back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 11 Nëntor, 2025

Dinamika e Gjuhes Shqipe – nga Genci Hoti

Gazeta

At Justin Rrota gjatë punës
At Justin Rrota gjatë punës
Dinamika e Gjuhes Shqipe
nga Genci Hoti

Ekziston një libër, ndoshta i pari në kohë, që ka bërë një përmbledhje të dinamikës së gjuhës shqipe ndër shekuj dhe mijëvjeçarë me autor Át Justin Rrota OFM me titull:  “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, bot. I, Shkodër 2006, libër të cilin të Marrët e Madhështisë Shqiptare nuk kanë preferuar ta studiojnë edhe pse deklarojnë se kanë lexuar me qindra të tillë.
Unë i këshilloj ta lexojnë pasi është i vetmi libër që përmbledh ato që ka ndodhur me gjuhën shqipe.
Sipas Át Justin Rrotës OFM, burim i Gjuhës Shqipe ka ndjekur këtë dinamikë:
“Ndryshimi i madh, që duket ndërmjet shqipes e gjuhëve tjera indoevropiane e format e ndryshme të saja, kanë ndaluem për shumë kohë, që të bahej një gjykim i drejtë mbi këtë gjuhë. Disa ndër dijetarë, si b.f. Pott e Benloew, nuk e mbajtën për indoevropianë; dijetari Blau e bashkon me likishten e Azisë sëe Vogël” (Kretschmer).
Ata që pohuen afërsinë e shqipes me gjuhët indoeuropiane, qenë Xylander, Schleicher, Stir; por në mënyrë të posaçme Bopp-i në veprën: Gjuha Shqipe në marrdhanje të veta me gjuhë t’afërme,18 ku me shumë urti theksoi, se shqipja nuk kishte marrëdhanje të ngushta me kurrnji ndër to.
Schleicher mendoi se shqipja bashkë me greqishten e gjuhët italike përbante një grup në vete, që e quajti pelasgjik.
Këtë teori e ndoqne Stier e Kamarda.
Por albanologu mirënjohun Gustav Meyer në vj. 1888 provoi se shqipja ishte një gjuhë indoevropiane ndë vete, që u afrohet më tepër gjuhëve të Veriut se sa greqishtes.
Ma vonë në vj. 1891, botoi Fjalorin etimologjik të Shqipes prej 5000 fjalësh, ku vetëm 400 i nxjerr me rranjë indoevropiane: tjerat me origjinë greke, latine, italjane, sllave, turke etj.
Këta shpjegohet historikisht nga influksi i popujve fqij, por sidomos nga zotnimi shekulluer që ngjau në Shqipni (Romakët, Bullgarët, Serbët, Turqit).
Vendin e parë e zen latinishtja. Influksi i saj që me të vërtetë i madh, aq sa qe në rrezik të romanizohej, po të kishte vijue ma gjatë.
Mjerisht pasunia e fjalorit të Mauerit që e vorfne, dhe e pshtetun gati krej mbi burimet e mangëta: djalektet periferike ase ishujt gjuhësore, si Noctes pelasgicae të Reinhold-it mbi Shqiptarët e Greqisë etj.
Por shumë etimologji të cilsueme prej si porsi të hueja, qenë qitë poshtë ma vonë nga albanologë të tjerë, e shumë prej atyne fjalëvet të mbetuna pa ndonjë zhvillim fituene autoktoni.
Ndër këta janë për t’u përmendë Pedersen, Bariç e sidomos Jokl. Kësodore trashëgimi primitiv u shtue, e të thuesh, shtohet dita ditës. Mandej duhet theksue, se në leksik nuk vlen aqe numri, sa cilësia e fjalëvet të huajtuna. Kështu fizjonomia indoevropiane shqipes erdh tue u theksue përherëe ma shum…
Shumë elemente të morfologjisë, që mbaheshin për trajta latine, ma vonë u provuen se ishin trajta të hershme të shqipes, si b.f. sistemi i zgjedhimit. Duhet dijtë, se morfologjia e fonetika janë ato që caktojnë fatin e njej gjuhe.” (f. 25-26)
E citova të plotë këtë paragraf për t’i treguar lexuesit se këtu është mbështetur Agron Dalipaj dhe Eleni Kocaqi kur kanë nisur të fantazojnë mbi “teorinë” antishqiptare të lidhjes së shqipes me greqishten apo latinishten dhe shkakun shqip të lindjes së tyre. Në këtë rast ata kanë përmbysur Autorët Katolikë, në faktet që japin, dhe kanë shpikur antifaktet e tyre të rreme…
Ne vazhdim Át Justin Rrota OFM, shkruan: “Por zbulimi i emnavet trake ndë brigje t’Adriatikut shtyni ma së parit historjanët për burimin ilirotrak të shqipes. Ndër këta shquhen Karl Patsch-i e Arbois de Jubanville. Edhe Franz Nopcsa, studiuesi i shumanshëm, sidomos, i Shqipnisië së Veriut, asht për këtë teori, e cila eshte nje sinteze e dy te paravet. Kesaje teorie, qe shfaqi së parit Carl Paul-i, i dha vlerë ditunore gjuhëtari ma i madh albanolog i këtij shekulli, Norbert Jokl-i, tue tregu afrimin e ilirishtes me trakishten, si në fonetikë, ashtu në morfologji. Kjo prandej, asht teoria qe zotnon sod, se shqipja asht një gjuhe iliro-trake, ase një dialekt trak i ilirizuem”. (f. 27).
Më pas vjen kapitulli më i papranueshëm nga ana e shkollës të të Marrëve të Madhështisë Shqiptare: Brumi i Fjalorit të Shqipes (Leksikologjia), prej nga marrim vesh se 349 fjalë të shqipes janë me burim indoeuropian (f. 28-32), 38 fjalë janë të elementit trako-ilir (f. 33-35). Pastaj vjen influksi i gjuhës greke ndër gjuhën shqipe dhe Át Justin Rrota OFM për këtë ka shkruar: “Përveç njej simbioze, që ka gjasa të kenë pasë këto dy gjuhë në prehistori, kanë gati tridhetë shekuj kontakti në gadishullin ballkanik. Greqishtja pati që ndë fillim, për shkak të gjendjes gjeografike, një zhvillim të madh ekonomik e kulturuer ndë Mesdhe. Qytete bregdetare të Shqipnisë janë koloni greke, themelue shumë shekuj para Krishtit.
Ndë marrëdhënje, si ndodhi gati gjithmonë, epërsia e kulturës la gjurmët e veta edhe ndë gjuhë. Ky ndikim vijoi edhe mbas pushtimit romak: me ndamjen e Perandorisë mjes Romës e Bizantit (395 mb. Kr.) depërtimi i kulturës greke, tue qenë greqishtja për ma tepër edhe gjuhë liturgjike, që i vijueshëm ndjeri ndë ditët tona. Për këtë arësye ndikimi qe ma i madh ndë Jug, ndë koloni greke e ndë Arbëreshë me gjuhë liturgjike greqishte” (f. 35). Në vazhdim autori liston fjalët shqipe me prejardhje nga greqishtja e vjetër (f. 36-38) ku kemi pak fjalë (vetëm 79 të tilla). Influksi i greqishtes në gjuhën shqipe ndjehet edhe në morfologji (f. 38), toponime.
Në vazhdim autori flet për ndikimin e elementit latin në gjuhën shqipe, ku sipas autorit ndikimi i latinishtes qe ma i madh në Veri të Shqipërisë. Sa për elementin e latinishtes, që depërtoi ndër gjuhën shqipe duhet me pasë parasysh se ky ndikim nuk ishte i latinishtes klasike sa i latinishtes së ulët e vulgare. Shumë fjalë hynë ma vonë edhe me anë të liturgjisë kishtare katolike. Në listën e fjalëve latinisht të depërtuara në shqipe autori liston 114 fjalë, por Ai vë në dukje dhe ndikimin e latinishtes në të përbërët e fjalëve dhe toponime nga latinishtja.
Át Justin Rrota OFM në vazhdim flet për lidhjet e përbashkëta të shqipes me rumenishten duke e konsideruar rumenishten si bijë të latinishtes, motër me gjuhë të tjera të quajtura neolatine ose romane, italishten, frëngjishten etj. Gjuha rumene përfshin sot katër dialekte kryesore:
1-Dakorumenishten, atë e folin sidomos ndër Rumani e Transilvani, e cila ndahet në shumë nëndialekte (kjo përbën gjuhën letrare rumene: valakishtja);
2-Arumenishtja (aroman), që flasin Kuçovellëhet në Maqedoni, Tesali, Epir e Shqipni.
3-Meglenorumenishten, të folur në një krahinë nga veri-lindja e Selanikut;
4-Istrorumenishten, që flitet ne disa fshatra te Istris.
Listohen 35 fjale me prejardhje nga rumenishtja, sipas brumit pararomak. Por ajo që më bëri më tepër përshtypje në analizën e Át Justin Rrotës OFM për këtë problem ishte “zëvendësimi i paskajores, të shumtën e herës ndë rumenishte, me lidhore, si gjithmonë ndë toskënishtet. Ky përdorim asht i përbashkët edhe në gjuhët e tjera ballkanike, greqishten e re, bullgarishten e serbokroatishten. Duhet të shenjom veç, se gjuhët e naltpërmenduna sllave, përdorin diftoren ndë vend të lidhores, që nuk e kanë. (f. 47) Sipas autorit ekzistojnë përkime midis shqipes e rumanishtes sipas ndikimit të elementit latin.
Pra e kemi të deklaruar hapur sekush janë autorët e eleminimit të paskajores në gjuhën shqipe, më 1972.
Marrë nga Gegnisht, 26 gusht 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.