
Dielli i Shqipnisë
nga Nexhat Peshkëpia
Shkrepi dielli buzës Cukalit,
eja të kndojmë, oj zana e malit.
Eja të këndojmë në Lahutë Malcis,
si ata krenëe e Shqyptarisë.
Në Prizrend na janë bashkue
për me fol me bisedue,
Shqiptarinë se si m’e pshtue.
At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Kanga e nëntë.
Më kishin thanë se në brigjet italiane të Adriatikut, ndaj të gdhinit, kur qielli asht i kaltër, duken malet e Shqipnisë.
Malet e Shqipnisë. Malet e vendit tim.
***
U nisa nji ditë dhe mbrrita natën.
U shtriva në buzë të detit, mbi ranën e butë. Brenga dhe malli ma kishin kaplue zemrën. Kujtimet më shkrijshin nga mallëngjimi.
Dhe i lodhun siç isha, ndjenjat m’i pushtoi pak nga pak gjumi.
***
Në Fronin Nji Yll i madh vezullonte me shkëlqim. Mbi të nji varg yjesh më të vogjël ishin rreshtue si në formën e shkronjave të abece-së, dhe formoheshin këtë fjalë:
Gjyqi i Kombeve të Tokës.
Përtej Fronit të tjerë yj xixëllonin si me gëzim.
Të gjithë sa ishim u vumë në radhë me ndigjue nji za:
“Jeni thirrë këtu për me mbrojtë kombet tuaja në tokë. Çdo gja që do të thoni do të merret parasysh për të mirë ose për të keq. Gjykatësi asht i drejtë. Mendoni përpara se të flitni! Ta dini mirë se secili prej jush përfaqëson miliona njerëz, fati dhe liria e të cilëve mvaret nga ju. Ju këshilloj të mos i shtrembnoni faktet historike! Ne e dimë ma mirë se ju historinë…”
Kur Zani heshti, u vunë duert në krye dhe tue vështrue yjtë e vogjël që xixëllojshin prapa Fronit, mendova: Unë i mjeri, këtu duhet nji njeri i mësuem, që të dijë të flasë dhe të tregojë me hollësi faktet e mira të kombit. Kurse unë…
Zani ma preu mendimin:
-Kush mendon aty, ti?
Ula kryt.
E morëm vesh se ç’the me vete. Por duhet ta dish, se na këtu nuk kemi nevojë për njerëz të ditun, këtu janë thirrë njerëz gjithëfaresh: Të gjithë jeni nji, dhe tash fillojmë…”
Kur më erdh radha mue, zemra më rrihte fort nga sa i rreh zemra, nji
nxanësi në provim.
Për mrekulli m’u ba nji Flamur në duer!
Ç’ke për të thanë, ç’ke aty në duer? E çova lart të shpalosun flamurin.
Ky – thashë – asht flamuri i Shqipnisë. I atdheut tim. Asht i kuq me nji shkabë të zezë, dykrenore: E kuqja tregon gjakun që ka rrjedhë dhe vazhdon me rrjedhë nga zemrat tona. Shkaba asht e zezë, e zeza e fatkeqësive tona; zinë tonë për prindët; për djalin, për vëllanë e për motrën, për mikun e për shokun, për ata që ranë në fushat e betejave për Atdhenë…”
E kuptova se po flisja me za të naltë dhe pata frikë. Vuna re se Ylli i Frontit po shkëlqente ma fort e po xixëllonte ma shpesh. Po, kur nji yll nga ata të vegjël që ishte mbrapa Fronit, u shkëput nga të tjerët dhe erdhi rreth e përqark meje, ndigjova një pishtëllimë të lehtë që ma përkëdheli veshin:
“Mos u tut, por fol, jemi të gjithë shqiptarët, të vjetrit edhe të rinjtë aty. “Kush?!”
“Tue fillue nga Leka i Madh. Kemi bile në mesin tonë edhe Shën Jeronimin, Shën Martinin, Shën Donatin, Shën Mitrin…!”
M’u forcue besimi e m’u shtue guximi dhe vazhdova.
“Ne kena pasë njerëz të mëdhenj si Aleksandrin e Madh, Pirron, Teutën, Dhjetë perandorë romakë kanë qenë ilirë, Klaudi, Diokleciani, Konstanci. Zani ma preu fjalën.
Këtu na duhen fakte historike që t’i japim një gjykim të prerë: a e meriton Shqipnia të jetë komb i lirë dhe më vete apo jo?
M’u murrën mendtë. E hodha nji vështrim nga yjtë e vegjël prapa Fronit. Ishin zvogëlue, venitë, ishin shue, pothuëj, vetç nji prej tyne vazhdonte të shkëlqente me xixëllime të shpeshta. “Po Skanderbegu, Skanderbegu?!” – thashë me za të fortë, sikur yjtë u ringjallën t’u xixëllue me shkëlqim si ma parë. Mora zemër dhe u bana gati të vazhdoj, por u ndigjuë prap zani!
Po ta thom, edhe një herë, këtu nuk ke ardhë për me na tregue stërgjyshët e tu dhe trimat e atdheut. Ne duem fakte që të provojnë se shqiptarët meritojnë të jenë komb më vete: A more vesh?
“Skënderbegu për na asht atdheu vetë, s’më duket e drejtë të mohohet qenia e Shqipnisë si komb më vete, kur Nexhat PeshkëpiNexhat Peshkëpi e zgjodhën kryetar në Lezhë me dy mars 1444, kur u ba lidhja edhe popullit shqiptar.
Kurrë s’e kisha mendue se mund të ndodhte ajo që ndodhi. Yjtë që ishin prapa Fronit u vërsulën nga ana ime dhe më vijshin rrotull. Shkëlqejshin aq shumë sa lëbyresha.
“Të lumtë, të lumtë! – më thoshin me një pishtëllimë të hollë.
Zani e preu atë lëvizjen gazmore.
Tash the nji fakt që po të shënohet për të mirën e Shqipnisë, por nuk mjafton. Pa mendo sa kohë ka kaluar? Ma shumë se 500 vjet. A ke ndonji gja ndonji provë ma të re? Thuaje!
Ç’të thom, ç’të thom, e humba fare. Në mend më vishin vetëm emna, pa rregull: Kujtohu o i shkretë, kujtohu.
Koha moderne, koha moderne, shpejtohu se sa po shkon yjtë po veniten.
Kështu i thojsha vetes.
Yjtë, yjtë të më vijnë në ndihmë përndryshe mbarova dhe i drejtova sytë e përlotur dhe plot dëshpërim nga miqtë e mi.
U shkëput njëri prej tyne dhe u nis drejt meje. Edhe një tjetër e ndoqi pas.
O Zot! Kur m’u afruen, muerën një formë të madhe njeriu, që të dy ishin me mjekër. I pari e kishte të bardhë si bora: Ku e kam pa, ku e kam pa. Më së fundi u kujtova, Shën Jeronimi, pikturue nga artistët ma të mëdhenj të botës. Të dytin e njofta përnjiherë, Abdyl Frashëri.
Po sikur të filloj e të përmend emnat tuej?! Zani do të më qortojë përsëri. Ju e ndigjuat se ç’tha. A i don fakte dhe jo emna.
Nji pishtëllimë ma cingëloi veshin.
“Na nuk kemi ardhë të përmendësh emnat tanë, por që të të kujtojmë pse na të dy jemi bashkë. Nuk të vjen ndërmend pse jena bashkë na të dy. “Kujtohu, kujtohu o bir, më tha Shën Jeronimi nga jam unë!”
“Kujtohu, kujtohu o bir, më tha Abdyl Frashëri, ç’kam ba unë.”
Dhe unë fillova me e shtrydhë mendjen dhe ma së fundi e pashë çdo gjë të qartë: Iliria, Kosova.
Dhe me sa fuqi që kisha, bërtita:
“Lidhja e Prizrenit!”
Të lumtë thirri Zani, në atë çast të gjithë yjtë, miqtë e mi filluan të xixëllonin me shkëlqimin ma të madh, po unë i kisha ngulë sytë te Ylli i Fronit.
Ylli i Fronit ndriti shumë dhe filloi të zmadhohej.
Vazhdova ta vështroj me frikë.
Ylli i Fronit po zmadhohej, po zmadhohej, po zmadhohej sa u detyrova të vë duert para syve.
Ylli i Fronit po bahej diell.
***
Nga Bregdeti i Shqipnisë, nga përtej Majave të Sharrit nga përtej Baba Tomorrit, dielli madhështor, dielli i vendit tim po lindte.
Marrë nga libri “Një zemër në mërgim” i Nexhat Peshkëpisë, ribotuar në vitin 1995, faqja 72-76.