back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Biografia e Zoi Xoxës (1904-1987)

Gazeta

Zoi Xoxa (1904-1987)
Zoi Xoxa (1904-1987)
Biografia e Zoi Xoxës (1904-1987)
Zoi Xoxe lindi në Berat në prill të vitit 1904. Në dokumentin e identifikimit ditëlindja shënohet: 1902. Rritet mosha 2 vjet, për t’iu përshtatur kandidaturës për deputet.
Në Shën Mitër Korone, fshat arbëresh në Kalabri, kryen mësimet e fillores dhe të mesme.
E ndjente shpirtin e gazetarit – siç thoshte më vonë – që në moshën 12-vjeçare. Botimet e para e kanë nisjen në këtë moshë. E nisi me gazetën “Drita” të Veli Hashorvës (Gjirokastër). Vazhdoi në revistën “Atdheu” të Vlorës, në gazetën “Politika” të Halim Xhelos dhe në “Hyllin e Dritës” të Shkodrës. Për këtë të fundit pati një korrespondencë, që në moshë fare të re, me At Gjergj Fishtën. Artikujt e parë që u botuan në “Hyllin e Dritës” ishin me përmbajtje letrare. Vlerësonin figura të spikatura të letërsisë, si de Radën, Naimin, Fishtën.
Në kolegjin e Shën Mitër Koronës u bë nismëtar për ngritjen e një pllake përkujtimore në kujtim të de Radës, por ndeshi në kundërshtimin e një profesori italian, me të cilin shpërtheu një polemikë në revistën “La Nazione Albanese” të arbëreshit të shquar Anselmo Lorekio.
Pas mbarimit të shkollës së mesme (1922) shkoi në Romë për të ndjekur studimet universitare në Drejtësi, edhe këtu me bursë. Tanimë fillon bashkëpunimin me “Diellin” e Faik Konicës, që botohej në Boston. Si nënfletë të “Diellit” botoi dramën “Kurora Shqiptare”. Ka botuar edhe një dramën tjetër: “Kapedan Leonidha”. Ishte një admirues i gjuhës dhe i stilit të Faikut. U mor me gjuhësi dhe letërkëmbimi me Konicën për çështjet gjuhësore do të ishte me interes. Humbi gjatë kontrolleve të hetuesisë, ashtu siç ndodhi edhe me letërkëmbimin me Shtjefën Gjeçovin, me Fishtën, etj.. Gjatë asaj kohe humbën edhe: Romani “Luan Golemi”, vepër voluminoze, me elemente biografike, “Nga Porta Romana në Burgun Politik”, si edhe transkriptimet në vargje të epigonëve të letërsisë arbëreshe: të de Radës, Serembes, Darës, Skiroit, etj.
Pas 24 dhjetorit të ’24-s (dështimit të kryengritjes) Z. Xoxe u arratis në Itali, si fanolist. Rifilloi bashkëpunimin me “Diellin”. Ndërkaq u lidh me gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës (Rumani), duke u bërë drejtor i saj ( Korrik, 1925). Drejtimi i kësaj gazete qé i suksesshëm. Atje pati bashkëpunimin e “firmave të llojllojshme nga Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja, Asdreni, Gjergj Bubani, Andrea Ktona, Dr. Kallogjeri, Dr. Ibrahim Temo, etj”. Ky i fundit kishte ndikim të madh në Rumani, sepse qé zgjedhur senator dhe njihej si një patriot që kishte bashkëpunuar në rininë e tij me Naimin, Samiun e Vaso Pashën.
Në “Kujtimet e një gazetari” shkruan se entuziazmi i 1925-s filloi të binte më vonë. Jo të gjithë emigrantët ditën ta ruanin të paprekur figurën e tyre. Ahmet Zogu në Tiranë ndiqte një politikë të pajtimit kombëtar. Zëdhënës i kësaj politike pajtuese në Rumani ishte ambasadori Selahedin Blloshmi. Në ambasadë cilido shqiptar, pavarësisht nga bindjet, ishte i mirëpritur. Në festat kombëtare ftoheshin intelektualët shqiptarë, qofshin edhe antizogistë, për “të qenë të grumbulluar së bashku” në përkujtim të ngjarjeve si ajo e Pavarësisë, etj. Antizogizmi në Rumani po zbehej dhe 1927-a, me traktatin e Marrëveshjes e miqësisë dhe ndihmës reciproke me Italinë, acaroi shtypin grek dhe atë jugosllav. Francezët dhe anglezët e quajtën këtë traktat si një kështjellë kundër sllavizmit. Shtypi rumun ishte pro marrëveshjes.
Jakomoni, në “Kujtimet e tij”: Pasiçi i tha Zogut, kur u ndanë: “Lamtumirë miku im i sotëm dhe armiku im i nesërm”! Faik Konica u afrua me Zogun. Dr. Ibrahim Temo e përshëndeti traktatin.
Veprimtaria për pajtim kombëtar u tregua e frytshme. Politikani i shquar italian, Aleksandër Lesona, i ngarkuar nga Musolini për traktativa, e kishte vënë re patriotizmin e A. Zogut dhe kishte shkruar
në “Kujtimet” e tij se “Zogu kishte ambicien që të ishte kryetar i një shteti sovran, me të drejta të barabarta, jo kryetar i një shteti vasal”.
Më 1 shtator 1928, Asambleja Kombëtare e Tiranës e proklamoi Zogun I mbret të shqiptarëve. Thuajse menjëherë të gjitha shtetet e njohën Monarkinë. Në Rumani e miratoi pjesa më e madhe e mërgimit. Zogu I premtoi dekretimin e Kodit Civil. Tha se propagandimi për dasitë fetare ishte i ndaluar: myslimanë e të krishterë janë një. Ishte kundër krahinarizmave. Paralajmëroi edhe Reformën Agrare, por pa grabitur pronarët.
Kjo perspektivë u mirëprit nga të rinjtë dhe intelektualët. Pati ndonjë reagim nga disa feudalë të mëdhenj, që mendonin se mund të cenoheshin në interesat e tyre të feudeve. Edhe disa fanatikë që nuk e pranonin divorcin kundërvepruan. Këto gjendje përshkruhen hollësisht në “Kujtimet e një gazetari”. Në Tiranë kërkohej me ngulm krijimi i një gazete te përditshme. Kryeministri Kota ishte ngarkuar nga mbreti, që të kërkonte bashkëpunimin e Z. Xoxes për të drejtuar një gazetë të tillë.
“Gazeta e Re” ishte gazeta e parë që drejtoi Zoi në Shqipëri. Drejtoi edhe gazetat “Vullneti”, pastaj “Vullneti i Popullit” . Por Gazeta më e madhe e përditshme që drejtoi ai ishte “Drita”, kur ishte edhe deputet. Ndërkaq ai punësoi në këtë gazetë si redaktorë, edhe njerëz që nuk shiheshin me sy të mirë nga ministri i Brendshëm, Musa Juka, si Mustafa Gjinishin, Stefan Shundin etj.
Veçse këta persona punuan të patundur dhe të qetë në gazetë, sepse drejtori gëzonte edhe imunitetin parlamentar dhe iu kundërvu ministrit duke i thënë se për gazetën përgjigjej ai dhe vetëm ai.
7 Prilli i 1939-s i dha fund çdo aktiviteti politik të Zoi Xoxës. Gjatë pushtimit italian, autori i këtyre “kujtimeve” pësoi nga pushtuesi italian burgun e prillit të ’39-s, internimin e mëvonshëm në “Porta Romana” dhe, pastaj, në Burgun politik të Tiranës.
Gjatë diktaturës nuk shkroi asnjë rresht në organet e shtypit. Në këtë kohë punoi për një kohë thuajse 20-vjeçare për një Fjalor frazeologjik dygjuhësh, të cilin studiuesi Jup Kastrati e ka përcaktuar në një revistë gjuhësore si fjalorin më të madh të këtij lloji në Shqipëri. Ka lënë si dorëshkrim edhe një Fjalor të vogël të gjuhës arbëreshe. Disa përkthime librash të Aleksandër Manxonit, të Vild Durantit, të V. Hygoit ruhen në arkivin e familjes. Ka bashkëpunuar me përkthyes të talentuar për bashkëpunim, në përkthime (natyrisht pa emrin e tij) të disa librave të Zhyl Vernit, për biografinë e Volterit, për përkthime skenarësh të operave, të gjitha këto për t’i ardhur në ndihmë familjes në varfëri. Nuk arriti të merrte veçse gjysmë pensioni në kohën e pakët që ka punuar si korrektor bocash nga gjuhët e huaja, në periudha të veçanta të zbutjes së përkohshme të luftës së klasave. Disa libra letrarë ia ka dhënë ndonjë plagjiari, profan në letërsi, por që ka marrë, megjithatë, tituj honorifikë në atë kohë të mbrapshtë. Familjes i ka mbetur edhe një “Ditar”, peripecitë e asaj kohe.
Në shkurt të vitit 1951, u arrestua në Kavajë, ku ishte shpërngulur nga Tirana. Kjo ndodhi me rastin e së ashtuquajturës “bombë në Ambasadën Sovjetike”. U lirua si i pafajshëm, pas 9 muaj hetimësh. Pavarësisht se “i pafajshëm”, bëri disa kohë në kampin e Bedenit (Kavajë), në saje të një “mobilizimi” vendor, kur ishte me banim në Fier. Vdiq në qershor të vitit 1987.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.