
Camaj e Zorba tue shetitë nën aromat e blinjve të Piacës*
nga Stefan Çapaliku
Me rastin e 33 vjetorit të largimit të Zorbës shqiptar
Qeshem me vete kur lexoj aty-këtu se Zef Zorba, me poezinë e vet, na qenka ndikue nga Martin Camaj, sepse si sot e mbaj mend portretin e tij mbas hekurave të dritares së dhomës time të ndenjes, bri të cilave kalonte shtegu i shtruem me pllaka trotuari dhe me vllaj lulesh anash, për të shkue te shpia e Sumajve, kur i pata huazue për me lexue nji e nga nji të gjashtë vëllimet e zgjedhuna të Martin Camajt, që nuk kishin shumë që m’kishin ardhë me postë nga vetë autori, dhe që Zorba i pati përpi me nji kuriozitet fëminor.
Asokohe ai më kishte dorëzue për lexim, jo pa nji farë droje, vëllimin e vet të vetëm, testamentin poetik, “Buzë të ngrime në gaz”, prej të cilit unë qeshë hutue kaq shumë, sa me i ba hije, librave që më patën mbërritë me “postë sendesh të shtypuna”, siç paraprakisht më pati shkrue Martini.
Kur u takuem ballë për ballë, diku në nji kafene të mjerë të Shkodrës, me emnin “Lux”, që merrte frymë me zor, shpengue disi prej lakut komunist, ai nisi të më fliste për madhninë e Martinit të saponjohun dhe unë për madhështinë e atij vetë, gjithashtu të panjohun deri në atë çast.

Isha kaq i befasuem prej dorëshkrimit të tij, sa medet që nuk kam mbajtë mend asgja prej habisë së tij poetike, të shkaktueme prej Martinit, që unë rastësisht i kisha pas dhurue, ashtu krejt padashje, nëpërmjet disa orëve të lumtuna leximi.
Jam i sigurt se kështu do kish reague edhe Martini vetë, sikur t’mos kish ndërrue jetë disa muaj ma vonë, në çastin kur do t’i kish ra në dorë libri i Zorbës, “Buzë të ngrime në gaz”, por ai u nis për atë botë pa pasë mundësi me u zhytë ndër ujnat e nxehta të poezisë së Zorbës, së krijueme paralel me të tijën, sepse nuk donte mend që e gjitha kjo kishte të bante me fatin tonë cung, me pamundësinë e pikpjekjeve të njerëzve, që e kishin jetue jetën e vet larg gjanave që dëshërojshin.
Ma vonë, shumë kohë ma vonë, i kam imagjinue të dy duke shëtitë nëpër pjacën e qytetit tonë, ashtu të hollë e të gjatë, të bukurituem prej nji drite që buronte nga vetë ata, mbështjellë me aromën e blinjve, që i kishin shpërthye mbi krye si të ishin kunora lavdie, dhe me nji kravatë të vetme, të gjatë, me ngjyra-ngjyra, që përfundonte ndër ekstreme me dy nyje, që mbështillnin lirshëm jakat e zbërthyeme të këmishave, rreth qafave të tyne të holla…
Stefan Çapaliku, Tiranë, 06 janar 2026
*Titulli redaksional