back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Deklaratë Testament nga Nafi Çegrani

Gazeta

Nafi Çegrani
Nafi Çegrani

Deklaratë Testament

nga Nafi Çegrani

Me të drejtë do të pyesin të gjithë ata që më njohin dhe ata që nuk më njohin, se çka ka ndodhur me Nafi Çegranin që pikërishtë në këtë kohë doli me një deklaratë të tillë dhe me një Testament të qëlluar?!
Përgjigjen e kësaj pyetje e keni në vijim të kësaj letre publike.
Kjo deklaratë e imja e hapur, ka për qëllim vetdijësimin e rinisë shqiptare të gjeneratave të tashme dhe brezave të ardheshme, me paralajmërimin për fundin e mashtruesve në emër të kombit, fesë, humanizmit dhe fshehjes së tyre prapa Kuranit, Biblës dhe Flamurit kombëtar Shqiptar.
Lufta e Dytë Botërore, sapo kishte përfunduar, skamja, mjerimi, analfabetizmi, dhe prapambeturija ishin evindente në çdo pore të jetës së Shqiptarëve në këtë cep të Ballkanit. Të moshuarit bisedonin se ka ndryshuar koha, se ka ardhur një njeri i madh nga Rusia me emrin Tito, me ideologji kominterniste dhe se nuk njef fe, do t’i prishë Kishat dhe Xhamiat, me zor do na i merr fëmijët në shkollë… Plakat me një fjalë thonin: u prish dynjaja. U lindëm, u ritëm, u shkolluam dhe punuam, krijuam me dijen apo mosdijen tonë. Me dekada zhvilluam veprimtari e debate të shumta gjatë viteve të rrënuara, rreth fesë, për mohimin apo pranimin e Zotit, dhe ajo që ishte më me rëndësi esenciale kuptuam se jemi në terrin e mosdijes kombëtare, të një zhgënjimi kolektiv dhe se nuk jemi të barabartë me kombet tjera të atij regjimi dhe shteti të formuar komunist pas luftës në Jugosllavinë e re. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri dhe gjetiu në trojet etnike shqiptare në dekada. Më të moshuarit kënaqeshin dhe lavdëronin Titon që ka sjell shumë bukë, sepse kishin kaluar kohë të vështira në të kaluarën. Por, nuk vonoi, edhe regjimi komunist shpiku jetën “kolektive” dhe shteti ua merrte drithin e bukës nga hambarët, miellin nga magja, krerët e bagëtive dhe shumë familje hiqnin të zitë e ullirit dhe duronin për kafshatën e gojës. Kurse rinija qe dehur me parullat e Vllazrim-Bashkimit me të gjithë popujt e Jugosllavisë dhe më gjerë, gjetiu ku shtriheshin kufijtë e shteteve Komuniste. Në atë kohë dhe në rrethana të tilla edhe unë u shkollova dhe u plotësua andrra ime që të bëhesha mësues fshati…
 
(Por, edhe pse ende i ri, edhe jeta më dukej me kontrastet e veta: gjyshin e kisha ballist, babain veteran të Frontit të Sremit dhe… bindjet e mia ecnin me egon time, ashtu siç ecte njeriu rrugës së vet, ose ndjek të afërmit e tij, ose ata që i ka takuar rastësisht në vegjëlì dhe që i kanë lënë mbresa në memorien e tij si njerëz të mëdhej të idealit dhe diturisë, të mençur, të denjë dhe të drejtë, madje edhe të devotshëm duke filluar nga prindërit, mësuesi, hoxha, burrat trima, pleq të mençur në oda burrash dhe njerëz të veshur me pushtet, si gjithmonë rinija nga ata bën përvetësimin e rregullave fetare dhe morale njerëzore, dhe të gjitha ato fenomene janë më efikase se sa mësimi teorik në jetën e njeriut, në kushte dhe rrethana të caktuara.
Duke përvetsuar këshillat e më të vjetërve, dhe duke respektuar njeriun e mirë, human dhe të moralshëm, me veti njerëzore, me virtyte të duhura dhe të çmueshme si shqiptar, trim, i besës e fisnik, burrë me veti morale të larta dhe i vërtetë, i pastër para ndërgjegjes, vehtes, para Zotit dhe njerëzve, kalon në fazen e pjekurisë dhe burërisë.
Megjithatë më duhet të falenderoj Zotin e Madhërishëm, që njeriu i mençur nuk mbetet gjithmonë me përshtypjet fëminore, por me pjekurinë e tij dhe grumbullimin e njohurive dhe informacionit që posedon, ndryshon bindjet, ndaj të kaluarës së tij, ndaj mësuesit, hoxhës dhe shumë figurave që ia krijuan ëndrrat dhe i ka pasë idol ose i ka adhuruar në rini, dhe gjersa hapëron në binarët e jetës, nis të bën dallimin mes kontrasteve të jetës, shoqërisë, të gjeneratave dhe burrave të vërtetë dhe atyre delenxhive që kanë luajtur role të ndryshme (si në teatër) për të lënë mbresa të thella tek rinia se kinse ata ishin të vërtetit, siç ua impononte ideologjia moskovike.
Unë personalisht ëndërroja të bëhesha mësues (ose gazetar, sepse i adhuroja shkrimet), dhe ia arrita qëllimit, por shumë shpejt, ndoshta nga naiviteti ose nga besimi i madh në parullat e Vllazrim-Bashkimit me ideale që të mashtronin, bëra hapin e guximshëm që ta leja ditarin dhe punën e shenjtë të mësusesit, ika si era me acare akulli duke u punësuar në rradhët e Shërbimin Sekret jugosllav të asaj kohe që në popull quhej: UDB! (Por, që kjo më vonë më kushtoi shumë shtrejtë dhe e paguajta çmimin më të lartë në jetën time me burgosje dhe dënim me vdekje-pushkatim… Zoti desh dhe mbeta gjallë!).
Kariera ime në këtë Shërbim delikat dhe të komplikuar inteligjent përfundoi pikërisht ashtu siç më këshilloi babai im i ndjerë, rrahmet i pastë shpirti, kur i tregova për dëshirën time të punësohesha në atë Shërbim, më shikoi si me bisht të syrit dhe si me ngadalë u përgjegj: “Ti di, biro, shko! Por ki kujdes se ai Shërbim i ha njerëzit natën!” Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi, nëntoka kriminale të cilët ishin forcë mbi forcë, Shtet mbi shtet të atij Shërbimi, ma hëngrën kokën mua, dhe hëngrën shumë koka të tjera në gjithë botën komuniste, sidomos populli shqiptar ishte dhe mbeti viktimë, kurban në Gadishullin e Ballkanit, pikërisht nga projektet më të ndryshme antikombëtare që u hartuan në Moskë ose Beograd, dhe u egzekutuan nga UDB-a famoze (qoftë edhe gjatë periudhës së Informbyrosë, kur Rankoviqi hapi Goli Otokun) ose gjatë vënies së diktaturës Ushtarake në Kosovë apo edhe më vonë gjatë diferencizmit mes shqiptarëve, gjë e cila, mjerisht, vazhdon edhe sot e kësaj dite, të hahen koka njerëzish të pafajshëm, nga klane njerëzish të prishur që punuan në ato shërbime burokratike ku jepeshin urdhëra dhe bëheshin plane të fshehta, duke vazhduar të keqpërdorin njohuritë e tyre me mjete dhe metoda të sofistikuara në dëm të popullit të vet për përfitime kriminale dhe karrieriste.
Kam shkruar libra, kam zhvilluar debate, kam komentuar, dhe jam deklaruar disa herë publikisht për përjetimet e mija në radhët e makinerisë së quajtur UDB, dhe deri në burgosjen time, madje edhe të lirisë sime e cila erdhi bashk me rrëmbjen e sistemit komunist. Por, ajo që është me rëndësi se në këtë letër të hapur dua të deklaroj publikisht atë që ma thotë mendja dhe ndërgjegja ime, pra, duke qenë se isha viktimë, kërkoj falje ndaj popullit tim, jo se kam bërë ndonjë krim apo të kem qenë pjesë e ndonjë krimi, por vetëm nga fakti për kohën dhe ato ca vite që kam punuar në Shërbim Sekret të ish Jugosllavisë. Ndërgjegjja paraqet ndjenjën më të pastër të njeriut që e lidh me veprimet pozitive, vlerësimet dhe gjykimet e fenomeneve në ambientin ku jeton dhe kushtet që e rrethojnë… Sepse, njeriu normal ka edhe etikë, moralin, guximin, dinjitetin e tij, që e shtyn nga brendia shpirtërore dhe dinjiteti, dhe e kërkon dhe thotë atë që duhet ndaj prindërve, familjes, fisit e sidomos popullit që i takon me gjuhë dhe gjak, nëse do të mbetet faqebardhë me zhvillimin e ndërgjegjes në aspektin fizik dhe si qenie biologjike e pastër, e sidomos nëse beson te Zoti dhe ballafaqohet me të vërtetën e tij, me qëllim që të vetëdijësohet se një ditë patjetër ta kalojë Urën e Siratit! Aty mëdyshje nuk ka…
Së pari, këtë që shkruaj si Deklaratë-Testament me kërkim falje ndaj popullit dhe Kombit tim Shqiptar e bëj në emrin tim personal dhe njëherit, i kisha lutur të gjithë ata të cilët punuan dhe vepruan në suazat e Shërbimeve sekrete, e që ende janë gjallë, mos ngurojnë, qofshin në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe kudo të veprojnë me forcën e ndërgjegjes së hapur, duke kërkuar falje nga populli për gabimet eventuale, sepse ajo është akt njerëzor. Të kërkojnë falje botërisht, sepse kjo është formë morale, etike dhe humane, për të reflektuar pozitivisht dhe që të prodhojnë shpresa të vërteta dashamirësie mes njerëzve, për ecjen e brezave për një jetë më të begatë e të lumtur, që reflekton drejtësi dhe humanizëm, nëse duam që ta ruajmë integritetin si njerëz të pastër dhe me shpirt të çiltër.
 
***
Pavarsisht se mbushen mbi 30 vite nga shembja e atij sistemi komunist, nuk do mend, se projektet dhe pasojat e Shërbimit të UDB, në mesin e popullit Shqiptar ende jan evidente, prandaj dua që t’ua them disa fjalë rinisë shqiptare, për rolin që kanë dhe zhvillimet që bëjnë Shërbimet sekret në një shtet apo shoqëri, si dhe mundësitë e pa shfrytëzuara të rinisë sonë, sidomos tani pas tranzicionit dhe me ardhjen e demokracisë, e në veçanti në lirinë e tanishme në Shqipëri, me pavarsinë e Kosovës, sepse kuadrot profesioniste janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të ecë përpara në një jetë më të begatshme dhe me standarde e prosporitet, të ëndërruar nga gjeneratat e më hershme.
Këtë e them, sepse, duke marrë parasysh se unë në kohën dhe rininë time, kam qenë një nga kuadrot e shumta profesioniste të asaj kohe që kemi punuar si persona zytarë të zgjedhur në Shërbimin e famshëm të UDB-së Jugosllave ku kam vepruar me përgjegjësi të plotë morale dhe në sajë të dispozitave ligjore, dhe mbetem me bindje se pëervoja ime dhe njohuritë e shumta që posedoj nga sferat e asaj veprimtarie të ndërlikuar inteligjente, me këtë rast u drejtohem rinisë Shqiptare me disa këshilla qëllimmira duke dhënë edhe një pasqyrim të shkurtë të rolit të Shërbimeve sekrete në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe me standard europiane për një të ardhme më të denjë e më të mirë. Sepse, Siguria është një qëllim themelor për të gjitha shtetet në marrëdhëniet globale në botën bashkëkohore. Rëndësia e shërbimeve të inteligjences është njohur prej shekujsh, dëshira dhe nevoja për informacion të drejtë, të qëlluar dhe relevant, ka qenë konstante, por me kalimin e kohës dhe zhvillimet në shoqëri kanë ndryshuar të gjitha format e veprimit dhe organizimit në mënyrë permanente.
Shërbimet e inteligjencës-prodhojnë analizë në fusha relevante që lidhen me sigurinë kombëtare, japin paralajmërime të hershme lidhur me krizat e mundshme, i shërbejnë menaxhimit të krizave kombëtare dhe ndërkombëtare duke ndihmuar në qartësimin e qëllimeve të armiqve të tanishëm dhe të atyre potencialë, informojnë me qëllim të planifikimit të mbrojtjes dhe operacioneve ushtarake kombëtare, politike, diplomatike, ekonomike etj. Duke mbrojtur sekretet si të burimeve ashtu edhe të aktiviteteve të tyre dhe të agjensive të tjera shtetërore dhe mund të veprojnë fshehurazi për të ndikuar në rezultatin e ngjarjeve në të mirën e popujve dhe të interesit kombëtar.
Dallimi në mes shërbimeve sekrete që veprojnë në botë (apo Shërbimeve sekrete që vepruan në botën komuniste, siç ishin KGB-ja ruse, UDB-ja jugosllave, SIGURITATTE rumune e Çausheskut, apo edhe Sigurimi komunist i Tiranës, nuk do mend, se me zhvillimet e reja, me ardhjen e demokracisë, Shërbimet sot kanë dallime me ato të hershmet si nata me ditën. Sidomos nga aspekti i veprimeve me kompetenca profesioniste dhe humane, me të gjitha normat dhe standardet e drejtësisë njerëzore, kur dihet se dikur, shërbimet e shteteve komuniste, ishin xhelatë dhe hije të netëve të thikave të gjata ndaj popullit të vet që ua futnin tmerret në asht, ose masakruan e dëbuan me miliona njerëz nëpër kazamate burgjesh, apo siç bëri KGB-a duke i çuar në pakthim në Siberi…
Çdo shtet serioz në botë ka Shërbimet e veta sekrete, në rradhët e të cilëve rekruton njerëz të zgjedhur, psikofizikisht të shëndoshë dhe inteligjentë, i trajnon ata, i paguan dhe u garanton shumë privilegje, me qëllim stimulimi për të kryer punën e tyre si zyrtarë në mënyrë sa më perfekte.
 
***
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake, franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike, po ashtu edhe qyteti i Berlinit. Nga viti 1945, deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz shkuan nga Gjermania Lindore dhe Berlini Lindor në perëndim. Muri u ndërtua për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu katrahurë dhe simboli i mungesës së lirisë së tyre.
Lufta mes superfuqive botërore gjatë gjithë atyre viteve zhvillohej përmes shërbimeve sekrete inteligjente më të famshme siç ishin KGB e Bashkimit Sovjetik, CIA amerikane dhe ajo angleze etj. bashkë me aleatët e tyre të asaj kohe.
Kjo luftë speciale e shërbimeve arritën kulminacionin gjatë Luftës së Ftohë, por që humbi peshën e vet, pas fjalimit historik që e mbajti në Berlin të Gjermanisë presidenti i SHBA-së Regan.
Regani e vizitoi Berlinin dhe i tha Gorbaçovit: “Hiqeni z. Gorbaçov, shembjani këtë mur!”
Ju zoti Sekretar i Përgjithshëm Gorbachov, nëse synoni paqen dhe begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse synon liberalizimin, eja tek kjo portë, hape këtë dhe shëmbe këtë mur” – i tha Regani amerikan.
Në mbrëmjen 9 nëntorit 1989, Muri prej 155 kilomerash rreth enklavës demokratike të Berlinit Perëndimor u hap. Kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, ku tanket e Traktatit të Varshavës dhe NATO-s qëndruan përballë njeri tjetrit për dekada me radhë, humbi kuptimin ashtu si dhe shteti socialist i Gjermanisë.
Prej atij momenti që u rrëzua muri i Berlinit u shembën në themel edhe KGB-ja, UDB-ja, Sigurimi, Siguritatte, ajo bullgare etj dhe të gjitha shërbimet e shteteve komuniste në Evropë që ishin instrumenti më i rrezikshëm për vetë popujt që jetonin nën obrellën e atyre sisteme në emër të cilëve ishin ngritur.
Shumica e kuadrove të afta, të stërvitura dhe të pastërta pranuan rregullat e lojës demokratike dhe vazhduan të japin kontributin e tyre në demokratizimin e shteteve të tyre, duke kryer punën me nder dhe respekt, siç i ka hije një zyrtari të lartë e të rregullt të atij shërbimi inteligjent. Por, mjerisht, pati edhe të atillë që ishin të dëshmuar si gjakpirës në ato shërbime dhe mbetën të tillë, edhe pse në shpejtësi pas ramjes së sistemit u organizuan në grupe klanore për qëllime dhe interese të ngushta kriminale, për t’u pasuruar dhe për të vazhduar të ruajnë ndikimin e tyre në krye të çdo partie apo pushteti, të tillët në klimën e demokracisë duke u fërkuar nëpër gjysmëterr, duke nuhatur anët e njëra-tjetrës apo mbajtjen e krahut të njëri-tjetrit, herë me platformat e tyre, dëshirat dhe interesat, ofrohen dhe forcohen më tepër se sa duhet, dhe shtinë në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta e sidomos të ekonomisë, ku jetojnë, që synojnë korrupsionin, shantazhet, dallaveret dhe arijnë të sigurojnë benifite, marrëveshje të heshtura mes partishë apo krerësh partiak, duke krijuar midis të dy krahëve të politikës së përditëshme afatgjate ose afatshkurtër, për të mos prekur dhe zbuluar ish-agjentët e fshehtë, disa prej tyre akomba mbeten të maskuar sipas teorisë së konspiracionit udbashian, ose të mbajnë në analet e tyre konspiracionin e thellë, që do të thotë që secila palë ka pasë ose ka pjesën e vet në këtë thesar të zi, të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mua personalisht rrënimi i atij sistemi më gjeti brenda mureve të rrethuara të burgut si i dënuar me një proces fund e krye të montuar në saje të akuzave të imagjinuara prej gënjeshtrash dhe në baza nacionale, me siguri për shkak të qëndrimeve të mija strikte si njeri që i takoja popullit tim Shqiptar.
Gjatë punës time prej ca vitesh në atë shërbim, shpejt erdha në konflikte të heshtura dhe të rrezikshme, duke u përplasur me bylykbashët ku kishin foletë e tyre në zyrat e atij Shërbimi famoz, u zhgënjeva, e pagova shtrenjtë dhe u flijova si viktimë i një shovenizmi të tërbuar antishqiptar nga ajo nëntokë kriminale që ishin Shtet mbi Shtet, forcë mbi Forcë dhe pas kthimit tim nga SHBA ku isha arratisur, fill me nisjen e demonstratave në Kosovë më 1981 kurdisën akuza të trilluara dhe me “dëshmitarë” të manipuluar më nxorën para kordonit të pushkatimit.
Ishte projekte i tyre antishqiptar!
Andaj, edhe po shkruaj këtë Deklaratë-Testament, duke kërkuar falje publikisht nga populli im, vetëm nga fakti pse isha ca vite në rininë time si zyrtar i Shërbimit – UDB, jo se kam bërë ndonjë “krim” jo se kam bër ndonjë të keqe njeriut, në ato rrethana . Por, mendja ma thotë se duhet të jem shembull, sidomos për ata të cilët e kanë ndërgjegjen e rënduar. Ata të cilët akoma heshtin edhe pse ishin të mishëruar me politikën anti-shqiptare (e ndoshta janë edhe sot), orvaten deri në fund të jetës së tyre të bëjnë jarani dhe miqsi pikërisht me bylykbashët më anti-shqiptarë dhe vazhdojnë edhe më tej si “udbashë” apo “kodosha” e “spiunë” pa ju lëkundur as një qime edhe pse u lëkundën interesat e mbarë kombit shqiptar nga themelet, le të marrin guximin dhe hapur para popullit, miqve dhe familjarëve të tyre le ta thonë të vërtetën, se vetëm ajo është njerëzore, vetëm ai akt do të jetë i pranueshëm edhe nga njerëzit edhe nga Perëndia, e jo me heshtjen e tyre edhe të bëmat mënxyra nga më të ndryshmet, duke u munduar në mënyrat më tinëzare të tyre t’i fshehin apo t’i marrin me vete në varr, qofshin persona të kategorive të ndryshme, sepse UDB-a nuk kursente, siç përmenda më lartë, qofshin hoxhallarë apo priftërinj, profesora, politikanë partishë, apo liderë grupesh, postjerë e akademikë etj.
Unë nuk dua kurrë t’i amnistoj kriminelët, keqbërësit në shoqëri ose pushtet.
Duke përcjellë qe sa vite e vite aktivitetet politike dhe ceremonitë e ndryshme në mediat e ndryshme, në tv dhe masmediat e shkruara, me vjen për të vjellë kur shof shumë figura spiunësh e maskarenjsh që vishen me petkun e patriotit, ose mundohen të mbajnë në dorë Flamurin e patriotizmit (sidomos prej Mbas luftës në Kosovë të 2001, mundohen herë duke e sharë e urryer të tjerët dhe herë duke ju futur në koqe ndonjë “lideri” maskara, përreth me bashkëluftëtarët nga Kosova, Maqedonia ose edhe Shqipëria, kinse edhe këta janë patriotë, e që në fakt mbeten të dështuar dhe kanë një begraund krimi që mbajnë me vete.
Patriotët e vërtetë dhe familjet patriotike të vuajtur dhe të viktimizuar vulën e patriotizmit të tyre të denjë e kanë në syrtaret e arkivave të shërbimeve sekrete, që plane dhe derdheshin miliona e mijëra dollarë për likuidimin e çdo koke patriotike që vepronte brenda vendit dhe në diasporën e largët, qoftë edhe në SHBA nga rradhët e lobit Shqiptaro-amerikanë. Por edhe spiunët tradhtarë të kombit, duket se janë peng i arkivave dhe dokumentacionit të shkruar dhe të incizuar apo fotografimi i tyre me familjen e Adem Jasharit dhe formave të ndryshme të korelacionit të komunikimit, jam i bindur se mbahen hermitikisht të mbyllura në Beograd. Nga ato baza dhe marrëdhënie disa persona ose grup i tyre janë ngritur nëpër pozita të larta partiake, shtetërore dhe politike sidomos në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, edhe gjatë kohës së tranzicionit kanë qenë të qëllimshme dhe për interesa kriminale të bëmat e tyre, dhe populli me të drejtë nuk i fal, sepse koha dhe populli gjykojnë drejtë për tradhti kombëtare dhe fetare, bile ka edhe nga ata të cilët me metodën e “urrithit” vazhduan t’i keqpërdorin njohuritë e thella të fituara nga ato shërbime sekrete kundër popullit të vet në trojet shqiptare.
Prandaj që në fillim ceka se me këtë Deklaratë-Testament kam për qëllim vetdijësimin e rinisë shqiptare, që të kupton rëndësinë e mirëfilltë të çështjes dhe të angazhohet, për studime të thella të shkollave speciale në ngritjen profesionale që u takon dhe për ecjen e tyre të guximshme në rradhët e Shërbimeve sekrete duke u punësuar në to për interesa dhe kauza kombëtare.
Sepse, unë nga mbeturinat e UDB-së, gjatë atyre viteve kam parë vetëm ndëshkime dhe viktima dhe shumë pak heroizëm ose patriotizëm. Sepse ishin lojëra të flliqura spiunimi dhe agjenture të propagandës që luhej mbi kurrizin e rinisë dhe në përgjithësi të popullit shqiptarë.
Viktimat e drogës, viktimat e patriotizmit vend e pa vend, viktimat e larjes së trunit me bindje fetare, viktimat e bajraktarizmit në fshatra, në lagje të qyteteve, viktimat e politikës për të sigurua vota e kulltuqe, si dhe shumë e shumë lloje të ndryshme të viktimizimeve, për mua si njohës i thellë i atyre fenomeneve dhe lojrave të ndyra të ish UDB-së mbetemi edhe kështu siç jemi, viktimë me përmasa të Ballkanit, vetëm nga fakti i mosnjohjes dhe mospasjes së kuadrove profesioniste cilësore dhe me përgjegjsi në institucionet e shtetit, ose edhe për mungesë të vetëdijes sonë shqiptare si në aspektin individual njashtu edhe në atë kolektiv, për t’u përballuar me këta fenomene jetike për një popull tejet të vuajtur.
Më vjen keq që Shqiptarëve po ju përsëritet historia e kohës kur unë isha i punësuar në radhët e UDB-s kur vetë ai Shërbim famoz përgadiste kuadro dhe rrjete infomatorësh dhe duke rekrutuar nga rradhët nga radhët e arsimit, kulturës, si mësuesit,gazetarët, profesorët, hoxhallarët, mjekët, biznismenët, tregëtarët, fajdexhitë, sidomos ata që ndërgjegjen e kishin të rënduar, apo ishin individë të karierizmit ose të kapur në punët e pista brenda familjes ose rrethit ku jetonte, duke i përdorur si masha të ndryshkura që e spiunonin vllanë, familjen apo bashkëqytetarin e kombit të vet, që në shumicën e rasteve e bënin vullnetarisht pa pagesë, nga mendjemadhësia ose mendjelehtesia, nga karrierizmi, bajraktarllëku dhe kapadaillëku i shëmtuar me një revole “valter” ose “parabell” në brez dhe disa lekë në xhep. Bënin jetë injorantësh, siç kemi plot shembuj edhe në Çegran dhe gjetiu në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë.
Prandaj me këtë letër publike dua t’ua bëj me dije rinisë dhe gjeneratave të reja Shqiptare se personi zyrtar i shkolluar, i trajnuar mirë dhe që posedon vlera morale e njerëzore, si i punësuar zyrtar në Shërbimet sekrete dallon dhe është ndryshe nga “spiuni” ose “kodoshi”, për të cilët kategori kam shkruar edhe herë të tjera.
Andaj ju bëj APEL gjithë brezave të rinj, që të ecni në shtigjet e arsimit dhe dijes dhe mos mbeteni prè e rrugëve kryqe në meridianet e botës duke kërkuar fatin në gurbetin e zi. Por, krahas saj, u bëj thirrje gjeneratës më të vjetër, posaçërisht gjithë atyre zyrtarëve të ish UDB-së jugosllave si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, të marrin guximin burërror dhe të dalin dhe të shkruajnë publikisht, për të mirën e popullit dhe Kombit, për mirëqënien e brezave që vijnë, sepse vetëm kështu mund ta kenë ndëgjegjen të qetë dhe të pastër, dhe mëkatet mos i marrin me vete në varr.
Ish zyrtarët operativë që nuk janë fëlliqur gjatë viteve të rrënuara, janë të vetmit që dinë lojërat, të cilat nëntoka kriminale udbashiane i ka zhvilluar mbi kuriz të popullit dhe është koha që të flasin hapur dhe drejtë, duke ua mbyllur gojën ish spiunëve të cilët ende, edhe pas 30 viteve mundohen ta shesin veten për burra të mirë, “patriotë e humanistë” fetarë të “devotshëm” duke mos lënë maskë pa e përdorur për ta mbuluar krimin dhe të keqen e të kaluarës së tyre të zymtë… Prandaj, po them se ka pasë edhe njerëz të denjë, operativë dhe njohës të mirë të rregullave dhe sjelljeve humane në rradhët e atyre shërbimeve, por, njëkohësisht, duke mos i kursyer ata që ishin me veti e karakteristika fallco, qofshin të përfshirë në ato anale edhe klerikë të “devotshëm” që deri dje ishin spiunë të neveritshëm, e që i njoh me emra dhe mbiemra.
Oficerët e shërbimit sekret të ish UDB-s /SDB/ dhe KOS, në vite e dekada kanë vazhduar të udhëhequr nga ish spiunët dhe bashkëpuntorët e fshehur që i mban peng për krimet e tyre ndaj popullit të vet duke i mveshur me petkun e “patriotëve të mëdhej” ose si fetarë të mirë dhe kombëtarë, e që në fakt, pjesë e jetës së tyre kanë qënë dallaveret, intrigat, shpifjet, keqpërdorimet, etj. Dhe duke u orvatur në mënyra të ndryshme, kanë kontrolluar familje të tëra, madje duke zhvilluar edhe rrjete klanesh, organizata e institucione që për çdo ditë nga rinia shqiptare prodhojnë kriminelë të rinj dhe mbushin burgjet me fatprerë, duke i futur edhe në kurthet e drogës, prostitucionit, parave të pista, dhe organizatave djallëzore në emër të bamirsisë së përfshirë këtu edhe qarqe të OJQ, që më në fund rezultojnë me vrasje dhe atentate, plaçkitje në mes rrugës, në shtëpi e ku do qoftë.
Kjo vlen për të gjithë, ata spiunë që kanë shërbyer vullnetarish, qofshin edhe politikanë, njerez të arsimit, hoxhallarët, profesorët, mjekët, biznismenët, tregëtarët, fajdexhitë, siç kam cekur edhe më lartë, ua them troç atyre që brenda shpirtit kanë pas (ose ende kanë) ndjenjën e smirës, intrigës, dallavereve, xhelozisë negative, hakmarrjes, dhunës, krimit, hiles, etj. ndaj të tjerëve, është ves dhe veti e keqe…
Mjaft jeni fshehur prapa fytyrës dhe famës së rrejshme, mashtruese, se Zoti din gjithçka dhe fal, por populli i cili nuk din asgjë çka ndodh mbas shpinës, por një herë kur do ta kupton të vërtetën ai nuk të fal asnjëherë.
Ju përkulem dhe kam respekt vetëm ndaj atyre hoxhallarëve të paktë, ose njerëzve të arsimit që me dinjitet mbajtët ditarin në dorë dhe nxorën gjenerata, për ata të cilët i qëndruan besnik fjalës së dijes dhe Zotit. Atyre intelektualëve që me dijen dhe pendën e tyre e përkrahën vetëm të drejtën dhe të vërtetën e hyjnishme dhe qëndruan në ballë kundër rrebesheve të kohëve të vështira, qëndruan në anën e popullit.
Prandaj, unë edhe shkruaj me ndërgjegje të pastër këtë Deklaratë-Testament, Amanet për interesa kombëtare e njerëzore, shkruaj si njeri i drejtë, si shqiptar me dinjitet dhe krenari që të kontribuoj për të vërtetën dhe humanizmin në përgjithësi.
Dhe, në fund fare!
Kur të vdes mos bëni vaje dhe mos më qani.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Fundja vdes çdo krijesë e gjallë që e ka fal Perëndia. Njeriu është si pema, mbin, rritet dhe zhvillohet madje edhe vdes, thahet kur t’i vjen koha!
Nuk dua të mërzit njeri, kur të vdes, sepse vetë jeta është e vështirë për çdo kend. Sikush ka hallet e veta.
Varrimi është një akt njerëzor dhe sipas traditës dhe fesë që i përkas. Ashtu më varrosni si gjithë të tjerët. Vetëm hoxha mund të thotë ndonjë fjalë për jetën dhe rritën time, nëse mendon se ka nevojë… Dua vetëm një shkrim mbi varr, që do ua lë amanet me dorën time: Ju që shikoni epitafin tim, mos pandeni se një ditë edhe ju do të vini këtu! Nuk dua lëvdata e epitafe shkrimtarësh ose për vuajtjet e mia në burgjet komuniste!
Të gjithë ju, fëmijët e mi, nipëri e mbesa, stërnipëri e breza që vini mbas meje, ua lë porosi: Të mishroheni me të vërtetën dhe drejtësinë, kur është në pyetje e vërteta, mos përkrahni as vllaun as motrën, as gjakun as fisin por thjeshtë Vetëm të Vërtetën e shenjtë njerëzore që e di Zoti. Ta duani Atdheun, Tokën mëmë që u lindi, vendin dhe gjuhën tonë ta duani me shpirt e zemër gjer në vuajtje. Sepse Atdheu është i shenjtë që e lind dhe jeton njeriu…!
Kjo është Deklarata ime! Amaneti dhe Testamenti im! Amin!
27.12.2019, Çegran
Nafi Çegrani d.v.
.
marre nga http://revistadrini.info/deklarate-testament-e-nafi-cegranit/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.