back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Bredhi i Krishtlindjes… për Vitin e Ri. tregim nga Gjergj Kola

Gazeta

Bredhi i Krishtlindjve
Bredhi i Krishtlindjve

Bredhi i Krishtlindjes… për Vitin e Ri.

tregim nga Gjergj Kola

Pak rreshta mbi tregimin dhe autorin e tij Gjergj Kola…

Gjergj Kola asht sa poet aq edhe prozator.
Po ma shumë se i tillë, (në kët kohe vetshpalljesh që shpesh të shkakton nji buzqeshje paksa ironike), Gjergj Kola asht Poet dhe Prozator mjaft i mirë, përfaqsues i spikatun i nji fryme të re në letërsinë shqipe ku e vërteta, simbolikat e saj, koncepti modern, nënteksti apo edhe gjuha e përdorun prej tij, të bajnë me u ndje mirë e me reflektue, pse jo, edhe me e kqyrë vëmendshëm shumçka të ndodhun në të djeshmen kolektive e të përcjelluna mjeshtërisht edhe në të sotmen disi tragjikomike. Gjergj Kola me prozën e vet, ban përpjekje të vazhdueshme me e pa të ket të djeshme nën dritën e nji sarkazme, duke konvergue te nji ngjarje, tregim apo personazh i tij, krejt ato deformime kolektive që i injektoi dhunshëm koha e nji sistemi të deformuem, të cilën prej gati tri dekadash “e shamja veç për sy e faqe…”, prej atyne që ishin ma të zellshmit sherbestarë të tij, duket se po i jep asaj kohe, njashtu si pa u ndje e pa fort zhurmë, legjitimitetin tragjik të rikthimit…
Gjergj Kola, në kët tregim pikant e të rafinuem, asht marrë me Bredhat e nji Festë të Madhe, që festohet prej nji shumice të konsiderueshme të kësaj Bote, dhe e ka qendisë hollsishëm groteskun e ndërthurun të realitetit shqiptar, të djeshëm e të sotëm, me nji gjetje fantastike dhe me nji nëntekst të kandshëm e tejet reflektiv… meritë e gjithë atyne që e zotnojnë mirë landën që shqyrtojnë…
S’më mbetet tjetër vecse me e urue Autorin dhe me e falenderue për kët frymë që ka përcjellë në krejt tregimet e veta, para lexuesve të botës virtuale…
Jozef Radi
23 dhjetor 2014

***

Hams Trungun e vendosin në nji natë me hanë të kuqrremtë, me drejtue seksionin e bleruem në Qytetin e Veriut. Ky vendim bazohej në dy cilësi të jashtzakonshme të tijat: në aftësinë jashtnjerzore të nuhatjes dhe në dobsinë e theksueme të harresës, të ndërlidhuna ngushtë me difektet emocionale.
“Kujtesa emocionale ka luejtë gjithnji rol kryesor, si atbotë kur fillon kjo histori në Qytetin e Veriut, po edhe sot vazhdon të përpëlitet ndër hapsinat reale e virtuale!” – ju tham unë studentëve të Universitetit “Marin Barleti”, këtij romancieri të vetëm, që e ka ruejtë kujtesën emocionale për pesëqind vjet…
Simbas mendimit tem, kjo asht nji kohë e rrallë, e hatashme, që s’ka me u përsëritë kurrë ma, dhe ka hi në histori si koha kur gjysa e shqiptarëve u ban komunista dhe përndoqën pa mëshirë gjysën tjetër, që s’kishte të drejtë me u ba kurrgja tjetër, veçse me u nënshtrue.
“Kjo kohë, e projektume prej dijes së sotme, asht si nji perlë e papame letrare, – ju thërras ndigjuesve qëllimin tem letrar – dhe unë i ngjaj nji fotoreporteri lufte, që ka marrë fotot e ndryshme të karaktereve të linduna nën trysninë e tmerrit të diktaturës, që shpejtohet me i nxjerrë në dritë, përpara se njerëzit ta kenë humbë kujtesën e asaj lufte e t’i kenë zhdukë krejt gjurmat”. ç
Studentët shkyjnë sytë, sepse kësi personazhesh janë hala mes tyne, megjithse kanë gjetë mënyra me u maskue kaq mirë, saqi ja kalojnë edhe maskimeve të nazistëve mbas Luftës së Dytë.
“Studentë të dashtun! – vazhdoj unë ekspozenë e karaktereve midis dy kohnave – Detyra që mori përsipri Hams Trungu ishte e vetmja në qytet që kishte nji lidhje të drejtpërdrejtë, nji online e pandërpreme, me diktatorin në kryeqytetin shqiptar, qytet ky i përzgjedhun ma shumë prej paranojës gjeografike sesa prej blerimit shekullor…”.
Tash po ju shpjegoj pse aftësia e jashtzakonshme për drejtimin e Qytetit të Veriut s’kishte fort lidhje me ruajtjen e vlerave nga erozionet, nga uji i nëndheshëm i zi a i bardhe, nga insektet dhe epidemitë që mbartin… Hams Trungun po e zgjedhim si drejtues të institucionit ma të randsishëm në Qytet për aftësinë e rrallë që ka në nuhatjen e nji, dy apo ma shumë halorëve e pemëve që natyra i kishte pajisë me gjelbërim të përjetshëm…
-Ksi kriteresh në përgjedhjen e nji drejtuesi, më duken krejt të çuditshme, thuajse irreale!” – më ndërpru nji student.
Në kët Qytet Verior, nënalpin, janë mbjellë për t’parën herë këto gjigande të maleve, kanë hjedhe rranjë, tuj e mbrojtë kujtesën e vendit prej erozioneve të kohës dhe tuj sigurue mbijetesën. Kunorat e blerta tuj u shtri deri në qiell janë ba fole për zogjtë ma zaambël e nën hijet e tyne stola të heshtun kanë ndigiu qindra historina dashnije… Tash me ardhjen e Hams Trungut në pushtet këto lojna ngjyrash e pemësh marrin fund, njiherë e mirë, sado traditë e rranjë të forta me pasë!” – i përgjigjem unë me forcë tuj i ra tavolinës, siç bante edhe Hamsi i sapozgjedhun.
Tash po ju shpjegoj se si me rrafshimin e tana pemve me blerim të përjetshëm dhe mbjelljen e pemëve me blerim të përkohshëm, Hams Trungu dhe Partia e tij e Cungimeve, ia hapi themelet së keqes. Po e theksoj se mueji i dhjetorit asht mueji kur Hams Trungu e kallxonte me tanë ligsinë e vet mendore, aftësinë e tij të jashtzakonshme të nuhatjes: Në fillim të këtij mueji, kur shoferët ma të guximshëm zbresin bredhat e parë prej alpeve në Qytet, ai asht njaty te porta e madhe dhe nuhat prej larg erën therëse të degave…
Imagjinoni Hams Trungun, se si e ndjek makinën mbrapa si qen nuhatës, si shënon targën, si përgjon qytetarin që sapo e mori në dorëzim bredhin, tuj e vendosë emnin e tij në listën e madhe – thërras unë si dëshmitar i patundun…
Kjo puna e nuhatjes-përgjuese, kishte me qenë e thjeshtë sikur vetëm shoferët të sillnin bredha, por tuj pasë malsorë që ulin bredhat me kuaj e mushka, atij i duhej me dalë nadje herët e me ndjekë erën që degat e bredhit lëshojnë ndër rrugët e Qytetit.
“Tash qyteti andrron njashtu: gjysë gjallë gjysë vdekun në shkëndinë e vetme që e mban gjallë, në andrrën e pemëve me blerim të përhershëm, ndërsa Hams Trungu po mbërthen fort fijet e aromës së bredhave tuj shënue rrugën me gërdhishtje gozhdash. Zelli i tij ja kalon çdo ligësie emocionale, dhe me nji gllabërim instinktiv, ai po shënon ndër dyert e qytetarëve me dorë të akullt, hijen e vdekjes.
-Këto janë familjet që ushqehen me aromën e bredhave me blerim të përjetshëm! – shënon ai me nji ligësi të papërmbajtshme.
Tash po i ftoj studentët me reflektue se si natyra jonë krijon nji barazpeshë midis aftesisë emocionale të kufizueme të Hams Trungut dhe realitetit, tuj i falë atij aftësi të pakufizueme në nuhatjen prej urithi.

Pyll me bredha...
Pyll me bredha…

“Sot asht java e katërt e muajit dhetor dhe Hams Trungu po e kallxon dhuntinë e jashtzakonshme, ndërsa garda e së keqes, karkalecat e shfarosjes biblike, shtërbezia emocionale e kombit po i vërsulet prej kryeqytetit, me kërkëllima prej ferrit, Qytetit të Veriut” – thërras unë, – Tash po e përshkruej tanë realizëm se si këta persekutorë vdekjesjellës e marrin Hams Trungun si udhërrëfyes dhe ai, si qentë e Hadesit po i drejton ndër rrugicat e Qytetit, e po ju kallzon shenjat ku asht vendosë “Bredhi i Krishtlindjes – para ardhjes së Vitit të Ri”… dhe ata lëvizin tanë natën e ftohtë të kësaj date të përcaktueme dhetori, tuj nuhatë gjithkah erën e blertë të bredhave të njomë.
“Këta janë të gjithë si fantazma, hije të jetës, në guna të errta në atë ngjyrën e vdekjes që përfitohet kur thahet gjelbrimi!” – thërras unë në kupë të qiellës.” Dhe vazhdoj me kallzue se si persekutorët po shënojnë me nji zell patologjik, motivet, mbi kët gjueti bredhash nëpër natën e dhetorit tuj vendosë putrat e tyne nëpër gurë.
-Për shekuj me rradhë, Hams Trungu dhe soj sorrollopi i tij kanë nënshkrue me gisht n’bojë të zezë ngjarjet e jetës së tyne, pse gjuha shqipe asht shpallë si hija e djallit vetë!” – ju kallxoj unë studentëve nji të vërtetë që atyne askush nuk jua thotë.
Unë vazhdoj me ju kallzue se si mbasi kanë mbledhë bredha dhe krena njerëzish tanë natën e lume, tash sapo del dielli dhe lind dita ato shtrihen si vampirë me gojë të përgjakun ndër arkivolat e vdekjes dhe qeshin me Qytetin që nuk ka me gjelbërue kurrë. Tashma ata po flejnë të qetë në vetdijen e djallit: – Në kët Qytet, nuk e ka vendos asnji familje Bredhin e Vitit të Ri për Krishtlindje! Kështu për vampirët e kryeqytetit mbaron me kaq detyrimi dhe ata sapo kanë marrë theqafjen… ndërsa për Hams Trungun kjo javë që ndan 25 dhjetorin dhe 1 Janarin asht tejet e mbushun me përgjime, nuhatje, spekullime, internime, burgosje e tortura që shkojnë deri në vrasje njerzish, të cilët kanë guxue me e vendosë Bredhin e Krishtlindjes, para Vitit të Ri, kjoftë edhe për pak minuta.
“Kjo asht e pamujtun – më thërrasin disa studentë – ngjan ma shumë me nji skenë apokalipsit, se me jetën reale!!”.
Duket si e pamujtun, sepse në Qytetin tonë artistat e kohës s’kanë mujtë me e kapë monstrën e së keqes me objektivin e artit të tyne!” – ju përgjigjem.
Dhe shoh para syve se si Hams Trungu po hin befasisht, pa pasë nevojë për leje të veçantë gjyqsore ndër shpija qytetarësh, ku nuhatja i thotë se mund të jetë vendosë, kjoftë edhe për disa minuta të vetme, sa për nji lutje, pema e Vitit të Ri, për Krishtlindje.
Falë asaj nuhatje prej rrëshqanori, ai sapo asht shtri nëpër dysheme dhe kërkon me njiqind antena me kapë ndonji tingull sado të mbytun të nji “Stille Nachti”, të ndonji tingulli të pafajshëm që mund të ketë mbetë hala në ajër pa gjetë kohë me u mshehë prej tij…
Në të vërtetë përziemja e tingujve me freskinë therëse të bredhit asht diçka që nuk mund të tretet menjiherë. Ajo qëndron e palëvizun, si kometë Betlehemi dhe ngadalë kthehet në nji nyje lakut qi e mbërthen fort në grykë Hams Trungun tuj e hjedhë aftësinë tij të kufizueme emocionale në nji gjendje asfiksimi.
“Tash ai sapo ka ndeshë në nji përziemje të tillë, nji shkrimje të tingujve të shpirtit njerzor me aromën e përjetsisë, që për shumkend asht eliksiri i evolucionit!” – po ju thërras studentëve.
Hams Trungu sapo sheh njaty shenjat e vdekjes dhe ai nuk ka ma asnji dyshim. Këtu janë shkelë Urdhnat e Partisë, që i japin të drejtën gjysës besnike të vendit me i hypë në dru gjysës tjetër të prekun politikisht.
Nji mëngjes herët dhjetori, makinat e policisë dhe ushtrisë mbledhin familje me foshnja e pleq tuj i internue nëpër luginat gri, hapin vorre poetësh tuj ju hjedhë eshtnat në lumenjtë që rrethojnë Qytetin dhe e mbyllin portën, njaty ku Qyteti lidhet me qiellin tuj i vendos vulën e vdekjes…” – ju thërras unë studentëve, mbi kohën e tmerrit të pafund…
Pamja para syve të mi asht e randë dhe unë mbushem me frymë kur shoh fytyrat e studentëve që duket se m’përpijnë çdo fjalë, si të jetë ajo aroma e përjetshme e pemëve halore.

Bredhi i Festave te Fundvitit
Bredhi i Festave te Fundvitit

“Sot ligësia mendore e Hams Trungut përjeton nji triumf të pakufishëm – vazhdoj unë, – sepse sot ai sapo ka marrë nji medalje të kuqe për Vitin e ri nga vetë qoftëlargu, udhëheqësi i së keqes primitive, ai që eksperimenton me florën e faunën anash Adriatikut, monstra botanike e zoologjike. Ai e ka vendosë atë mbi kostumin kinez të punës dhe gjoksfrymë ju futet rrugicave të vjetra të Qytetit pa ja vu veshin zaneve të fëmijve që thrrasin plot alarm:
“Shpejt! Mshehuni! Mshehuni se Spiuni i lagjes!”
Vazhdoj të flas mbi krenarinë e Hamsit, mbi aftësitë e tij prej zavarraniku, tuj u kacavjerrë mbi dritore të nalta e tuj gërmue me vështrimin e lagun prej zhabini ndër dhomat e familjeve të botës mbushë me at ligsinë e pakufishme mendore duke besue se në të ardhmen kanë me i ba atij nji përmendore të madhe mu midis Qytetit.
Me kësi mendimesh në krye e gjeti i ashtuquejtuni “ndrrim sistemi”, tuj e nxjerrë Hamsin në pension. Po ai s’mundet me e kuptue pse pikërisht tash që Qyteti ka ma shumë nevojë se kurrë për të, meqë numri i bredhave të Vitit të Ri që vendosen për Krishtlindje po rritet, atij i duhet me vegjetue. Po ai bubrron përditë rrugicave, tuj dashtë me e qetësue vedin, se numri i thinjave që i ka maje kresë asht gati i njajtë më atë të fidanëve që ai ka shkulë…
Viktimat e vërteta nuk janë veç ata që numrohen dhe u dihet pak a shumë se ku u janë hjedhë trupat e pushkatuem, porse jena edhe na të panumërtit e përditshëm!” – ju thërras unë studentëve, dhe ju kallzoj se me “ndrrimin e sistemit” Hams Trungu, megjithse në pension, sapo ka ble nji bllok të trashë dhe shënon me nji zell të papërmbajtun targat e makinave të panumërta që sjellin bredhat e Vitit të Ri për Krishtlindje. Ai rrin midis sheshit kryesor të Qytetit dhe pretendon se ka mbetë i vetmi në ruajtjen e fidanishtes së Partisë, në nji kohë që fidanet janë zhgulë prej aty, tuj u mbjellë në parcela të tjera, kapitaliste me ngjyrë perëndimore.
-Ndër ne janë ngulë parullat e nji demokracie verdhacuke dhe jo vetëm ata nuk po gjykohen fajtorë, numri i viktimave të të cilëve dihet, porse s’po të dënohen as ata të tjerët, numri i viktimve të të cilëve asht i pafund!” – vazhdoj u thërras unë studentëve, që nuk u besojnë veshëve për tmerret e djeshme…
-Si asht e mujtun që nën diktaturë të jenë rritë mostra të tillë që janë marrë me nuhatjen e pemëve me blerim të përjetshëm dhe zhdukjen e tyne!? – më thërret njeni prej tyne.
-Si asht e mujtun që aparati shtetnuer me rrethue nji Qytet në prag Krishtlindjesh për mos me e lanë me vendosë bredhat!? – ja pret nji tjetër.
Dhe unë vazhdoj me ba portretin e Hamsit dhe kallxoj se si ai po ushtron pa pengesë zanatin e tij, thjesht për Hobby dhe se e vetmja gja që e shqetëson asht thirrja e ndonji qytetari që i kujton kohën e dikurshme dhe at epitetin e palezetshëm: “Spiun i lagjes!”.
Megjithate, sado i prishun dhe i kalbun të jetë fidani i demokracisë shqiptare, prapseprap të këqijat që ka ba Hams Trungu s’munden me u mshehë kaq lehtë.
Viti ’97, kur ish komunistat në pozite dhe opozitë provuen me i djegë edhe nji herë filizat me blerim t’përjetshëm, e tronditi thellë kujtesën emocionale të fjetun të njerzve. Djemtë e Hamsit e kuptuen se i jati ishte ndër të parët që kishte me dalë para drejtesisë qytetare dhe shitën shpi e katandi me pregatitë ikjen në perëndim.
-Unë jam nji fidan i partisë, me blerim të përkohshëm, mos më mbillni kërkund tjetër, se nuk di ndryshe”! – u thërret ai djemve përpara nisjes në USA… Por djemtë e Hams Trungut janë distancue me të kaluemen, tuj ja hjedhë krejt fajin njatij Qoftëlargut, diktatorit, sepse ai kishte qenë gjithnji kundra vendosjes së bredhit dhe përjetsive tjera në Qytetin e Veriut dhe krejt qytetet shqiptare!!
Vazhdoj me kallxue se: Sot asht ba gati nji vjet që familja Trungu asht vendosë në New York dhe frutet e para të integrimit po i mbledhin, mbas nji sakrifice të mundimshme, me shumë punë e pak kohë të lirë. Hams Trungu, del vetëm në kopshtin e shpisë, pa marrë guximin me shkue ma tej, sepse nuhatja e tij vazhdon me ja ngritë përpjetë të gjitha antenat mbrojtëse. Tash gati nji vjet që nuk po lëshon asnji za, nuk po e thotë kurrë mendimin e vet, nuk vlerëson, as nuk paragjykon kërkend, porse rrin midis bollëkut, si nji këpurdhë që lëshon krejt papritmas shtat, e fryhet rrezik me plasë.

Pema e Krishtindjeve ne Malin e Gubbios (Itali)
Pema e Krishtindjeve ne Malin e Gubbios (Itali)

“A po e mbijeton Hamsi ynë New Yorkun!?” – më thërret nji student nga fundi.
-Po – i përgjigjem – se për herë të parë në jetën e tij Hamsi po e pret Vitin e Ri në New York, dhe në kët fillimdhetori, ndërsa ecën rrugëve të Manhatanit, po i duket sikur nji kanal i mshehtë brenda tij sapo plasi tuj pru ujin e zi deri në grykë. Hams Trungu ka nisë me ju përshtatë shesheve të New Yorkut, të cilat i afrojnë atij material të bollshëm për zanatin që ka ba tanë jetën.
“Ai sapo ka nisë me shënu me laps e letër numrin e bredhave që janë nxjerrë për shitje në New York!” – ju thërras unë studentëeve që kanë mbetë gojëhaptë, mandej ju përshkroj studentëve se si Hams Trungu qëndron i palëvizun tuj prekë me dorë kufijtë e çmendunisë, ku po e hjedh mungesa e hapsinës emocionale. Po mbushë fletoren me numrin e pemëve të shituna përgjat ditës dhe truni i tij me ligsinë krahpreme, përplaset sa te nji bredh te tjetri pa pasë forcë me ndjekë asnji person, mos me shënue asnji emën, mos me mujtë me dënue askënd. Kërkon me ndalue nji makinë të policisë e me lajmërue për shitjen e bredhave para Vitit të Ri, po meqi s’din anglisht, nuk i duket ide e mirë.
Tash po marr frymë thellë si atleti para hedhjes të diskut dhe po ju kallxoj se sot me datën 24 dhetor, Hams Trungu asht ngritë ma herët se zakonisht dhe sapo doli jashtë. Antenat e nuhatjes nuk kanë kenë asnjiherë në jetën e tij ma të mprehta se në kët mëngjes. Gjithë ditën turret sa në nji kand të tregtimit të bredhave në tjetrin, tuj shënu me nji energji të papërmbajtshme emna, numra e të dhana të tjera të hollësishme.
“Tash hapni sytë mirë, se Hams Trungu sapo asht ndalë peërpara pemës gjigande të Vitit të Ri, të zbukurume plot drita në sheshin para bashkisë së Qytetit!” – ju thërras studentëve!
Vazhdoj me ju përshkrue se si era e freskët e bredhit gjigand, e ngarkueme me tingujt e melodive, sapo ka nisë me u përzi me flokë bore të lehtë dhe krahë engjujsh po i japin mbramjes nji magji amshimi. Nji çast ma vonë ato po i shkund lehtë nji puhizë ere dhe tingujt e përziem me aromë derdhen si pika shiut mbi kryet e Hams Trungut. Gjithë antenat e tij janë hjedhë përpjetë dhe kapin pikat e langshme të përjetsisë me nji zell të papërmbajtshëm. Hamsi po thith si i etun këtë vezullim yjesh prej Krishtlindjet nën qiellin e New Yorkut derisa e sheh se trungu i tij nuk mundet me mbajtë ma as edhe nji pikë të vetme…
“Ktu asht bredhi disi tjetër, me rranjë të veçanta që japin nji erë ndryshe, me nji si lloj myku fetar, nji si opium që të trullos fare dhe nuk po shoqnohet me krisma pushkësh, si tek ne” – klith Hams Trungu me za të çjerre tuj nuhatë bredhin prej afër.
“Në kët çast mbi tribunën e festës, sapo ka hypë nji kangtare dhe po këndon nji kangë Krishtlindjet me titullin “O Tanenbaum” e njerzit brohorasin të gjithë njiherit! Në fund të kangës, kangtarja nën brohoritmat e emnit të saj, Rita Ora, flet me nji shqipe të pastër: “Me kangën e ‘Bredhit të Krishtlindjes’ ju uroj të gjithëve Për shumvjet kshnellat!”
Këtu i paskan thurë edhe kangë bredhit! – gjimon prej mungesës emocionale Hams Trungu, tuj mbyllë veshët, mbasi kumbimi i tingujve po ja përziente trutë.
Kjo Amerika me rranjët e pemëve që lëshojnë erë tjetër, sapo nisi me i këputë me zhurmë zinxhirët që e mbajnë të lidhun ligsinë e pakufishme të mendjes së tij dhe Hams Trungu po ndjen se ato e fshikullojnë fort, ma fort se era e alpeve, tuj ja zhgulë qimet e antenave të padukshme të gjashtë shqisave…
Tash Hams Trungu sapo hjedh nji vështrim përreth, e megjithse ndodhet në fidanishten e huaj e mbërthen trungun e bredhit me të dy krahët, tuj e tundë me sa forcë që ka. Në kët çast sapo i asht vërsulë nji dyqani aty afër dhe po thyen pamëshirë vitrinën. Në dorë mbërthen fort nji prej spatave të varuna dhe nji çast ma vonë i vërsulet pemës. Tash po i bjen trungut, që lëshon hala aromën e lehtë të bjeshkëve, me sa fuqi që ka, dhe nën shpërndamjen e çuditshme të ashklave, borës, tingujve dhe aromës së pemës, thërret në gjuhën standartizuese të ’72, si me dashtë me kallzue se nji gjuhë e tillë kimera i shkonte këtij akti primitiv:
Përse do ta keni vendosë kët pemën e Vitit të Ri, natën e Krishtlindjes! Domethënë, pse ta keni bërë, përse do ta keni bërë?”
Në kët çast afër Hamsit janë mbledhë zjarrfikësit, policia dhe ndihma e shpejtë e New Yorkut dhe i sillen përreth pa e dijtë se kujt i takon me ndërhye i pari, ndërsa ai ngulçon prej gjëmimit, dhe i bjen trungut me sëpatë.
Po ndalem dhe shoh fytyrat e ngurosuna të studentëve e vazhdoj me ju tregue se sot paradite djemtë e Hams Trungut po përpiqen bashkë me avokatin me ja shpjegue policisë se i ati i tyne nuk asht as i çmendun dhe as kriminel, vetëm se e ka kalue tanë jetën e tij nën moton: Mos e vendosni pemën e Vitit të ri para Krishtlindjes!
-Ky asht profesioni i tij i çuditshëm sot, porse me kët gja ka kalue nji jetë të tanë, deri në pension!!” – shpjegon avokati.
Në policinë e New Yorkut janë të befasuem përpara këtij devijimi kaq absurd të homo sapient-it dhe nuk mund ta kuptojnë se ka qenie njerzore që i ngjajnë agrepit e kur i rrethon zjermi e drita e fortë, kafshojnë vedin me bisht.
-Ku don me dalë evolucioni kur mbijetojnë krijesa të tilla, kuptimi i eksistencës të së cilëve qëndron në atë të prishjes së kulturës, dritës të së bukurës që ka realizuar tjetri, homo sapienti normal që jeton afër tij?!” – pyes unë studentët.

Bredhi i Krishtlindjve në New York (për të i 81 vit)
Bredhi i Krishtlindjve në New York (për të i 81 vit)

Studentët nuk më përgjigjen, dhe unë vazhdoj me teorinë e avokatit mbrojtës të Hams Trungut në policinë e New Yorkut.
-Simbas avokatit njerëzit nën diktaturë zhvillojnë shqisa të veçanta me mbijetue dhe bahen adhurues të dhunës shtetnore, ndërsa kur vjen liria njerëzit tuj mos pasë forcë me u pastrue prej së keqes që i ka deformue, e shpërdorojnë genin e mbijetesës, tuj i kërkue nji lëkurë tjetër për me ju mshehë vetevetes…”. – filozofon avokati.
Unë e la proces-verbalin e Hams Trungut anash dhe ju drejtohem prap studentëve, sikur me dashtë me vendosë pikën në fund të tregimit dhe ju tham: Ju studentët duhet me e gjetë nji rrugëdalje prej kësaj simbioze të “humbjes së kujtesës emocionale, me ligsinë mendore”, ku asht zhytë kombi shqiptar! Ju duhet, për hir të mbijetesës së kombit, me mësue me mbjellë Bredhat me gjelbërim t’përjetshëm e me shkulë përfundimisht shkurret njistinshe!”.
Nji nga studentët sapo asht ngritë dhe thërret: “Na projektojmë tek lideri, errsinën tonë, pse ky asht tipar tipik i shqiptarit. Na anatemojmë Sali B. për demokracinë shtatanike që po rritet në kët vend, na mallkojmë Hoxhën E. për diktaturën ma gjakatare në Europë, na shajmë vend e pa vend Zogun A., për zigzakun e tij prej pashallari dhe ja hedhim fajin për gjithçka Sulltan M. që na hoqi palcën perëndimore dhe na injektoi për shekuj me rradhë, at orientale”!
Edhe unë sapo bie dakort se këto katër rrathë prej zdrale që veshin lkurën e shqiptarit përbajnë edhe ferrin ku kruhet përditë vetëdija e tyne, derisa thojtë ju bahen kuq prej fërkimit.
-Megjithatë, – po thotë nji student tjetër – derimë sot, kërkush prej nesh nuk e mori guximin me gjetë tek vedja at hijen e demokracisë anemike, dhe asnjeni nuk ia hjedh sytë ma manekinit të diktaturës së fshehun brenda nesh prej Hoxhës E., njashtu si kërkush nuk kujtohet për me trembë zogun kimera të Ahmet Z, dhe sidomos as kërkush s’e kallxon me gisht at genin e manipulum prej Sulltan M. në natyrën tonë!!”.
Të gjithë po e shohin kjartë at ndjellësinë kafshnore që e mbyll lëvozhgën e trunit përherë e ma shumë dhe i ban turmat me projektue tek lideri dendsinë e errsinës personale tuj shumfishue deri në çmenduni nuhatjen e kafshës. Tash po më duket se studentët po kërkojnë mbrenda vedit me e gjetë at shqisën nuhatse që i detyron me shkulë bredhat me gjelbërimin e përjetshëm. I shoh me droje se më duken sikur sapo ngrihen e me spata në dorë e po ju vërsulen bredhave me gjelbërim të përjetshëm.
-Hej, – më thërret nji student tjetër i padurueshëm – si ka përfundue historia e Hams Trungut?
-Përfundimi asht krejt logjik tashma – ju tham – Nji kërcënim i ri e ka gjetë bosh zgavrën e Hamsit dhe po e mbush me nji ndjellësi të re. Mbas diktaturës ateiste, nji diktaturë tjetër, edhe ma e tmerrshme po ban folenë në të!”.
“Kallxoje pra, e mos na lodh!” – thërret nji studente me flokë të preme shkurt.
“Hams Trungu asht i mbyllun në spitalin nervor të New Yorkut e sapo ndeshi në shtypin shqiptar, s’po ju beson syve. Aty po gjen të miratuem kuptimin e veprës së tij. Në të kundërt me kryebashkiakun e New Yorkut, kryebashkiaku i nji kryeqyteti shqiptar e ka ndalue vendosjen e Bredhit të Krishtlindjes para Vitit të Ri 2015!”
Kjo nuk asht e vërtetë – thërrasin studentët të revoltuem, pse nuk dojnë me besue se në çdo qoshe të labirinthit shqiptar ndodhet nji Hams Trung.
Për nji ateist të zjarrtë si Hams Trungu, kjo asht nji fitore e jashtzakonshme. Ndërsa e lexon lajmin, po ndjen nji shtresë të hollë e të ngrime akulli që coptohet mbrenda krahnorit dhe prej aty sapo i doli nji jeniçer i madh me shpatë, i cili e detyron me dalë në dritare dhe e ban me thirrë me të madhe:
-Mos bani Haram… Mos e vendosni Bredhin e Vitit të Ri, për Krishtlindje!
Dhjetor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.