
Dine Dine – Fisniku që i mbijetoi diktaturës si i tillë
nga Dritan Korumi
“Përse qahesh nga armiqtë?
Mos duhesh vallë të bëhesh miq me ata,
Për të cilët qenia jote,
Bëhet fshehtas një qortim i përjetshëm”
Me këto vargje nga Gëte, Shopenhauer, i jep nië shpjegim Nderit Kalorsiak, një nga parimet e të cilit ështe se: “Nderi kalorsiak humbet nga sjellja e atij që e ka dhe ja nga sjellja e të tjerve ndaj tij…”
Po kaq e fisme ishte edhe ftesa, mikpritja dhe ceremonia e organizuar në Prishtinë për nder të sakrificës dhe veprës letrare të zotit Dine Dines.
Në rrugën Luan Haradinaj, ndodhet burgu i Prishtinës, i cili prej vitit që shkoi e ka statusine muzeut “Burgu i Idealit”. Në cilësinë e menaxherit të organizatës që mbikqyr këtë muze, Z. Alban Beqiraj, pasi kishte lexuar veprën e Z. Dine, e organizon një aktivitet për nder të tij. Ishte menduar një vizitë në këtë vend famkeq për vëllezërit tanë dardanë. Sipas Albanit, që shpjegonte me dhimbje në sy, ky burg u muar në administrim nga UNMIK pas çlirimit të Kosovës. Për këtë arsye, janë bërë edhe modifikime për ta përmirsuar gjendjen. Nga ky vend dhune dhe dehumanizmi kanë mundur të arratisen vetëm dy vetë: Muhamer Shabani dhe Martin Çuni, i cili është kap përsëri duke ju nënshtruar një regjimi torturash dhe izolimi të pashembullt. Falë Zotit ishte me ne, plot jetë e optimizëm. Ishte emocion i rrallë tek shihja si bisedonin të dy (janë bashke në foto). Besoj se më shumë se fjalët, flisnin sytë e tyre, njëlloj bisede që s’mund ta kuptojmë, më e pakta mund ta ndjejmë që ata flasin me një gjuhë që ne s’e kuptojmë – sepse siç thotë Brodski: “Vetëm Hiri e di çdo të thotë të digjesh plotësisht…”
Më pas, në ambientet e ajrimit, ishte improvizuar një amfiteatër, u lexuan pjesë nga romani “Mbi varkën e Karontit” nga aktori Afrim Muçaj. Pas leximit, drejtuesi Afrim Demiri, e ftoi Z. Dine, të shprehë diçka për audiencën. Më mirë se fjalët e mia, e shpreh fotografia e realizuar nga fotografi Kushtrim Haxha. I vetëdijshëm për vlerat që mbart, vlerat që trashëgon nga Familjet Nasufi e Kaziu dhe vlerat që ka dëshmuar edhe në “Ferrin e Spaçit” Zoti Dine, del para audiencës dhe thotë: “Jam shum i prekur nga ky nderim që më bëht në Prishtinë. Kaq i vërtetë dhe i veçantë është. Jam shumë i emocionuar. Ajo që mund të them është se gjithçka që kam shkruar është e vërtetë – ju falenderoj nga zemra – jam shumë i gëzuar!”
Sa shumë emocion dhe dhimbje nga kujtimet kishte në atë muze të dhimbjes dhe idealit! Më pas ishte menduar një koktej dhe bisedat mes atyre që kishin vuajtur në këtë vend dhe të ftuarve dhe artistëve nuk mbaruan deri në orët e vona të darkës. Dua të veçoj një nga të pranishmit – Z. Sébastien Gricourt, përkthyes i shkëlqyer nga gjuha Shqipe në gjuhën Frënge- ai fliste shqip shumë bukur. E falenderoj për kontributin e çmuar.
Reporting House ishte një muze i krijuar rishtas në Prishtinë. Gjenden në të mbi 40 orë xhirime nga reporter, persona, reporter lufte… vizita aty, në shoqërinë e Albanit dhe Martinit, ishte një moment tjetër plot emocion. Në atë muze, ishte dhe një fron i pazakontë: “Froni i Pashpresë” i ndërtuar me gëzhoja apo mbetje ushtarake të përdorura në luftën e Kosovës. E kam vendosur në setin e fotove si një kujtesë për të gjithë ne, se nuk duhet ta harrojmë sa shumë është luftuar për këtë Liri. Por edhe më shumë për “politikanët” që të dinë se ku janë ulur.

Vizita e fundit ishte në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në shoqërinë e Albanit pamë gjithë admirim këtë tempull të librit dhe diturisë njerëzore. Ajo foto (Z. Dine dhe Albani) e shpreh më së miri gëzimin që ata ndjejnë.
Dhe ëmbëlsira ishte takimi me Artistin e Madh Ilir Shaqiri, Nderi i Republikës së Kosovës. Takimi në zyrën e tij, biseda për librin mes librave ishte një emocion i veçantë. Me librin “Polifonia e mendjeve të Lira” dhuratë e çmuar nga autori, një kafe e biseda pafund në barin e Radio Kosovës.
Faleminderit i dashur Ilir, artist me shpirt e mendje të Lirë, për nderin dhe respektin që na kushton!

Të nderosh do të thotë te jetosh në formën e saj më sipërore – dhe Zoti Dine Dine e meriton këtë nderim në çdo fazë të jetës së tij. Mendoj se ai e mishëron më së miri përcaktimin që bën Shopenhauer: “Asgjë s’duhet ta thyejë njeriun në humanitetin e tij”
Me nderim i uroj Z. Dine, jetë të gjatë!
E quaj privilegj që isha pjesë e këtij eventi.
E përgëzoj Albanin për modelin human dhe kulturor që prezanton – u shtofshin djemtë e kulturuar në shqiptari…