back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026

Dëmtimi i edukimit kombëtar dëmtoi ndjesitë shqiptare për SHBA – nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Dëmtimi i edukimit kombëtar dëmtoi ndjesitë shqiptare për SHBA
Revista “Udha e Shkronjave” me artikuj nga Arsimi /Education
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

E nderuar Nancy Vanhorn,
E ngarkuar me punë e SHBA-së në Tiranë
Jemi në prag të 7 marsit, të “Mësonjëtores së parë shqipe” Korçë (7 mars 1887), kryevepër e Naim Frashërit dhe Sami Frashërit dhe Rilindjes Kombëtare. Në prag të 180 vjetorit të Naim Frashërit (25 maj 1846 – 2026). Naim Frashëri është Poet Kombëtar i Shqipëtarëve dhe ky artikull e mban në qendër dëmtimin e tij.
Facebook na rikujtoi një postim të hershëm tonin të pritjes së veçantë që iu bë Presidentit të SHBA-së George W. Bush në Tiranë. Një entuziazëm i vërtetë nga shqiptarët.
Është opinioni im që ndjesitë “proamerikane” kanë rënë në Shqipëri dhe arsyeja nuk qëndron vetëm në atë që bën SHBA, por kryesisht në sulmin e paparë që kanë pësuar shqiptarët në çështje të Sistemit Arsimor, sulm që ka synuar dëmtimin e Edukimit Kombëtar të tyre. Duke sulmuar Edukimin Kombëtar, sulmojnë shqiptarin, e dekurajojnë atë për të ndërtuar “vëllazëri shqiptare”, e dekurajojnë bashkimin e tyre dhe shtrojnë shtratin për përçarje të shumëfishta që mund të jenë fetare, krahinore, politike, klasore, deri edhe gjinore. E pësojnë shumë shqiptarët, por do të provoj se e pësojnë edhe aleanca e shqiptarëve me SHBA-në dhe kjo është arsyeja që shkruaj.
Emblematik ky sulm dekurajues dhe përçarës është me deklaratën e kalibruar të Erion Velisë që tha “Djemtë shqiptarë janë zdromsa, ndërsa vajzat janë të ftillume” (Top Channel, shtator 2018). Turpërimi sistematik i shqiptarit bëhet edhe nga kryeministri. Një sulm frontal ndaj shqiptarit, ndërkohë BE, SHBA, Izraeli, Greqia, Franca ndihmojnë e ndihmojnë qeverinë tonë dhe populli shqiptar, gjithmonë e më shumë duke emigruar. Të mbyllim sytë e të themi që fajin e ka vetëm Qeveria Shqiptare apo vetëm Karteli i Partive të Opozitës që e mbështet?! Dhe nuk paskan faj shtetet mbështetëse?!
Shqiptarët janë dëmtuar në Edukimin Kombëtar, sipas një skenari të huaj (do të mundohemi të identifikojmë cilët), që ka vepruar me dekada në mënyrë të ngadalshme, por sistematike dhe ka përdorur Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Kur bëjmë fjalë për edukim të njeriut, çdo ministri edukimi në botë synon vetëdijen globale (edukimin global) dhe vetëdijen kombëtare (edukimin kombëtar). Çdo shtet e komb ka dështimet dhe sukseset e veta si në drejtim të vetëdijes globale ashtu edhe të vetëdijes kombëtare.
Shqipëria i ka të gjitha premisat e brendshme kulturore që ta ketë këtë vetëdije globale në nivel të shkëlqyer. Pikërisht kjo mundësi origjinale ideale e Shqipërisë (i njëjti komb në disa besime fetare) sabotohet. Sabotohet se një komb e shtet, i cili i ka të zhvilluara këto aftësi (kompetencë globale) bëhet i aftë të gjykojë drejt në politikën botërore dhe të jetë i besueshëm në atë që bën. Atëherë duhen de-faktorizuar në mënyra të ndryshme që të mos ketë kush nevojë për ta. Ajo që është pozitive (pasuria e shenjtërisë) të bëhet negative (përçarje). Njerëzit përgjithësisht nuk janë të aftë të shohin sulmin e Sistemit Arsimor, sepse ky sulm kërkon një monitorim të gjatë që ta kuptosh. Ne fatmirësisht e kemi këtë monitorim, sepse e kemi dashur ta kemi gjatë 30 viteve punë në shkollën që drejtojmë.
Edukimi Kombëtar shqiptar është i lidhur ngushtësisht e pazgjidhshmërisht me veprat e Rilindjes Kombëtare dhe veçanërisht me Poetin Kombëtar Naim Frashëri. Nuk mund të ketë Edukim Kombëtar të vërtetë pa një referim ndaj Rilindjes Kombëtare dhe pa referuar, mësuar, edukuar Naim Frashërin.
Mirëpo ky Edukim Kombëtar që na vjen nga Rilindja Kombëtare është sabotuar sistematikisht. Dikush monitoronte dhe vepronte me saktësi të përkryer për ta dëmtuar, për t’u fshehur dhe për të mos u kuptuar dëmi, por dëmi të bëhej. Jemi të vetmit që i kemi monitoruar dhe dokumentuar një veprimtari që është tepër diabolike për të paktën 15 vjet. Populli thotë “Peri këputet kur është i hollë dhe zullumi këputet kur trashet” dhe arriti puna që kjo punë antikombëtare të fillojë dalë në shesh (të pretendojë ndryshime ligjore, cilësore, jo vetëm nën rrogoz) me ligje konkrete:
Ligji 93/2022 “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” heq statusin Poet Kombëtar për Naim Frashërin. Nëse duhet një emër se kush e konceptoi dëmin, është Thomas Frashëri, Kancelar i Urdhërave dhe Medaljeve dhe këshilltar i ngushtë i Edi Ramës.
Ligji 28/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” shfuqizoi statusin “Muze Kombëtar i Arsimit” për “Mësonjëtoren e parë shqipe” Korçë, kryevepër e Naimit, Samiut dhe e Rilindjes Kombëtare. Një emër: Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, aktualisht Ministre e Arsimit. Natyrisht këto nuk janë punë “individuale”, por punë në grup, por individët që përmendim i gjen sistematikisht duke dëmtuar Rilindjen Kombëtare dhe Edukimin Kombëtar Shqiptar.
VKM 146 datë 10 mars 2021 shfuqizoi fare Muzeun e Vjetër të Mësonjëtores dhe nuk la detyra trashëguese për “Mësonjëtoren”. Kjo i vuri kapakun “Mësonjëtores” dhe e relativizoi, duke thënë “Muzeu lokal i Korçës të interesohet për shkollat e para”. Nuk po komentojmë më shumë se na del gjatë.
Ligji 17/2024 “Mbi festat zyrtare” hoqi shenjtërinë kombëtare të 7 marsit 1887 dhe të Korçës dhe të Shqipërisë dhe e zhvendosi këtë shenjtëri kohore dhe vendore nga shekulli 19, nga Korça e Shqipëria, tek shek. 20, në Manastirin e Maqedonisë që nuk administrohet nga Shteti Shqiptar. Arsyeja diabolike që u kthyen eshtrat e Mit’hat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar, forcës më antikomuniste, pikërisht nga trashëgimtarët e Partisë Komuniste, është se ata donin të fshihin sulmin që do t’i bënin Naim Frashërit, Mësonjëtores, Rilindjes Kombëtare, 7 marsit, Korçës dhe Edukimit Kombëtar në përgjithësi. Synuan eksportimin (përzënien) e “kombëtarizmit” nga Korça drejt Manastirit.
E kam me dyshim nëse SHBA dhe Izraeli e kishin në fokus dëmtimin e Edukimit Kombëtar shqiptar, por jam thuajse i sigurt, që Greqia sigurisht e kishte parësore këtë objektiv. Greqia interesohet vazhdimisht të prishë të gjitha aleancat që Shqipëria vendos. Pra, quhet apriori që ata nuk duan realisht, as marrdhënien e shëndoshë Shqipëri – SHBA apo Shqipëri-BE dhe lëre pastaj të duan Shqipëri – Iran apo Shqipëri – Turqi etj. Duan që “ndërmjetësit” e këtyre aleancave të jenë grekët. Që ata të prishin çdo aleancë të mundshme, nuk kanë mundësi ta bëjnë në një mënyrë tjetër veçse duke shkatërruar sistemin arsimor dhe edukimin kombëtar dhe duke krijuar në Shqipëri një përçarje të tillë sa njerëzit të mos merren vesh me njëri-tjetrin.
Politika Kombëtare e Naim Frashërit është e thjeshtë dhe mund të mblidhet në katër vargje:

Tregomu dhe shqipëtarëve,/ Udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër,/ edhe thjesht shqipëtarë.

Nëse nga Naim Frashëri buron urtësia dhe ideologjia kombëtare, atëherë duhet të ndërpritet ku “burim frymëzimi”, “ky burim edukimi” dhe kjo nuk mund të bëhet në asnjë mënyrë tjetër përveç instalimit të “shpërfilljes” programore të Sistemit Arsimor, që menaxhohet prej Shtetit dhe shteti prej Kartelit Politik (antikombëtar). Nuk mundet të hiqen librat e Naimit nga bibliotekat familjare, të qytetit, apo nga bibliotekat e botës, por mund të hiqen me urdhëra shtetërorë nga programet mësimore shtetërore, nga veprimtaritë edukative, nga ligjet. Sa mundësi ka ta mësosh anglishten pa qenë në shkollë, shumë pak. Atëherë nëse shkolla “e shpërfill” Edukimin Kombëtar, qartësisht do të kemi “shumë pak” produkt kombëtar dhe ata pak, kur të mësojnë se janë pak, nuk do të guxojnë të bëjnë një punë që është gjigande, siç është ngritja e vetëdijes kombëtare. Vetëdija kombëtare kërkon një aparat të fuqishëm edukativ dhe Shqipëria ka shkolla por shkollat janë të nxjerra jashtë përdorimit. Shembull konkret Shkolla “Pashko Vasa” Shkodër nuk e festoi 200-vjetorin e Pashko Vasës”, megjithëse kishte lajmërime për këtë.
Mirëpo nuk është vetëm Naim Frashëri që këshillon kombëtarisht shqiptarët, por janë edhe rilindasit e tjerë, ndaj duhet që sulmi të jetë ndaj Rilindjes Kombëtare. Mirëpo as kjo nuk është e thjeshtë, se Rilindja Kombëtare nuk është një “ishull” i izoluar, por ajo ka lidhje të forta me shekujt e mëparshëm dhe është themeli i Vetëdijes Kombëtare Shqiptare dhe Sistemit Arsimor.
Ndaj do ta lëmë këtu arsyetimin, për të tërhequr vëmendjen dhe nuk do të lodhim lexuesim me sa shumë metoda diabolike po përdoren. Megjithatë tashmë kemi “ligje” të miratuara, që na provojnë se aksioni është shtrirë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi komunikime që na provojnë se Kuvendi i Shqipërisë shpërfill kërkesën për hetimin e dëmit të Rilindjes Kombëtare (përveç deputetit Bujar Leskaj që i paraqiti shqetësimet tona në 19 shkurt 2026), kemi programet arsimore të të gjitha partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e majit 2025, që e kanë shpërfillur sistemin arsimor (dhe është e qëllimtë). Pra, nuk ka mbetur vetëm koment. Megjithëse deputeti i opozitës Bujar Leskaj (ish-Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit) i kërkoi Komisionit të Arsimit dhe Komisionit të Kulturës të na kontaktonin, ata përsëri nuk na kontaktojnë, nuk përgjigjen, nuk reagojnë. Shpresojnë që “vrima e zezë” ku hedhin shqetësimet e popullit të bëjë punë.
Teknika e dëmtimit të Naim Frashërit duke vënë në punë “islamofobinë” (në fakt, antishqiptarizmin)
“Qerbelaja” dhe “Fletorja e bektashinjve” e Naim Frashërit – sebep sulmi, kinse për të sabotuar aftësinë e Iranit për të përdorur rrjetet bektashie. Arsyeja e vërtetë është nevoja greke për të sulmuar Edukimin Kombëtar Shqiptar dhe për të përçarë në mënyrë të shumëfishtë shqiptarët. Në këtë mënyrë Greqia synon të marrë me vete Izraelin, SHBA-në dhe të shfrytëzojë rrjetin “frankofon antishqiptar”.
Bashkimi shqiptar është konceptuar nga Rilindja Kombëtare si bashkimi i shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë, pra asnjë veprim politik shqiptar nuk do të ishte “mirëfilli i krishterë” apo “mirëfilli mysliman”. Për këtë arsye shqiptarët me shumë mundësi do të zgjidhnin asnjanësinë dhe marrëdhëniet e shumëfishta me lindjen dhe perëndimin dhe për këtë arsye do të gëzonin një investim më të larmishëm, pra një “menu më të pasur kulturore” (perëndimore dhe lindor) nga çfarë e kanë ata që janë vetëm të krishterë, ose vetëm muslimanë. Pra kjo pikë duhej të ishte forcë. Pra forcë do të ishte fakti që Naim Frashëri shkroi në persisht “Ëndërrimet” që është përkthyer aq bukur me gjuhë naimiane nga Vexhi Buharaja dhe forcë do të ishte fakti që Naimi shkroi “Qerbelanë” apo “Fletoren e Bektashinjve” siç shkroi edhe “Historinë e Skënderbeut”. Ndaj është acaruese dhe “narrativë greke” që të justifikohet se Naim Frashëri është “bektashi i mirë” është “myhib bektashi” (siç ka thënë deputeti socialist Ardit Bido kur ishte Drejtor i Arkivës), me synimin që ta përjashtojnë nga “kombëtarizimi”.
Është e provuar nga studiuesja Nathalie Clayer, në librin e saj “Fillimet e nacionalizmit shqiptar” se Naim Frashëri po investonte në kombëtarizmin e shqiptarëve, kur shkruante “Qerbelanë” dhe “Fletoren e bektashinjve”. Naim Frashëri me këto vepra u tregoi shqiptarëve se forma fetare nuk është e rëndësishme përballë thelbit fetar që është i përbashkët. Pra në këtë vepra kemi saktësisht “sintezën e besimit fetar”, pavarësisht mbulojës “shiite” apo “bektashie” dhe sinteza e besimit është ajo që i duhet Sistemit Arsimor Shqiptar. Ndaj nëse sulmohen këto vepra, nuk po sulmohet “besimi shiit” apo “Bektashi” por po sulmohet aftësia e shqiptarit për të parë thelbin e njëjtë të feve, i cili shpjegohet nga Naimi. Që të mos mbetemi në “opinione” po tregojmë këtu çfarë ka shkruar dhe është tek “Qerbelaja” dhe që është thelbi i thelbit. Naimi nuk bën “deklarata boshe formale” të nivelit të lajkës “myslimanë e të krishterë jemi vëllezër”, por i hyn me thellësi thelbit fetar që qëndron tek programi i edukimit të karakterit dhe të virtyteve të njeriut. Këtë nuk e ka bërë kush tjetër në nivelin që e ka bërë Naim Frashëri.

Besa jonë

Bes’e mbar’e Perëndisë,/ udh’e mir’ e urtësisë,
është vetëm mirësija,/ e-vërteta, njerëzija,
zemr’ e-bardhë, shpirt i mirë,/ me mëshir’e m’ëmbëlsirë,
e-drejta, vëllazërija,/ dashurija, miqësija.
Gjithë besëtë, që janë,/ vetëm këtë udhë kanë.
Këtë thotë besa jonë,/ dhe të tjerat këtë thonë.
Se ndë jetë s’ka dy besë,/ një ësht’e një do të mbesë.
Besë është Perëndija/ dhe udh’ e saj njerëzija.
Besa jon është një fjalë,/dh’ajo fjalë s’ësht’ e çalë,
është fjal’e Perëndisë,/ q’i duhetë njerëzisë,
nukë është fjal’e kotë,/ “bëj mirë, mos bëj keq”, thotë.
Besa edhe Perëndija/ është vetëm mirësija.
Dhe ajy Zot i-vërtetë,/ edhe gjithë ç’ ka në jetë,
te njeriu gjithë janë,/ mos kërko më tjatër anë.
Po të bëjmë mirësinë/ kemi ndër ne Perëndinë.
Kur të bëjmë ligësitë,/ kemi djall e djallëzitë.
Kur të jemi të-vërtetë,/ është me ne Zoti vetë.
Besa është në kraharuar,/ Nuk është në kartë shkruar.

Mirëpo sot kjo po përdoret, a thua sikur Naim Frashëri ka patur para luftën Izrael-Iran dhe paska shkruar një poemë epike që mban anën e Iranit. Nuk është kështu.
Për të nxjerrë “gështenjat nga zjarri” me duart e të tjerëve grekët mendojmë se kanë krijuar dakortësi në dëmtimin e Naim Frashërit me pretekstin se ka shkruar “Qerbelanë”, dhe “Fletoren e bektashinjve” që është shtrati kulturor që i bashkon shqiptarët bektashinj me Iranin. Pa Naim Frashërin që të bënte ligjin edukativ tek shqiptarët, ata e kishin të sigurtë çoroditjen e tërë sistemit edukativ shqiptar dhe saktësisht kjo ka ndodhur. Irani është larg Shqipërisë dhe sado lidhje kulturore të bëjë bektashizmi, këto do të ishin më shumë lidhje kulturore ndërmjet dy popujve dhe një konkurrencë kulturore në mozaikun e madh të konkurrencës globale që kanë kulturat në çdo shtet. Fakt është që marrdhëniet e Shqipërisë me Iranin paradoksalisht u ndërprenë, kur pikërisht Shqipëria kishte mundësinë t’i kishte më të forta (e lëmë mënjanë politikën e ditës, mbetemi tek kultura). Ndërkohë Izraeli që sillet si “mik” i shqiptarëve, ngul në mes të Tiranës Muzeun Hebraik dhe i vë emrin “BESA” që është një rrëmbim e tjetërsim i fuqishëm kulturor sepse fjala-koncept “BESA” është fjala më kyçe, më kuptimplote, më thelb i Rilindjes Kombëtare dhe të përvetësosh këtë fjalë, do të thotë të menaxhosh propagandën kombëtare, me “syzet e Izraelitëve”. Izralitët kanë interes që “BESA” të nënkuptohet si “Besëlidhje shqiptaro-izraelite”. Ky është “përfitim për ta” dhe është “dëm kolosal” për të vërtetën dhe për kulturën shqiptare, e cila nuk duhet të lidhet absolutisht me askënd tjetër veç vetes së vet. Në këtë kuptim ata shkelin me këmbë veprën e Naim Frashërit dhe u thonë shqiptarëve “do të adhuroni besën siç e interpretojmë ne izraelitët”. Për këtë i kemi shkruar edhe Kryeministrit Izraelit shumë më para se të ndodhnin sulmet e Hamasit më 2 mars 2023 (pra tre vjet më parë). Shih artikullin. Pas tre vjetësh, ose para një muaji (më 28 janar 2026) i shkruam Ambasadores së Izraelit për këtë. (shih artikullin).
Secili komb ka specifikat dhe përvojat e veta se si e edukon vetëdijen globale.
Shqiptarët shfrytëzuan njohuritë që kishin rilindasit brenda Perandorisë Osmane për ta edukuar këtë vetëdije në mënyrë të shkëlqyer dhe në krye të kësaj pune qëndron Naim Frashëri. Është ai që shkroi “Qerbelanë” por është ai që shkroi “Historinë e Skënderbeut”, “Lulet e verës” apo “Bagëti e bujqësi”, është Naimi që bëri Sintezën e Besimeve Fetare, bazë ideologjike e përkryer për Sistemin Edukativ Shqiptar, me të cilën do të edukojë Harmoninë Fetare.

Cili është diabolizmi i shfrytëzimit të konfliktit Izrael-Iran për të nxjerrë gështenjat nga zjarri për leverdi të Greqisë?
Për konfliktin me Iranin dhe vende myslimane, aleanca Izrael – SHBA dhe aleatët perëndimorë kanë punuar me kohë. Nuk na lejohet t’i hyjmë si, pse e qysh. Është fakt. Në këtë aleancë janë edhe grekët dhe francezët. Kufizohemi tek to se aty shohim më shumë lidhje me çështjen konkrete dhe nuk po flasim për çdo gjë tjetër.
Një nga sektorët e luftës Izrael – Iran shtrihej në Shqipëri dhe u përqëndrua në Sistemin Edukativ Shqiptar dhe konkretisht duhej dëmtuar Poeti Kombëtar Naim Frashëri dhe Rilindja Kombëtare. Në këtë narrativë, si Naimi ashtu edhe Rilindja Kombëtare duheshin parë më shumë si një produkt Osman, pavarësisht se osmane ishte përvoja, por nuk ishte edhe orientimi kombëtar. Do citojmë në fund Sami Frashërin dhe do të kuptohet mirë sa “osmane” ka qenë Rilindja Kombëtare.
Kjo ishte leverdia e Greqisë për të dëmtuar plotësisht Edukimin Kombëtar Shqiptar. Nuk e shkruan grekët “Historinë e Skënderbeut”. Nuk e bënë grekët Sintezën e Besimeve Fetare, por e bëri Naim Frashëri dhe Rilindja Kombëtare. Nuk kanë grekët metodikë të mirë të harmonisë fetare, por i kanë shqiptarët dhe kjo u siguron shqiptarëve më shumë miq. Që të mos jenë të aftë në këtë çështje, atëherë duhen përçarë, dhe përçarja ndodh pikërisht me “varfërim e dëmtim të edukimit kombëtar”. Si të jenë të përçarë, askush nuk do t’u ofrohet, sepse nuk do të jenë të besueshëm, pra nuk do t’u afrohet as SHBA. Ja kështu sabotohet një aleancë e natyrshme dhe krejt e sinqertë e shqiptarëve me SHBA-në. Shqiptarët “myslimanë” ishin edhe kur pritën James Baker apo George W. Bush, por kjo nuk binte në sy, sepse vetë ata nuk e kishin prioritar këndvështrimin fetar të çështjes. Ishin të përqëndruar tek “liria” dhe është “liria” që i ka bërë të mos varen me vargonj fetarë. Kanë qenë të lirë nga pushtuesi ata që mbetën të krishterë, por kanë qenë të lirë nga Kisha ata që vendosën të mos mbeten të krishterë. Pra të dy palët shqiptare treguan “lirinë” dhe “liria” është ajo që i karakterizon shqiptarët më shumë sesa besimi fetar. Në këtë kuptim shqiptarët e zotërojnë çështjen fetare në një nivel të kënaqshëm që i bën edhe më të aftë të jenë të besuar në “vetëdijen globale” që mund të kenë. Kjo duhej t’i bënte më të fortë. Në fakt, çështja fetare po pëson një ndërhyrje të fuqishme të huaj, dhe tashmë kjo pikë e fortë po bëhet e dobët, pikërisht se menaxhimi ka qenë i tillë. Hiq nga menuja Naim Frashërin, hiq Rilindjen Kombëtare, quaji ato të “pamjaftueshme” dhe … Voilà… ja tek kemi një komb pa respekt për veten, por që duket sikur ka respekt (fiktiv) për Kishën apo Xhaminë, një komb që është i përçarë dhe që nuk ka si fe të vetën “shqiptarinë” (nënkupto sintezën e besimeve) por “mundohet të sillet në politikë sikur është në Bosnjë apo Liban, që duhet ta ndërtojë “institucionin shqipar” si një “aleancë apo miksim faltoresh” që është një “shëmtirë e jashtëzakonshme” nëse e shohim me syrin e Rilindjes Kombëtare.
Një proces e produkt të tillë unik (fjala për Rilindjen Kombëtare), grekët nuk e patën dhe as nuk e kanë dhe ata janë po aq të dështuar në Vetëdijen Globale sa janë edhe Izraelitët apo francezët, që mund të kenë të fuqishëm edukimin nacionalist, por nuk janë aq të besueshëm për t’u ngarkuar çështje ndërkombëtare, pikërisht sepse bazat e nacionalizmit i kanë të tilla që ngjallin më shumë dyshim se besim. Shqiptari përshtatet kaq lehtë në kulturën e huaj, jo se nuk ka kulturë, por sepse kultura e tij kombëtare është me një përmasë shumë humane, thelb i njerëzimit dhe përvojat tona kombëtare janë të tilla. Shqiptarët e vënë kokën mirë në kulturën botërore, pikërisht sepse u pëlqen thelbi njerëzor, humanizmi dhe majën e kanë arritur me Naim Frashërin Poetin e tyre Kombëtar.
Meqë Naim Frashëri ishte e pamundur të dëmtohej me ndonjë narrativë të drejtpërdrejtë, gjetën si mënyrë efektive “instalimin e shpërfilljes masive të publikut shqiptar ndaj Rilindjes Kombëtare dhe shpërbërje e edukimit kombëtar” duke shfrytëzuar masa të ngadalta por të frytshme. Nuk do të funksiononte nëse ngrinin Gjergj Fishtën, sepse Gjergj Fishta kishte shkruar për Vëllezërit Frashëri. Pra rilindasit vepronin në grup dhe nuk mund të ngresh askënd, pa dalë përsëri tek Naim Frashëri. Ndaj metoda ishte “totale”. Natyrisht nuk do të funksionojë veçse përkohësisht. Teknika “shpërfillëse” (bëj sikur nuk ka rëndësi) e ka “strategun” tek shkrimtari Ismail Kadare dhe kjo është arsyeja që i tërë “klani – anti-rilindje” e ka idhull Ismail Kadarenë.
Kanë gjetur mënyrën “fetare” dhe jo kombëtare. Nderojnë Nënë Terezën, me Festë Zyrtare (investim kolosal i shoqërisë Shqiptare, një ditë pushim kushton mbi 25 milionë euro), që nuk ka as një të mijtën e kontributit kombëtar të Gjergj Fishtës, pikërisht se nuk duan t’i bëjnë shqiptarët kombëtarë. Pra, nuk kemi një Urdhër “Gjergj Fishta” por kemi një Urdhër “Nënë Tereza”. Pse?! Sepse e dinë që Nënë Tereza e shumta do t’i mësojë shqiptarët si të jenë katolikë apo internacionalistë, kurse Fishta do t’i bënte kombëtarë, ndaj nuk kanë frikë nga Nënë Tereza, por kanë shumë frikë nga edukimi i Gjergj Fishtës. Fishta ishte katolik dhe ishte prift. Sa “e krishterë” është të zëvendësosh Fishtën me Nënë Terezën?! Pra, qartësisht e kanë me dëmtimin e Edukimit Kombëta dhe feja përsëri përdoret kundër edukimit kombëtar.

Çfarë po bëjnë është të prishin “konstruktin e prioriteteve të edukimit kombëtar”.
Pra, zhvendosin vëmendjen nga Rilindja Kombëtare që është kryesore, në periudha të tjera, ta zemë “lashtësinë” që është krejt “evazive” dhe “e pasiguritë” tek ose zhvendosen në shekullin 20 ku ka më shumë narrativë “përçarëse ndërmjet shqiptarëve”për arsye të ndryshme politike, fetare, krahinore etj. Thelbi është “Fshih Rilindjen Kombëtare” dhe sidomos brezin e parë të Rilindjes atë që bëri Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) atë që bëri “Mësonjëtoren e parë shqipe” (7 mars 1887) dhe zëvendësoje me Kongresin e Manastirit e narrativa të tjera qëllimisht të deformuara për nga rëndësia kombëtare.
Ne po shohim që pikërisht ata që nuk merren me Rilindjen Kombëtare po kanë më shumë investime, dhe qartësisht janë të huaja. Historianët shqiptarë më shumë po marrin para nga Fondacionet e huaja sesa nga Shteti Shqiptar. Pse?! Kjo është politikë qeveritare. Për Qeverinë nuk është problem nëse ti merr para nga fondacioni turk, sepse ajo atë do, që të përçajë narrativat. Pra të thotë “filan historian” është “filoturk”, ky tjetri “filogrek” etj.
Megjithëse Historianët kanë marrë para nga fondacioni irianian Saadi Shirazi, apo nga fondacioni turk Alsar, për disa punë për “Rilindjen Kombëtare” cila është çudia që ata e qepin kur u kërkohet ta bëjnë të njëjtën gjë me kërkesën e një shkolle shqiptare. Historianët që kanë marrë këto para nga të huajt e bojkotuan 200-vjetorin e Pashko Vasës dhe nuk gjen qoftë edhe një shkrim të tyrin për shqetësimin që ngremë ne për Heqjen e titullit Poet Kombëtar. Pra, po e përdorin “diturinë dhe zgjuarsinë globale historike” thjesht për të nuhatur se nga vjen rreziku, por jo edhe për ta drejtuar kombin e vet. Me një fjalë, po na thonë se do ta bënin këtë punë, nëse paguheshin!
Askush nuk kërkon ta marrë përgjegjësinë për këtë dëm ndaj shqiptarëve dhe askush nuk do të hetojë këtë dëm, megjithëse ne i kemi bërë kërkesa zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për të ngritur Komision Hetimor dhe Departamenti i Historisë ka një heshtje të çuditshme, por të turpshme.
Deputetët, historianët, gazetarët shqiptarë me sa duket po nuhasin se pas kësaj pune “antikombëtare” është vetë një aleancë Greqi-Izrael-Francë, apo pas është SHBA dhe ia mbajnë ison BE-ja. Ata e kanë të qartë se shqiptarët nuk do ta bënin dot këtë punë. Nuk kishin arsye. Ata e dinë që pas Qeverisë Shqiptare qëndrojnë shtetet e huaja dhe Qeveria Shqiptare është thjesht kukull (mjet) në këtë çështje. E vetmja gjë që ofrojnë politikanët për shtetet që i komandojnë janë veset e tyre.
Kjo është arsyeja që u shkruajmë. Naim Frashëri është dëmtuar kryesisht për llogari të grekëve, të cilët kanë qenë të zotë të përdorin rrjetin e ndikimit izraelit, francez, të SHBA-së etj…
Personi kryesor që shfaqet me veprime është Thomas Frashëri, Kancelar i Urdhërave dhe Medaljeve. Që ta argumentojmë pse i themi “filogrek” provën na e jep vetë Thomasi, me emisionin Opinion, qershor 2023. Kur Blendi Fevziu i kërkon koment për vargun e Naim Frashërit, “O diell që lind nga perëndon”, Thomasi i thotë “Naimi dinte greqisht”, pra një manipulim i pastër që të identifikojë Perëndimin me Greqinë. Meqë Thomasi nuk ka ndërmend të tërhiqet nga narrativa greke për axhendën greke, duhet të kujtojmë se Rilindasit në grup ishin për një monitorim të vazhdueshëm të dinakërisë greke dhe po e provojmë për Naim Frashërin.
Naimi besohet të jetë gjerësisht pas frymëzimit të ortodoksëve patriotë për shkëputje nga Kisha Greke dhe për të bërë Kishën e tyre autoqefale. Këtë udhë e mbështeti Shoqëria e Bukureshtit dhe emigracioni ortodoks patriot shqiptar dhe e finalizoi Fan Noli dhe klerikë të tjerë ortodoksë. Megjithatë kjo “luftë” kishash shqiptare dhe greke nuk përfundoi as në shek. 20 dhe nuk ka përfunduar as në shek. 21, pra është aktive. Kisha Greke arriti sukses edhe në shek. 21 me zaptimin përsëri të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Naimi shkroi “Historinë e Skënderbeut” dhe aty ai u kujton shqiptarëve që nuk kanë punuar për vete (si Skënderbeu), por për botën, pra edhe për Turqinë dhe Greqinë, së cilës i ndihmuan pavarësinë. Grekët sigurisht e kanë lexuar “Historinë e Skënderbeut” dhe grekët nuk harrojnë çfarë Naim Frashëri shkruan aty, e citoj:

Trimërin, nuk e pshehnë,/ andaj e mbajtën Turqinë,
Dhe më anë tjatër ngrenë,/ mynxërinë, grekërinë.
Ngrenë, po po, një mënxyrë,/në kufi të Shqipërisë,
një dosë, kurvë të ndyrë,/ burimn’ e ligësisë!

E citojmë jo për ta propaganduar, por për të kuptuar nivelin e acarimit që mund t’u sjell Naim Frashëri grekëve. Pra, duhet t’ua bëjmë më shumë të qartë shqiptarëve dhe të huajve se kur grekët mendojnë për Naim Frashërin, nuk kanë tjetër veç një urrejtje, dhe fakti që e fshehin mirë, nuk e bën këtë urrejtje inekzistente, por më të dëmshme.
Tashmë kemi faktin e jashtëzakonshëm dhe tepër acarues. Naim Frashërit i është hequr titulli Poet Kombëtar me ligj 93/2022 dhe këtë e kanë bërë njerëz të Greqisë, të Francës, të Izraelit dhe shqiptarët sigurisht i kërkojnë SHBA-së të ndërhyjë dhe të mbrojë Poetin Kombëtar Naim Frashëri dhe Edukimin Kombëtar Shqiptar, nga Karteli Politik të cilin e kanë ngritur vetë. Pra, është e qartë se ne Kuvendin e Shqipërisë nuk e quajmë fare një produkt mirëfilli shqiptar. Po të ishin do të kishin reaguar, se nuk ka më thelb për kulturën shqiptare sesa Rilindja Kombëtare dhe Edukimi Kombëtar.
Nuk mundet që të jenë kaq të pandjeshëm ndaj çështjes që ngremë (përjashtojmë deputetin Bujar Leskaj që e ngriti në 19 shkurt 2026)
Ne e kemi ende në faqen tonë recitimin e personelit të Ambasadës së SHBA me vargje nga rilindasit, ku ambasadori Donald Lu zgjodhi vargjet e Naimit “Gjuha jonë”.
Grekët nuk mundet ta bënin vetëm punën kundër Naim Frashërit, ndaj shfrytëzuan aksesin në politikën e SHBA-së, Izraelit, Francës BE-së dhe arsyetime finoke “globale” (lufta ndaj Iranit dhe islamit) për këtë punë thjesht “nacionaliste greke”. Kjo u siguroi fshehje shumë të mirë, ndërkohë që dëmi ndaj Edukimit Kombëtar Shqiptar mbetej “anonim”, por jashtëzakonisht i madh.

E nderuar Nensi Vanhorn,
E ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë
Dëmtimi i Edukimit Kombëtar Shqiptar, dëmton rëndë vetë shqiptarët dhe të ardhmen e tyre, sepse i çorienton, por nga ky çorientim, po dëmtohet rëndë vetë SHBA-të. Shqiptarët nuk mund të jenë një patericë e SHBA-së ose një arkë që ajo e merr me vete, ngado që vete. Ata duhet të jenë një komb i gjallë që mendon, krijon dhe kontribuon realisht e me kreativitet. Kjo mundësi është bllokuar totalisht sa kohë që është dëmtuar Edukimi Kombëtar.
Dashuria e sinqertë dhe me shpresë që vihet re në fotot që Xhorxh VV Bush bëri në Tiranë (sidomos në Fushë-Krujë) (janë më sipër), qartësisht nuk është e para. Është zbehur dhe këtu fajin nuk e kanë shqiptarët por ata që sulmojnë shqiptarët me Qeverinë Shqiptare kukull. Nuk deshën shqiptarët të shpopullonin vendin, por po e shpopullojnë. Ata panë se po goditeshin në thelbin e tyre shqipëtar që qëndron tek Rilindja Kombëtare dhe u bënë të pafuqishëm të menaxhonin një dëm që vinte nga të gjitha anët, sistematikisht dhe nga Shteti i tyre shqiptar që kishte rënë në duar të huaja. Ata panë varrezat e ushtarëve grekë, panë rrëmbimin e kishave, panë dëmtimin fetar të shqiptarëve me nocionet Shtet Bektashi etj. panë dëmtimin e qëllimshëm të Sistemit Arsimor, panë ofrimin e arsimit me një sistem privat që është qartësisht një “edukim klasor”, panë turpërimin e shqiptarit, panë përçarjen e djalit nga vajza sipas devizës “djemtë janë zdromsa dhe vajzat e ftillume” dhe kuptuan se këto gjëra nuk rregullohen lehtë.
Për të provuar nëse SPAK po punonte për një interes mirëfilli shqiptar apo thjesht kështu po i thonin nga lart të huajt, u thamë të shtonin akuzën e fyerjes kombëtare për Erion Velinë, meqë ishte diçka e thjeshtë dhe flagrante, pra video ishte vënë aty. Pse nuk e bënë, kur prova ishte e qartë?! Do të thotë se nuk do të donin të jepnin mesazhin se “po mbrojmë shqiptarin në kulturën e tij dhe në dinjitetin e tij” por thjeshtë po bëjmë detyrat që na kanë ngarkuar të huajt. Dënimet e prokurorisë kanë edhe natyrë edukative dhe ndikim në popullsi. Pse duhet ta fshehë SPAK-u një krim ndaj kulturës shqiptare që është flagrant?! Për asnjë arsye tjetër veç të dekurajojë një Edukim Kombëtar të vërtetë.
Pyetja është “Pse të huajt nuk ia ngarkojnë SPAK-ut një dëm në Edukimin Kombëtar të Shqiptarëve?”

Klan "Vllazëria" Frashëri
Klan “Vllazëria” Frashëri

E nderuar Nancy VanHorn,
Nuk duhet të vijë puna që marrdhëniet e SHBA-së me shqiptarët t’i ngjajnë marrdhënies me Turqinë në prag të pavarësisë, (ose rënies së Perandorisë Osmane) që shpjegohen aq mirë nga Sami Frashëri.
Do të më lejoni ta citoj Sami Frashërin, vetëm sa për ta kuptuar, nivelin e acarimit që do të keni nëse zëvendësoni fatin e Turqisë (të asaj kohe, kur ra Perandoria Osmane) me fatin e SHBA-së. Në fakt, turqit e duan Sami Frashërin dhe kjo është arsyeja që ata nuk i kthejnë eshtrat e tij, megjithëse eshtrat e Abdyl Frashërit i kanë kthyer dhe Naim Frashëri i ka këtu.
Po e sjellim citimim që të kuptohet nga SHBA shumë mirë dëmi që vjen nga nga mosrespektimi si duhet i Naim Frashërit, i Rilindjes Kombëtare, i Edukimit Kombëtar Shqiptar dhe i Sistemit Arsimor Shqiptar. E ka thënë Pashko Vasa që shqiptarët do të donin t’i ngjanin Zvicrës dhe i kanë patur këndo mundësi. Që të mos i kenë këto mundësi, punojnë vazhdimisht grekët!

Sami Frashëri “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”
“Pamë më sipër që Shqipëtarëtë me kohë kanë qënë shokët’ e Tyrqet e jo robërit’ e tyre; po sot ata heqinë më të madhenë tirani, ata janë shkelurë e shtypurë më keq se gjithë. Kur është kështu, pse gjithë kombetë përpiqenë ta hedhinë së sipërmi këtë hije të rëndë, e Shqipëtarëtë duan ta mbajnë? Apo nukë shohënë që po i vënë krahëtë një muri, që po gremizetë e do t’i shtypnjë duke rënë mi ta? Shqipëtarëtë janë si një njeri, që ka rënë në dett e di të bënjë not mirë, po duanë, duke shpëtuarë, të shpëtojnë edhe Tyrqitë, të cilëtë kanë rën’ edhe ata në dett edhe s’dinë not; po këta të mallëkuarë nukë len’ atë që di not, t’i zërë nga duhetë e t’i nxjerë jashtë ujit, po i zën’ ati të dy këmbëtë a një këmb’ e një dor’ edhe s’e lenë të bënjë not. Kështu edhe vet komb’ i tyre po mbytetë edhe kombinë shqipëtar po e heq me vetëhe mu në funt të detit e po e mbyt.
Shqipëtari, që po e sheh këtë rezik me sy, pse e le vetëhenë në duart të këti të ligu e të pamëndi, që s’munt të shpëtonjë vetëhenë edhe as le ta shpëtojnë, po kërkon të mbytnjë me tradhëti edhe ata që duanë ta shpëtojnë? Ç’duhetë të bënjë një njeri, që bije në një rezik të këtillë? — T’i apë një shkelmë të shëndoshë këti tradhëtori, që kërkon ta mbytnjë, ta dërgonjë në funt të detit edhe të shpëtonjë vetëhen’ e ti. Kjo është udh’e shpëtimit e jo tjatërë. Tyrqia as munt të ronjë paskëtaj, as do të ronjë, edhe as duhetë të ronjë. Shqipëtarëtë po që të duanë të mos ndahenë nga Tyrqia, duhetë të humbasinë bashkë me të. Ky është një njeri i vdekurë; sado ta duamë të vdekurinë, duhetë ta vëmë në dhet; të duamë të mos ndahemi soje, është si të duamë të hyjmë në varrt me të bashkë. Ay qelbetë, u qelp, s’e mbaj më dot më, se kundërmon botënë.”(fund i citimit)
Ne jemi krenarë që si shkollë ndikuam që Observatori kundër Islamofobisë të reagonte saktësisht siç donim ne si shkollë laike në çështjen e Poetit Kombëtar Naim Frashëri dhe ky ishte investimi ynë si shkollë mbi ta. Po sjellim më poshtë kërkesën tonë dhe reagimin e tyre që është saktësisht në frymën e Rilindjes Kombëtare dhe jo të një interesi të ngushtë sektar. Ata na kuptuan drejt. Reagimi i tyre në këtë çështje është saktësisht çfarë i duhet Sistemit Edukativ.
Shqiptarët janë fetarizuar aq shumë (edhe myslimanët) sa edhe kur Naim Frashëri u sqarohet se këndvështrimin kombëtar, se po dëmtohet si “mysliman” (në fakt si shqiptar), përsëri nuk sheh që të ketë komente masive mbrojtëse. Kjo është provë e qartë se Naim Frashëri nuk mund të shihet thjesht si “mysliman”. Po të ishte ashtu, myslimanët shqiptarë do të bënin më shumë për të.
Fakt është që as Kryegjyshata Bektashiane që duhet ta kishte prioritet Naim Frashërin nuk reagon, megjithëse unë që shkruaj për këtë çështje i përkas trashëgimisë bektashie si nga babai dhe nga nëna (Dëshnicë, Përmet), ndërsa vetë në për çështjen e fesë së shqiptarëve botova librin “BESA, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” (2009), që bëri realitet devizën e Rilindjes “Feja e shqiptarit shqiptaria” (Pashko Vasa, 1880). Ne dyshojmë që dëmtimi i Naim Frashërit dhe heqja e Urdhrit “Naim Frashëri” mund të bëhet që të eksportohet (përzihet) në Shtetin Bektashi. Kjo është arsyeja që “Shteti Bektashi” duket sikur shpërfill. Ky do të ishte një dëm e turpërim i Naim Frashërit, i cili punoi për të kundërtën, punoi që bektashinjtë të punonin për Shqipërinë dhe jo Shqipëria për bektashinjtë.
Pra, Naimin nuk e mbrojnë as myslimanët, as bektashinjtë. Në Përmet, për shembull, kanë filluar tentativa që të zëvendësojnë Naim Frashërin me Baba Hekuranin e Alipostivanit. Për Baba Hekuranin që ndërtoi një teqe gjigande ka mbi 3500 pëlqime, ndërsa këto postimet tona për Poetin Kombëtar nuk marrin vëmendje dhe angazhim prej tyre. Qartësisht janë të shtypur, qartësisht janë të dëmtuar në formimin e tyre kombëtar.

Për këtë lloj dëmi po shkruajmë!
Meqë kemi shumë të tjera për të thënë dhe gjatësia e artikullit po e kalon normën, po e lëmë me kaq. Më poshtë keni artikuj të shkurtër që tregojnë edhe më shumë argumente rreth të njëjtës çështje.
Me respekt dhe konsideratë të lartë,
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

4 mars 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.