
Çdo ndërhyrje në trashëgimi: anti-ligjore dhe anti-njerëzore
nga Hajro Çini
Reagimi im në faqen e Lea Ypit,
në lidhje me idenë e saj, për kufizimin e trashigimisë:
Zonja Ypi,
Si pinjoll i njërës nga familjet më të pasura të para 1945 të Shqipërisë, dhe duke qenë se të dy gjyshërit e mi (të dy të dekoruar për aktivitet të shquar kombëtar) asnjëri nuk e arriti Luftën e Dytë, sepse njëri u vra më 1 shkurt 1925, nga Zogu, për llogari të Vërlacit dhe tjetri ndërroi jetë më 1936, unë kam lexuar me shumë vëmëndje aktivitetin e atyre që bënë Shqipërinë, midis të cilëve edhe vëllezërit Ypi, veçanërisht për Rauf Ypin, për të cilin ruaj respekt si një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes.
Në Kongresin Madhështor të Lushnjes, unë kam qenë përfaqësuar nga im gjysh, Salih Çeka si përfaqësues i Elbasanit.
Kur dëgjova për ju, dhe për librin tuaj “E lirë”, sapo më ra në dorë, lashë në mes, një kryevepër të Bertrand Russell “Introduction to Mathematical Philosiphy” dhe e fillova me shumë qejf.
Të them se u zhgënjeva shumë, druaj se shpreh shumë pak. Për mua ishte libri më i mërzitshëm që unë kam lexuar pas vitit 1992, sepse prisja një gjë tjetër, dhe më doli një plagjarizëm i zbehtë i “Ditarit të Ana Frankut”. Unë lexoj 15-20 libra në vit, për të mbaruar tuajin, mu deshën tre muaj.
Nëse të parët e tu janë përpjekur të të ruanin nga paragjykimet e kohës, dhe nëse vërtet nuk të kanë ekspozuar, siç shkruani ju, me Universitetet e Burrelit apo të Spaçit, ata të kanë dëmtuar shumë rëndë, sepse të kanë rritur si një zog inkubatori, pa absolutisht asnjë ndjesi për realitetin.
Por unë nuk e besoj se ata e kanë pasur atë mundësi, siç tentoi i ati i Ana Frankut.
Sepse të parët që mund t’jua kenë përmëndur kanë qenë fëmijët e fillores. Nëse ata nuk do ta kishin bërë do ta bënin, në sy të tyre, mësuesit, që në fillore.
Personalisht ruaj kujtime të mrekullueshme për tre mësueset e mija të klasës së parë, tretë dhe katërt, që më trajtuan me shumë dashuri dhe kujdes.
Por mësuesi (komunist) i klasës së dytë e shprehte hapur, në klasë, burgun politik të tim eti. Po kështu edhe në tetëvjeçare apo gjimnaz.
Unë nuk them se të gjithë mësuesit ishin, jo-mësues, por asnjë shkollë nuk kishte imunitet.
Mësuesit e mi të gjimnazit të Matematikës dhe Kimisë, ku unë shkëlqeja, i kam edhe sot miq, se ishin edhe njerëz edhe mësues.
Po ai i fizikës bënte luftën e klasës.
Prandaj unë nuk e besoj, se ju, nuk dinit gjë për burgimet e njerëzve të tu para 1990.
Lëre pastaj ajo dashuria për Envern që është hipokrizi e gjallë.
Tani në lidhje me konceptin tuaj të kufizimit të trashëgimisë, kur ajo trashëgimi krijon monopolin.
Trashëgimia, që është vënë në mënyrë të ndershme, dhe se ata që e kanë vënë, kanë paguar rregullisht 1/40 (2.5%) për njerëz në nevojë, pra kanë kryer shërbimin hyjnor, si dhe kanë paguar rregullisht dhe ndershmërisht taksat e nivele të ndryshme të qeverisjes, ajo që u ka ngelur, për të jetuar dhe lënë trashëgim fëmijëve, është pasuri e ndershme që i takon atyre dhe vetëm atyre.
Çdo ndërhyrje për t’ja marrë atë trashëgimi është jo vetëm anti-ligjore por edhe anti-njerëzore, sepse ajo tendencë, domethënë kufizimi, me dhunë, (ndërhyrje shtetërore) i trashëgimisë, krijon premisa për frenim dhe demotivin të zhvillimit.
Kur trashëgiminë legjitime do ta marrin, pse duhet të punosh për ta rritur atë?
Çështja e monopolit, është gjë tjetër. Monopoli është i dëmshëm si për konsumatorin, si për ekonominë ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Shtetet të ndryshme kanë krijuar ligje anti-monopol.
Po monopoli mund të krijohet edhe nga aktiviteti fillestar i një njeriu apo grupi bashkë punëtorësh, pa pasur ndonjë pasuri të trashëguar.
Pse të paska shqetësuar ty kaq shumë trashëgimia?
Marrë nga Muri i FB, Hajro Çini, 21 janar 2026