
Dëshiroja të isha pjesë e Havzi Nelës. Vetëm kaq!*
nga Meti Fidani
Ne andej nga Korça, i themi truzhengë… Dhe unë i tillë jam… Jam truzhengë!
Nuk i mbaj dot dë barkut, ato që mendoj. Po i mbajta më bëhet barku kacek. Dhe ku e ku dal hapur me mendimet dhe gjykimet e mia. Sepse nuk i them dot të zezës e bardhe dhe anasjelltas. E gjykoj botën, materien ashtu siç e shoh, por edhe ashtu siç e gjykoj, ashtu siç e ndjej, ashtu siç e mendoj. Kam besim shumë tek ajo që shoh dhe e shoh me vërtetësi, se e vërteta më pëlqen tmerrsisht. Si kushdo kam edhe unë idhullin tim në këtë drejtim. Ai është Havzi Nela…
Atë e varën në litar, vetëm pse nuk ndahej dot nga e vërteta… Nëse do t’i ishte servilosur vijës largpamëse të partisë dhe shokut Enver, sot Havziu do ishte në parlament si gjithë sahanlëpirësat e sotëm, mund të ishte ministër apo një shkrimtar i madh e i njohur, që ndoshta edhe do hynte në garë për çmimin Nobel…
E pikërisht ky Havzi Nela, idhulli im, është shkaktari që ndjehem disi i revoltuar. Dhe pse: Ja ashtu kot fare, vetëm pse nuk u bëra pjesë e librit përkujtimor kushtuar këtij martiri…
Në këtë libër ka krijime mjaft të vleshme e interesante nga 40 shkrimtarë të ndryshëm, të cilët me vargjet e tyre ja rrisin vlerat këtij libri voluminoz, por edhe dënojnë veprimin makabër mesjetar, të varjes në litar të një mësuesi, armik i partisë!
I përgëzoj të gjithë autorët dhe botuesit për këtë përmbledhje. E përshëndes edhe Kadarenë, e përshëndes edhe Doklen, si pjesëtarë të këtij libri.
Kadareja e ka në gen të shkruarin, është i lindur për penën, është i paarritshëm, nuk mund ta mohoj as unë dhe askush, por për fat të keq ka qenë, dhe është i skajshëm me Nelën. Nela në burg, ai në Lidhjen e Shkrimtarëve. Nela në litar, ai në Kuvendin Popullor, duke ngritur dorën pro varjes së kolegut të tij…
Thonë që nuk mund të vepronte ndryshe. Jo mor jo! Se po të mos e kishte ngritur dorën në atë moment, e ta kishte futur në xhep, ngjasme kërkonte shaminë e hundëve, nuk do bëhej qameti. Edhe një peticion po të bënte, me njerëzit e letrave, me të gjithë shkrimtarët, sot Havzi Nela mund të ishte gjallë.
Por shkrimtarët e realizmit socialist shpesh ju nënshtruan ideologjisë. Servilizmi ndaj politikës i ktheu në spiunë të njeri-tjetrit, deri në limitet e idiotësisë, aq sa shkrimtari duartrokiste për varjen e kolegut të tij…

A e dini shqiptarë, në ç’greminë kemi ra
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytëm vlla me vlla
Hangrëm njeni-tjetrin, me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga shamata rri ndezë…
…kështu na shkruante ne bashkatdhetarëve të tij, Havziu, Kështu u shkruante dhe kolegëve të tij shkrimtarë, para se të ndodhte kjo ngjarje makabër. Megjithatë sot, një falje publike e Lidhjes së vjetër të Shkrimtarëve, flas në rastin e Havzi Nelës, do të ishte më e ndershme se sa një poezi e Ismailit apo Dokles, kushtuar këtij martiri…
Shpesh herë, unë truzhenga mendoj, se ç’më duhet mua, por shpesh mendoj gjithashtu se, edhe sikur të isha edhe une, ne listen e 40 krijuesve, le te isha… Ose keq e keq, le të bëheshin 41 krijime. Nuk do bëhej qameti…
Jo për ndonjë gjë, por unë jam ndër të paktët që të kenë shkruar aq shumë për Havzi Nelën, Muzë Kokalarin, Marie Tucin, Gjergj Fishtën, Gac Çunin, etj. etj…
Besoj se po të ishte gjallë Havziu, do pranonte më mirë një krijim timin se sa të Kadaresë, Rucit, Dokles etj… Sepse pak a shumë unë ngjaj me Nelën më shumë se kushdo prej atyre që përmenda..
Nela shkruante në burg, fshehur. Fletoret e tij ishin fletët e cigareve, dhe me shkrimin e tij mikroskopik, këndonte hallet e popullit e të drejtat e shkelura. Por policët e burgut ia grisnin, sapo ja gjenin. 15 lek e kishte blerë Nela i gjorë, atë defter letër cigare. Kursente edhe bukën e gojës, atje në Burgun e Burrelit, për të blerë fletëcigaret. Gardianët ia grisnin e ia hidhnin në zjarr. Ata nuk digjnin vetëm fletët 15-lekëshe, por digjnin edhe vargjet mikroskopike të shkruara brenda tyre, i digjnin ndjenjat, mendimet, digjnin shpirtin e poetit
E kam provuar vetë çdo të thotë, të të djegin atë çfarë ke shkruar. Ja ashtu, njësoj si Havziut, edhe mua m’i dogjën. Pak me ndryshe. Havziut ia dogjën shkrimet policët, mua m’i dogjën shkrimtarët… Po, po, shkrimtarët… Në daçi besoni, në daçi jo…! Nuk e di, nëse edhe Kadareja do ta bënte këtë veprim, apo do tregohej liberal… Se shkrimtari, për të mbrojtur vijën e partisë, mund të humbasë edhe logjikën… Gris, shqyen, djeg vargjet e më të dobtit!
Edhe unë shkruaja shumë që në fëmijëri… Natyrisht në kushte shumë më të mira sa Havziu… Isha shumë më i privilegjuar. Ai shkruante në defter fletëcigaresh 15-lekshe. Unë shkruaja në fletore 16-lekshe, dhe kishin nga 64 fletë secila. I mbusha nja dy fletore të tilla me vjersha dhe i çova ne Lidhjen e Shkrimtarëve të rrethit. Më shoqeronte dajë Sadiku, nga Menkulasi, xhaxhai i Dritëroit, po deri te shkallët e jashtme të pallatit të kulturës. Ai nuk hyri brenda. Ishte tip i mbyllur dhe disi i drojtur.
Shkrimtarët sapo mbaruan mbledhjen më futen brenda. Unë u thashë se dua të bëhem si ju. Më pëlqen të lexoj e të shkruaj. Ata po u hidhnin nga një sy vjershave. Diku kisha shkruar dhe për një nënë në internim, që më kishte ushqyer…

Nëna e internuar
Ku je nënë e internuar
Se mos vallë me ke harruar
Bëju zog, e hajde afër
Eja, eja, çdo në Savër
Bëhu zog, eja n’pranverë
Të të shoh vetëm një herë
Nënëzo e internuar
Kush të tha se t’kam harruar
Të kam vjershëz në fletore
Nënë ëmbla, moj mirditore…
Njëri nga shkrimtarët, i dërguari i Kom. Qendror, e mbylli fletoren e u mundua ta griste. Fletorja rezistoi nuk u gris, vetëm sa u përdrodh… Atëhere ai hapi derën e porrit që solli një afsh të nxehtë nga ai zjarr bubulak. Zjarri e përpiu fletoren… Të njëjtin fat pati dhe fletorja tjetër… U gris e u dogj me gjithë medyshjen e Petraqit… Vetëm shkrimtar Guri, pashë që u trishtua, thuajse u lotua. Ai doli jashtë pa kërkuar leje. Në shkallët e ngrira, u përshëndet me dajë Sadikun. Guri ishte shok me Nesimin, djalin e Sadikut. Te dy punonin shofera në parkun e mallrave
…Kështu u dogjën ç’kisha shkruar për Gramozin, Nikolicën, Sinicën, për dimrin e acartë e të bukur. U dogjën të gjitha. Edhe nënat e internuara u dogjën. Edhe fletoret 16-lekshe…
Histori të dhimbshme kishin ato fletore, derisa mbrritën në Lidhjen e Shkrimtarëve. Që të blija një fletore të tillë, me duhej të vidhja nënën time. Fshehur nga ajo, më duhej të merrja dy vezë, nga furriku i pulave. Një vezë këmbehej me 8 lek në dyqanin e Neshetit. Dy vezë këmbeheshin me një fletore 64-fletëshe. Fletore mes hallesh… Sapo të kthyer nga internimi. Ndonjë lexues që ka qenë në internim, më kupton më mirë… Por fletoret u grisën dhe i përpiu zjarri. Eh ta dinin, ata shkrimtarë, sa me vështirësi i kisha blerë ato fletore. Ta dini dhe ju të gjithë… Nëse nuk besoni, kur të shkoni në Dardhë për pushime, pyeteni Neshet Hysollin. Ai ka qenë dyqanxhi, kur unë i blija ato fletore, në këmbim të vezëve!
Vetë shkrimtarët m’i dogjën. Dhe kush!? Ata që shkruanin aq bukur për fëmijë. dhe unë i lexoja me kureshtje… Pikerisht, ata që shkruanin aq bukur për fëmijë, ata grisën fletoret e një fëmijë. Ata shkruanin për fëmijë, por nuk shkruanin për një fëmijë si unë. Për fëmijë të tjerë po…
Ja p. sh. njeri prej tyre, ai i deleguari i Partisë, në atë mbledhje të shkrimtareve, krijoi Benin…
Beni ishte nga qyteti, me prindër komuniste… Beni shkoi në fshatin socialist e filloi të ecte vetë. Shumë bukur, natyra, pejsazhet, njerzit. Por shkrimtari harroi të shkruante se në fshatin që shkoi Beni, merrnin 50 lek për ditë pune… 50 lekë!! A e dini ju se çdo të thotë 50 lek…
Me 50 lek në ditë, robi ndodhet në kufijtë e mbijetesës. 40 lek blihej një bukë, 80 lekë një kg sheqer, 70 lek një pako kafe… 170 lek një kg djathë, 1200 lek një këmishë, 2500 lek një fustan, 18 lek një pakete cigare, etj… E kush i mban mend të gjitha!!
50 lek për ditë pune mor miku im. Dhe ku… Në fshatin që shkoi Beni, një fshat, i cili që nga mesjeta e deri në vitet ‘40, ishte një qytet, djep i kulturës e i dijes. Që në fillimet e shekullit të 20-ë, vithkuqarët i gjeje anembane botës.
Por Partia u mbylli kufijtë. Kush mbeti jashtë, mbeti jashtë… Kush mbeti brenda, as që bëhet fjalë të dilte jashtë… Dikush nga ata që mbetën jashtë, pati fat dhe u nis për vizitë në atdhe, se i thanë se Shqipëria është bërë bahçe me lule. Kur erdhi e gjeti fshatin e tij me 50 lek në ditë… Ndenji pak kohë e iku përsëri. Kur u përcoll me të vëllanë i pëshpëriti në vesh:
-Dëgjo këtu mor vëlla: Ju këtu rroni se nuk vdisni dot!!!
Ky ishte fshat i Benit dhe i shkrimtarit që krijoi Benin… 50 lek për mbijetesë. Por ndërsa shkrimtari krijonte skenare për lumturinë socialiste, unë truzhenga i drejtohesha me vargje shkaktarit të 50 lekshit
….
Pse 50, mor të hëngsha tët atë
70 lek një kile marmallatë

…
Kjo ishte e vërteta!! Dhe mua më pëlqen e vërteta… Isha pak Havzi Nela, në këtë drejtim! Ai nuk i duronte dot padrejtësitë dhe shkruante hapur. Dhe asnjë shkrimtar nuk doli ta përkrahte! Përkundrazi. Ai përndiqej. Kështuqë, sëbashku me Lavdien u arratisën.. Në kufi lanë dhe një copë letër. Por pazaret komunisto- shqiptaro-jugosllave i kthyen, në Shqipëri. Ata u burgosën. Edhe Havziun edhe Lavdien e gjorë.
Nela edhe në burg, edhe jashtë burgut, nuk u dorëzua. Ai shkruante prohapjes së Shqipërisë, pro europianizimit të vendit, shkruante për të drejtat e Helsinkit, që askush nga ne nuk i kishte dëgjuar. Ai shkruante të vërtetën. Kjo i kushtoi marrjen e jetës me forcën e litarit.
As lutja e nënës së tij, drejtuar partisë dhe kuvendit popullor nuk u përfill. Presidiumi i Kuvendit Popullor, që vetëm popullor nuk ishte, ngriti dorën pro varjes së poetit. Të gjithë ngritën dorën. Mes tyre edhe Kadareja… edhe shoku Ramiz e firmosi varjen e një njeriu pa ju dridhur dora. Nuk mendoi as për lutjet e nënës së Havziut… Pse mor Ramiz, pse mor Kadare, pse mor Kristaq, pse mor ju të Lidhjes, pse more shkrimtarë, nuk kini nëna ju. Apo ju ka lindur nëna Parti e ndërsyer me spermën e baba Stalinit. Nënat tuaja, nënat tona, nëna e Havziut janë një hiç për ju, përpara nënës Parti…
Me gjithë lutjet e nënës, Havzinë e varën në litar në mëngjesin e 10 gushtit 1988. Mes peripecive shkova dhe e pashë për herë të parë dhe të fundit, Havzi Nelën, luftëtarin e padiskutueshëm të fjalës së lirë. E varën për fjalën e lirë, kur liria nuk ishte larg. Ajo po trokiste. Por Ramizi e firmosi dekretin pa një e pa dy.
Prit Ramiz, si nuk të pritet/ A dëgjon ushtimn’e Drinit
Shih Europën, po plasaritet / Dhe po kërcet Mur’i Berlinit…
***
…Kështu kam shkruar unë truzhenga pas këtij krimi makabër… Dhe kam shkruar shumë, për Nelën e të gjithë Nelat. Familjarët dhe të afërmit e Havziut e dinë. Edhe shumë kuksianë e dinë. Prandaj prania ime në librin me 40 krijime për Havzi Nelën, nuk do t’ja ulte vlerën librit.
E thashë që në fillim, që nuk jam xheloz as për Namik Doklen, as për Ismail Kadarene e për askënd nga 40 krijuesit e këtij libri përkujtimor. Para Namikut e aq me shumë para Kadaresë unë jam një grimcë e vogël… por shpesh mendoj se si grimcë e vogël që jam, mund të gjendej një grimcë vend, në librin përkujtimor.
Unë truzhënga kam gjykimet e mia, kam revoltat e mia, kam edhe mendimet e mia. Por nuk është e nevojshme as për keqkuptime e as për paragjykime, se përse nuk jam pjesë e librit. Do dëshiroja të isha pjesë e Havzi Nelës. Vetëm kaq… Mendoj se nuk do të ishte keq për askënd!
Kështu mendoj unë, por e thashë edhe më lart. Jo gjithçka që mendoj apo gjykoj unë është më realja apo më e përkryera… Dhe as që mund të jetë…
Meti Fidani, Gusht 2018
*Titullli origjinal “Një grimcë vend me Havzi Nelën”