
“Ca njerëz të lodhur, ca njerëz të trashë” – nga Faik Konica
100 vite më parë
100 vite më parë, më 8 Tetor 1925, Faik Konica botoi në gazetën “Dielli” një artikull që i drejtohej Fan Nolit. Titulli ishte: “Ca njerëz të lodhur, ca njerëz të trashë”.
Ndër të tjera, Konica shkruan:
“Fan Noli dhe unë kemi lëftuar disa vjet që t’i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmed Zogu ka lëftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmed Zogu na mundi, dhe na mundi me themel. Ndryshimi në mes të Fan Nolit dhe meje është që unë e di se jemi të mundur dhe të mundur paq, kurse ish shoku im s’ka haber që hëngrëm dru.
Ahmed Zogu na ka mundur në çdo shesh. Ahmed Zogu dhe ne duallmë përpara popullit për votë. Ahmed Zogu mori kurdoherë shumicën dhe kurdoherë na mundi.
Ne, me frazët t’ona bombastike kallmë anarqinë anë e mba’anë të Shqipërisë, kurse stërvitja jonë intellektuale duhej të na kish bërë të zotët, të pakën në theori, t’i jipnim popullit një frymë rregulle. Ahmed Zogu, nga ana tjatër, me instinktin gjenial të tij e vuri turmën nën një disiplinë e cila, sado e mërzitshme, është më e dobishme se anarqia jonë. Edhe në këtë shesh na mundi Ahmed Zogu.
I mir a i lik Ahmed Zogu është mundës.
Ne, më të mirë se ay, jemi të mundur.
Munt t’a urrejmë Ahmed Zogun po duhet të njohim se është më i zoti, shumë më i zoti se ne.”
Shënojmë se asokohe, Ahmet Zogu ishte 30 vjeç.
Marrë nga Muri i FB Gazmend Bakiu, 8 tetor 2025