back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më shumë poetë se policë, dhe arsyen s’e kam kuptuar dot asnjëherë – nga Ben Blushi

Gazeta

Kalaja dhe Lezha
Kalaja dhe Lezha
Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më shumë poetë se policë,
dhe arsyen s’e kam kuptuar dot asnjëherë
nga Ben Blushi
Më zbaviti ky shkrim i Blushit dedikuar Lezhës, ku dikur, dmth në kohën e komunizmit, kishte më shumë poetë se sa policë, por në fakt m’u duk se shkrimin ia dedikonte vetes, dmth arratisjeve të tij djaloshare, kur ikte nga fushimi ushtarak studentor i Mamurrasit për të blerë në qytetin verior cigare, pastë dhëmbësh e konjak, apo kur shkonte me shokët në Ishull tek vila e Cianos për festa të ndaluara, me muzikë të ndaluar, alkool të pakontrolluar dhe mendime të çuditshme (të ndaluara, dmth), evazor në kohë Prohibicioni, medemek:
“Kjo putanë jetë është t’i q… t’ëmën, se në ato vite unë një herë guxova të largohesha dy orë nga reparti ku bëja zborin tremujor në Fier, me oficerët që na njihnin të gjithëve, dyqind metra në vijë ajrore larg repartit, në një shtëpi fshati për të parë Zvezda-Milan, bashkë me Ervin De Los Beqiris, dhe kur u kthyem na arrestuan si dezertorë, ndërkohë që edhe 35 vjet më mbas vazhdoj të pi alkool të pakontrolluar, të prodhuar në distileritë abuzive të Visokës.
Edmond Bejtaj
Ben Blushi
Ben Blushi
Lezha është një qytet me shumë mistere. Të paktën për mua.
Ky qytet ka shumë histori dhe poezi.
Këto dy cilësi e kanë shenjuar si një vend interesant edhe kur Shqipëria ishte një territor monoton, i izoluar që nuk ofronte asnjë kënaqësi, përveç barazisë torturuese.
Nga Lezha, kam shumë kujtime si student, kur bëja zborin ose aksionet dhe duke i ikur pa leje regjimit ushtarak të Mamurrasit apo disiplinës bujqësore të kooperativës së Rrilës, vija këtu për të blerë cigare, pastë dhembësh ose konjak të ëmbël.
Hipur mbi ndonjë kamioncinë me bagazh të hapur apo mbi ndonjë karrocë me kalë, kur mbërrija në këtë qytet të vogël më dukej sikur kisha ardhur në perëndim. Asfalti i freskët i Lezhës ishte një tapet për në qytetërim. Kur bënte vapë hotel turizmi i qytetit ishte një frigorifer i vogël që ushqente të ardhurit me akullore të verdha me një qershi në majë.
Ndoshta për shkak të gjeografisë, ndoshta për shkak të historisë apo ndoshta për shkak të fesë, askund nuk e kam ndjerë Perëndimin më afër në ato vite.
Lezha ishte një arratisje. Një exit. Një kalim. Një tejpërtej. Një andej.
Kjo shije e mirë për Lezhën më ka sjellë në ato vite të mbyllura shumë shpesh nga Tirana me tren për në Ishullin e Gjuetisë, aty ku bashkë me shumë miq, Vila e Konti Cianos ku kërcenim dhe pinim gjithë natën, na dukej si cepi më i lirë i Shqipërisë komuniste të viteve ‘80.
Trenat e mbushur me shpendë të uritur, me ushtarë të vegjël dhe me mësues të mërzitur duken tani si një film ekzotik, të cilit i ka vdekur regjisori.
Me pak fjalë arratisjet në Lezhë kanë qenë të zhurmshme, të mbushura me muzikë të ndaluar, me alkool të pakontrolluar, me flirte të padëmshme dhe me mendime të çuditshme.
Melankolija ishte muzika tradicionale e Lezhës që vazhdon dhe ushqen poetët e saj shumtë.
Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më shumë poetë se policë, dhe arsyen se kam kuptuar dot asnjëherë. Policët kanë sistemuar në çdo kohë rrëmujën që bëjnë poetët duke i pajtuar ata me njëri-tjetrin por dhe me vetveten.
Sot gjërat kanë ndryshuar pak: policët duan të shkojnë në plazh, poetët shkojnë në Tiranë. Të dy palët takohen në qytet dhe mendojnë se ndoshta do ishte mirë që nganjeherë t’i ndrronin vendet.
Rendi i poezisë është më i bukur se çdo lloj rendi, përfshi edhe poezinë pa rend.
Këto kujtime që më pas janë plotësuar edhe me detaje të tjera për Lezhën dhe lezhjanët, i ndava edhe në takimin e mrekullueshëm para disa ditësh për prezantimin e romanit Komploti në Lezhë.
Më erdhi mirë që shumë miq e kishin lexuar romanin dhe prandaj i falenderoj të gjithë duke postuar si kujtim këto fotografi.
29 dhjetor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.