back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Dashuria dhe Schopenhauer – nga Ervina Toptani

Gazeta

Arthur Schopenhauer (1788-1860)
Arthur Schopenhauer (1788-1860)

Dashuria dhe Schopenhaueri

nga Ervina Toptani

Të njihesh me dashurinë prej një mendjeje aspak të zakonshme
në krahasim me mendimin e përgjithshëm që ne “jo filozofët”
kemi mbi këtë ndjenjë, është shumë interesante.

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Shumica e njerëzve e vënë idenë e kërkimit të dashurisë në qendër të jetës së tyre duke i dhënë asaj kuptimin më të lartë në lidhje me lumturinë. Por përgjithësisht kjo temë është shumë e rezervuar kur vjen puna tek filozofët dhe mendimi i tyre mbi të. Duket sikur dashuria është dicka e “gatuar” për ne të zakonshmit duke ditur se është një prej atyre gjërave të pakta në gjendje të na ndryshojë jetën dhe mendimin për të. Kjo çështje i është lënë më shumë për t’u zbuluar e përshkruar poetëve, shkrimtarëve, përgjithësisht artistëve e sot e shohim dhe të “analizuar” për të mos thënë term tjetër, prej opinionistësh e moderatorësh që nuk kanë asnjë lidhje me analiza të tilla.
Por ka ekzistuar një filozof që e ka marrë shumë seriozisht dashurinë dhe e ka bërë qendër të shqetësimit dhe zbulimit të tij. Ai ishte Arthur Schoperhauer. Një ndër të paktët që u mor seriozisht dhe arriti të kuptojë intensitetin e asaj çka njeriu ndjen kur dashurohet. Mendonte se njeriu kishte të drejtë që e kishte vënë dashurinë në qendër të jetës së tij. Asgjë tjetër nuk ishte për të kaq e rëndësishme sa kjo por sipas tij njerëzit gabojnë kur mendojnë se dashuria ka lidhje me lumturinë. Dashuria nuk mjafton, apo jo?
Ai vetë nuk u martua kurrë dhe jetonte i vetëm. Ishte djalosh i pashëm, inteligjent, i sigurt në vetvete dhe në moshën 17 vjeçare, pas vdekjes së të atit, edhe shumë i pasur. Por gjithsesi kishte probleme me femrat, dmth e kishte të vështirë t’i joshte ato. Schopenhauer ishte kundër martesës dhe thoshte: “të martohesh do të thotë të bësh gjithçka për t’u kthyer reciprokisht në objekt disgustoje…”
Po si mundet një burrë i pafat me femrat të na mësojnë diçka mbi dashurinë? Fillimisht, ai thotë se dashuria nuk është një argument i parëndësishëm e nuk duhet ta konsiderojmë si shpengim nga gjërat e tjera që i konsiderojmë si më të rëndësishme. Nuk është rastësi që dashuria është një emocion rraskapitës, ndonjëherë aq sa mund të zotërojë plotësisht jetën tonë duke mbushur çdo moment të saj. Këtë e kuptojnë më mirë poetët, artistët, shkrimtarët të cilët nuk jetojnë dot pa emocione të reja në çdo kohë e në çdo stinë. Kanë nevojë për diçka të tillë pareshtur se është lënda e parë e produktit të tyre, krijimtarisë. Dy janë rastet kur poetë, shkrimtarë e artistë në përgjithësi shkëlqejnë: kur vuajnë fort prej dashurisë ose kur dashurohen marrëzisht, një të tretë nuk ka, nëse vjen një periudhë “qetësie”, ajo është vetëm pushimi ndërmjet këtyre dy fazave.
Schopenhauer na mëson të mos jemi shumë të ashpër me veten prej obsesionit dhe dëshpërimit që na pushton kur dashuria shkon keq e na lëndon. Asgjë në jetë nuk është më e rëndësishme se dashuria, – mendonte filozofi ynë – sepse me të është në lojë vetë mbijetesa e rracës njerëzore.
Për Schopenhauer-in të gjitha telefonatat përkëdhelëse, darkat me qiri e lulet me aromë, dhuratat e fjalët e bukura kanë të bëjnë vetëm me një ekzigjencë biologjike të pangatërrueshme: përjetësimin e llojit, për të mos tingëlluar vulgarë. Ai e përkufizon si “vullneti i jetës” këtë fakt. Jeta në vetvete mbart brenda saj dinakërinë e biologjisë që na nxit për të gjeneruar fëmijë. Për sa mendojmë të jemi romantikë në të vërtetë jemi të gjithë skllevër të të ashtuquajturës “vullneti i jetës”. Për Schopenhauerin vullneti i jetës operon në mënyrë të pandërgjegjshme. Për shembull: njerëzit induktohen në mënyrë të ndërgjegjshme për të shkuar në një klub nate apo diskotekë për të pirë një gotë, për të kaluar ca orë të këndshme duke kërcyer e duke takuar miq, por në mënyrë të pandërgjegjshme shkojnë në vende të tilla për të flirtuar, për të ndryshuar monotoninë e përditshme e ndoshta për të përjetësuar llojin. Nëse i pyet drejtpërsëdrejti njerëzit nëse shkojnë në vende të tilla pikërisht për këtë të fundit, përgjigjja e tyre është gjithnjë negative por Schopenhauer nuk mendonte se këto ishin përgjigje të sinqerta dhe se “nevoja biologjike” ishte arsyeja e vërtetë e jetës sociale. Vullneti i jetës duhet të qëndrojë në nivel jo të ndërgjegjshëm për të funksionuar përndryshe askush nuk do të merrte përsipër të martohej e të përjetësonte llojin.
Sigurisht të rinjtë nuk mendojnë se duke i kërkuar numrin e telefonit një vajze në fakt janë duke kërkuar të kenë një fëmijë. Por Schopenhauer këmbëngulte në faktin se në nivel jokoshient është pikërisht ky instikt që i shtyn.
Një nga misteret më të thella të dashurisë është “përse ai” apo “përse ajo”? Përse dashurohemi me këtë njeri dhe jo me një tjetër? Një numër shumë i madh njerëzish janë indiferentë ndaj njëri-tjetrit edhe pse në dukje mund të jenë perfektë për jetën në çift e në të njëjtën kohë në mënyrë krejt misterioze ndjehen të tërhequr nga të tjerë persona me të cilët bashkëjetesa nuk do të funksiononte kurrsesi. Schopenhauer kishte një përgjigje për këtë gjë: kur dashurohemi me dikë ne zgjedhim në mënyrë jo të ndërgjegjshme një subjekt me të cilin mund të kemi fëmijë të shëndetshëm dhe të ekuilibruar. Dashuria nuk është gjë tjetër përveçse vullneti i jetës nëpërmjet të cilit zbulojmë dikë tjetër të ngjashëm me ne që e mendojmë si bashkë-prindër të duhur. Kjo gjë e solli filozofin në disa përfundime interesante mbi rregullat e tërheqjes: tentojmë të dashurohemi me njerezit që mund të “zhdukin” ose t’i bëjnë të padukshme të metat tona e me të cilët mund të kemi fëmijë fizikisht të proporcionuar e mendërisht të qëndrueshëm.
Disa prej ideve të Schopenhauer-it sot mund të ngjasojnë të çuditshme sepse analiza e tij lë pas dore shumë aspekte emotive. Por një gjeneratë përpara Darëin-it dhe 60 vjet përpara Freud-it ishte ai i pari që shtroi rrugën mbi ekzistencën e arsyjeve biologjike, në masë të gjerë jokoshiente, që i bëjnë njerëzit të dashurohen.
Dëshira për t’u dashuruar dhe ajo për të pasur fëmijë janë dy gjëra shumë të ndryshme që dashuria në vetvete i bën tmerrsisht të ngatërrueshme. Shpesh, shumica e njerëzve që martohen e bëhen me fëmijë e kuptojnë që janë “mashtruar” prej dashurisë e që nuk ishte absolutisht ky qëllimi fillestar, por zakonisht kjo ndodh pasi bëhen prindër. Atëherë ndodhin divorcet apo dhe heshtja e thellë ndërsa qëndron i mbyllur në vetvete duke mos dashur që partneri të kuptojë mendimet e “këqija” që po bluan në mendje. Schopenhauer na ka ofruar një zgjidhje shumë të limituar në këtë aspekt. Me martesën interesi i individit dhe ai i llojit (species) hyjnë në konflikt dhe për mendimin e tij është gjithnjë interesi individual ai që e pëson më keq nga të gjithë.
I palumtur në dashuri, me punën e tij pothuajse universialisht të injoruar, Schopenhauer u tërhoq të jetonte në një apartmanet modest në Frankfurt bashkë me qenin e tij, të cilin e donte shumë. I pëlqente shumë muzika, Rossini ishte i preferuari i tij. Pesimizmi i tij ishte i madh. I këshillonte lexuesit e tij të “gëlltisnin një zhabë” që në mëngjes në mënyrë që asgjë që do të ndodhte gjatë ditës të mos ishte më e shpifur se kjo. Eshtë më e sigurt t’i dorëzohesh frikës sesa besimit.
Ai pohon se kur dashurohemi nuk kemi zgjedhje tjetër se biologjia është më e fortë sesa arsyeja e për pasojë nuk është rastësi që nuk jemi të lumtur. Në thelb, ne të gjithë nuk jemi kaq të ndryshëm nga gjithë kafshët e tjera. Jemi të shtyrë e pothuajse të detyruar të gjejmë një partner, “të lëshojmë vezë” e t’i rrisim ato. Por vetëm një forcë e fuqishme si dashuria mund të na shtyjë të bëjmë diçka të tillë edhe kur nuk e kërkojmë. Mendojmë se gjithçka e bëjmë në kërkim të lumturisë, për ta arritur atë, por thellë brenda nesh, në pandërgjegjje, e dimë që kjo nuk është e vërtetë.

Ai ka një mesazh tjetër mbi dashurinë që duket shumë domethënës për atë që refuzohet. Shpesh njerëzit nuk e kuptojnë përse partneri vendos ta ndërpresë lidhjen dhe shpesh e marrin shumë personalisht këtë gjë, por Schopenhauer mendon se kur dikush i jep fund lidhjes nuk po e refuzon në fakt, nuk e bën këtë sepse ti nuk je i dashur apo i pashëm sa duhet por thjesht vullneti i jetës i thotë se mund të “përjetësohet” me dikë tjetër. Dhe kështu kjo kthehet në një ritual të zakonshëm e më të fortët mendërisht e kanë kuptuar e janë në paqe me veten dhe të tjerët sepse nuk e marrin personalisht. Pra nuk ia vlen dëshpërimi, as lotët e trishtimi.
Lumturia nuk është gjithmonë objektivi. Me këtë Schopenhauer nuk synonte t’i deprimonte njerëzit, por vetëm t’i lehtësonte nga pritshmëritë e mëdha që mund të kenë në këtë aspekt e të mos ndjehen të dëshpëruar në fund nëse nuk i arrijnë dot të tillë objektiva. Është ngushëlluese të dish se kur dashuria të trishton, lumturia nuk ishte gjithsesi e parashikuar në listën e menusë!
.
Marre nga muri i Fb i Ervina Toptanit, 4 mars 2022

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Jozef Radi
    E di çfarë kam bërë unë për Schopenhauerin… një libër të përkthyer në vitet ’30 e gjeta dmth e vodha, kalova murin e fabrikës së letrës në Lushnje dhe e mora. Ishte përkthyer në gegnishte elbasani po jo edhe aq i kuptueshm. E rishkrova me dorë e redaktova dhe e lexoja për qejf tim! Shkrimin e kisha si të makinës së shkrimit!!! Kjo është dashuri, 200 faqe libër i shkrova me dore!

    Ervina Toptani
    Jozef Radi kjo quhet realisht dashuri. Do ta kishe bërë Schopenhauerin të ndrronte konceptin mbi të në shumë pika? Kjo që keni bërë ju, është ajo që kam kuptuar thellë brenda vetes, askush dhe asgjë nuk mundet me e heq të bukurën nga njeriu sado të përpiqen me e heqë njeriun nga e bukura.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.