back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 27 Mars, 2025

Bujar Kapexhiu: Amaneti i fundit i Ferdinand Radit – nga Aida Tuci

Gazeta

Bujar Kapexhiu
Bujar Kapexhiu
Bujar Kapexhiu: Amaneti i fundit i Ferdinand Radit
nga Aida Tuci

Sa herë që i afrohej grumbullit të dosjeve në raftin e bibliotekës që të kërkonte ndonjë material, dora i prekte gjithmonë dosjen me etiketën e vendosur në qoshe: “Humor nga Ferdinand Radi”. Aty ndalonte një çast. Dora rrinte pa lëvizur mbi kapak. Edhe ritmi i frymëmarrjes i ndryshonte. “Kur? – pyeste veten. Kur do mundem ta botoj?” Dhe ja erdhi momenti që Bujar Kapexhiu të përmbushte amanetin e fundit të mikut të tij, aktorit të njohur, dramaturgut dhe humoristit Ferdinand Radi.
Libri “Menu me barcaleta për të gjitha gustot” ka dalë në treg. Për Bujar Kapexhiun që ka ilustruar mrekullisht librin me karikaturat e tij, ky ishte plotësimi i amanetit të mikut të skenës dhe humorit.

Ferdinand Radi (1942-2004)
Ferdinand Radi (1942-2004)

Çfarë është ky libër që ju e konsideroni si amanetin e fundit të aktorit Ferdinand Radi? – Ky është një libër që gjithkujt që e lexon do t’i dhurojë buzëqeshje. Dhe erdhi momenti dhe libri u botua falë kontributit të biznesmenit Dodë Doçi, i cili menjëherë e përkrahu idenë time për ta përmbushur amanetit e fundit të Ferdinand Radit.
Ky është dorëshkrimi i fundit i tij apo ka dhe të tjera? -Nuk besoj se ka dorëshkrime të tjera. Ky është dorëshkrimi i fundit që ka lënë pas Nandi. Nuk arriti dot të shkruante më. Unë mora aq sa ai arriti të shkruante deri në fund të jetës. Ai e priste librin të dilte, por nuk arriti ta shihte. Prandaj unë ndjej shumë kënaqësi sot që libri u botua.
Libri është ilustruar nga karikatura të realizuara prej jush, ku në qendër të të gjithë personazheve është e njëjta figurë, ajo e Ferdinand Radit, por herë si kuzhinier, herë si statuja e lirisë, herë si kërmill, boksier etj. Kjo është e qëllimshme nga ana juaj? – Unë gjeta variantin që të gjitha personazhet e barcaletave të shkruara prej tij t’u vija fytyrën e Nandit. Po të shihni librin, ai është vizatuar si ambasador, kuzhinier, prift, Skënderbe, kërmill, politikan etj. Në të gjitha idetë që kam pasur për të vizatuar këto karikatura jam frymëzuar pikërisht nga barcaletat e tij. Të gjithë këta janë personazhe humori në këtë libër të shkruar prej Nandit, ku ai thumbon me humorin.
Shumë barcaleta janë vërtet thumbuese, madje dhe politikisht. Këto janë shkruar para apo pas viteve ’90?Këto që janë në libër janë shkruar pas viteve ’90. Humori i tij gjithmonë ishte shumë goditës dhe herë pas here shumë i ashpër, sidomos me politikanët, por dhe kundër diktaturës. Ka qenë një nga njerëzit e parë që ka folur për lirinë, për demokracinë. Vinte nga një familje e persekutuar dhe u aktivizua kundër diktaturës që në vitet e para.

Nand Radi nga Bujar Kapexhiu
Nand Radi nga Bujar Kapexhiu

A kishit vështirësi për ta skalitur figurën e tij në karikaturë?Jo, ai ishte tip që realizohej shumë me lehtësi. Në karikaturë ka tipa që është vështirë t’u bësh karikaturë, sepse kanë disa tipare të rregullta që nuk spikasin, si në një fotografi, dhe s’kanë asgjë të veçantë. Kurse Nandi kishte tipare që spikasnin, trupmadh, hundën të mbledhur, flokë të rëna. Pra, ishte shumë kollaj për t’u kapur në karikaturë si personazh.
I pëlqenin karikaturat tuaja, nuk kishte hatërmbetje për ndonjërën prej tyre?Padyshim që i pëlqenin karikaturat e mia. Ai më kërkonte dhe kishte nga një kopje për çdo karikaturë. Ai ishte një natyrë që e pranonte shumë humorin. Madje bënte humor dhe me veten. Bukuria e tij këtu qëndronte se fillimisht tallej me veten dhe bënte humor me veten, pastaj me të tjerët.
Ky është libri i parë i tij me barcaleta?
Ky është i dyti dhe i fundit fatkeqësisht. Unë me Nandin e kemi filluar bashkëpunimin shumë e shumë vite më parë, kur ai më shprehu dëshirën se donte të botonte një libër me anekdota. Më propozoi që kopertinën e librit t’ia bëja unë. Libri i parë pati shumë sukses dhe kështu ne të dy nisëm punën për librin e dytë, të cilin ai nuk arriti ta shihte të botuar, e që unë e sjell tani për lexuesin shqiptar. Gjatë kohës që po përgatisnim pikërisht këtë libër të dytë ai u largua nga kjo jetë dhe ky libër për mua mbeti si amaneti i tij i fundit.
Kur do ta promovoni librin? – Promovimin e librit do ta organizojmë shumë shpejt, ndoshta në Teatrin Metropol. E kam konceptuar si një spektakël, ku aktorët të interpretojnë për publikun disa nga barcaletat që janë botuar në libër, shoqëruar sigurisht në sfond edhe me karikaturat që ilustrojnë librin.
Si e keni njohur Ferdinand Radin?Ferdinandi ka qenë specialist në Uzinën “Partizani”, por ishte shumë i pasionuar pas teatrit dhe sportit. Gjithmonë aktivizohej me grupet teatrore, në festivale të ndryshme, ku ka fituar edhe çmime. Ka qenë aktor dhe dramaturg. Ishte Kujtim Spahivogli ai që e spikati Nandin si talent dhe e mori me teatrin e të rinjve pranë Akademisë së Arteve. Pas kësaj u angazhua me shumë filma dhe së fundmi ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Unë e kam njohur në teatër. Ai na bashkoi atë si aktor e mua si regjisor. Një miqësi që zgjati deri ditën e fundit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.