
Cila sallë i nxë të burgosurit politikë?!
nga Bujar Xhaferri (RD – 1991)
Shpura e madhe e të burgosurve politikë drejtohet për tek salla e leksioneve të Bibliotekës Kombëtare. Por ndërkaq porta e Bibliotekës zvogëlohet, mpaket; korridoret dhe shkallinat ngushtohen befas, si në romanet e Franc Kafkës, salla e leksioneve gjithashtu ngushtohet tragjikisht dhe në pak minuta është e mbushur plot e përplot. Qindra të tjera mbeten jashtë portës. Ata buzëqeshnin hidhur po nuk klithnin, nuk ankohen.
Sa shumë të burgosur politikë! Kaq e vogël paska qenë liria?! Pastaj kaq të panumërta paskan qenë qelitë, kampet e rrethuar me policë, me tela me gjemba dhe qenër?
-Të gjejmë një sallë tjetër, – thotë dikush.
-S’ka asnjë sallë që të na nxërë të gjithëve.
-Po mbase salla e Pallatit të Kongreseve?! (të qeshura).
Dhe sa vështirë për të gjetur një sallë për ata që do të krijojnë shoqatën më njerëzore, më të madhe në Shqipëri, shoqatën e të burgosurve politikë. Sa të lehtë e pati shteti t’i sistemonte nëpër qelira dhe kampe, nëpër biruca dhe burgje dhe sa të vështirë e paska për t’i mbledhur në një sallë. Sa e madhe robëria, sa minimale liria. Liria e vogël s’e mban dot brenda vetes robërinë e madhe, por robëria mban brenda saj qindra liri, qindra! Dikush befas thotë se është vendosur të shkojnë në pallatin e sportit “17 Nëntori”. Dhe turma lëviz e krijon një kortezh të pafundëm, të ngjashëm në procesionet qe shkonin në vendet e shenjta. Të burgosurit ecin tre e nga tre, katër nga katër. Të përqafuar, të qeshur. Pastaj ata që ecin të përqafuar takojnë të tjerë; ndërrohen, mbeten pas… “Ku shkoi Sokoli? Po Luani? Ku je Pasha!, ku je” – Ja, ky ngriti flamurin në Spaç, Naim Pashaj, – ndërrohen mbeten pas… “Kukësi, i dënuar me pushkatim. “Gjeneral! Gjeneral!” Kurtish Rastelica ka qenë oficer, Kurtishi ndenji në roje të flamurit, të flamurit të lirisë së vërtetë. Kjo turmë e madhe, ky “koncentrat” kaq i madh i mjerimit, i mizorisë dhe i robërisë shqiptare, s’mund të rrijë në asnjë sallë. As në sallën e pallatit të sportit. Ata janë mijëra, e kjo do të thotë se kur robëria shprehet me mijëra njerëz dhe prangavënësit, kanë shumë.
Palestra “17 Nëntori” asnjëherë s’ka patur kaq shumë njerëz, – njerëz me të vërtetë! (jo kryetarë frontesh, sekretarë partish, komunistë, partiakë, këshilltarë, deputetë… por, njerëz!). Ndërsa rrimë të ngucur dhe të heshtur pas njëri tjetrit pritet një mikrofon, një qendër zëri, nga e cila Osman Kazazi të thotë “fjalën e hapjes”. Osmani, i dënuar që në 1945, që atëherë kur sipas historishkruesve, Shqipëria fitoi “lirinë”. Pikërisht atëherë Osmani humbi lirinë. Pranë meje më bën përshtypje një plak. Në mes të asaj mizërie ku të merret fryma, të burgosurit, të kujdesshëm, të urtë, krijojnë pak hapësirë për këtë plak të urtë që quhet Qamil Sefa dhe për zonjën Dizin. Qamili dridhet. Në portretin e tij ndihet dhuna, ndihet mjerimi i këtyre 50 vjetëve. Tek të gjitha portretet e tyre njerëzore duket një konfiguracion telash me gjemba. “U burgosa vetë por burgosa dhe farefisin tim të sefëve në Lushnjë”, thotë Qamili.
-Më mban mend? – dëgjohet një zë.
-Po mua s’më mban mend?
-Ti i paske flokët kaçurrela, s’të njoh dot me flokë, vetëm kokëqethur të njoh!
-Edhe ti ke qenë në burg? – (më thotë dikush mua). Unë tund kokën. Dua t’i them se të gjithë kanë qenë në burg, edhe ne të tjerët, kemi qenë me “korrespodencë”.
U krijua një shoqatë, shoqata e të burgosurve politikë. Një shoqatë njerëzish. Më e madhja shoqatë deri sot. Një shoqatë kaq e madhe të burgosurish politikë, në një Shqipëri kaq të vogël… “Zot, ruajna, që kur na krijove, ne s’të përkasim më ty!”.
(marrë nga Rilindja Demokratike, e mërkurë 1 maj 1991)