back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill, 2026

Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez… – nga Arben Borshi

Gazeta

Arben Borshi
Arben Borshi
Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez…
nga Arben Borshi

Në hapsinën e mendimit shqiptar, prej ma se 100 vitesh, sorollatet nji fantazëm – thotë shkrimtari dhe studiuesi Fatos Lubonja te parathania e librit të gazetarit holandez, Vincent Van Gerven Oei: “Rënia e së Ardhmes”.

Dhe kjo “fantazëm” asht sindroma e inferioritetit ndaj të huajve, që u forcu jashtëzakonisht gjatë terrorit komunist që zgjati pothujse për nji gjysë shekulli. Çdo thanije, çdo interpretim, sado banal dhe i pavend të jetë, dalë prej gojës të nji të hueji, bahet objekt filozofik apo kritik dhe pikë referimi për turmën shqiptare. Mjafton që ky apo kjo “profesor/eshë” të vijë prej nji vendi perëndimor, dhe “podiumi” i oratorisë ku ky apo kjo vendoset me të gjitha temenatë e rastit, kthehet në objekt të kultit të reflektimit dhe orientimit të mendimit të “turmës shqipfolëse të pagdhendur”! Shqiptarët duhet të mësojnë prej profesorave të huej, pa ba pyetje dhe pa pas dyshimin ma të vogël! Janë ata që do të na “mësojnë si të sillena dhe të mendojmë”!! Edhe kur faktet janë aq kokëfortë në kundërvumje me orientimin e mendimit të tyne, na duhet të bindemi verbërisht se “bota perëndimore” e sidomos kur kto profesora/esha vijnë prej “atdheut të iluminizmit dhe të Vandea-s”, kanë të drejtë të na mësojnë se si duhet të sillena dhe të mendojmë!!
Më datë 7 prill, në ambjentet e Universitetit Luigj Gurakuqi, profesori Francez, ka më mbajtë nji “leksion të hapur” ku ka më spjegu “dimensionin e shkrimtarit të madh” alias, Ismail Kadare.
Duhet t’i kujtojë dikush, profesorit Francez se, askush nuk ka mund të hyjë mbrenda kufijve të Shqipnisë në vitet ’80, për ma tepër me dhanë leksione pa pasë kenë anëtar i partisë komuniste në vendin e tij ose ma keq: bashkëpuntor i regjimit terrorist të Enver Hoxhës! Dikush duhet t’i kujtojë profesorit Francez se “shkrimtari i madh” ishte njikohsisht Nënkryetar i Frontit Demokratik, organizata terroriste e kriminale e drejtueme prej Maria Mandl shqiptare ose Nexhmije Hoxha! Dikush duhet t’i kujtojë profesorit francez se “shkrimtari i madh” përdorte shkrimet e tija për t’i thur lavde dhe për të hyjnizu figurën e kriminelit Enver Hoxha si dhe të organizatës terroriste komuniste: PPSH, anëtar me të gjitha të drejtat i të cilës ishte! Dikush duhet t’i thotë profesorit Francez se shkrimtarët disident të asaj kohë të zezë, ose ishin nëpër burgje, ose të internuem ose nën dhè, si Genc Leka dhe Vilson Blloshmi dhe eshtrat e tyne ende sot nuk i tregojnë se ku prehen! Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez se gjuha, epitetet dhe metaforat ekselente të përdoruna prej “shkrimtarit të madh”, përveçse i thurnin lavde kriminelit Enver Hoxha kah njena anë, kah ana tjetër përdoreshin për me denigru dhe masakru figura të ndritura apo edhe individë që mund të përbajshin “rrezikshmëri të lartë” për vijën e partisë të tij! Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez, se autori i përkthimeve në frëngjisht i librave të “shkrimtarit të madh” ishte nji i burgosun politik, Jusuf Vrioni, dhe prandaj nuk figuron emni i tij në ballinën e librave, ashtu siç duhej të figuronte! Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez se në këtë botë, çdo gjà ka nji çmim, edhe talenti gjithashtu. Por i vetmi asht karakteri ai që nuk ka çmim: as nuk blehet e as nuk shitet!!
Dikush duhet t’i shpjegojë profesorit francez se për publikimin dhe shpërndarjen nëpër botë të librave-propogandë pro regjimit të “shkrimtarit të madh” shpenzoheshin qindra mijëra dollarë, në nji kohë kur populli jetonte me 1 dollar në ditë!
Dikush duhet t’i kujtojë profesorit francez, së nji bashkombas i tijë, Profesori Stephane Curtois, në librin e tij: “Libri i Zi i Komunizmit”- shkruen: “Bashkëfajsija e të gjithë atyne që vullnetarisht iu skllavëruen regjimit, nuk ka kenë dhe nuk asht vetëm teorike, abstrakte. Edhe vetëm fakti i përkrahjes apo bamjes të një propagande rrenacake, mashtruese, përban gjithmonë nji bashkëfajsi konkrete!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.