back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 11 Nëntor, 2025

Dine Dine: Një rast i veçantë lexuesi, transformuar në kohë, në një rast të veçantë krijuesi! – analizë nga Jozef Radi

Gazeta

Promovimi i Veprës së Dine Dines - Lushnje, 4 tetor 2025
Promovimi i Veprës së Dine Dines – Lushnje, 4 tetor 2025
Promovohet në qytetin e Lushnjes vepra e Dine Dines

Më 4 tetor 2025, u promovuan librat e autorit tonë lushnjar Dine Dine.
Një pikëtakim në të gjitha librat, qofshin këto romane, novela e tregime shfaqet realiteti komunist e segmentimi i asaj periudhe duke e ngërthyer me letraritetin.
Autori shkruan, përqas kornizimin migjenian duke glorifikuar të bukurën, himnizuesen e të dëshirueshmen e fikson realitetin ashtu siç ishte i egër, në konceptimin e plotë të fjalës. Rrugëton drejt një antikiteti me Karontin për të shkuar në dimensionin dantesk të Mesjetës për të vërtetuar që “ferri” i përjetuar është pjesë e së përditshmes mbi censurimin e gjithçkaje.
Varfëria, padrejtësia dhe frika ishin komponentët dinean që u diskutuan ditën e sotme.
I urojmë jetë të gjatë autorit e krijimtari të pashterrshme!
Me respekt,
Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve, Lushnje!

Autori Dine Dine
Autori Dine Dine
Dine Dine: Një rast i veçantë lexuesi,
transformuar në kohë, në një rast të veçantë krijuesi!
analizë nga Jozef Radi
Së pari ju kërkoj ndjesë për mungesën në këtë promovim të një autori si Dine Dine, veprën e të cilit e njoh që në lindjen e saj, ndaj shpreh keqardhjen që për arsye objektive s’jam i pranishëm mes intelektualeve të këtij qyteti, ku kam kaluar edhe periudhën më të rëndësishme të formimit tim. Shpresoj që në një të nesërme të jem pjesë e juaja!

Dine Dine mbetet një lexues i hershëm dhe mjaft i vëmendshëm i letërsisë së mirë… po e quaj kështu, edhe pse ky s’është term i saktë. Mjaft prej figurave të mëdha e të njohura të letërsisë botërore, duke filluar prej Shopenhauerit, (për të cilin Dine ka pasë në vazhdimësi dobësi të veçantë) Dostojevski, Niçja, Tolstoj, Hygoi, Balzaku, apo anglosaksonet: Shekspir, Kipling, Drajzer, Whitman, Edgar Allan Poe, po edhe figura me dritë të letërsisë shqipe, kanë qenë gjithnji pjesë e vëmendjes ne leximet e tij, nuk do të harroj të nënvizoj edhe faktin se s’ka vepër të shkruar prej miqve të tij, që ai mos ta ketë lexuar dhe të ketë shprehur opinionet e tij, pa asnjë dozë ilustrimi! Ndaj mund të them se leximet e tij, kanë qenë disi ndryshe nga leximet e zakonshme, mbasi në librat e tij do të gjeje plot nënvizime, shënime anash e reflektime, e ta dëgjoje të shprehte me emocion pjesët më të bukura, e shprehur me konceptet e sotme moderne do ta quaja lexime 3D (tredimensionale), gjë e cila e konfiguron atë, si rast i veçantë lexuesi, gjë e cila në kohë e transformoi, gjithnjë simbas meje, në një rast të veçantë krijuesi!
Duke u bërë kështu, për të gjithë ne që e njohin nga afër, një figurë mjaft referenciale ndër biseda të thella për letërsinë, filozofinë artet po edhe në të përditshmen e zakonshme. Ai ta imponon mendimin, përmes kulturës së leximeve reflektimeve të holla dhe humanizmit të shkrimtarëve të vërtetë.

"Alida" - Novele nga Dine DIne
“Alida” – Novelë nga Dine Dine
Nëse ndjekim një itinerar leximi të veprës së tij, (vepër e cila ka marrë përmasën e komunikimit me lexuesin, vetëm mbas viteve 2020) e kupton se ai jo vetëm është ndikuar nga fryma e korifejve të letrave botërore, po ndjen se është përpjekur ta bartë atë lloj letërsie, që ka krijuar tek ai mjaft fqinjësi me përgjegjsitë letrare të tyre, sigurisht në rrethana jete tejet të ndryshme, gjithnji duke i qëndruar korrekt modestisë së tij të krijimit, të cilën e konsideroj si vlerë të veçantë e veprës së tij. Pretendimet e tija modeste, mbeten vlerë e shtuar e gjithë krijimtarisë së tij të botuar këto 5-6 vitet e fundit, po që simbas meje, parapërgaditja për realizimin e kësaj pune ka nisur shumë më herët.
“Varka e Karontit” ishte e para vepër e tij dhe pasti disa botime. Së pari u botua nga UET, e më pas njohu edhe botime të tjera. Ajo qe hapi i parë i një suksesi pozitiv, që e nxiti të nxjerrë nga “sirtari” edhe veprat e tjera, që rrinin në pritje “të kohëve më të mira…!”
Vepra më e veçantë e Dine Dines, mbetet “Alida”, një novelë , të cilën unë do ta quaj një poemë shpirtërore për dashurinë e pamundur, që simbas mjaft lexuesve dhe studiuesve profesionalë, konsiderohet si një ndër novelat më përfaqësuese të periudhës midis diktaturës e postdiktaturës, një vepër e cila larton në piedestal, ndjeshmërinë, bukurinë, dashurinë e pamundur, nën terrorin e luftës klasore inercia e së cilës vazhdon edhe në kohë më të lira…
“Gjyqi i Shopenhauerit”, është një libër me tregime dhe rrëfime të cilat përbëjnë puzzllen e një jete, ku pesha e pushtetit mbi individin e pambrojtur kapërcen çdo limit… Në libër janë të përfshira edhe disa rrëfime nga gruaja e tij, Adriana, e cila i përballoi vuajtje dhe bëri sakrifica të panumërta, dëshmia e të cilave në këtë libër shfaqet si një risi, ku e “Keqja e Madhe” shihet nga të dy anët e medaljes, nga brenda dhe nga jashtë atij burgu të madh… e ku përjetimet e dy njerëzve që pësojnë një padrejtësi në rininë e tyre, dhe e përballojnë atë thundër të hekurt mbi fatin e fëmijës, nënës dhe në përgjithësi gjithë familjes, për një periudhë thuajse dhjetëvjeçare e ku vuajtjet dhe sakrificat përmes thjeshtësisë së rrëfimeve të dy personave, bëhen pjesë e së vërtetës së shumë familjeve që kaluan nëpër atë kalvar të tmerrshëm, duke fituar kështu një përmasë të re: atë të komunikimit letrar me lexuesin.
Libri “Në kërkim të fjalës së lirë” përbën kontributin publicistik të Dinë Dines botuar kryesisht në shtypin amerikan të diasporës, “Dielli dhe Illyria” ku në vazhdimësi ai ka mbajtur qëndrime në lidhje me personalitetet kohën dhe ngjarjet si para edhe pas diktaturës duke dëshmuar qysh herët raportin e tij me rrethet kulturore dhe patriotike në diasporë po edhe të qenit aktiv edhe në kushtet e mbijetesës amerikane…
Tek libri “Burgu i Spaçit” gjejmë vëzhguesin e hollë dhe skrupoloz, jo thjesht të një vuajtësi apo bashkëvuajtësi që dëshmon tragjiken e vetes, rrethanave apo të shokëve, por ai na jep një panoramë të gjerë të një kohe të caktuar, të një vendi dhe një rrethanë të caktuar, ndaj shumë prej atyre që kanë vuajtur një nga burgjet më të egra të diktaturës, tashmë edhe kjo në një formatin letrar të guximshëm!
Vepra e Dine Dines është shkruar në limitet kohore të moshës. Si e tillë, ajo ka brenda vetes jo vetëm akumulimin e gjithë kulturës së asimiluar nga jeta dhe asaj të kultivuar brenda vetes, po edhe mangësinë e komunikimit në kohë me lexuesit… E megjithatë, ajo mbetet një dëshmi e fuqishme e së vërtetës, në një realitet hileqar që funksionon me të shkelur syri, e që kurrë s’pati respekt as për vlerat, as për të vërtetën, as për vuajtjen e sakrificat e mijra të pafajshmëve që vuajtën pa e ditur pse, as për kulturën e gjithë atyre figurave me dritë që mund të kishin kontribuar me dinjitet për këtë vend. Vërtet ata pësuan dëme të pariparueshme prej një kohe të skëterrtë, por edhe koha që premtoi liri, nuk u shpalos dot ndryshe, pos si një kohë që veç i dha trajtën e farsës, lirisë….
Me pesë veprat e botuara, me të cilat është ballafaquar vazhdimisht lexuesi gjatë këtyre 5-6 viteve, Dine Dine s’ka rreshtuar së shkruari e së punuari. Shpresohej që brenda këtij viti, ose nga fillimi i vitit që vjen ai të realizojë një tjetër vepër, ndoshta më të vëllimshmen e tij. Edhe pse aty ka elemente të shumtë jetësorë e personalë, ajo është e ndërtuar në trajtë romani, ku paraqitet kompleksiteti i raporteve të njeriut me kohën, e ku elementi kohë apo moshë, te figura letrare e Dine Dines e ka humbur sensin e vet, e që besoj se edhe ky promovim është thelbi i kësaj së vërtete.
Ndoshta i rashë pak shkurt, por shpresoj se një herë tjetër analizë mbi veprën e Dine Dines, ajo do të plotësohet dhe do të jetë edhe më shteruese, edhe më e thukët, sepse brenda saj ka mjaft elemente që s’duhen anashkaluar, përkundrazi duhet ndalur, për të kuptuar çfarë ka ndodhur me shtresa të ndryshme sociale në këtë vend ku e keqja e pësuar është shpërndarë si njollë vaji në lëng, duke e dëmtuar mjaft cilësinë e mardhënieve kolektive të një shoqërie e cila u izolua dhe u përjashtua në mënyrën më të egër të mundshme nga komunikimi me të vërtetën…
Në përfundim mund të them se: roli dhe zëri i shkrimtarit në vendet nën kërcënim diktaturash, është një domosdoshmëri jetike, jo thjesht për shkak të ndonjë dobie estetike që mund mund të prodhojnë te lexuesi, por e mbajtjes gjallë të shpirtit të rezistencës, si dëshmi e forcës së shpirtrave që deri në grahmën e fundit e mbajnë si ideal të vërtetën, e Dine Dine është rrekur pafundësisht ta bëjë kët akt duke e suprimuar moshën…
Ju falenderoj për vëmendjen!
Jozef Radi, Divjakë 26 shtator, 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.