
Disa sqarime për një tabelë me shifra
nga Kastriot Dervishi
Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit, për personat që ndiqte hapte këto lloj dosjesh:
-Përpunim paraprak – (PP), kur kishte të dhëna të pavërtetuara mirë për “veprimtari armiqësore”.
-Kontroll operativ – 2/B ndaj personave me origjinë nga “radhët e armikut”
-Përpunim aktiv, 2/A ndaj personave që zhvillonin “aktivitet armiqësor”.
-Problem i centralizuar, për raste me më shumë se një person. Këtyre iu vihej një pseudonim, përgjithësisht tallës ose denigrues si p.sh. “Katrani”, “Llafazanët”, “Bloza”, “Idiotët”, “Shtrigat”, etj.
Oficerët e Sigurimit të Shtetit përgjithësisht nuk e shkruanin mirë gjuhën letrare shqipe. As për nivel fillor nuk bëjnë, lëre pastaj për inteligjencë.
Jo vetëm përpara Kongresit të njësimit të gjuhës në vitin 1972, por edhe më pas, e shkruara e tyre është në pikë të hallit. Ja kapaku e një dosjeje problem i centralizuar, e mbyllur në vitin 1987 në një rreth të vendit, ndaj 13 personave.
Punëtori operativ i dosjes i quan të implikuarit e tij “injorantë” dhe për këtë arsye kështu e ka titulluar dosjen.
Por duke mos e ditur se si shkruhet në gjuhën shqipe kjo fjalë, mbi dosjen agjenturiale ka shkruar me ngadalë, qartësisht e bukur fjalën “injëoranti”.
Nisur nga disa keqkuptime e keqinterpretimi të bëra për një fletë të marrë nga libri im “Sigurimi i Shtetit 1944-1991”, Tiranë 2012, faqe 238 (fleta bashkëlidhur), po sqaroj kuptimin e fjalëve të gjendura aty. Të dhënat janë për rrjetin sekret të Sigurimit dhe personave që ndiqeshin apo ishin në vëmendje (listuar) prej organit në fjalë.
1.Rrjeti sekret
Në tabelë jepen të dhëna vetëm për agjentët dhe informatorët (të ndarë në dy grupe). Mungojnë të dhënat për rezidentët dhe strehuesit, të cilin ishin kryesisht komunistë ose njerëz të besuar.
-Agjenti ishte “element i kompromentuar me punë armike dhe që në bazë të materialit komprometuese që ka për të Sigurimi”, pra vinte kryesisht nga shtresa e përndjekur, në bazë të të cilit imponohej “të punonte për Sigurimin në radhët e armikut”.
-“Informatori me baza vullnetare” nënkupton grupin e ardhur nga elementi i përndjekur me “material shtrëngues”.
-“Informatori me patriotike” nënkupton grupin që rekrutohej me dëshirë dhe që vinte nga radhët e Partisë së Punës ose ishte i afërt me të.
2-Grupi që përndiqej
-Me dosje formulare të përpunimit aktiv 2A ndaj personave që ushtronin veprimtari ndaj regjimit.
-Me dosje formulare të kontrollit operativ 2B kryesisht ndaj personave me origjinë të deklasuar por që nuk ushtronin veprimtari ndaj regjimit.
-Me dosja të kontrollit operativ paraprak (PP), me karakter të përkohshëm, e cila hapej për personat për të cilët kishte dyshime të paverifikuara.
-Me fjalë “kontingjente” nuk duhet të kuptojmë dosje personash, por lista me emra. Kontingjente në kuptimin e termave të Sigurimit quheshin “kategoria e deklasuar, me përbërje e qëndrim të keq politik, të infektuar me ideologji reaksionare, të cilët kanë mundësi të zhvillojnë veprimtari armiqësore e keqbërëse”. Kontingjentet e hapura ishin ato që kishin kryer akte të njohura, duke përfshirë të afërmit si prindët, gruaja, burri, fëmijët, vëllai, motra, xhaxhai, nipi ose mbesa, kushëriri i parë. Te kontingjentet e mbyllura hynin personat që vinin nga e njëjta kategori por që dyshoheshin e nuk ushtronin veprimtari. Në tabelën e vitit 1987, nuk ka nënndarje listash, por janë paraqitur si shumatore.