back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

“Dekonstruktimi” oruellian i diktaturave, si kumt gjithëkohor…” nga Emi Krosi

Gazeta

Anissa Markarian - 15 ditë prilli - Roman
Anissa Markarian – 15 ditë prilli – Roman

“Dekonstruktimi” oruellian i diktaturave, si kumt gjithëkohor

nga Emi Krosi

(Shёnime tё shpejta mbi romanin “15 ditё prilli” tё Anissa Markarian)
 
Në tejqyrën e realitetit të ngarkuar me “tymnajë mjegullore”, çdokush përpiqet të gjejë këndin e “përshpirtmërisë” së tij, të ndezë një qiri në shandanin e teneqesë së ndryshkur, ku ovaliteti i qiridritës hirnon aurën e pragut të realitetit të “Panairit të Kotësive” të Uilliam M. Thekereit, “për të satirizuar shoqërinë Londineze të fillimit të shekullit të 19-të”, ura që lidh përtejkohësinë e “panairit” dhe “cirkuitit” shqiptar, me pafundësi personazhesh dhe skenash surreale, në romanin “15 ditë prilli” të Anissa Markarian. Në paskopertinën e fundme shkruan: “Jam qytetarja që u përball me pabesinë dhe absurditetin. Jam banorja e dashuruar në qytetin-bunker. Jam intelektualja e asfiksuar nga despotizmi ideologjik. Jam artistja e dënuar për evazion ëndrrash.” Shtyjeni portën pa frikë!…
E shtyva fundportën markariane, në një takim mes “apogjeut të ngadhnjimit” dhe kalbëzimit të një epoke nё ikje. Aty pashë karvanin e njeriut të botës shqiptare, që shtyhen, që struken, mijëra karaktere njerëzore, që në kujtesëm mjegullore të fundadoleshencën, më skajojnë kufijtë e bardhezi të atdheut tim. Bota shqiptare, qiellgri, nën trysninë e harresës mes të shkuarës dhe të ardhmes, vizaton pazarin e madh të ekzistencës, me “indetitete të shitura”, në udhët plot pluhur, apo baltovina e shtëpive të varfra ku vinte aroma misërnike. Përshkrimi i ambjenteve jetësore nga autorja dhe dilemat shekspiriane “të jeshë a të mos jeshë”, duken si vargani pazarak, me kuaj të ngarkuar me torbat e librave kur shkoja në universitet. Betejat njerëzore për të ruajtur vetveten, nga dyzimi dhe diktati, si betejat e titanëve të mitologjisë greke, (për dominin të fuqisë hyjnore), është betejë e urtakëve, ku thundra e centaurit të diktaturës, godet, fshikëzon, shtyp, kamxhikon, gëlbazon, histerizon, përdhunon, turmat “memece” të lartonin “Të Përndriturin”. Alegoria dhe grotesku, ndërthuren me “cirkun e jetës”, ku vetë autorja shprehet: “ndërthuret tragjikja me komiken, grotesku me mbinatyralen, magjia me djallëzinë, dyfytyrësia me ndershmërinë e dalë mode, ndjenjat e pastra me perversitetin… Cirku i madh i Jetës?”, se histeria “marroke” e turmës së imponuar, vjen si afresk i mesprillit, ku çoroditja, pasiguria, hutimi, përshtjellimi, rebelimi, “vrapojnë kaluar” në rrëfimin e ngjeshur me “gjuhë të xhveshur”, duke ngërthyer “lexuesin model” dhe “tekstin model” tё Ekos, me S/Z e Bartesit, ku diskursi dhe narracioni i Zhenet, për Erik Landovski ka “fakte shoqërore konkrete”, “empirikja” shoqërore ka një “shkapërderdhje” të artit, të Greimas-it, që na propozon programi narrativ i Anissës, si kumtare lakonike në modelin e abstragimit të Prop-it, sepse në këtë korpus letrar mishërohet, “konflikti i përjetshëm mes lirisë individuale dhe së mirës kolektive”, thotë; Levis Stros.
Turma pazarake e Anisës, zhurshmos bashkë me gjënë e gjallë, parakalojnë para lexuesve miniskena kujtimesh, si turmat e eksodit biblik, në kërkim të “tokës së premtuart”, ku unë fëmijë kundroja arixhofkat me fustane me xhufka, pleq plisbadhë që dridhin cigare, duke shitur cjepë, dhi, shata, parmenda, lugë, lesh, samar, qypa, misër, grurë, gomare, djepa, madje gjizë, gjalpë dhe mjaltë e lloj-lloj sendesh në pazarin e mjerimit, ku vapa dhe pluhuri formonin parfumin e athët të djersës. Herë malet pakoheshin herë shumoheshin, në misterin e vajzës së vogël pazarake, duke u mbyllur si darë, në grackën e kohës së pamundësisë për të ikur.
.
Anissa Markarian
Anissa Markarian
***
Këtë ese jam munduar, ta sjell në tre qasje:
Qasja e parë: (metafora prilljane e “vdekjes” së diktatorit dhe absurdi i turmës) përmes këtyre fushёpamjeve:
(e kaluara, e tashmja dhe ardhmja), në shembëlltyrën e pakohësisë së gjithhershme të diktaturave. Një i trupit të çartallosur në çdo kohë, që simbolikisht lidhet me Shqipërinë, absurdin dhe groteskun e diktaturave. Mesprilli, ose metáfora e vdekjes se Diktatorit, me epitetin i Përndrituri krijon një triologji personazhesh si: Vlad Krela (shkrimtari që lidh të ardhmen dhe të tashmen nëpërmjet librave (“Qielli e ka ngrënë tenja” [nënshtrimi brenda qytetit-bunkier] dhe “Rrëfime nga moskundi” [dokumentimi i krimeve të diktaturës ose “kumtari nga skëterra”]), Ida Raez [vajza që “sfidon” fatin, me guxim, nga personazh human, që kulmon, shkërmoqet, thërrmohet dhe sërishmi ringrihet, jashtë “moralit” të shtirur të kolektivitetit, studente e mjeksisë, [nuk ka nota autobiografike] Teo Graca [gjakftohtë, që dëshiron të bëhet “hero”, në vigjilje të “edukimit të njeriut të ri”, por në Koshere, “thyhet” ftohtësia dhe merr përmasa të personazhit të dhimbsur dhe ndjesor]), si thagmë përcaktuese, qe në nistore të rrëfimit Markarian, “për aq kohë sa dikush duket se po vepron në mënyrë të virtytshme, shumica e njerëzve do të besojnë në virtytin e tij”, thotë Makiaveli.
(denduria rrëfimtare e mesprillit), (15 ditë ku njerëzit kujtojnë fuqinë e tyre të “shthurjes” dhe ndyshimit, në “pazarin” kotësisë dhe mosbindjes , “ka filluar 15-ditëshi Farsës së Madhe”, f. 81, qeveritarët po “rrënjoseshin” në ferrfundit e tyre tragjikomik të fundshtetit). “Po gdhinte dita e madhe e parafundit, e Farsës së Madhe – vigjilja e Ditëlindjes”, f. 354, ku gëlojnë mijëra “zëra të zhurmshëm”. Rropatjet e njerzve, për të ndërtuar jetën, brenda kornizave “false” të kolektivitetit duket sikur vjen nga një tjetërkohë, sepse vlerat tona si Qenie, kanë aftësinë për të menduar dhe jetuar të lirë. Secili gjen një shteg arratisës, (veprimet e lira) dhe çlirtësia e shprehjeve të njerëzve, “gëlojnë” lirshëm në shpirtin human të Anissës. Personazhet të skajuar dhe skalitur, në vorbullën e paformë të turmës, janë heronj realë dhe tragjikë, si Bulëza (balerina ëndërronjëse dhe tragjike, Rozi (vajza lakmitare imoraliste), Torrezi (profesori “sadist” që aspiron për shkencёtar), Leksi, (komandanti i “Kompanisë Borizane” në Urth, djalë “ambicioz” për pushtet dhe vrasës gjakftohtë, me fund tragjik), gruaja kërthiçël, (nëna fatzezë e dy binjakve të vrarë), Jargësi, (njeriu i “vogël” sadist “sozia” e diktatorit), vetë emri i gjetur [Jargës=jargë (qyrre, gëlbazë)], sjell dramacitetin e ngjarjeve me groteskun sarkaistik: “Ju bëftë gjak e dhjamë kusia me mut! – uroi sarkaistik shoferi o Volvos[…] bëri shenjën e kryqit mbi kryet e të pranishmëve, si t’ju jepte uratën”, f. 98.
 
(magjia e dashurisë si ndjenjë e pastër) (Ida dhe Vladi) dashuria e dy fatkeqëve (Teo dhe Bulëza), perversiteti i një shoqërie të indoktrinuar (Rozi dhe Torrezi), nuk mund të kalojnë “barrikadën” e privatësisë, shpritërores, ndjenjës, intimes, epshit dhe dashurisë. Teo, ka “zhvokshur” lëkurën e egoizmit dhe akullsisë maskiliste (koraca mbrojtëse kundër dobësisë, frikës dhe “nënshtrimit” ndaj pushtetit), për të qenë Njeri! Njeri, me dobësi, gabime, frikëra, barrikada, udhëkryqe, dilema, humanizën (si organizator greve).
“…Paraloja lëngëzore kishte marrë fund. Ishin ngacmuar, drithëruar, mikluar, torturuar. Ishin pikëtakuar. Kishte mbrritur çasti i puthitjes. Çasti kur kërkohet dëgjim (më saktë përgjim) dhe bindje e verbër. Përkushtim gjithëshqisor e disipline për të shijuar plotësisht njëri-tjetrin… – Ida? – Futu Vlad… Krateri ishte bërë liqenth. Shëtiti bregut pa ngut. U mbush me frymë dhe mbylli sytë. Do të shkiste brenda magmës me një zhytje të ëmbël…”f. 189. Një dashuri njerzore, që zbulon dëshirat më të fshehta, si ndjenja të pastra shpëtimtare nga “rrënimi shpirtëror” në një botë ku totalitarizmi përçudnon edhe ëndërrat.
 
(qasja rrëfimtare, sa reale dhe surreale deri tek realizmi magjik), ngjizur që nga letërsia e “madhe” e Pastërnakut, Dostojevskit, zbret në Lindje me “Shakanë” e Kunderës, vazhdon në Ballkan me “Pallati i ëndrrave” të Kadares dhe “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës, shkon deri në thellësitë e ishujve të “realizmit magjik”, tek “Shtëpia e shpirtrave ”, Izabel Alende, kalimi nga grotesku tek tragjikja me “zbulesёn” e magjikes, e bën Anissa Markarian, të parën rrëfimtare të një lloj letërsie të re,“pamjes vizuale” të një realiteti të thyer, të ngjeshur, me të gjitha problematikat dhe “preokupimet” njerëzore, për të gjetur vetveten, në një realitet sa jetësor dhe letrar, ka humbur Uni Njerëzor! Autorja “miklon”, “pikëtakon”, “josh”, “njom”, “denduron” imazhin e realizmit magjik, për të derdhur kraterin vullkanor të avullimit të “nxehtë” të aftësive rrëfyese, duke na krahëqafur me realitetin, jashtë kumtit ideologjik të socrealizmit.
“Shpendi sqepthyer, u ul mbi kokat e binjakëve. I mbështolli e i ngrohu me krahët e vet; u dha frymë nga fryma e vet dhe… I risolli në jetë! I pari lëvizi binjaku i plazhit. Shkriftëroi kurrizin e zgjati gjymtyrët, por sytë nuk i hapi. Nën sqetulla i kishin bërë fole toptha pendësh të bardha. Lëvizi dhe i dyti. Drejtoi qafën dhe shkrydhi bustin. Mbi supet i shquheshin dy rruzuj puplorë.
Pak nga pak pendët u rritën e u shpupurisën.[…]-Fluturojmë, çuna!- tha shpendi kryebardhë. Rruga drejt qiellit vezullonte si e shtruar me margaritarë. Mjegulla ishte bërë xham”, f. 363.
 
(metafora e erëzave), është sa miklues aq edhe i panishëm në rrëfimin e ngjeshur “erëza të njoma! Dy tufa pesë lekë… -Majdanoz, rozmatinë, borzilok! Dy tufa, pesë lekë!”, f. 58, një fjali përsëritëse. Në asnjë rrëfim romanor, erëzat nuk metaformojnë thjesht ca gjelburina për gatim (kultura gastronomike) në ushqimin e varfër të shqiptarëve nën diktaturë, por edhe perëndimi dhe rrokullima e një kohe të murrme në mjegullimin e moshës, të dëshirave epshore drejt askundit. Nurmi [dy] si përcaktues (i mungesës mashkullore), [majdanoz dhe kopër (përzierja e erëzave]) “Kripë dhe piper” filmi greko-turk, horizontalisht dhe vertikalisht, derdhet në kupën epshore të papërmbushur, por numri ([dy/dy tufa]), përsëritja e togfjalëshit emror (numror+emër) është përcaktesë dhe e dy djemve të saj ushtarë (të vrarë), plotësim mungesore i dëshirave të munguar femërore, por edhe dashuria amësore. [Erëzat +shije = epsh+mungesë = femër e paplotësuar].
 .
George Orwell - 1984 - Roman
George Orwell – 1984 – Roman

***

Qasja e dytë; (dystopia Oruelliane), e “Viti 1984” e Oruellit është “injektuar” bota e frikës, ku njerzit në kërkim të vërtetave të tyre, hallakaten (mes asgjësë, pasigurisë dhe përgjimit), për të shpëtuar vetveten duke marrë ç’të mundin, apo duke shitur edhe ëndrrat, për të jetuar të lirë. Vizioni oruellian i diktaturës, i “instaluar” si ndërtekstor i personazheve të veprimit, dhe heroit ndërmjetës (Ida, Leo), që lëvizin në diskursin letrar, respekton çdo mekanizëm tekstor, ku “fuqia e njerëzve të zakonshëm përballë totalitarizmit ”, nga libri “Origjina e totalitarizmit”, e Hanan Arend, tregon se propaganda masive shtetërore, është e gatshme në të gjitha kohët, për të besuar se personazhet si; Vlad Krela, mund të jetë një Winston Smith i “1984”. Vladi duhet të ballëpërballet me të “keqen” dhe pyetjet e pafundme, “kush mund të vinte dorën në zjarr, se mjetet e përgjimit me të cilat që pajisur së fundmi “Syri dhe veshi i shtetit”, f. 60, papralelizojnë “Big Brother-in” e Oruellit, në “përgjimin e gjithësisë”, për të mbrojtur: të dukshmen dhe të vërtetën. Oruelli shkërmoq botën duke e vënë nën “vëzhgimi e Vëllait të Madh”, që shikon çdo gjë dhe kontrollon në mënyrë makiaveliste botën.
Mekanizmat e dikaturës, mali i Urthit, “prej pothuajse një gjysmë shekulli, guvat dhe gërbellat e malit të Urthit ishin shndërruar në objekte me rëndësi dhe strategji kombëtare”, f. 26, toponimia e fjalës [Urth/i =urith/-i + urith/-ët], d.m.th vend i errët, ku jeton urithi qorr), ose [Urth=urthi], njëlloj peme gjethegjelbër që vesh pemët si “mbulesë” si Shtëpia e Gjetheve). Urthi është bunkieri i madh, ku hapsira është aq e vogël, me fasada të zymta, ku njeriu ulet, fle dhe varroset pingulthi, qarkon kërrusur dhe frikshëm udhët e errëta të qytetit-burg, duke skicur hijen e trupit të kërrusur të frikës. Qyteti-burg, është Burgu i Shpirtit, që nga Aristoteli ku i deklamon njerëzimit se; “shpirti të çlirohet nga burgu i trupit”, se burgu është çdo gjë që nuk të bën të lumtur, madje as ai/ajo që ke afër, mund të bëjë “jetën” burg. Burg quhet edhe pasioni, epshi apo çdo gjë, që e dëshiron dhe nuk arrin ta realizosh. Atdheu-burg me mijëra bunkierë, njerëzit mundohen të çlirojnë gjymtyrët e tyre nga frika, mendimet, lëvizjet, fjalët, të shkokolepsin çdo nyjë fatkeqe, që lidh jetët e tyre kolektive.
Paskthimi nga e shkuara, dhe formësimi i mijëra figurave-personazhe (që ndërveprojnë në kërthirin e Urthit-guvë), fiksojnë aq reale dhe frikshëm, botën e “ngujimit” masiv të një populli. Autorja vështron aq imët, fijet, nyjat, thjerrzat, indet, damarët e gjakut që mpiksin gjakun e prishur, për një transfuzion gjaku të ri, sepse harresa për kampe-burgjet, burgjet, Qafë-Barin, Burrelin, Spaçin, Holokaustin, do ishte rivrasje historike.
A nuk është përtejkohësia dhe gjithëkundodhja letrare e Markarian-it, projeksioni “vizioni oruellian” i totalitarizmit shqiptar??! Normalisht që po!
 

***

Qasja e tretë: (analogjia përmbysëse e “oportunizmit politik” dhe raporti i individit me shtetin), do të thotë të zbërthesh thelbin e problemit të saj ekzistencial markarian, në shumë paralele. “Na përgjojnë edhe në bark të nënës, kur jemi në gjendjen e fetusit”, thotë Shantali, i Kunderës, nuk e mrrol Leks Amranin, në qytetin-bunker të Urthit, si Cerberi në portën e Ferrit, të survejojë madje dhe intimitetin e individit në shoqërinë tonë, ka çuar në humbjen e individualitetit, të qenësisë së tij si njeri (Leksi humbi të fejuarën Idën, por edhe jetën), për një ideal të kotë, me besimin se një ditë do ishte një “karrierist” i madh i ushtrisë, ndërkohë që mungesa e identitetit, ose joidentitetit, shumë pak vend ka për unin, kur pothuaj gjithçka në shoqëri është e organizuar “në kope”; edhe pushimet, edhe argëtimet, edhe puna; individi gjendet nën presionin e shoqërisë, që jo vetëm e përgjon dhe e survejon në çdo fjalë e gjest, por edhe i krijon dhe i vendos para modele të gatshme për t’i imituar.

“Kalaja me zyra”, a nuk është “Tabir Saraji” i Kadaresë, sipas rëndësisë së përgjegjësisë, emërtoheshin; zyrë, degë, divizion, komitet, komision, drejtori, departament, seksion, dikaster. Ashtu si personazhet e “Identitetit” të Kunderës, dhe personazhet e Markarian-it, janë “kacafytur” me fatit e tyre, për të shkërmoqur deri në rrënjë, të keqen brenda tyre, totalitarizmin. Por është kapur fort, si grami që duhet tëharrur, për të shëndoshur vreshtin, në pasyrën e gjithësecilit, uniteti dhe fisnikëria për t’u përballur jo vetëm me frikën, mposht çdo djall edhe në skëterrën më të thellë të urrejtjes, si “satanai” i Selman Ruzhdies.
Fundi tragjikomik i Leks Aramit, është edhe fundi i “idhujve të rremë” të totalitarizmave: “Shikoni! U hap horizonti! Njerzit s’po u besonin syve. Kolosi shkëmbor nuk ishte më. Përpara tyre shtrihej një hapёsirë e dystë, e virgjër, e pamatë. E kishin ëndërruar që në Agim të Kohrave. Po përse nuk po gëzoheshin?!”, f. 375.
Fjalia po përse nuk po gëzoheshin?! – është kumti groteskian i Anissës, jo si motiv letrar sesa si motiv qenësor njerëzor, sepse lëvizjet, vrulltitë, shpërthimet, miklimet, ndërdysitë, anësitë, rropatjet romanore, janë rropullitë e jetës njerëzore të çdo njeriu, që quhet i përdorur, i vrojtuar e i friksuar.
Uni dhe Ego e Frojdit, herë çpërvidhet nga “Kompleksi i Edipit”, herë shpërbëhet në shkulmet ujore të nëndërgjegjes letrare (koha historike dhe mjedisi kulturor) i shkrimtares, për të kumtuar nga përtejkoha, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kohës letrare: se koha romane nuk ka cak, as skutë ku të struket, se Anissa Markarian, ka kapërcyer të gjitha kategoritë letrare, të gjitha rrymat, në ngërthimin e pakohësisë universale, që nuk vdes kurrë, por na sjell letërsi cilësore, që mbetet në historiografinë moderne letrare.
 
Si përfundim: bukurtingëllimi i gjuhës, sqimatare me pasuri leksikore të jashtëzakonshme (me fjalëformime pasuri të leksikut të shqipes, një gjuhë e personalizuar, (nëse mund të them kështu) që më vonë mund të jenë objekti i studimeve mё të thelluara), që nga neologjizmat deri tek zhargoni përditësor i bukurshkuar artistikisht, derdhen ujshëm, marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmi, represioni dhe survejimi, solidariteti dhe dashuria, kontradiktat dhe kontrastet e forta, morali dhe perversiteti, ngjizja dhe paqtimet dashurore, harresa e “vlerës” njerëzore në botën shqiptare, ku bota e dritës së demokracisë, nuk do ishte kaq unike, mobilizuese, solidare dhe humane. Kumti Markarian e hapi “peshtafin” e arkënojës.
Mirëserdhe Anissё!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.