
Dhunuesit e Varreve
nga Prenjo Ymeraj
Dy muaj më parë, i shoqëruar nga djali im, fluturuam nga New Yorku drejt Tiranës.
Kisha shumë ngushëllime për të bërë por edhe mjaft homazhe. Fillimisht në banesën e fundit të vëllait tim dhe kunatës, në varrezat civile të Tufinës në Tiranë, e ku varreza po pushtonte Malin e Dajtit! Mandej, u nisëm drejt Vlorës, në varrezën e qytetit në Babicë, ku prehet bashkëshortja ime e ndjerë, prej pesëmbëdhjetë vitesh.
U zhgënjyem, pasi varrin e kishin dhunuar: dera e gardhit rrethues ishte grabitur, ndërsa kryqin simbolik të besimit kristian, qe kishte ndjekur e ndjera, e kishin prerë dhe grabitur gjithashtu…
Prej andej e mbajtëm vrapin në Tragjas të Vlorës, vendlindja ime. Aty, në varrezën e fshatit, tw vendosur në një bregore të bukur, që vendasit e patën emërtuar dikur Bregu i Kishës, prehen shumë nga njerëzit e mi, por edhe miq e shokë të pa harruar. Kisha vite pa shkuar atje dhe fillimisht u drejtova drejt vendit ku preheshin motra dhe kunati im, dy nga njerëzit më të dashur, që ishin kujdesur qysh nga fëmijëria e herëshme për mirërritjen time, por nuk i gjetëm dot as varret e tyre. Në atë vend gjetëm varre të panumërt, të ngritur pa planimetri dhe pa rrugica kalimi midis tyre. Im bir kërkoi shumë, po nuk i gjeti dhe u larguam të zhgënjyer…
Prej andej u nisëm për në Tragjasin e Vjetër, ku prehen eshtrat e Nënës dhe Gjyshit tim nga Babai, por nuk mund të kalonim dot në Përroin e Vilave, sepse ura e dikurshme ishte prishur. U kthyem dhe u drejtuam për në Gjirokastër, ku në Grehot ndodhet varreza e 36 Dëshmorëve Nacionalistë, të rënë në luftë të pabarabartë për kundër fashistëve italiane, ku ndodhen edhe eshtrat e Babait tim të ndjerë, Sefer Ismail Imeraj. Edhe aty zhgënjim! Varrezën monumentale, të ngritur aty ku edhe patën rënë në vitin 1993, e patën pushtuar gjembat dhe bimësi të mbira vetë. U larguam të zhgënjyer.
Si është e mundur, që shteti nuk vë dorë në vendet e shenjta, sepse varrezat janë të shenjta. Aty pushojnë njerëzit tanë, ata që punuan dhe luftuan për ta mbrojtur dhe zbukuruar këtë vend. Varrezat e Tufinës po pushtojnë malin e Dajtit, Varrezat e Babicës par rrethim, Varrezat e Dëshmorëve të Grehotit pa rrethim dhe as mirëmbajtje, varrezat e Tragjasit pa planimetri.
Ku po shkohet kështu! Kur nuk kujtohemi të kujdesemi, për t’i varrosur njerëzit tanë dhe mirëmbajtur në mënyrë dinjitoze, ashtu se vepron bota, si mund të plotësojmë kushtet për të hyrë denjësisht në botën e qytetëruar.
“Ndonëse as shikojnë dhe as dëgjojnë, seicili pret butësisht nëse dikush i kujton…” Kështu pat shkruar përpara 150 vjetësh filozofi i madh gjerman Frederik Nitçe – Frederic Nietzsche, për ata që pushojnë nënë tokë.
Ata presin prej të gjallëve përkujdesje dinjitoze, ashtu si do e dëshironit edhe ju o dhunues varresh, ju grabitës të pa shpirt, për njerëzit dhe veten tuaj, që mbase e kujtoni veten të pavdekshëm!
“Të vdesësh s’është gjë, të mos rrosh është e tmerrshme!” – Pat shkruar shkrimtari i madh francez Viktor Hugo-Victor Hugo. Pra, të mos sillesh ashtu si nuk do dëshiroje të silleshin të tjerët me ty.
Po pse e harroni këtë gjë o njerëz të mjerë, sepse të mjerë jini, derisa nuk kujtoni se një ditë edhe ju atje nënë dhè do përfundoni.
“Atë që s’të pëlqen të ta bëjnë ty, mos ua bëj ti të tjerëve!” – Thotë kjo shprehje e vjetër popullore. Po bota si vepron, për të nderuar kujtimin e atyre që s’janë më?!
E pata vizituar varrezën gjigande të Bostonit në vitin 1997, kur shkova për homazh tek varret e Nolit dhe Konicës. U mahnita: Në një fushë të kodërzuar dhe të pamatë, një park gjigand me drurë plot gjelbërim e të sistemuar me varre monumentale prej mëse 250 vjetësh. Këtu ku banoj, në Bronx River Road, Yonkers City NY, sa herë që kaloj gjatë ecjeve ditore, më tërheq vemendien minivarreza: Sherwood Park Cimetyrey, që ka pushuar së funksionuari qysh në vitet ‘70 tw shekullit tw kaluar, e ngritur në fillim të shekullit 20. Kur u shtri qyteti varreza u mbyll, por mbeti aty si pronë private, e ruajtur nga shteti si monument kulture. Këtu pranë, në anën veriore të Bronksit dhe anës jugore të Yonkers City, ndodhet varreza Woodlawn Cemetery-Conservansy. Është gjigande, duke përfshirë një sipërfaqe prej 160 hektarësh të pyllëzuar, me kodërzime të lehta. E krijuar nga Woodlawn Organization, mbështetet nga shteti. Aty pushojnë 300.000 mijë njerëz dhe është funksionale e shërbyer nga personel i gjerë për 24 orë. Ajo varrezë tërheq mbi 100.000 vizitorë në vit. Në vitin 2013, pata vizituar në Detroit-Michigan varrezën moderne: Michigan Memorial Park, Flat Rock, Wayne County, ku prehet vëllai im, Bilbil Imeraj me bashkëshorten Dorothea. U mahnita! Në një sipërfaqe prej 117 e më tepër hektarësh, e pyllëzuar me liqene artificiale dhe drurë dekorativë gjithëfarësh. Si varrezë moderne funksionale prej 50 vjetësh, nuk dukeshin varre mbi tokë, por një pllakë metalike, ku shkruheshin gjeneralitet e të ndjerit dhe një vazo metalike të zbukuruar për vendosjen e luleve.
Nuk e di, nëse ti njeri pa karakter, pa edukatë dhe pa kulturë do i lexosh këto radhë. Për mua është e rëndësishme, që lexuesi të sensibilizohet dhe të shkundet nga indiferentizmi, ndaj një problemi ndoshta të harruar edhe nga pushtetarët dhe të veprojë, që raste të tilla të mos përsëriten më. Është krim i shëmtuar përdhosja e varreve, këtyre monumenteve të shenjta të ndërgjegjes njerëzore.
Prenjo Imeraj, Yonkers City NY