back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Çfarë fsheh interpretimi komunist i Masakrës së Borovës? – nga Genc Hoti

Gazeta

Borovë - Tetor 2008 (foto j.r)
Borovë – Tetor 2008 (foto j.r)

Çfarë fsheh interpretimi komunist i Masakrës së Borovës?

nga Genc Hoti

Eshtë një ngjarje kriminale që është përdorur gjerësisht nga historiografia komuniste si shembull mbi masakrat që hitlerianët kanë bërë mbi Popullin Shqiptar. Në këtë rast nuk diskutoj ngjarjen në krimin e kryer, por aktorët e ngjarjes dhe kohën kur ka ndodhur ngjarja.
Sipas Fjalori Enciklopedik Shqiptar (Tiranë 1985) kjo ngjarje kriminale ka këtë përmbajtje, kur flet për Borovën: “Pushtuesit gjermanë, që u priten me armë nga forcat partizane të çetës “Tomorri” dhe të tri çetave territoriale të Kolonjës, më 6 korrik 1943, si hakmarrje masakruan 107 gra, pleq e fëmijë dhe e rrafshuan Borovën. Për të përkujtuar këtë ngjarje në qendër të fshatit është ngritur monumenti dhe muzeu, janë botuar librat “Borova flet” dhe “Borova…”
Por i njëjti fjalor, po i vitit 2008, i thjeshton problemet duke paraqitur të njejtën situate, por pa emrat e subjekteve partizane të përfshira në konfliktin me gjermanët dhe me një dozë më të tepërt propagandistike. Sipas këtij fjalori, për Borovën shkruhet: “Me 6 korrik 1943, një autokolonë gjermane u godit nga forcat partizane në fshatin Barmash. Si reprezalje forcat gjermane vranë 107 banorë të Borovës dhe e dogjën krejt fshatin. Borova u bë e njohur botërisht si një viktimë e barbarisë fashiste dhe si simbol i qëndresës e i sakrificës së popullit shqiptar në luftë kundra nazifashizmit…”
Por ky botim ka meritën që ka vënë emrin e autorit të këtyre rreshtave: Arqile Bërxholi.
E bukura e historiografisë komuniste është fakti i mospajtimit të analizës së ngjarjes dhe aktorëve të saj në botime të ndryshme.
Vini re se si përshkruhet kjo ngjarje tek: Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, Tiranë 1986, vëll. 2, nënkapitulli “Gjermanët në Shqipëri. Goditja e parë kundër tyre”, f. 291-294. “Nga dy divizionet gjermane që u dërguan në Greqi në fillim të korrikut, divizioni I-rë u përqendrua në rrethet e Janinës e të Prevezës. Për të shkuar në vendin e caktuar ndoqi rrugëkalimin Manastir (Maqedoni)-Follorinë- (Greqi)-Korçë-Ersekë-Janinë… Forcat partizane dhe vullnetare kishin ditë që qëndronin në pritje në grykat e Barmashit, kur në mëngjesin e 6 korrikut në Majën e Qarrit të Kolonjës, u duk autokolona e madhe gjermane. Ajo përbëhej prej 300 kamionësh dhe autoblindash me ushtarë gjermanë, që bënin pjesë në Divizionin I-rë Alpin. Autokolona kaloi edhe Ersekën, por kur arriti në Barmash ndeshi papritur në një mur zjarri.
Në të dy anët e rrugës automobilistike, mbi kodrat në jugperëndim të Barmashit, qenë vendosur në pritë batalioni partizan “Tomorri” dhe disa çeta vullnetare, një nga Panariti, një nga Skrapari dhe të tjerat nga Kolonja… Kolona e makinave ishte aq e gjatë sa s’kishte mundësi të numëroheshin. Përveç kamioneve kishte edhe mjaft autoblinda. Kryengritësit s’qenë më tepër se 300, kurse hitlerianët jo më pak se 5 mijë… Në këto luftime armiku la më shumë se 100 të vrarë e të plagosur. Kurse nga ne u plagosën rëndë 7 partizanë.
Humbjet më të mëdha i pati popullsia. Ushtria vandale hitleriane, e pazonja për t’i arritur partizanët, u lëshua fshatrave të aferta duke vrarë njerëz e duke djegur shtëpi. Me 6 korrik, në fshatin Borovë nazistët kapën dhe pushkatuan 107 veta, kurse në Barmash 8. Ndër ta 64 qenë gra, shumë fëmijë, deri edhe djepi. Shumë nga banorët e Borovës u futën në shtëpinë e priftit të fshatit, duke pandehur se hitlerianët do ta kursenin atë si “njeri të shenjtë”!! Mirëpo ata s’pyetën për asgjë, i morën me prift, me gra, me pleq e me fëmijë dhe të gjithë i kositën me automatikë e me mitraloza. Njëkohësisht, Borovën e Barmashin i bënë shkrumb e hi fund e krye…”.
Duhet të dallohet me lehtësi mospërputhja midis Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare të popullit shqiptar, të paktën në emërtimin e çetës “Tomorri” në batalion “Tomorri” dhe numrin e çetave nga tre kolonjare në disa nga Panariti, Skrapari e të tjerat nga Kolonja. Shtimin e viktimave me 8 nga Barmashi.
Pa dyshim që ky informacion enciklopedik ka qenë burim për shumë enciklopedi të mëvonshme edhe pas 1992-shit. Kështu në Kalendarin Enciklopedik, Tiranë 1998, me autore Aristidh Plaka dhe Ibrahim Xhamaj shkruhet:
“1943: u krye masakra e përgjakshme e nazistëve gjermanë në fshatin Borovë të Kolonjës, që njihet me emrin Masakra e Borovës, ku u vranë e u masakruan 107 vetë ndër të cilët edhe fëmijë, gra e pleq si dhe u dogjën e u rrafshuan të gjithë shtëpitë e fshatit.”
Po kështu në Fjalorin Enciklopedik Baccus (2002, 2011) për Borovën shkruhet pa dyshuar për saktësinë e ngjarjes dhe pa vënë në dukje pjesmarrësit në të:
“Borova. Fshat në rrethin e Kolonjës, ku ushtria naziste gjermane kreu një masakër çnjerëzore me djegien e fshatit dhe vrasjen e shumë banorëve të tij (1943).”
Padija e autorëve të kësaj enciklopedie të fundit, bie në sy kur flet për Safet Butkën, (1901-1943) pa e lidhur me ngjarjet e 1943, kundra hitlerianëve e, për rrjedhojë, nuk ka paraqitur saktë përmasën e Masakrës së Borovës.
Dyshimi për saktësinë e këtij informacioni mbi Masakrën e Borovës lindi nga leximi i një libri që bënte fjalë për ngjarje paralele të asaj periudhe, por pa i përmendur në asnjë rresht qoftë Masakrën e Borovës, qoftë formacionet luftarake territoriale të Kolonjës dhe batalionin “Tomorri”. Bile nga ky libër rezulton në mënyrë konkrete që i gjithë pretendimi i historisë dhe fjalorëve të mësipërm të jetë një fantazi e autorëve të tyre. Sipas autorit: “Ushtria gjermane, në ditët e para pas 9 shtatorit, kur filloi pushtimin e territorit shqiptar, nuk u pengua e nuk u godit nga ndonjë forcë e organizuar ushtarake shqiptare e rezistencës, me ndonjë përjashtim të rrallë e simbolik. Forca kryesore e qendresës antifashiste ishte Ushtria Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga komunistët. Ajo në tri-katër ditët e para të pushtimit nuk ndërmori ndonjë veprim, dhe dokumentet arkivore shqiptare e gjermane në përgjithësi heshtin. Historiografia shqiptare e para viteve ’90 e ka justifikuar këtë vonesë fillestare me mungesën e informacionit nga shumica e komandave partizane për kapitullimin e Italisë, me lëvizjen e shpejtë të forcave gjermane në thellësi të Shqipërisë dhe me përqendrimin e forcave partizane, pak a shumë larg rrugëve automobilistike2” (shënimi 2 thotë: Historia e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare të popullit shqiptar, 3…f. 14-15).
Autori i këtyre rreshtave është historiani i realizmit socialist Paskal Milo në librin e tij “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane”, Tiranë 2016, f. 128.
Analiza e këtyre rreshtave tregon se luftën kundra forcave hitleriane e kanë bërë forcat ushtarake të udhëhequra nga komunistët dhe kjo luftë ka filluar tri-katër dite pas 9 shtatorit 1943. Autori nuk ka përmendur as çetën “Tomorri”, as çetat territoriale dhe as “Masakrën e Borovës” me nënkuptimin konkret se gjithçka fillon pas datës 13 shtator 1943, duke qenë në kundërshtim me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe të vitit 2008.
Kërkimi nëpër veprat dokumentare jashtë shqiptare tregon se ngjarja ka tjetër përmasë dhe të tjerë autorë në tjetër kohë nga data 6 korrik 1943.
Sipas dokumentave britanike rezulton që pretendimi i historianit shqiptar të mos jetë i saktë në shumë përmasa. Në një libër të tillë, me autor Erald Kapri dhe titull: “Sekretet e luftës, Shqipëria tjetër në dokumentet britanike”, Tiranë 2017, f. 238, shkruhet: “Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje me britanikët, u zhvilluan dy beteja nga ana e çetave të Ballit Kombëtar të komanduara nga Safet Butka, e para kundra gjermanëve te kthesat e Barmashit, me datë 13.08.1943, dhe e dyta kundër italianëve, në Pocestë, afër Maliqit, me datë 9-13 shtator 1943. Në aksionin e parë të datës 13 gusht, ku merrte pjesë edhe oficieri britanik Dejvid Smajli, si ushtarak dhe specialist për vendosjen e minave, autokolona e blinduar gjermane pësoi një goditje të rëndë, u vranë 23 ushtarë dhe oficerë gjermanë (18 në goditjen e parë dhe 5 në të dytën) dhe u muarën dokumentet e identifikimit, si edhe u shkatërrua një top 88mm, u hodhën në erë katër kamionë dhe një autoblindë.
Dejvid Smajli, kapiteni anglez i Misionit Britanik në Shqipëri, pjesmarrës aktiv në betejën e Kthesave të Barmashit me 13 gusht 1943, kundër autokolonës gjermane e përshkruan këtë luftë tek libri “Albanian Assignment” London 1975. Me 1993, ky libër u përkthye në shqip (nga Aleksandër-Skënder Dako), duke u botuar, ku autori kishte gradën kolonel dhe përmbajtja, për këtë aksion, pak a shumë përputhet me përjashtim të faktit se forcat e Ballit Kombëtar dhe emri i Safet Butkës, edhe pse përmenden në libër (f. 55), nuk përmendën tipikisht për këtë aksion (f. 56-57).
Analiza e këtyre rreshtave tregon se kemi të bëjmë me të tjera subjekte, me tjetër kohë dhe ngjarja nuk ka atë përmbajtje që na kanë dhënë fjalorët encikpoledikë shqiptarë. Nëqoftëse do ta lidhim Masakrën e Borovës me ngjarjen e datës 13 gusht 1943, rezulton që masakrën e ka bërë kollona gjermane e ardhur nga drejtimi i Leskovikut si hakmarrje për masakrën që u ka dalë përpara syve. Por kjo të çon në përfundimin se luftën kundra gjermanëve ta kenë filluar forcat nacionaliste në bashkëpunim me forcat speciale britanike dhe 9 shtatori rezulton të jetë një sajesë e mbështetur në një akt juridik formal. Nga ana tjetër rezulton që të gjitha interpretimet mbi shkakun e hakmarrjes nga ana e hitlerianëve të jenë thashetheme kafenesh pa asnjë bazë reale.
Por interesant është fakti që edhe burimi britanik nuk bën fjalë për Masakrën e Borovës, duke hedhur dyshime mbi lidhjen e kësaj masakre me sulmin britanik në bashkëpunim me forcat nacionaliste të datës 13 gusht 1943. Kjo të detyron të kërkosh më tej dhe më ndryshe.
Sipas një informacioni që na jep një përmbledhje me dokumente historike: “Shënime për Shqipërinë (prill-korrik 1943); – dokumente historike italiane nga Archivio Centrale dello Stato Direzione Generale Pubblica Sigurezza, Ispettorato Generale presso la Luogotenenza del Re a Tirana 1939-1943”, përgatitur për botim nga Bejtullah Destani & Ethem Ceku, Tiranë 2015, rezulton një ngjarje e përafërt me pretendimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, por pa përcaktuar vendet, aktorët dhe datën e ngjarjes (ky fakt hedh dyshime mbi saktësinë e këtij materiali).
Sipas këtij informacioni (Lajmet e datës 22 korrik 1943) shkruhet: “Gjirokastër – Aksionet e raprezaljes të kryera nga Divizioni i parë alpin gjerman shkaktuan: 120 të vdekur në Borovë (Përmet), 8 të vdekur në Barmash dhe në Gërmenj si dhe të vdekur të tjerë, numri i të cilëve po verifikohet në pjesën tjetër të fshatrave të zonës.
Raprezaljet, dhe në përgjithësi qëndrimi i trupave gjermane në Shqipëri, që kanë marrë bagëtinë, që kanë bastisur disa dyqane ose që kanë paguar me çmime qesharake artikujt e blerë duke kërcënuar, por kritikohen ashpër nga popullsia, e cila bën dallimin me qëndrimin dhe sjelljen e trupave italiane” (f. 574).
E vetmja gjë e përbashkët me përafërsi e këtij informacioni me pretendimet e fjalorëve enciklopedike shqiptare është fakti që pranohet ekzistenca e raprezaljeve dhe vrasja e 120 njerëzve në Borovë rreth datës 20 korrik 1943. Por ka të përbashkët viktimat ne Barmash (8 të vrarë) me Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Duke bërë një përmbledhje të gjithë këtij materiali sa kontradiktor, aq dhe të gënjeshtërt tek disa botime, arrij në përfundimet e mëposhtme:
1-Interpretimi i historiografisë komuniste për “Masakrën e Borovës” fsheh autorët fillestarë të luftës kundra forcave hitleriane, që paskan qenë të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me britanikët. Këtë fakt historiografia e epokës komuniste e ka përmbysur në favorin e saj.
2-“Masakra e Borovës” duhet të ketë ndodhur me datën 13 gusht 1943, nga ana e kollonës hitleriane që vinte nga Leskoviku drejt Ersekës. Kujtesa popullore e mbështet këtë variant.
Shënim: fjala raprezalje në një rast është e shkruar sipas përkthimit nga italishtja, ndërsa ne rastin e fjalorëve shqiptare është shkruar reprezalje. Interesantja qëndron se në Fjalorin Drejtëshkrimor të Gjuhës Shqipe është e shkruar sipas përkthimit nga italishtja, dmth raprezalje.
Tiranë-Ersekë-Borovë-Barmash, 28.07.2018
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.