19-vjeçar, i lindur në Itali, por me zemër dhe rrënjë shqiptare. Ai vjen nga një familje tepelenase e përndjekur nga diktatura komuniste, dhe historia e saj i ka dhënë atij një sens të fortë të drejtësisë, lirisë dhe dashurisë për atdheun. Me guxim dhe bindje, Alessandro përdor foltoren për të përfaqësuar brezin e tij dhe për të thirrur për një Shqipëri të lirë, të ndershme dhe të mbushur me vlera. Fjalimi i tij është një thirrje për të mos harruar të shkuarën, për të mbajtur gjallë traditat dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për vendin e tij.
“Jam lindur në Itali dhe jam 19 vjeç, por zemra ime është shqiptare. Studjoj në Holandë, por rrënjët e mia janë këtu, në Shqipëri. Vij nga një familje tepelenase e persekutuar nga diktatura komuniste dhe historia e tyre më ka mësuar se çfarë do të thotë të jeshë i lirë, por edhe të luftosh për të drejtën dhe dinjitetin. Për këtë arsye ndihem i detyruar të flas për Shqipërinë, për të kaluarën dhe të ardhmen e saj.
Dua të flas për konservatorizmin, jo si ideologji, por si një mënyrë jetese: për të ruajtur familjen, moralin, traditën dhe dashurinë për atdheun. Konservatorizmi është themeli që mbështet shoqërinë dhe ruan identitetin tonë kombëtar. Të jesh konservator nuk do të thotë të kthehesh mbrapa, por të mbash të shenjta ato vlera që na kanë mbajtur gjallë si popull: besën, ndershmërinë, sakrificën dhe dashurinë për Shqipërinë.
Ne shqiptarët kemi nevojë për një rilindje të vlerave. E kemi harruar se kush ishin burrat e mëdhenj të kombit tonë – njerëz si Mit’hat Frashëri, që ishin intelektualë, patriotë dhe europianë të vërtetë. Ai u shpall armik nga komunizmi, sepse mendonte ndryshe, sepse donte Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Historia nuk mund të fshihet; një komb që harron Mit’hat Frashërin nuk e njeh vetveten.
Mit’hati thoshte që shqiptarit i duhen nacionalizmi dhe dituria aq sa i duhet buka, por fatkeqësisht sot kemi arritur në një kohë kur në Shqipëri jo vetëm mungojnë dituria dhe nacionalizmi, por edhe buka. Fajtori i kësaj situate është Edi Rama dhe grupi kriminal i ashtuquajtur Partia Socialiste e Shqipërisë.
Duhet të hapen dosjet e komunizmit. Duhet të dimë kush ishin xhelatët dhe kush ishin viktimat. Pa e pastruar ndërgjegjen tonë nga mëkatet e së shkuarës nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të ndershme. Një komb që nuk përballet me të shkuarën e vet është i dënuar ta përsërisë atë. Ne e kemi detyrë morale që të themi hapur që heronjtë shqiptarë kanë qenë Safet Butka, Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi dhe Ali Këlcyra, jo kriminelët komunistë si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi.
Unë dhe brezi im nuk do të pranojmë të udhëhiqemi nga frika apo nga injoranca. Ne jemi brezi që nuk pranon hetuesit e Enverit si Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj si model. Ne duam një politikë të ndershme, një shtet që respekton ligjin dhe një Shqipëri që e do rininë e saj. Mos na thoni se nuk ka shpresë – sepse ne jemi shpresa. Mos na thoni se është vonë – sepse për ta dashur Shqipërinë, asnjëherë nuk është vonë.
Shqipëria mund të bëhet. Por jo duke harruar të shkuarën – përkundrazi, duke u përballur me të, me guxim, me të vërtetën dhe me besim tek Zoti dhe tek kombi.
“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”