
Burrat e Motit
tregim nga Ramiz Gjini
Kjo ngjarje e ndodhur në Asenë, ngase ka udhëtuar gjatë vesh më vesh, ka ardhur duke u cunguar disi për shkak të largësisë në kohë; si dhe për faj të rrëfyesve pa imagjinatë. Por, unë qeshë me fat, sepse ma pat treguar plaku i shtymë në mote, Mark Iveza, i cili, pas verbimit nga sëmundja e glaulomës në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, jetoi edhe njëzetë e nëntë vite të tjerë.
Gjatë atyre viteve, ai mësoi të shikonte me sytë e mendjes dhe të përjetonte përhitas, përpos të kaluarën që kish jetuar vetë, edhe imazhe të kohës së të parëve tanë të largët; imazhe që i përhiteshin në mendje nga rrëfenjat që kish dëgjuar.
Në kohën kur ka ndodhur ngjarja që po rrëfejmë, malsorët e Asenës, qenë njerëz të thjeshtë, kryesisht, bujq e blegëtorë të zotët; të lidhur fort me mish e me shpirt pas tokës që u siguronte jetesën. Aq të lidhur ishin sa, toka frymëmerrte prej tyre; gjithashtu, edhe ata merrnin frymë prej saj.
Me t’ju afruar Asenës, ata zunë vend në një kodër, kurrizi i së cilës, zgjatej me një pjerrtësi të butë deri buzë lumit Dosta. Aty ngritën çadrat, sepse po mbuzej nata; vendosën roje në të katër anët, u dhanë tagji kafshëve të ngarkesës, hëngrën nga ushqimet që kishin marrë me vete dhe u shtrinë të flinin.
Të nesërmen, me të zbardhur agu i mëngjesit, u duhej të nisnin sipas planit, një sulm shfarosës në Asenë. Por, në Asenë, ashtu si gjithkund tjetër, nata kishte veshë dhe dita kishte sy, ndaj, nuk shpëtuan dot pa u pikasur.
Gojëdhëna nuk na sjell detaje të hollësishme. Por, një gjë është e sigurt: asokohe të largët, burrave të Asenës, nuk u duhej një i parë që t’u thoshte ç’duhej bërë, nëse këmba e barbarëve të huaj shkelte tokën e tyre.
Pas mesnatës, u dha kushtrimi dhe, sa çel e mbyll sytë, burrat e Asenës u ngritën nga shtretërit ku flinin dhe, pa u veshur e mbathur, ashtu siç ishin, vetëm në brekë e këmishë të bardha, rrokën shpejt shpatat, hanxharët, thikat, sëpatat, cfurqet e gjithçka tjetër që u kapi dora, dhe u turrën drejt barbarëve. Vraponin e vraponin të lehtë si era, pa u ndalur asnjë çast, pa nxjerrë asnjë fjalë, asnjë zë, as edhe një pëshpërimë…
Mbërritën te kampi i barbarëve, si të ishin një trumbë skifterësh krah’hapur që bashkë me erën, bëjnë përpara duke çarë qiellin pa u ndjerë. Aty vranë rojet që i kapën në baft, sepse po dremisnin; hynë me teftik brenda çadrave dhe, për aq kohë sa mund të zgjasë ulërima e një ujku të vetmuar, i masakruan të gjithë. Pastaj lan aty një grup të rinjsh që të merreshin me kufomat, kafshët e barrës dhe plaçkën e luftës; dhe, ashtu siç ishin, të zbathur nga këmbët, vetëm me brekë e këmishë të bardha, – tashmë të përgjakura, sërish pa u ndjerë, pa nxjerrë asnjë fjalë, asnjë zë, as edhe një pëshpërimë, u nisën që të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ku i prisnin gratë dhe fëmijët; dhe ku u duhej të rroknin parmendat, sepse ishte pranverë dhe lypseshin punuar e mbjellë tokat, që u kish ardhë vlaga.
Patën përshkuar gjysmën e rrrugës kur, mbathësi i kuajve Niko Trushi, u kujtua që nuk ia kishin zënë sytë kushëririn e tij të dytë, Ulkon.
Kushëriri Ulko Trushi, tridhjetë vjeç, merrej me tregëti. Ai udhëtonte dy javë vajtje – ardhje, për të sjellë me mushka kripë nga Sinadha në Asenë; si dhe qe lidhur me tregëtarë të qytetit të Manastirit; ku dërgonte atje bulmet dhe lëkurë bagëtishë; kurse në kthim sillte pëlhura.
Menduan që mund të kishte mbetur i vrarë te çadrat e barbarëve, por, teksa çapiteshin rrugës me këmbët e zbathura e të përgjakura, për çudi, ata shquan se si, përballë tyre, po afrohej nxitimthi Ulko Trushi.
Qe veshur e mbathur mirë. Në kokë, kish vendosur një kapele turke të quajtur bërk, punuar prej lëkure qengji, me të cilën krenohej shpesh. Dhe kishte hak; sepse ajo kapele, kishte vetinë të ndryshonte formë sipas stinës dhe kohës. Kurse në brez, Ulko mbante një shpatë të hollë e të mprehtë me dorezë fildishi, stolisur me filigramë sërmi. Këtë shpatë, ai thoshte, jo pa krenari, se ia kish pas falur në Manastir, një turk me namë të madh, i quajtur Javuz Sulltan Selim Hani, i cili, na paskësh luftuar pesë vjetë rresht kundër një far Ismaili.
Me t’u afruar, mbathësi i kuajve, Niko Trushi, teksa e vështronte kokërr ndër sy i mbushur dëng me urrejtje, pa thënë asnjë fjalë, i rrasi kushëririt të tij një biçak në kraharor, vetëm pse në çastet kur qe dhënë kushtrimi për t’i dalë zot vatanit, ndryshe nga të tjerët, kishte pas kohë për t’u veshur e mbathur.
Marrë nga Muri i FB Ramiz Gjini, 21 tetor 2025