back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Demoni i Lermontovit tej kohës së Demonëve Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi e Spiro Anastasi Poros 2006
Jozef Radi e Spiro Anastasi Poros 2006

Demoni i Lermontovit tej kohës së Demonëve

esse nga Jozef Radi

Poema Demoni e Lermontovit mbetet pa as ma të voglin dyshim nji prej perlave të letërsisë ruse dhe asaj botërore, po edhe nji prej magjive ma të padiskutueshme të rinisë sime… Nji magji komplekse… sepse me emnin e kësaj poeme janë të lidhun shumë njerëz njiherësh dhe të gjithë bashkë ata i japin kësaj poeme të papërsëritshme nji aureolë të veçantë…
Isha gjimnazist i vitit të tretë, dhe si gjithnji orët e pushimit, kur “ishim bosh”, o mungonte ndonji mësues, shkoja në biblotekën e qytetit,  jo fort larg gjimnazit dhe aty lexoja kryesisht poezi, për aq sa m’lejonte koha… Ndër ato gërmime, nji ndihmë shumë dashamirëse m’ka dhanë nji nga mësueset që e kam pasë fort për zemër, e me të cilën kisha nji raport të veçantë: asht fjala për mësuesen time të rusishtes Luiza Papajani, nji ruse e bukur nga Stalingradi, e cila “për dashninë” qe bà shqiptare, dhe ishte ajo që më mësoi jo vetëm me e dashtë rusishten(!!), po ma shumë letërsisë ruse… dhe mund të them se falë saj kam adhurue Gogolin, Pushkinin, Lermontovin, Çehovin, Tolstoin, Turgenievin, Majakovskin… i qante pak syni për Dostojevskin, e si nën zà diçka më thoshte… po deri njaty… Kurrë ndonjiherë ajo s’më ra n’sy se nga vija unë… i kujt isha… kurse me babanë për aq pak sa flisnin përdornin veç rusishten… Kur ajo bani kabinetin e rusishtes krejt portretet e shkrimtarve të përzgjedhun prej saj së bashku me citime të tyne, isha unë që ia dhashë ndihmën “e madhe”, pa harrue edhe punën e çmueme të piktorit Lek Pervizi, që e bani at sallë nga ma të bukrat e gjimnazit “20 Tetori”. Nji laborator model me videoprojektorë, me kaseta, me “vigjeofilma”, me libra… po mbi të gjitha me korifejtë dhe veprat e gjenialëve rusë… dhe mund ta them pa fort droje, s’ma merr mendja t’ketë pasë në Shqipëri nji laborator ma t’mirë rusishteje se ai i mësueses sime: Luiza Papajanit…
Ishte ajo, Zysh Luiza, e para që më foli për Demonin e Lermontovit… Lexoje Jazef… I mrekullueshëm! dhe prej saj Demoni i Lermontovit, u ba dhe mbeti magjia e nji bote që ende jeton brenda meje… E lexova disa herë në biblotekën e qytetit, e mora në shtëpi, dhe me thënë të drejtën u përpoqa edhe me vjedhë, po dështova… u detyrova me e kthye librin… bile me gjobë: dy lek për çdo ditë vonesë… veçse ma kishte shpërblye… pothuej gjysmën e vargjeve e kisha mësue përmendësh… dhe “Bëj be për yjtë e gjithësisë…” mund ta kem recitue edhe ndër andrra!!

Lermontov - Demoni
Lermontov – Demoni

***

Në shtëpinë e Lek Pervizit, kam gëzuar gjithnji privilegjin me i pa krejt albumet e randa të pikturave që ai kish në shtëpi e në mënyrë të veçantë ata të artit rus… Ku krahas Rjepinit, Vereshaginit e të tjerëve më tërhiqte vemendjen nji piktor i quejtun Mihail Vrubel, i cili më kish mahnitë me figurën gjigande të Demonit… Kështuqë për Demonin e Lermontovit kisha shpesh parasysh edhe Demonin e Vrubelit… që e kisha njoftë aty në shtëpinë e Lek Pervizit…

***

Vite ma vonë po kërkoja me e rilexue Demonin, po ishte e pamundun… Në biblotekën e qytetit s’ishte ma… Nga miqtë e mi s’e kishte askush… kështu Demoni më mbeti nji peng… Në Savër bibliotekën ma t’pasun e kishte nji minoritar prej Përmeti, ma saktë nji djalë nga Vllaho Psikohtere, i cili padiskutim konsiderohej jo vetëm si libradashsi ma i mirë, po edhe lexuesi ma i rregullt dhe ma i madh i letërsisë… Dhoma e vetme e barakës ku ai jetonte ma shumë vend kishte për librat se sa me fjetë… Quhej Spiro Anastasi… nji figurë e heshtun dhe enigmatike, i rregullt dhe i ashpër, nji njeri i nji paradoksi të pabesueshëm: Nëna e tij, Lefkotheja s’e foli nji fjalë shqip gjithë jetën, djali i saj ishte ma i apasionuemi i gjuhës shqipe!!! S’kishte libër të përkthyem në shqip, të qe botue nga vitet 50 deri në vitet ’80, të mos e kishte Spiro Anastasi!
Dhe unë e kisha mjaft mik Spiron… por ajo ashpërsia e tij e pamjes, heshtja e tij prej statuje greke dhe korrektesa pak nevrike e sjelljes, s’i lejonte shumë hapsinë manovrimi askujt…! Unë dija diçka që s’e dinin të tjerët… Ishte e pamundun që shpirti i këtij njeriu që lexonte aq shumë libra, të kish ngecë veç te ajo dukja e ashpër e tij… Spiro ishte nji njeri me nji shpirt të mrekullueshëm, me nji dëshirë të jashtëzakonshme për me folë për librat, me nji hapsinë mendimi që pakkush e kish ndje… Edhe pse kisha mjaft konfidencë me të, s’i kisha kërkue kurrë libra… sepse ai kishte nji “Jo” të madhe për librat e tij, pse librat ishin pasioni i ti, dhe mund t’i kërkoje gjithçka: jo libra, i kishte shenjtënue për veten e tij… Dhe ndërsa flisnim nji mbramje për librat, ra fjala edhe për Demonin e Lermontovit… dhe meqë ra fjala, ia derdha pakufishëm at’ entuziazmin tim deri n’eufori ndaj asaj poeme dhe e detyrova Spiron, pak si me pahir, me m’thanë at “Po-në” që s’kish burrë nane me ia shkulë… Problemi i vetëm ishte: ku ta gjeja at’ libër me trashësinë e nji fletoreje katërlekshe, n’at pafundësinë e biblotekës së tij…
“Hajde gjeje vetë, – më tha – unë s’kam durim ta kërkoj!”  Dhe shkova… U desh nji mbasdite e tanë, derisa e gjeta, edhe pse biblioteka e tij ishte jashtëzakonisht e rregullt… Demoni qe fshehë aq bukur, por jo aq sa mos e gjeja… U riktheva përsëri te Ajo vepër e mrekullueshme, te romantizmi i Lermontovit, te ajo figurë simbol e Demonit që i kish dhanë trishtimit tim nji dritë të shprese dhe besimi… te Tamara e bukur dhe e andërrt… Librin mbas do kohësh m’u desh me ia kthye Spiros, veçse kisha mundun me e kopjue dhe e rueja at’ kryevepër jo veç të letërsisë ruse po edhe asaj botnore, e cila qe bà nyje mes meje dhe shumë njerëzve të dashtun të jetës sime…
Uroj që leximi prej kujdo i kësaj poeme magjike që mbush këto ditë 175 vjetorin e botimit të saj, të jetë ajo ftesa ime me e nda me cilindo prej jush diçka të bukur e të papërsëritshme: Demonin e Lermontovit… 3 shtator 2013

Mikhail Lermontov (1814-1841)
Mikhail Lermontov (1814-1841)

Mihail Yurevich Lermontov

Mihail Yurevich Lermontov është një nga shkrimtarët rus që mbetet i pavdekshëm në historinë e letërsisë ruse dhe atë botërore. Lind në Moskë në 1814, në një familje fisnike. Në krijmtarinë e tij, ai pati shumë ndikim nga vepra e Pushkinit dhe Bajronit, sidomos në fushën e poezisë. Ashtu si dhe Pushkini, Lermontovi ra viktime e nje dueli te provokuar me qëllim. Kështu, ne 1841, në moshën 27 vjeç, u ndërpre jeta dhe krijimtaria e një artisti të madh.
Ndërmjet veprave të tij të përkthyera në shqip janë romani “Një hero i kohës sonë” si dhe poema “Demoni”. Për këtë poemë ai punoi 12 vjet. E filloi që kur ishte në kolegj dhe e ripunoi deri pak përpara se të vritej. Në fillim ai mendoi ta shkruajë poemën mbi Demonin, i cili dashurohet pas murgeshës së bukur dhe “ajo më në fund e dashuron”. Demoni e vret atë, nga cmira dhe nga urrejtja për ëngjellin e saj. Ne versionin përfundimtar, murgesha imagjinare u kthye në bukuroshen Tamara – bijën e princit plak Gudal. U ndërrua subjekti i poemës, rivali i Demonit u bë i fejuari i Tamarës – “Sunduesi i Sinodalit”. Ai e mbaroi poemen ne 8 Shtator 1838. Por poema pa dritën e publikimit vetëm pas vdekjes së autorit dhe u publikua në vitin 1856.
Megjithëse nuk jetoi gjatë, Lermontov la mbrapa krijime që frymëzuan dhe artistë të tjerë. Ne poemën e tij “Demoni” u mbështet Rubinshtejni, i cili krijoi operën me të njëjtin titull. Mikhail Vrubel i mishëroi vargjet e Lermontovit në disa nga pikturat e tij, ku në sfondin e horizonteve të kuqërreme del fytyra e stërmadhe e Demonit. Tolstoi e quante “farën” e veprës së tij “Lufta dhe paqja”.
Përmbledhja e pjesës me pak fjalë është që Demoni pa një vajzë të bukur (Tamarën) dhe për herë të parë ra në dashuri. Ditën e dasmës së Tamarës me princin, ky i fundit ra në pritë dhe vritet. Nga mërzitja Tamara vendos të futet murgeshë, por përsëri ajo nuk gjen qetësi dhe herë pas here i shfaqet imazhi i princit. Në një nga këto netë asaj i shfaqet Demoni që i shpreh ndjenjat e tij.

Demoni - Mikhail Vrubel
Demoni – Mikhail Vrubel

Demoni

Tregim oriental – Mihail Lermontov  

Pjesa e parë

1

Demoni, mbytur në trishtime
U end mbi tokën mëkat-plot
Dhe koh’e shkuar plot kujtime
Përpara sysh i shfaqet sot:
Kur ish mbi botë vetëm fare
Posi një ëngjëll krah-praruar,
Kur dhe kometa udhëtare
Gjith’ buzëqeshje ledhatare
E përshëndeste duke shkuar,
Kur përmes mjegullash paanë,
Me et në shpirt për dituri,
Gjurmonte mijëra karvanë
Prej yjesh flakur mizëri,
Kur dashuronte, kur besonte,
Banor’i parë i botës mbarë,
Kur s’njihte cmirë dhe nakarë
Kur s’i kanosej gjithënjë
Kjo sërë shekujsh të pafund
E shum’… e shum’… dhe çdo gjë…
Ndër mënd ta sjellë ai nuk mund!

2

U end i mjerë ai gjithnji
Mbi qiej e det e strehë s’gjet
Dhe vjetët rridhnin nji pas nji
Si nji pas nji minuta shket
Ndër ata tinguj monotonë.
Duke sunduar botën tonë
Pat mbjellë e pjellë prapësi,
Po s’u kënaq se njerëzia
S’i bënin ballë dot atij
E iu mërzit dhe ligësia.

3

Dhe fluturoi nga Kaukazi
Ky mërgimtar me shpirt të gjorë,
Ku, poshtë tij, si gur elmazi
Ndrinte Kazbeku me dëborë,
Ku mu si gjarpër gjarpëruar
Darjalli nxinte i harbuar
Në fund të honeve shkëmborë.
Më tej Tereku ndër rrëpirat
Si luaneshë perçe-ngritur
Gjithmonë ushton. Dhe egërsirat
Dhe shqipja lart duke u vërtitur
I vinin veshin valës së tij;
Dhe ret’e bardha si pambuku,
Nga larg të ardhura, nga jugu,
E udhëhiqnin në veri.
Shkëmbinj e gurë nji mbi nji
Si në dremitje të magjishme
I mvarnin kryet përmbi të
E shihnin valën e furishme.
Kala e kulla gur mbi gur
Me tmerr mes mjegullës shikonin
Edhe Kaukazin tërë nur
Si roje-diva i qëndronin.
Çdo gjë rreth tij, por me mërzi
E me përçmim ai shikonte
Botën që bëri Perëndia
Dhe gjë prej gjëje s’pasqyronte
As ball’i gjerë as syt’ e tia.

Demoni - Mikhail Vrubel
Demoni – Mikhail Vrubel

4

Nji tjetër pamje e kësaj ane,
Nji tjetër vend plot bukuri:
Shtrihen luginat gjeorgjiane
Posi qilima për çudi.
O vend plot gas e begati!
Selvi të drejta si fidane,
Lumenj që rrjedhin me shpejti
Nëpër shkëmbinj e gurgullojnë
Dhe trëndafilat plot freski,
Ku mblidhen zogjtë edhe këndojnë
Me afsh’ e zjarr për dashuri.
Në pyjet lisa hedhin hijen
Mbi guva, shpella ku shpesh fshihen
Ato sorkadhëzat e njoma.
Dhe drit’ e jet’ e fëshfërime
Nji kor prej mijrash cicërime,
Nji vend i mbytur nga aroma.
Dhe vap’ e ëmbël e mesditës
Me sumbuj vese vetëtitës
Në mes të natës plot freski
E yje prush e plot shkundi
Si syri i vashave mahnitës!
Po veç se nji nakar të ftohtë
Në shpirtin shterpë nuk i zgjoi
Shkëlqim’ i jetës përmbi botë
Fuqi e ndjenja tjetër lloj.
Kudo që sytë ai i ktheu
Ja e përçmoi, ja e urreu.

5

Shtëpi përreth me avëlli
Gualli i thinjur pat ndërtuar,
Që djers’e lot u pat kushtuar
Pa masë skllevërve të tij…
Sa ngjitet dielli mbi çati
I bie hije malit ngjitur.
Në shkëmb, nji shkallës e skalitur,
Nga kulla lart, që sheh mbi fushë,
Gjer buzë lumit merr të nxjerr
E nëpër to si nji drenushë
Tamarra, lidhur me çember,
N’Aragvë zbret e uj të mbushë.

6

Gjithmon’i heshtur mbi luginë
Pallat’ i zymtë hijen hedh;
Por sot zjen kënga, vera rrjedh,
Buçet zurnaja, njerëz vijnë –
Gudalli vajzën sot martoka
E far’e fis e fqinjë ftoka.
Ka dalë nusja në hajat
E në mes shoqeve qëndron.
Me këng’e valle dita shkon,
E mal më mal e shpat më shpat
Ngadalë dielli perëndon;
Trokasin duart plot haré
Këndojn’e lozin – edhe ja!
Rrëmben dajren nus’ e re
E duke ngritur dorën la
Vallzon e shkathët sa më s’ka.
Her’ herë ndalet e vëren
Dhe syr’i njomë i shkëlqen
Ndënë qepallat zilitare;
Këtu ngreh vetullën gajtan
Më tej përkulet si ta deshe
E mbi qilim ku shkel të ngjan
Se shket nji këmkë perëndeshe.
E qesh e shkrihet pa merak
Në gas të dlirë foshnjarak,
Sa rrez’e hënës që lëshohet
E bje mbi re e ndrin pastaj
As mund, kurrkund, të krahasohet
Me buzëqeshjen e asaj!

Demoni dhe Tamara Mikhail Vrubel
Demoni dhe Tamara Mikhail Vrubel

7

Bëj be për yjt’e gjithësisë,
Për këtë diell që na ngroh
Se jo, as shahu i Persisë,
As mbret në kulmin e lavdisë
S’ka puthur syçka si këto
S’ka shatrivan harem’ i tërë
Që të ketë larë në behar
Të tillë trup e gji e llërë.
Akoma dora njerëzore
Që bredh mbi faqe virgjërore
Të tilla flokë s’ledhatoi,
Që kur u ngjiz kjo botë boshe
Bëj be: e tillë bukuroshe
Nën këtë diell, s’lulëzoi!

8

Të fundmen valle dredh gëzuar
Por oh, që nesër më t’aguar
Atë, të bijën e llastuar
E trashëgimtaren e Gudallit
E pret diku nji tjetër fat,
Të tjera hyqe, nji tjetër fshat,
Nji tjet’r atdhe matanë malit.
Dhe nji dyshim, dyshim i fshehtë
Ia vrenjti vetullat në ças
Dhe duke dredhur vallen vetë
Kish çdo lëvizje kaq shum jetë,
Kaq mbushur plot me lot e gas,
Sa dhe Demoni të qëllonte
E ta shikonte që nga qielli
Nji koh’ të shkuar do kujtonte
E do të rënkonte për së thelli…

9

Por ja, e pa… Dhe pa kuptuar
Demoni ndjeu nji të dridhtuar
Sa tërë trupi iu trondit
Shkreti e shpirtit të zhuritur
Me tinguj t’artë iu vadit
U ndje sërish i përtëritur
Ç’ish dashuria plot bukuri!
Pa ndenji, ndenji i harruar
Dhe ëndrra plot me ëmbëlsi
Për lumturin’ e perënduar
Si yll pas ylli ca nga ca
Po i faniteshin papra.
S’kuptoi prej ç’force u mbërthye,
Nji dhimbje ndjeu të panjohur
Nji valë ndjenjash fund e krye
Posi më parë e pat ngrohur.
A mos rilindja po agonte?
Ai kërkonte të mallkonte
Po dot s’nëmoste si qëmoti…
A ta harronte? S’e dha Zoti!
Po as që donte ta harronte!

10

Pa ndalur kund dorinë e lodhur,
N’aheng te nusja për t’u ndodhur,
Shpejtonte dhëndri i paduruar;
Kaptoi Aragvën e kulluar,
Kaloi brigje, male, sheshe,
Mbas tij, ngarkuar me peshqeshe,
Vazhdonte vargu me gamile
Gjer tutje zgjatur e zvarritur.
Rreth e përqark kumbonin zile.
Ai, sundues i Sinadalit,
Peshqesh po shpie nji karvan;
Në mes ka ngjeshur nji kollan.
Këllëf’ i shpatës prej metali
Në diell i shndrit. Në krah të majtë
Nji pushk’e re kondak sërmajtë.
Tek ec mbi kalë i kapardisur
Ç’i valëvitej kjo mëngore
Gjith’ gajtan e punë-dore!
Takëmet gjithë të qëndisur
Me ar, me xhufka të stolisur
I kishte kali qimendritur
Nga rruga lodhur e djersitur,
Ky kal’i shkathët ik’ e ikë
Ngreh veshët lart e tërë frikë
Hungron e shfryn e nga rrëpira
Sheh shtrëmbër valët shkumbë-dlira.
E ngushtë rruga, të kall tmerrë!
Në njërin krah shkëmbinj viganë –
Matanë – lumë edhe humnerë.
U ngrys. Mbi malet zu të bjerë
Nji mjegull dendur e më dendur
Karvani niset me të rendur.

11

Kur ja nji kishëz atje la…
Atë e mbanin për altar.
Dikur nji princ aty u vra
Nga dor’e hasmit gjakatar.
Dhe që at’here udhëtari
Në luft’a dasm’a ku të shkonte,
Aty do ndaleshe së pari
E lutje Zotit t’i drejtonte;
Dhe ajo lutje bëhej mbrojë
Që thik’e turkut mos ta shpojë.
Po dhëndrit trim syrin s’ia mbushi
Adet’ i lënë gjysh mbas stërgjyshi.
Me ëndrra plot, me marifet,
Demon-dinaku e ndez shpuzë,
Sa që i vjen sikur vërtet
E puthën nusen mu në buzë.
Kur ja, i dolën dy përballë
Të tjerë, krismë – Ç’është vallë?
Duke shtrënguar yzengjitë
Shikon, kupton se ra në pritë
E princi më s’e bën të gjatë.
Nji tytë pushke ndrit në terr,
Kamxhik e shpatë – si skifter
U hodh e shkoi… e krismë prapë!
Dhe thirrje e mpreht’e lemeruar
U ndje kudo në katër anët
E ikn’e therën të tmerruar
Nga sytë këmbët gjeorgjianët…

12

Po binte mbrëmja përmbi tokë,
Gamilet mbledhur kok’ më kokë
Me tmerr kufomat i shikonin;
Aty këtu, si me të kotë,
Këmborët mbytur tingëllonin.
E vodhën krejt karvan’ e mjerë
Dhe përmbi trupat e krishterë
Vjen kukuvajka rreth e qark!
Si mjer’ këta që mbetën larg
Nga tok’e shenjtë që i leu
Ku gjysh-stërgjyshët i tret dheu.
S’do vijnë dot as mëm’e mjerë
As motrat lidhur me çemberë,
Me zemrat-çjerrë e shpresat-prerë
Të qajn’ aty me ngashërim,
Prandaj nji dorë e Zellshme ngriti
Aty, mbi shkëmbin prej graniti,
Nji kryq të drunjtë për kujtim
Dhe shermasheku vit pas viti
E përqafon me ënd e shije
Dhe në pranverë rritet bari
E shumë herë udhëtari
Aty i lodhur shkon e bie
E rri e prehet ndënë hije.

Demoni dhe Shpirti Tamaras Mikhail Vrubel
Demoni dhe Shpirti Tamaras – Mikhail Vrubel

13

Vrapon nji kalë me revan
Ngreh pluh’r duman e s’ka ç’e mban.
Her’- herë ngrihet kas përpjetë,
Sikur kërkon të përpijë retë
E hingëllin e shkrofëtin,
Her’- herë tokën zë rrëmin
Me nji patkua që shkëndijon,
Pastaj me perçe shpurpulisur
I çakërdisur gjith’ harbon.
Mbi të – kalorsi i zahlisur!
Në shalë tundet si i lënë,
Mbi perçe koka i ka rënë.
Në dorë s’mban kamxhik e fre,
I mvaren këmbët n’yzengji;
Ja mbytën gjaku si rrëke
Jelek’n e ri me plot stoli.
O kal’i shkathët prej luftimit,
Me vrap tët zot e nxore gjallë,
Po plumb’i keq i osetinit
E mori, natën, mu në ballë.

14

Dëgjohet kujë edhe rrëmujë…
Mëhalla mblidhet në Gudalli.
Se ç’qe nji kalë që erdh’ me bujë
E mu në prak u plas e ndali?
Ç’qe ky kalorës frymë-sosur?
Te ball’i tij qenkan vulosur
Gjurmët e luftës së vështirë –
Në gjak, dyfek e robe ngjyer,
Të fundmin çast qenka mbërthyer
Te perçe e kalit dor’e ngrirë.
E priti shumë nus’e gjorë
T’i vinte dhëndri – dhe ai
E mbajti fjalën princërore,
Në dasmë erdh’e në gosti…
Por oh! Se këmb’e krah iu mpinë
E s’mund të hipte më dorinë.

15

Te kjo familje kaq e qetë
Mëri e Zotit ra si shqotë!
Rënkon e qan Tamar’e shkretë
Përmbys në shtrat po derdhën lotë
E loti zhur që gurët tret;
I hidhet gjoksi e gulçon
Po ja – i vjen sikur dëgjon
Nji zë magjik që po i flet:
“Mos qaj, o shpirt, mos qaj më kot!
Me kuj’e lot s’e ngjallën dot
Atë që vdiq e shkoi për jetë,
Veç sy e faqe djegin sot
Me këto lotë prush të nxehtë.
Ai s’dëgjon, ai s’kupton,
Ai s’të çmon trishtim e lotë,
Se drit’e qiellit i ndriçon
Vështrimn’ e shemërt e të ftohtë.
Nji kor hyjnor e nanuris…
E ku i hyn në sy kjo jetë,
Rënkim’e vaj i vajzës shkretë
Atij që shkoi në paradis?
Ai tashi po fle në paqe.
Dëgjomë mua vogëlushe,
S’ja vlen, s’ja vlen, s’ja vlen as kaqe
Të qash për të, moj ëngjëllushe.
“Si në det, në qiell notojnë
Pa timon, pa vela fare
Mijra yj që vezullojnë
Posi varka vetmitare;
Fushës qiellit përmbi ne
Vjen e vete fluturake
E gjëkundi gjurmë s’le
Kjo kope me re rudake.
Se takohen, se mërgohen,
As gëzohen, as brengosen.
Për të shkuarën s’trishtohen,
Për të ardhmen s’merakosen.
Kur andralla ke mbi kokë
Atëhere i kujto
Dhe, sa rron e je në tokë
Rri shkujdesur si ato.”
“Kur nap’e natës do të bjerë
Përmbi Kaukazin fije-fije,
Kur bot’ e tërë do të flerë
Si e nemitur prej magjie,
Kur fllad i freskët fryn ndajnatë
Dhe fëshfëritën bar’ i thatë
E zogjt’e fshehur tek qëndrojnë
Të trembur ngrihen, fluturojnë,
Kur ndënë degët e hardhisë
Nji sumbull ves i jep sisë
Nji manushaqeje që çel,
Kur hën’e artë lart në qiell
Mbi mal do ngrihet qetësisht
E të të shohë ëmbëlsisht,
Do vij tek ti të të mbështjellë
Me puthjen time tërë afsh
E mbi qepallat si mëndafsh,
Të ëmblat ëndrra do të ndjellë…”

Demoni Mihail Vrubel
Demoni Mihail Vrubel

16

Pushuan fjalët. Me përtim
U shuan tingujt gjeth më gjeth.
Ajo e ngritur sheh përreth…
E bren diçka që s’ka shpjegim;
Lëngim, trishtim. E djeg, e dredh
Nji flak’e prush pa krahasim,
Çdo nerv i trupit e rrënqeth.
Vargonjt’u thyen, me furi
Në rrëmbat gjaku i buçiste
Dhe zëri i tij si për çudi
Akoma dukej se i fliste.
Po dhe at’here e çuditi
Kur iu fanit në ëndërrim,
Ky mik i mjegullt fjalëpak,
Me hir qiellor e zemërflakë
Përmbi jastëkun po i rri
Dhe syr’i tij me dashuri
E me trishtim po e vëren,
Se dhimbje ndjen e keq i vjen.
Ky s’ishte ëngjëll i ethirit,
Nuk ish rojtar’ i manastirit
Pse s’kish mbi kokën flokësertë
Kurorë drite të ylbertë;
Po s’ish as shpirti i skëterrës –
Ai mundonjës që kall tmerr,
Oh, jo! I ngjiste ndajnat’herës;
As dit’, as nat’, as drit’, as terr!…
Shqipëroi: Petraq Kolevica

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Duke lexuar essen tënde, edhe mua më kujtohen ato kohë.
    Sa bukur din t’i sjellësh gjërat, herë më bën të qesh e herë më bën të qaj… Më kujtohet mbasi e kishe kaluar provimin me Spiron e ai të jepte libra, edhe unë “i vidhsha” prej teje dhe i lexoja, po ti kurrë i dashur s’më ndëshkoje… Poezia e Lermontovit, me kënaqi… Kishte pasë nevojë shpirti sot, mbas gjithë kësaj dite të gjatë lodhjeje, për kët poezi të mrekullueshme… ku çdo varg i saj të vjen si tinguj muzike…
    Më kënaqe o Joze, të lumtë ajo dorë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.