Çfarë kohe po jetojmë?!? – nga Ervina Toptani

Gazeta

Koha që jetojmë
Koha që jetojmë
Çfarë kohe po jetojmë?!?
nga Ervina Toptani

Jam mjaft e tronditur nga çfarë ndodh në vendin tonë, me brezin e ri, brezin e së ardhmes!
Mendojmë rëndom se krizat më të mëdha të një shoqërie fillojnë me ekonominë, me politikën apo me probleme njësoj madhore por gabohemi rëndë. Krizat lindin shumë më herët: në familje, në shkollë dhe në mënyrën se si një brez zgjedh të edukojë brezin që vjen pas tij.
Të gjitha krizat për të cilat ne flasim, ato ekonomike, politike, kriza e emigracionit, në të vërtetë janë vetëm simptomat. Sëmundja është shumë më e thellë. Ne po jetojmë krizën e autoritetit moral, krizën e edukimit, krizën e dijes, krizën e njeriut.
Si pedagoge, kam përshtypjen se nuk kemi të bëjmë më me një brez “problematik”. Kemi të bëjmë me një shoqëri që ka humbur aftësinë për të transmetuar kuptim. Dhe kur një shoqëri nuk arrin më t’u japë kuptim fëmijëve të saj, ata do ta kërkojnë atë diku tjetër: tek dhuna, tek poshtërimi i më të dobëtit, tek konsumi i pa kriter, tek fama virtuale, tek droga, bixhozi, në grupet ku agresiviteti quhet identitet.
Në filozofi ekziston një parim i thjeshtë: njeriu nuk vepron mbi atë që është, por mbi atë që beson se është e vërtetë.
Nëse një adoleshent rritet duke besuar se vlera e tij matet me markën e telefonit, me numrin e ndjekësve, me luksin që ekspozon apo me frikën që u imponon të tjerëve, atëherë kjo nuk është më një zgjedhje individuale, por rezultat logjik i sistemit të vlerave që familja pikë së pari e më pas shoqëria, i ka ofruar.
Çfarë modeli antropologjik po prodhojmë? Kriza lind në brendësi të familjes, kur fëmija nuk dëgjon kurrë fjalën “jo”, kur prindi blen kohën që nuk ia kushton fëmijës, lind në kulturën ku suksesi matet me pasurinë dhe jo me karakterin, lind në shoqërinë që e ka zëvendësuar admirimin për dijen me adhurimin për famën.
Sot një pjesë e madhe e prindërve nuk edukojnë më. Ata menaxhojnë dëshirat ku çdo mungesë kompensohet me një telefon më të shtrenjtë, ku çdo faj mbulohet me një “s’ka gjë se e rregullojmë”, ku çdo frustrim shmanget e çdo pengesë largohet.
Psikologjia zhvillimore e ka dëshmuar prej dekadash se një fëmijë që nuk mëson të presë, nuk do të dijë kurrë të vetërregullohet. Një adoleshent që nuk njeh kufi nuk zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë. Ai mëson vetëm një gjë: se bota ekziston për të kënaqur dëshirat e tij. Por, të dashur prindër, edukatorë, çfarë ndodh kur këtyre fëmijëve nuk u plotësohen më këto dëshira?
Fillon dhuna, urrejtja agresiviteti, sepse ky fëmijë nuk ka mësuar kurrë të përballojë refuzimin.
Brezi im janë prindërit e këtyre adoleshentëve të sotëm. Por a ju kujtohet adoleshenca juaj? Tirana e viteve 2000, kishte të rinj e adoleshentë që punonin gjatë verës, që lexonin, përpiqeshin gjithë vitin shkollor të nxirrnin mesatare të lartë në mësime që të studionin mundësisht me bursë. Ne nuk kishim pushime në rezorte e hotele luksoze, nuk kishim veshje firmato e aq me pak telefona high tech që kushtojnë sa rroga mujore e një inxhinieri në Austri.
Sot, prindët po u heqin fëmijëve atë që është pasuria më e madhe e një njeriu: aftësinë për të dëshiruar! Kjo dëshirë nuk lind nga bollëku por nga mungesa, nga përpjekja, nga pritja, nga puna, nga sakrifica. Adoleshentë sot kanë gjithçka, por nuk kanë asnjë arsye për të luftuar për asgjë dhe kjo është tragjedia.
Nuk dua të përmend rolin e shkollës, sepse ky rol tashmë nuk ekziston më. Ka mësues të shkëlqyer që japin shpirtin tek fëmijët e të rinjtë, por ata pak që ekzistojnë janë lënë vetëm dhe atë çka ndërton një mësues i mirë në 6 muaj e rrëzon prindi apo bashkëmoshatarët në 6 orë. Çdo sistem arsimor prodhon tipin e njeriut që shoqëria kërkon.
Nëse shoqëria shpërblen konsumin, spektaklin, arrogancën dhe pasurinë pa meritë, atëherë pikërisht këtë do të prodhojë.
Nëse vazhdojmë kështu, pas pak kohe nuk do të kemi vetëm mungesë profesionistësh por mungesë të theksuar qytetarësh.
Kur një komb humbet aftësinë për të edukuar fëmijët e tij, ai nuk humbet vetëm të ardhmen, por ka humbur kujtesën, identitetin dhe arsyen e vet për të ekzistuar.
Marrë nga Muri i FB, Ervina Toptani, 7 korrik 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit