back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Burgjet e Ejëll Çobës nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Ejëll Çoba
Ejëll Çoba

Burgjet e Ejëll Çobës

nga Kastriot Dervishi

Më 8 prill 1970 komandanti i repartit nr.321 në Burrel (burgu i atij qyteti), Nazar Demiri, plotësonte fletën e lirimin të daljes nga burgu të një të dënuari politik. Quhej Ejëll (Engjëll) Çoba, djali i regjentit të Shqipërisë Gjon Çoba, dikur gjyqtar, avokat, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme. Ishte arrestuar më 2 nëntor 1946, pasi ishte vetëdorëzuar. Në fletën e lirimit shënohej se lirimi i tij bëhej “me plotësim afati” dhe se në burg kishte mbajtur qëndrim indiferent. Ky njeri kishte hyrë në burg në moshën 39 vjeçare dhe pasi kishte vuajtur 25 vjet, dilte nga ferri i Burrelit në moshën 64 vjeçare, me jetë të shkatërruar por me ndërgjegje krejt të pastër.
Të shkruash sot për një njeri që ka bërë 25 vjet burg pa ndërprerje nuk është e lehtë.
Nuk ka sesi të duket e lehtë. Shqipëria konkurron në këtë pikë me komunizmin sovjetik. Mjafton të përmendesh faktin se në ish Republikën Demokratike Gjermane vetëm dy persona kishin vuajtur nga 8 vjet burg secili. Kësisoj qëndrestarët antikomunistë të Shqipërisë janë vërtet unikalë në rezistencën e tyre dhe natyrisht në besimine përhershëm që regjimi që ato nuk deshën do binte një ditë.

Hetuesia

Më 10 janar 1947, hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Abdyl Hakiu merr në pyetje Ejëll Çobën. 39 vjeçari kishte kryer në vitin 1917 shkollën e jezuitëve në Shkodër. Mësimet e mesme jezuite i kishte ndjekur në Breshia të Italisë në Institutin “Aracci”, shkollë të cilën e kishte mbaruar më 1928. në vitet 1928 – 1932 ndjek Fakultetin e Drejtësisësë Universitetit të Romës. Më 1933 pasi kishte disa muaj që kishte ardhur në vendlindje, emërohet ndihmësgjyqtar në Berat. Në verën e vitit 1934 është graduar gjyqtar pajtues në Vlorë. Në tetorin e 1935 u gradua ndihmësgjyqtar fillor në Korçë. Këtu ka shërbyer deri në janar 1939. Pas kësaj kohe vjen me të njëjtën gradë në Tiranë. Në gjykatën e kryeqytetit, duke qenë vendi vakant kishte ushtruar edhe detyrën e kryetarit.
Familja e tij përbëhej prej 4 vetash: nëna Pina, vëllai Mikel me profesion avokat (i cili kishte mbaruar për drejtësi në Torino dhe kishte qenë diplomat i MPJ-së, madje sekretar në legatën shqiptare në Beograd deri më 7 prill 1939), vëllai Filip, me profesion nëpunës banke dhe motra Nikolina. Maliq Bushati e kishte thirrur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë:
“Jam ngarkuar të formoj qeverinë e re me këto ministra (tregon anëtarët e kabinetit).
Unë nuk kam qenë ndonjëherë kryeministër, s’di mbi veprimet. Po ashtu edhe sekretari i përgjithshëm është i ri. A vjen edhe ti si ndihmësministër të më ndihmosh mua?”
Më 10 shkurt 1944 ishte thirrur nga Rexhep Mitrovica ku i kishte komunikuar se do t’i jepnin detyrën e ndihmësministrit të Punëve të Brendshme. Regjenti Patër Antin Harapi, me të cilin ai kishte miqësi, e kishte thirrur dhe i kishte thënë se kishte bërë mirë që e kishte pranuar atë detyrë.
Pastaj ai shpjegon drejtoritë që kishte pasur Ministria e Punëve të Brendshme dhe funksionimin e tyre. Këto shpjegime i duket të çuditshme dhe të vlefshme hetuesit. Natyrisht ai (hetuesi) nuk e dinte se ligji organik i MPB-së dhe detyrat e saj ishin të botuara në “Fletoren Zyrtare”. Për informatorët e Zyrës Politike ai thotë se ata ishin në varësi të prefektëve dhe qarkkomandantëve. Vetë Xhaferr Deva kishte një rrjet të tij personal. Në popull ai kishte dëgjuar se ngjarja e 4 shkurtit 1944, kishte lidhje me vrasjen e nipit të Xhaferr Devës, por rol të rëndësishëm kishte pasur Xhelal Staravecka. Hollësi për këtë ngjarje nuk dinte pasi nuk punonte në MPB në këtë kohë. Kryeministri Mitrovica i kishte kërkuar llogari Xhaferr Devës disa ditë më pas.
Po në këtë kohë, Ejëll Çoba kishte ndihmuar hebrenjtë, gjë që dokumentohet edhe nga shkresat zyrtare. Natyrisht kjo nuk vlente për hetuesinë komuniste.

Ejëll Çoba - Jetë e Humbur
Ejëll Çoba – Jetë e Humbur

Procesi gjyqësor

Më 20 maj 1947 Gjykata Ushtarake e Garnizonit Tiranë, e formuar prej major Gjon Banushit (kryetar), nëntoger Vasil Karajanit dhe aspirant Xhevdet Fishku (anëtarë) duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakani, merrte në gjykim 35 vjeçarin Ejëll Çoba, avokat në profesion, i pamartuar, me arsim të lartë, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, në gjendje ekonomike të mirë, mbrojtur nga avokat Aristidh Totozani. I përmenduri deri më 2 nëntor 1946 kishte qëndruar i arratisur. Datën e përmendur ishte vetëdorëzuar në mbështetje të një ligji që kishte dalë atë kohë. Çoba akuzohej për bindjet e tij politike si dhe për funksionet që kishte pasur në administratën e shtetit shqiptar.
Prokuroria e akuzonte në bazë të nenit16 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Për faje kundër popullit”. Çoba akuzohej se kishte marrë pjesë në kabinetet e Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Rexhep Mitrovicës, etj, se kishte qenë i lidhur me Ballin Kombëtar, Legalitetin dhe Indipendentët, se kishte marrë pjesë në formimin e batalionit të Dedë Jakovës, se kishte qëndruar gati 2vjet në ilegalitet, etj.
Ndër të tjera Çoba pohonte: “Fashizmi italian më ka gjetur anëtar të gjyqit në Tiranë, nuk kam pasur dijeni mbi ardhjen e fashizmit. Këtë e kam konsideruar si okupacion. Unë studimet i kam kryer për të studiuar dhe shpenzimet i kam pasur të gjitha të miat. Përfitimi ishte se gjyqtar isha dhe gjyqtar mbeta. Italia të gjitha punët në Shqipëri i bënte për interes të saj, por edhe ne kemi pasur një dobi. Unë nuk kam pasur ndonjë simpati për atë si doktrinë. Në kohën e Italisë kishte punë publike dhe ekonomia ishte përmirësuar. Qëllimi i fashizmit ishte kolonizimi i vendit tonë, por unë besojse ai do tërhiqej dhe pas tërheqjes veprat e ndërtuara do t’i mbeteshin Shqipërisë”. Çoba deklaronte se pas Luftës Italo-Greke (prill 1941), Italia i preu investimet që kishte nisur qysh prej mesit të vitit 1939.
Ejëll Çoba kishte shërbyer gjatë vitit 1942 si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në kohën kur kryeministër ishte Mustafa Kruja. Pas rënies së kësaj qeverie, në janar 1943, ai kishte ushtruar profesionin e avokatit. Pasi kishte ardhur e shkuar qeveria e shkurtër e Eqrem Libohovës, në 14 shkurt 1943 kishte ardhur qeveria e Maliq Bushatit. Ky i kishte bërë një ftesë për të punuar si ndihmësministër për Punët e Brendshme. Në atë kohë sapo ishte vendosur funksioni i ndihmësministrave. Sipas formulimit të kompetencave, nënministri kishte kompetenca administrative po nuk mund të ushtronte të drejta që i kishte vetëm ministri.
Gjyqtarët injorantë dhe budallenj të këtij procesi nuk e kuptonin se sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk mund të nënshkruante akte në emër të kryeministrit, por vetëm mund të vërtetonte ato si origjinale. Kësisoj procesi gjyqësor shkon në disa faqe me pyetje – përgjigje, gjëra që mund t’i shkonin një muhabeti të gjatë por jo një procesi që pretendonte të ishte gjyqësor. Edhe gjuha e përdorur nga sekretarët e procesit gjyqësor është kaq qesharake saqë mbiemri i personit në fjalë herë shkruhet “Çoba” dhe herë “Çobo”, për të mos folur për sa e sa emra të tjerë që duhet pak kohë për t’i kuptuar se cilët janë në të vërtetë.

Pretenca e prokurorit

Prokurori komunist Petrit Hakani lexonte para trupit gjykues një pretencë të ashpër ku merrej në analizë Mustafa Kruja, Maliq Bushati, Xhaferr Deva, etj, por ku nuk dilte asnjë akuzë e drejtpërdrejtë për të akuzuarit Ejëll Çoba. Përmenden numra protokolli, fraza të shkëputura, etj, por në asnjë rast nuk del përgjegjësia e personit që ishte sjellë përpara gjykatës si “krimineli më madh” i kohës.

Dënimi

Akuza e quan fajtor për shkresa ku Çoba nuk ishte personi vendimmarrës pasi sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, kryente njohjen e akteve për ministritë përkatëse.
Për të gjitha këto, pas 8 ditësh gjykim,më 28 maj 1947 në bazë të nenit 16 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, gjykata e dënonteme vdekje.

Vendimi i formës së prerë

Nëna e Ejëllit, Pina Çoba duket shumë herë më e informuar për ligjet e vendit. Në një letër që i drejton Prokurorisë së Përgjithshme më 30 maj 1947, ajo i kujtonse dekret ligji nr.339, datë 28.10.1946 i falte jetën personit që ishte vetëdorëzuar. Në këtë mënyrë ajo kërkonte heqjen e dënimit me vdekje për djalin e saj.
Vendimi i shkallës së parë i përcillet për gjykim përfundimtar Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Kjo më 16 qershor 1947, duke marrë parasysh atë që nuk kishte vlerësuar gjykata e një shkalle më poshtë, vendosi kthimin e dënimit nga me vdekje në burgim të përjetshëm.

Familja Çoba
Familja Çoba

Kujtimet e Beqir Ajazit për burgun e Burrelit

Qeveria komuniste kishte grumbulluar aty në burg të Burrelit tërë ajkën e patriotizmit e burrënisë shqiptare si nga ata të krahinave, si dhe nga ata që e kishin qeverisur Shqipërinë një jetë të tërë. Një ndër këta ishte dhe Hirësia e tij Visarion Xhuvani, ish kryetar i kishës, ish senator, po ishte njëheri patriot i madh që kishte shërbyer si arkitekti kryesor i themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale. Pastaj vinin dhe pleq shumë të moshuar si Dine Dema, Islam Dragoti nga Dumreja, Xhemal Naipi, Xhavit Leskoviku, Ramazan Jarani, Xhevat Korça, Tefik Mborja, Sami Koka, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Et’hem Cara, Patër Klement Miraj, Patër Mehill Mira, Ejëll Çoba, Hamid Kupi, Enver Hasa, Elez Tahiri, Sheuqet Muka, Sharaf Karagjozi, Kasem Haderi, Sami Udenishti, Kristo Kirka, Isuf beg Çela, Seit beg Çela, Ali Maliqi, Syrja Golja, Qerim Nasufi, Koço Tasi, Jazo Ajazi, Shuk Gurakuqi, Akile Tasi, Sejfi Vllamasi, Zihni Dervishi, Xhemal Kusi, Fiqri Llagami, Vangjel Manushi, Doktor Lush Pogu si dhe shumë e shumë të tjerë emrat, e të cilëve do të na çonin gjatë.
(Marrë nga libri “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan” dhe Gazeta “55”, 2011)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.