back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Cikël poetik nga Melita Vjerdha

Gazeta

Melita Vjerdha
Melita Vjerdha

Melita Vjerdha – Përballe nji prove të vështirë

Merita Vjerdha i përket gjeneratës së postdiktaturës, pra atij brezi të që nuk e jetoi dhe as e njofti diktaturën reale, po ama jehonën dhe krejt pasojat e saj i ka ndër sy e në lëkurë përditë…
E ndërsa lexoja me vëmendje nji cikël të poezive të saj, ndjeva që ajo asht në nji fazë delikate e të vështirë poetike: në të përpjetën e ngjizjes dhe gjetjes e së veçantës së vetvedit, dhe sa ma shumë njifesha me vargjet e saj mbetesha i bindun se nw pasionin e poezisë, ajo ia ka vu vedit caqe interesante mbrritjeje… Sigurisht që s’asht e lehtë… dhe ajo kët gja e din mirë!
E nëse marrim parasysh faktin se poezia e sotme shqipe, ajo ma e mira në qarkullim asht tejet femnore, bahet sa i vështirë po aq edhe shpresëdhanës ky fakt, sepse e nesërmja konkurencës do të jetë mes tyne, dhe sa ma e fortë të jetë ajo aq ma pozitive ka me qenë.
Në nji konkurs të fundit të Poezisë Shqipe, ndër 54 konkurues, në 11 vendet e para ishin 9 femna e dy meshkuj… nji dëshmi kokforte se poezia shqipe asht femnore dhe tashma po i thyen tabutë e saj të lashta, aq ma shumë po të kihet parasysh, se në prezantimet e mia të fundit, emna si Elona Culiq, Jola Zadrima, Viola Doko, Lola Shehi, Desantila Qerimaj, Leticia Gargjiola, e mjaft të tjera dëshmojnë nji poezi, që s’ka nevojë për llustër po veç për mbështetje, dhe e ban kët frymë poetike nji fenomen shoqnor dhe kulturor pozitiv e për t’u pasë përnjimend në konsideratë.
Te kjo poezi që flet pa dorashka krahas amsisë, feminilitetit, sensibilitetit, tejpamjes, gjen edhe modernen, edhe spontanen, edhe traditën, edhe problemet sociale, edhe guximin poetik, edhe forcën e të qenit poezi që të ngjeth, pra e vërtetë… e dalun prej gjakut dhe ashtit femnor… nji krijesë e saj!

Midis krijuesve shkodrane edhe... Melita, Elona, Leticia...
Midis krijuesve shkodrane edhe… Melita, Elona, Leticia…

E Melita Vjerdha, që ju paraqesim sot e din mirë kët gja, dhe sigurisht ajo i ka “përveshë mangët”, me i dalë zot poezisë së vet, e bindun se ajo mundet!!!
Jozef Radi, 19 janar 2015

Melita Vjerdha
Melita Vjerdha

Cikël poetik nga Melita Vjerdha

Tetor i mbështjellë me pëlhurë ndërdyshse.


I shkathët si maj,
i heshtun si shtator.
Zbulohesh mistik, pak femnor.
Ngjan pranverë e parë në andërr
po që bimët e humbin forcën
bashkë me nji pjesë të s’vërtetës.
Deti dhe toka mbahen në ajër
n’ekuilibrin e jetës me vdekjen.
Ku deti asht ma shumë se nji masë uji,
dhe toka vazhdimisht nji grua që lind
dhe pushon në shtrat e zbehtë.
Përreth herma drungjashëm prej guri
të spërkatun me ar të gjelbërt.
Të tjerë që ruajnë drurë të paprekur
si në përjetësi
duke qenë shpirtrat mbrojtës të tyre.
E në muzg ke flakë ndër sy.
Ngroh dhe majat e maleve
si gjest lamtumire.

Poezia e amsise
Poezia e Amsise

Bija ime!


Mjafton ta rrëshqas shikimin
nga fytyra jote e bardhë
prej engjëlli.
Në mes të errësirës,
je hënë e dlirë.
Bardhësi e freskët
e nji 
zambaku verbues që kundërmon
edhe poret e shpirtit.
Indi i hollë i qepallave tua
mezi arrin t’i fshehë përbrenda
sytë e shndritshëm,
pasqyrë e mijra botëve të fshehura.
Të vështroj, mes frikës e dashurisë pa emër,
dhe gjithë zërat e natës së trishtë shuhen.
Heshtja matet vetëm prej frymëmarrjes tënde ritmike.
Ajo buzëqesh si lule me perla.
Mes qerpikëve shfaqet nji shkëlqim i lagësht
ngjyrargjendi i vesës së kristaltë.
E mua më dëbohet çdo ethe,
çdo akull shkrin
ga ngrohtësia e përqafimit tënd
bija ime…

***

Zbres në vetvete,
e strukur ndrydhem në kullën prej kristali
me mure të larta rrethuese…
të pakalueshme.
Me rehatinë e nji rrëfimi të përditshëm,
besuar letrës së bardhë…
Aty ku sfilitjet e shpirit 
shkrihen në lot…
ku zbulohen enigmat e zemrës…
përgjigjet e ndërgjegjes,
ku kaliten mendimet…
e zhduken imazhet fatale…
Aty ku merr forcë çdo dobësi,
dhe ngjallet shpresa e lutjes.
Aty ku gjithë faqet e kullës
shkëlqejnë prej nji drite të përbashkët,
ajo e së vërtetës…!

Melita Vjerdha... Për Shkodrën
Melita Vjerdha… Për Shkodrën

***

Ligështohet shpirti si këputje
gjymtyrësh të pafuqishme.
Ligj bëhet paqëndrueshmëria,
me pathemelsinë e nji lëngu
te i cili shformohen vazhdimisht:
forca, këndvështrimi, spontaniteti.
Zëri i detyrës përhumbet
në mes të rrëmujës
e ndjenjës së koklavitur.
Zëri i dëshirës çalon
i penguar ndër mijra instikte
të pakapërcyera.
Ndërgjegja si yll me dritë hua
eklipsohet orë e çast
në luftë me vetveten.
Dhe unë trokas në vetdijen tënde
për mos të thënë asgjë…
Ti me heshtje më përze…

Mur

Me themele të ngjeshuna me frymë
të hedhuna qysh në ngjizje,
ngritun me dorën e kohës..
.
I plasaritun nga tërmete stinësh,
mes shirash me lot,
mes rrufeve t’idhnume.
Si skenar vazhdoj me t’ndërtue
me mundimin e andrrave,
me shtresën e ndjenjave,
me gdhendjen e fjalëve..
.
Me të pa të drejtë,
të fortë e të pathyshëm…
Me kapë kupën e qiellit,
me u ndeshë me kosoren e hanës
me provu stuhi yjesh,
e me u prekë me butësi resh..
.
Shoh anash,
ka mure gjithandej
ndërtue secili në kohë të vet.
Zhurma përhumbet…
E unë du me pa si hidhet valle përjashta…

Ngjyrat e Poezisë...
Ngjyrat e Poezisë…

Qetësi…


Mbramja parakaloi muzgun,
u vesh me heshtjen që frymon
brymë andrrash.

Nata zbriti, e zgjume prej
kllapinash t’përlyme me harresë.
Qielli i shkundi yjet
si endje kumblle n’prandverë,
e hanës i’u nigju frymëmarrja
tuj u pasqyru ndër ujnat
që i
 kish zànë gjumi.
Pemë të përqafueme me ajrin
përcjellin flladin erëkandshëm.
Brini i hànës me bishtin e qerpikut
stepojnë prej tundimit..
.

Horizonti si Hyjni
shtrihet në 
shtratin e butë të stinës..
.
mbulue me mantelin e qetësisë..
.
Ndërkohë ujqit dikund rrinë zgjuem…

Acar!

Rrënqethet loti nën qerpikë
duhi e vrazhdë ia trazoi gjumin.
Rrëshqet në të ftohtë,
bahet ortek
e rrokulliset me brengat
që s’i kapërdiu harresa.

M’thuej flutur e buzëverës
kur mplaket ky acar?
Bora e vrejtun asht zemru me mu,
orteqet e kanë frikë bardhësinë e verbër.
M’thuej, kur ka me m’soditë n’dritare
flladi erëlehtë,
zgjimin me ma ba shpend,
e ndër hatlla metaforash
andrrat me mi shtri
n’shtrojen e poezisë.
Dielli ka me tretë shikimin
ndër kthesa zigzake
pse ngrica s’lëshon pè.
Dimni që shkon
kompozon nji balade
me përzanë dhimbjen…

Melita Vjerdha
Melita Vjerdha

Kush asht Melita Vjerdha

E lindun me 2 nëntor 1988, në qytetin e Shkodrës, ajo kryen gjithë sistemin shkollor në qytetin e Lindjes duke përfunduar në vitin 2011, Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega Gjuhë-Letërsi, në Universiteti Luigj Gurakuqi.
Ka punuar si mësuese e këtij profili, pranë shkollës “Branko Kadia”.
Ushqen me shumë dashuri dy pasionet e saj ma të mëdha: Vajzën dhe Poezinë… pa lanë asnjiherë mbas dore leximin e librave, pikturën dhe muzikën.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.