back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026

Çfarë lidhjeje kam unë me Mbretninë? (Meqë më pyesin: Ç’ne ti!?) – nga Indrit Vokshi

Gazeta

Indrit Vokshi
Indrit Vokshi
Çfarë lidhjeje kam unë me Mbretninë? (Meqë më pyesin: Ç’ne ti!?)
nga Indrit Vokshi

E para është ndjesi dhe kujtesë krejt personale; gjithmonë në shpi kanë pas thënë që Mbreti Zog I, na përkrahu kur familja jonë erdhi prej Kosove, pasi u vranë u sakatuan me serb dhe, pasi bënë 6 vjet rrugëtim maleve me gra e fëmijë për të mbërritur deri në Mamurras. Shteti i Zogut iu dha 60 dynym tokë për t’iu garantuar jetesën. Jo veç ne por mijëra shqiptarë të Kosovës të shpërngulur në vitet 1920-1930, përgjithësisht prej Rrafshit të Dukagjinit e pak prej Drenicës, shteti i Zogut I i përkrahu iu dha tokat që të rimëkëmbeshin.
Ishin dy realitete të cilat konkuronin; nga njëra anë gojdhana familjare e nga ana tjetër historia zyrtare ky Zogu I paraqitej si tradhëtar, njeri që vrau patriotët, shitës i Shqipërisë etj. Kjo më zgjoi kuriozitet dhe iu futa historisë së Zogut me themel për të mësuar cila është e vërteta. Aty gjeta se Ahmet Zogu nuk ishte “beu dallkauk me opinga” i Matit, por ishte shkolluar në Shkollën Ushtarake në Manastir dhe në Liceun e Gallatasaraj. Pastaj i graduar kapiten nga ushtria austriake ishte marrë në tip ekzili në Vjenë.
Zbulova se ky person, në moshën 18 vjeç, bashkë me Mazar bej Toptanin iu prinë ushtarëve për t’i shkuar në ndihmë Esad pashës së rrethuar në Shkodër, prej ushtrive serbe e malazeze. Ky tradhëtari i atdheut në moshën 18 vjeçe paska shkuar dhe bëri “përpjekjen” e Kakarriqit në Lezhë kundër rrethimit serb të Shkodrës. Ideoi Kuvendin Kombëtar të Elbasanit.
Mandej kur u kthye në Shqipëri, duke bashkëpunuar me Abdi Toptanin të cilit Ideni i Britanisë i erdhi në Tiranë dhe i kërkoi Kongresin e Lushnjes, ky politikan me ushtarët e vet u bë garancia reale që të zhvillohej kongresi sepse trupat italiane të Piaçentinit ishin në Durrës dhe mundesh ta shkatërronin Kongresin. Doli prej aty Ministër i Brendshëm. Shtypi disa kryengritje kundër shtetit të ri e të brishtë dhe himni “Rroftë Ahmet Zogu shpëtimtari i Atdheut” i është shkruar kur ishte ministër e kryeministër. Dhe e dini kush e ka shkruar? Fan Noli. Sepse e quanin Zogun si garancia e shtetit.
Kur ndodhi Mësymja e Qershorit 1924, Zogu nuk ishte kryeministër, ishin Shefqet Verlaci e Iljazi Vrioni. Iu pati thënë atyre ma lini mua në dorë dhe i ndaloj unë. Ata nuk e lanë sepse nuk donin ta faktorizonin përsëri. Zogu iku në Jugosllavi. Britania e Madhe i kërkoi Jugosllavisë t’ia hapte rrugën sepse interesat britanike e duan Zogun në Shqipëri. Ata ia hapën rrugën. Nuk pati trupa serbe me vete. Pakti i pretenduar Zogu-Pashiq, nuk ekziston. Sepse sapo Zogu erdhi në 1925, lidhi aleancë me Italinë. Kur kam qenë student, pyeta një profesor që predikonte anti-zogizëm: “Nëse e bëri paktin me Pashiqin, pse pakti nuk u realizua kurrë? Kush e ndaloi Zogun ta zbatonte atë marrëveshje?” M’u mërzit profesori, u xhindos, s’më kthente përgjigje.
Shoh pastaj çështje e “arit që mori Zogu”. Këtu kishte lënë 90 kg ar në bankë. Ari i Shqipërisë ka qenë në Itali (2500 kg). Gjermanët e morën nga Roma. Anglezët e morën nga Berlini e çuan në Londër. Pastaj Anglia e mbajti peng arin sepse për incidentin e Kanalit të Korfuzit, Gjykata Ndërkombëtare gjobiti Shqipërinë, Enver Hoxha nuk e pagoi gjobën dhe Anglia mbajti arin. Zogu I kur iku, mori diku 180 kg ar, pak më shumë se rroga e dy viteve.
Për më tepër për vitet pas 1925, faktet janë krejt publike; ndërtim shkollash, institucionesh, transformim në bashkëpunim me Italinë, jepte mbi 500 bursa në vit për studime në Europë, mori rreth 1000 fëmijë nga Kosova për t’i shkolluar. Fadil Hoxha psh, lider i Kosovës nën Jugosllavi, u pat shkolluar në Shqipëri. Pra, Zogu ishte sundimtar, kishte ekseset e sundimtarit, sepse s’mund ta idolizojmë më tepër se sa e meriton. Mirëpo në shumëzim-pjestim, rezultati që del është pozitiv për shtetin. S’kam pranuar qysh i vogël të jem viktimë e propagandës, gjithmonë kam dyshuar vetë. Prandaj respekti fillestar ka qenë prej studimit. Mandej ndoqa disa intervista të mbretëreshës Geraldina dhe ishte krejt brilante, grua shumë dinjitoze. Intervistën e mbyll duke folur si hungarezo-amerikane me theks matjan, tha: Kam shumë dëshirë me vdek n’Shqipni.
Sebepi i takimit me Princ Leka II, ka qenë Ahmet Zogu, duke e respektuar si nipi i mbretit. Pastaj gjatë njohjes kuptohet më tej njeriu; kuptohet se nuk është as siç duket, as siç e paraqesin. Thjesht njeri zotni, me edukatë të lartë me të cilin mund të bisedohet si me pakkënd në Shqipëri. Herën e fundit para nja dy javësh u takuam me mend 10 minuta sa për të biseduar diçka, mbetëm 2 orë e gjysëm.
Unë dukem sikur ironizoj me të gjithë por është e kundërta; njerëzve që dëshmojnë mirësjellje dhe edukatë dhe qëndrim të lartë në biseda, nuk ua shoh kurrë si shenjë dobësie, po veç si shenjë force e pjekurie. Veç kush s’ka stabilitet mendor e karakterial, bën sjellje ekstravagande e muhabete pa lidhje.
Kështu e pata me qejf që në Lezhë të mbaja një fjalë për Triumfin e Legalitetit dhe ta shoqëroja te memoriali i Skënderbeut. Është edhe njeri që ka shumë batutë dhe pranon batutë edhe mbi tema mbretërore e princërore, madje dhe mbi arin. Të shkon biseda vaj.
Kaq është lidhja dmth, vetëm lidhje respekti si për atë çfarë përfaqëson në kuptimin shtetëror e historik, si edhe personale për një njeri i cili ekonominë e ka në rregull, mundet të shkojë të jetojë në Francë ku i ka të gjithë kushërinjt nga baba e gjyshja por, rri jeton në Shqipëri. Asgjë më shumë se kaq. Këtu po respektohen e nderohen lloj-lloj njerëzish, e s’po respektokam këtë njeri.
Ia bën reklamën me dinjitet sepse as është hajdut as nivel i ulët. Tani pres komentet me ar, tradhëti, Shën Naum, etj. Jepini!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.