back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 6 Mars, 2026

“Çfarë ke bërë ti për Shqipërinë?” – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi
“Çfarë ke bërë ti për Shqipërinë?”
nga Rezart Palluqi

Gjatë një bisede me një të njohur, pasi iu shteruan argumentet, më hodhi këtë pyetje dashakeqe:
-Po ti, çfarë ke bërë për Shqipërinë?!
Sigurisht i dhashë një përgjigje, po egjej të arsyeshme t’i përgjigjem edhe publikisht zotërisë në fjalë, pra njëherësh Atij – dhe shumë të tjerëve që përpiqen të lëndojnë miliona mërgimtarë shqiptarë.
Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare e braktisa atdheun, jo nga qejfi por nga halli. Cilatdo qofshin arsyet unë dështova të bëhem hero klasik. S’munda të rrok armën dhe të qëroja nja pesë enveristë vrasës. Ika. Ia mbatha si lepur. Lashë pas komunistët. Lashë pas një karrige bosh, një dhomë gjumi, bosh.
Atdheu u dobësua shtatëdhjetë kilogramë. Mendoja se ndoshta mund të fluturonte më lehtë, pas ikjes sime.
Atdheun tim ta fala ty. Ta them me gjithë shpirt: në djall atdheu, drita e bekuar e diellit që do të pija unë. Gëzoje ti të paktën. Pije çdo mëngjes gotën e dritës sime me diell. Shtriji këmbët më gjerë edhe në karrigen time. Kënaqu me këngët e bilbilëve që do të këndonin edhe për mua.
Këto i thosha vetes sime – dhe ty, nga larg.
Po ti, çfarë bëre për Shqipërinë?
Ti urinon dhe vazhdon të urinosh në uturakun e diktatorit. Unë urinoj në uturakun tim. Ti jo vetëm që nuk e gëzove karrigen e atdheut tim, por nuk arrite as të mbroje karrigen e atdheut tënd. Ta marrin e ta japin kur të duan enveristët. Madje, kohët e fundit, kurrizi yt është bërë karrige ku komunistët ulen me shtatë palë qejfe.
Ti jo vetëm që nuk e gëzove kopshtin që ta lashë, por komunistët po të vjedhin kopshtin e shtëpinë ditën për diell – dhe ti s’guxon t’u nguësh në lule të ballit ca plumba grabitësve të pronës tënde. Më thua se Shqipëria nuk shpëtohet nga Facebook-u, kur ti vetë ke frikë t’i bësh një “like” kundërshtarit të punëdhënësit tënd. Ndërsa unë i akuzoj me emër e mbiemër të gjithë dhunuesit e tu – pa pikë interesi personal.
Habitesh e më thua:
-Ore, pse ulërin ti? Çfarë fiton nga ulërima? E kupton sa shumë ke rënë? Aq sa reagimin instinktiv të çdo njeriu me gjak e dinjitet ndaj padrejtësisë e lidh me interes vetjak. Me vetëdije apo pa vetëdije, po e tregton atë copë atdheu që ta fali i madhi Zoti, për të mbijetuar si skllav me pupla mëndafshi.
Më pyet: pse shkrova një roman për krimet ende të padënuara enveriste, kur mua nuk më ka përndjekur askush përgjat diktaturës.
Më pyet: pse shkrova për çrrënjosjen e qindra mijëra shqiptarëve çamë nga Greqia bizantine, kur s’kam lidhje familjare me Çamërinë. Habitesh, madje zemërohesh, që përkrah letërsisë e ndjek problemet psiko-sociale të Shqipërisë dhe jap kontributin tim.
Ti, më thua, jeton për bukuri. “Mos bëj armiq pa arsye.”
Oportunizmi yt ngjan si dy pika uji me atë të diktatorit.
Është fakt që ti vuan atje. Jeton nën një klimë represive, gati në varfëri të skajshme. Sinqerisht, më vjen keq për këtë. Por edhe s’më vjen keq. Kjo mëdyshje lind nga fakti se jo vetëm që nuk u bëre heroi im – kisha shpresuar se do të gjeje guximin të përballeshe në çdo formë me vrasësit enveristë, derisa t’i dëboje, që unë, frikacaku, të mund të kthehesha në atdhe – por degradove më keq se im atë në kohën e Largqoftit.
Prandaj nuk e kuptoj arrogancën tënde. Siç e sheh, analiza e mësipërme tregon qartë se atdheu yt ka vdekur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
Ndërsa tek unë atdheu shpirtëror jeton plot gjallëri. Sepse, siç është katandisur i mjeri atdhe, ai do të parapëlqente të jetonte në faqet e letërsisë dhe artit të lirë të mërgatës – ashtu siç ka bërë për pesë shekuj me radhë. Të pëlqen apo s’të pëlqen ty, mërgata e ka shpëtuar Shqipërinë duke e ruajtur frymën e saj në shpirt dhe djepin e artit të lirë.
Shkurt, i dashur zotëri:
Ti nuk guxove as të ikësh për të shpëtuar dinjitetin, as të përballesh me të keqen. Privilegji yt është të ruash dhe heroizosh uturakun e diktatorit — edhe pse urina e tij e shtrembër të spërkat shpesh fytyrën.
Shyqyr Zotit, jo të gjithë shqiptarët atje të ngjajnë ty.
Por sot nuk po flas për ata.
Sot kryepersonazhi je ti.
Besoj se tashmë e ke të qartë se ç’kam bërë unë dhe ti për atdheun?
Rezart Palluqi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.