back to top
13.8 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Dhimitër Pasko – (Mitrush Kuteli) Një emanacion i ndritshëm i shpirtit shqiptar – nga Kristaq Jorgo

Gazeta

Dhimiter Pasko - Mitrush Kuteli ( 1907-1967)
Dhimiter Pasko – Mitrush Kuteli (1907-1967)
Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli
Një emanacion i ndritshëm i shpirtit shqiptar
nga Kristaq Jorgo

Rikujtime – Në përvjetorin e ndarjes nga kjo botë
e kalimit në amshim të një Shenjti. I përjetshëm!

4 maji, dita kur Shpirti i Dhimitër Paskos – Mitrush Kutelit u ngjit në tjetrën Jetë, do të shënohet me siguri dikur në kalendarin shpirtëror tonin si një e Kremte Kombëtare.
Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli nuk është thjesht një Individ i shquar, nuk është vetëm një Personalitet i madh, nuk është vetëm një Krijues i rrallë: Dhimitër Pasko – Mitrush Kuteli është shumë më tepër se kaq.
Një Emanacion i Ndritshëm i Shpirtit Shqiptar, me të cilin Bota Shqiptare për herë të parë në historinë e saj ia doli t’arrijë plotësimin e një përkryerjeje të shumëfishtë: të Qenies njerëzore, të Qenies atdhetare, të Qenies qytetare, të Qenies familjare, bashkëshortore e prindërore, të Qenies fetare, të Qenies etike e të Qenies krijuese në Jetën dhe Veprën e një Njeriu të vetëm.
Pa këtë vetëtimë drite shpirtërore që e përshkon tej për tej, pa këtë dorëzim tërësor ndaj virtytit, pa këtë neveritje hyjnore ndaj materialitetit e së ligës, pa këtë flijim të vetjakes ndaj së përgjithshmes, pa këtë vetëqortim që veçse shenjtëria e ka, pa sinqeritetin e ndershmërinë sublime, pa devocionin e hekurt për detyrën, pa njësimin dashuror me çdo gjymyrë e çdo përmasë t’Atdheut, pa mrekullitë që përjetë ia fali Shqipes e Shqipërisë – Pa Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin Botës Shqiptare nuk do t’i mungonte thjesht një Individ i shquar, një Personalitet i madh, një Krijues i rrallë.
Pa Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin Botës Shqiptare do t’i mungonte një Pikë Reference, një Institucion, një Përmasë.
një Përmasë Ndërtuese Themelore!

“Çast Lamtumire” (1967)
Poezinë “Çast lamtumire” Kuteli nisi ta endë (tok me një varg poezish të tjera të periudhës së fundit dramatike të jetës së vet) në janarin e vitit 1967 dhe e përfundoi më 2 mars t’atij viti: 2 muaj e 2 ditë para se të mbyllte sytë.
Poezia shqipe nuk ka një të dytë krijim (me këtë temë, fuqi shpirti e gradë mjeshtërie) që të mund t’i afrohej këtij Poemthi të Ndritshëm Lamtumire të Atit kushtuar Birit, e tepër të rrallë i ka ai shokët në poezinë e përbotshme.
Skalitur me daltën e një vizioni stoik mbi jetën, vdekjen, trashëgimin, vizion në të cilin gjejmë jehona të një urtie mijëvjeçare, ky Monument tejet njerëzor e madhështor njëherësh nuk mund të dilte në dritë, nuk mund të vinte në Botë përveçse prej “dorës” së një Shpirti të Madh.

Familja e Dhimitër Paskos
Familja e Dhimitër Paskos

Çast Lamtumire – Djalit
…Pra, bir, mos qaj: ky është ligji i qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtas
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalëngadalë,
Si çdo qënie.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.
Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qenë ëndrra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!

Një manifest lapidar
Janë të mjafta shenjat tekstuale, kontekstuale dhe autoriale, që na bëjnë të besojmë me një siguri të plotë se radhët e mëposhtme nën titullin “Apollogjija e Ordhodhoksis Shqipëtare”, botuar në revistën “Jeta Kristiane” (Viti IV, Kallnor 1944, Nr. 11, fq. 333) me autor Jeromonahun Dhionis, kanë dalë prej shpirtit e dorës së Dhimitër Paskos-Mitrush Kutelit (1907-1967), duke qenë edhe ky (Jeromonahu Dhionis) njëri ndër pseudonimet me të cilat Shenjtori i Botës Shqiptare, Pasko-Kuteli, i ka nënshkruar, siç dihet, Veprat e shumta të Vetat.
Kemi të bëjmë me një Manifest të Shenjtë, Gdhendur në trajtë lapidare, një lloj Besojme a Lutjeje të Ortodoksisë Shqiptare, e cila, shkruar me germa të arta e vënë në kornizë të artë, duhet të ndriçojë çdo kishë ortodokse – brenda e jashtë Atdheut – ku lutet e meshohet shqip.
Për t’i bërë ata, ortodoksët shqiptarë, lidhur-njësh-me-vëllezërit-e-tyre-të-një-gjaku-e-gjuhe-besimesh-të-tjera, të denjë për Atdheun e tyre, të denjë për Fenë e tyre, të denjë për Gjuhën e tyre, të denjë për Paraardhësit e tyre martirë, të denjë të luten me të njëjtat fjalë e me të njëjtën forcë shpirti bashkë me Të Frymëzuarin Krijues të Këtij Teksti të Shenjtë.

Apollogjija e Orthodhoksis Shqipëtare
Të falem ty Fé e lashtë e Vendit tim, e mburuar drejtpërdrejt nga Fjala dhe e njëjësuar me Fjalën.
Të falem ty, Fé e qëndrimit dhe e durimit, fé e martirëve dhe e dëshmorëve, fé e paqes dhe e së drejtës.
Të falem ty, Fè e gjyshërve zëmbër-bardhë e shpirt-mbëdhej që të pushtuan sapo u linde e si u linde, që të mbajtën të përgjakur e të përlotur, një kohë me gjuhën e kombit.
Ti i dhé kombit tim dritën e Ungjillit dhe kombi im të fali Shën Kostandinë dhe mijra martirë që me gjakun e tyre i bënë të përjetëshme themelet e tua.
Ti frymëzove Gjonin e Vojsavën, në qëndrimin e tyre të përlotur e të përgjakur për mbrojtjen e kësaj Toke.
Ti na dhe Zembër-gurin Gjergj që i vu gjoksin rebeshit të Asisë.
Ndaj teje Fé e Shën Gjonit dhe e Shën Marenës, thyet gjuri im si u pat thyerë gjuri i atit, i gjyshit dhe i stërgjyshit, gjer më njëzet breza.
Ndaj teje, Fé e manastirëve të gurtë, e ajazmave të shenjta, e alltareve të rënuar, kodër më kodër, të përhapura në gjithë vendin t’im, ne shtrojmë shpirtet t’ona të përvojtura dhe mbështetëm shpresat tona gjithmon të gjalla e të patundura.
Të jam falur e do të falem ty, Fé e shenjtë e grave martire të Sulit, Fé e shenjtë e Papa Kristos nga Negovani, e Papa Dhimitrit nga Ballkameni edhe e gjithë martirëve të Ungjillit shqipëtar.
Ti i mbajte kombit tonë legjendat e Kostandinëve e të Garentinave, këngët e stërlashta, zakonet e mburuara nga vetë fryma e kësaj toke dhe e këtij kombi.
Mbulesë e shenjtë kundrejt breshërit të kohës, mur i çelniktë kundrejt rebeshave të zeza, anije e mrekulluarshme që shpje ndaj jetës së vërtetë shpirtet t’ona, ti ishe, je e do të jesh përgjithëmonë.
Sepse ti mburon nga përjetësija e Fjalës dhe je njëjësuar me Fjalën.
Jeromonahu Dhionis

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.