
Cila ka qënë Kombëtarja më e mirë e Shqipërisë e të gjitha kohërave?!
nga Adriatik R. Dosti
Sipas meje, që kam një jetë të tërë me futbollin e veçmas atë shqiptar e specifikisht me Kombëtaren e Shqiperisë… dy janë kombëtaret tona më të mirë, mbushur me talente të vërteta futbolli… të luajtur ndershmërisht… me trajnerë e specialistë të shkëlqyer, edhe pse në kushte tmerrësisht të vështira, me atë infrastrukturë mjerane e në atë lloj sporti të marrë peng e të stërpolitizuar.
Dhe këto Kombëtare janë:
Kombëtarja e viteve ‘60-‘70… që mundi në Tiranë Danimarkën 1-0 që barazoi 1-1 me Irlandën e Veriut të George Best-it të famshëm… dhe që arriti atë barazim sensacional 0-0, po në Tiranë në 1967, duke e lënë jashtë finaleve të Euro ‘68 nën-kampionen e botës: Gjermaninë! Që luajti po kaq denjësisht serish ndaj Gjermanisë në 1971, e që mundi 3-0 ne Tiranë – Turqinë etj etj…!

E pra, ky ishte brezi i të mëdhenjve: Janku, Dinella, Rama, Muhedini, Frashëri, Halili, Kasmi, Mihal Gjika, Teodor Vaso, Gjinali, Jorgaqi, Cani, Ali Mema, Bizi, Ramazan Rragami, Kazanxhiu, Hyka, Çeço, Mexhit Haxhiu, Zhega, Pano e deri te brezi i Pernaskës e Brahos me shokë që do të vinin më pas…
Kombëtarja e viteve ‘80-’90, e mbushur si kurrë më parë me talente të vërteta futbolli! Jemi në kohën kur sapo kemi dalë nga vetizolimi absurd politik që i bëmë futbollit… e megjithatë ekipet shqiptare kanë nisur të luajnë denjësisht në Kupat e Europës duke mundur edhe Selltikun, Austrinë e Vjenës, Dinamon e Bukureshtit, Partizanin e Beogradit, duke tronditur Barcelonën etj. etj.
Është kjo Kombëtare që në ‘84-‘85 barazon në Poloni 2-2, mund në Tiranë – Belgjikën 2-0, e gabon në dy hapat e fundit final teksa mundet aksidentalisht në Greqi, e lejon Boniek të vijë e të na mundë brenda në Tiranë… dhe nuk arrin dot ta bëjë realitet ëndrrën e një Shqipërie në Botëror… pranë së cilës u afrua si kurrë më parë!
Ishte koha kur nuk na ndaheshin në grup të mëdhenjtë e futbollit euro-botëror si: Spanja, Anglia, Gjermania, Franca, Austria etj etj…
Më gjeni në kombëtaren e sotme apo edhe në atë të 2016, që për herë të parë në historinë e futbollit tonë kombëtar na çoi në finalet e një europiani, futbolliste të nivelit të Targajt, Hodjes, Ocellit, Zmijanit, Ferid Rragamit, Ilir Lames, Luan Vukatanes, L. Millos, Josës, Omurit, Jerës, Tahos, Çipit, Kushtës, Ferkos, Ylli Shehut, Mingës, Agustin Koles, Muçës, apo portierë të nivelit të Kaçit, Mustës, Luarasit, Mersinit e deri tek më i riu mes tyre Blendi Nallbani i talentuar etj etj…
Më gjeni një Demollar në Kombëtaren e sotme… Më gjeni një Kushtë, më gjeni një Zmijan, me gjeni një Zër, një Shyq Ballgjin… një Vasi Ruc, një Kërçiç e Majac të cilëve politika e asaj kohe s’la derë e dritare pa ju mbyllur!!!
E ripërsëris… Ore po më gjeni një gjahtar golash si Ilir Përnaska; me gjeni një triblues marramendes si Pano; një mbret ajri si Zhega; një mesfushor vizionar si Bizi; një qendërnbrojtës të nivelit botëror si Skënder Halili; një lojtar me grintën dhe sedrën e Ali Memës, një Platini të Ballkanit si Demollari dhe unë e mbyll gojën që sot.

Le të shkojmë mbrapa ndër vite e sërish ju them… më gjeni një Dinellë, me gjeni një Fatmir Frashër, një S. Berisha, një Biz, një Ali Memë… Pano apo Zhegë…dhe bujrum hajde të debatojmë…
Ishte një kohë aspak profesioniste… ku infrastruktura ishte ku thërriste qameti, ku nuk ndërroje dot fanellën me kundërshtarin se gjobiteshe, dënoheshe e përjashtoheshe deri edhe nga futbolli…
Absolutisht nuk mendoj se Kombëtaret e 2016 dhe kjo e sotmja janë më të mirat e futbollit shqiptar… edhe pse pranoj që për kushtet që u janë krijuar, për infrastrukturën, për gjithçka që kanë në dispozicion, për mënyrën e gjithanëshme tepër profesionale të trajtimit të lojtarëve e krejt stafit… për numrin e madh të ndeshjeve ndërkombetare… për tifozllikun që e ndjek nga pas e kudo brenda e jashtë Shqipërie, për fatin e lindjes e rritjes së tyre në disa vende europiane ku për futbollin investohen e shpenzohen miliona; për fatin e madh që kanë teksa stërviten në klube me emër të madh… nga trajnerë të shquar profesionistë, teksa kanë kontrata milionëshe etj etj… këto lloj Kombëtaresh, Po, janë ku e ku më përpara e më lart se sa Dy Kombëtaret që përmenda më sipër ato të viteve ‘60-’70 dhe ‘80-’90, ndërkohë që këmbëngul fort se cilësisht, për futbollin e luajtur, për talentet e vërteta të futbollit që ato bartnin etj etj… këto Dy Kombëtare që na çuan fatmirësisht dy herë në finalet e një europiani sipas meje janë më poshtë se Kombëtaret e brezit tonë… pothuajse në çdo drejtim…
Këta të sotmit udhëtojnë me Charter ke bytha, ata të djeshmit copa – copa e me se të mundeshin, me autobuzë, me tren e me 2 – 3 avionë linjash, këta të sotmit mbushin xhepat pse mundin fjala vjen Greqinë ndërsa ata të djeshmit kishin si favor e shpërblim të madh vetëm 5 oreshin… e kurgjë tjetër.
Ndaj nëse flasim për talente e futboll të luajtur ata të djeshmit vazhdojnë të jenë 100 vjet para këtyre të sotmeve… Ahhhh po nëse flasim për kushte, fat, miliona e pordhë këta të sotmit janë 100 vjet para atyre të djeshmëve.
Fati i keq i atyre të djeshmëve ishte thjesht që lindën, u rritën, luajtën futboll e u pensionuan në kohën dhe në vendin e gabuar.
Ndaj dhe më revolton shumë fakti që teksa median e sotme sportive e kanë marrë peng ca injorantë e mafiozë, ca palaço e sharlatanë, ca xhambazë e të lidhur edhe me politikë të tillë e të tipit të Shakohoxhës, Çarçanit, A. Xhihanit, P. Xhixhos, A. Bashes… apo ato moderatoret klloune sportive “femra seksi” në të gjitha ekranet e studiot televizive që s’e kane farë haberin e atyre budallalliqëve pafund që nxjerrin nga goja etj etj, këta mjeranë trutredhur vazhdon t’i gënjejë mendja se, futbolli në Shqipëri u luajt dhe doli në dritë pikërisht mbas ‘90 e kur në këtë botë nisën të nxjerrin kokën e të frymojnë edhe ata… Pfffffff… çfarëë neverie.
I qëndroj fort opinionit tim, edhe pse dikush mund të thotë se, kur ishin me të mira ato Dy Kombëtaret që thua ti pse nuk shkuan dot asnjëherë në asnjë Europian a Botëror, sepse faktikisht futbolli matet me rezultate konkrete…
Këtë e kam shpjeguar disi më sipër, duke shtuar se brezat e ‘60-‘70 dhe të ‘80-’90, nëse do kishin edhe sikur gjysmën e trajtimit, kushteve profesionale, infrastrukturën e sotme, pagesat e shpërblimet, trajtimin në tërësi të një ekipi kombëtar… fatin që të luanin jashtë vendit e në shtete si: Italia, Anglia, Gjermania, Spanja, Zvicra, Belgjika apo edhe Greqia e Turqia etj… e nëse sportin nuk do ta komandonte Byroja Politike, e nëse ndeshjet ndërkombëtare nuk do ishin 3-4 në vit por trefishi i tyre sa ç’është sot… ato Dy Kombëtare që them unë do ishin të paktën nja 2 herë si në finalet e një europiani po ashtu edhe të një botërori…
Adriatik R. Dosti, 17 qershor 2025