
Debati që do të duhej të bënin figurat e kombit!
nga Rezart Palluqi
E mbaj mend shumë mirë debatin që lindi mes Rexhep Qoses dhe Ismail Kadaresë mbi identitetin shqiptar. E kam konsideruar një ndër debatet më të rrezikshme që mund të kenë zhvilluar dy figura të njohura të shekullit të kaluar. Kadareja i mëshonte tezës se shqiptarët janë popull evropian dhe ai Evropën e shihte të mishëruar me krishterimin; ndaj shqiptarët duhej të fshinin prej kujtesës historike ekzistencën e tyre gjatë pushtimit osman. Qosja, në të kundërtën, këmbëngulte se shqiptarët duhej t’i qëndronin besnikë Turqisë, madje t’i ishin asaj mirënjohës për ndihmën që ajo i ka dhënë dhe mund t’i japë Shqipërisë.
Ky debat vetëm se i përçau shqiptarët edhe me fort në vend që t’i bashkonte! U krijua një polarizim midis islamit dhe krishterimit! Një gjë të tillë nuk e pranon as letërsia e madhe as bashkëjetesa fetare shqiptare. Natyrisht që figurat e lartpërmendura e hapën këtë debat me porosi të padronëve të tyre serbo-grekë!
Personalisht besoj se problemi kryesor i shqiptarëve nuk është identiteti i tyre evropian apo aziatik. Shqiptarët, sipas mendimit tim, i përngjajnë goxha teorisë së Darvinit: ata i përshtaten kohës dhe në çdo shekull mund të reflektojnë një identitet të ri, zakonisht identitetin e pushtuesit të tyre e, në kohët tona, të punëdhënësit të tyre. Si Kadareja, si Qosja nuk u thelluan (qëllimisht) për të zbuluar arsyet përse shqiptarët janë popull pa identitet ose popull me dhjetëra identitete të ndryshme njëkohësisht.
Kadareja i druhej, madje e kishte nuhatur, se epoka osmane do të kalonte në lupën objektive. Gjë që Kadareja nuk e bëri; në të kundërtën, ai e letrarizoi epokën osmane bardhë e zi. Rishikimi i epokës osmane do të shkaktojë vdekjen e plotë të të gjitha novelave të tij për atë epokë.
Qosja flirtoi me shqiptarët në Kosovë, masivisht myslimanë; Kadareja, edhe pse me origjinë myslimane, e hodhi grepin në djepin e krishterë për të marrë Nobelin. Që të dy figurat e lartpërmendura, duke qenë mercenarë të boshtit sllavo-francez, mbanin të gjallë tezën se shqiptarët janë islamistë të rrezikshëm dhe ndaj duhej të mbaheshin larg djepit evropian.
Debati që duhej të hapnin Qosja dhe Kadareja ishte larja e hesapeve me enverizmin. Qosja e mbrojti Enver Hoxhën haptas, me zjarr; Kadareja e bëri këtë në rrugë më finoke. Ata sot nuk janë më fizikisht, por enverizmi po e po. Falë tyre ai sot është bërë më i fuqishëm se kurrë! Këtë trashëgimi katastrofike po e mbajmë mbi kurriz, saqë na është shtrembëruar çdo qelizë e shtyllës kurrizore. Mbi kurriz mbajmë edhe veprat e tyre, si dhe qindra mijëra trushpëlarë shqiptarë, një pjesë e të cilëve do të mërmërisin si idiotë teksa do të lexojnë këtë shkrim!
Misioni i Qoses me shokë ishte që enverizmi, ose shqiptarët e liq të qëndrojnë në pushtet. Në bishtin e kalit të pushtetit gjejmë Qosen, Kadarenë, Agollin me shokë. Dhe sa herë që njerëz si puna ime ngrenë zërin, bishti i pushtetit akademik na fshikullon. Janë rojet e kombit! Rojet që përkujdesen që mizat të mos fluturojnë në gojën e mbretit! Përkrah mbretit Greqia dhe Serbia flenë të qeta, sepse ata duke përkrahur Qosen, Kadarenë, arritën të mbajnë në pushtet shqiptarët e liq, por që për Serbinë dhe Greqinë janë njerëzit e duhur!
Marrë nga Muri i FB, R. Palluqi, 27 prill 2026