back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Biografia e fshehur e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 nga Kastriot Myftaraj

Gazeta

Kongresi i Drejtshkrimit - Tiranë 20-25 Nëntor-1972
Kongresi i Drejtshkrimit – Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Biografia e fshehur e delegatëve

të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972

nga Kastriot Myftaraj

Krijimi i gjuhës letrare të njësuar shqipe me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ishte natyrisht më e mira që mund të pritej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili përgjithësisht kishte prirjen t’i bënte keq, duke qenë se gjithçka e shikonte nën prizmin e tij të shtrembër stalinist. Stalini, ati ideologjik i Enver Hoxhës, para vdekjes e shpalli veten edhe gjuhëtar dhe botoi një libër në këtë fushë. Kjo është gjithçka që mund të thuhet për arritjen e Kongresit të Drejtshkrimit, nëse ke prirjen të thuash diçka të mirë për të. Por është absolutisht e papranueshme që arritja e këtij kongresi të shihet si një dogmë, si një kulm i shkencës gjuhësore shqiptare, së cilës nuk mund t’i preket asgjë. Kjo ide e ka prejardhjen te logjika e Leninit që thoshte se filozofia marksiste është derdhur si një trup çeliku, të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë copëz. Do të thotë se meqënëse çdo produkt i kësaj filozofie, pra edhe gjuha e njësuar shqipe e vitit 1972, është një trup çeliku i tillë, i paprekshëm.
Ky nuk është qëndrim prej shkencëtarësh, por prej sharlatanësh. Produkti i Kongresit të vitit 1972, duhet rishikuar edhe për shkakun se ata që e morën vendimin nuk e kishin nivelin shkencor për të marrë vendime të tilla.
Është krijuar miti intelektual sikur delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 që vendosi për standardin e gjuhës shqipe, që është në fuqi edhe sot, qenë specialistë të gjuhësisë. Kritikët e tyre shpesh shpërfillen si joekspertë. Në të vërtetë, mjaft që të kqyrësh biografinë intelektuale dhe më gjerë se aq, të delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, që të bindesh se ata nuk kishin formimin e duhur akademik dhe intelektual, për të marrë një vendim afatgjatë mbi standardin e gjuhës shqipe.

Delegatët e Kongresit në polifoto
Delegatët e Kongresit në polifoto

I pari në listën e 87 nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është Thoma Deliana, ministër i Arsimit dhe i Kulturës i Shqipërisë së kohës. Thoma Deliana kishte ndërprerë shkollën e mesme në Elbasan, në vitin 1943 (ai ishte nxënës i Shkollës Normale), për të dalë partizan. Pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, Thoma Deliana u dërgua në Moskë për të kryer një shkollë të Komsomolit (Rinisë Komuniste), e cila përgatiste burokratë të kësaj organizate. Ndonëse Thoma Deliana kishte këtë arsimim, Enver Hoxha, në 1965 e bëri atë Ministër të Arsimit dhe të Kulturës, post të cilin Deliana e mbajti për 11 vjet, deri në 1976. Thoma Deliana është emblematik për shkallën intelektuale të regjimit të Enver Hoxhës, që 28 vjet pas ardhjes në fuqi kërkonte të vendoste standardin e gjuhës shqipe. Gjithashtu, Thoma Deliana është emblematik edhe për diçka tjetër. Gjuha e huaj e vetme që njihnin pjesa më e madhe e delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit ishte rusishtja, për ata nga Republika e Shqipërisë dhe serbokroatishtja për ata nga trojet shqiptare në Jugosllavi. Këtu e kam fjalën për gjuhën e huaj që dinin në atë kohë, se pas vitit 1972 dhe deri më sot, mund të kenë mësuar të tjera. Por, kur vendoset standardi i një gjuhe si shqipja, vendimtare është çështja se cila gjuhë e huaj ndërkombëtare do të shërbejë si pikë referimi për huazimet. Natyrisht se në vitin 1972, nuk duhet të kishte dilema, si e tillë duhet të shërbente anglishtja, kjo dhe për faktin se gjeneratat e shqiptarëve të diasporës, të cilët në pjesën më të madhe janë njohës të anglishtes, do ta kenë më të lehtë që ta mësojnë shqipen. Por shqipja standarde mbeti e mbushur me huazime nga gjuhët sllave, greqishtja, të cilat ishte dashur të zëvendësoheshin me huazime nga anglishtja. Por, pothuajse asnjë prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit nuk e njihte anglishten. Natyrisht se anglishtja si gjuhë referimi ishte një anatemë për regjimin e Enver Hoxhës, por as delegatët nuk qenë në gjendje të gjykonin mbi këtë çështje.

Numri 2 në listën e nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit është Prof. Androkli Kostallari. Androkli Kostallari, si drejtor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë prej vitit 1958 dhe në vazhdim i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (më pas Instituti i Gjuhësisë) deri në vitin 1990, ishte “eksperti” kryesor i gjuhësisë në Kongresin e Drejtshkrimit. Nuk mund të thuhet se i tillë ishte gjuhëtari më i njohur shqiptar i kohës, Eqrem Çabej, se atë regjimi i Enver Hoxhës nuk e bëri drejtor, siç e meritonte. Androkli Kostallari kishte kryer studimet universitare në Moskë, për gjuhë dhe letërsi ruse, me specialitet për gazetari. Shumëkush mund të thotë se në atë kohë nuk kishte se ku të studionte tjetër, por faji ishte i regjimit të Enver Hoxhës që nuk dërgonte më studentë në universitetet perëndimore, ku kishte katedra albanologjie serioze. Në çdo rast, Kostallari nuk kishte profilin e nevojshëm akademik për të patur në Kongresin e Drejtshkrimit atë rol që pati. Androkli Kostallari, përveçse drejtor ishte dhe përgjegjës i sektorit të leksikologjisë dhe leksikografisë në Institut, që prej vitit 1955 dhe deri në 1990. Mbi Kostallarin bie përgjegjësia e madhe që leksiku i gjuhës shqipe standarde është i mbushur me sllavizma dhe greqizma.

I treti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Mahir Domi. Ai kishte ishte diplomuar në Universitetin e Grenoble, në Francë, në 1941, për gjuhësi klasike (latinisht, greqishte e vjetër dhe frëngjishte klasike). Por në Universitetin e Grenoble nuk kishte një katedër albanologjie. Prandaj Mahir Domi nuk studioi pranë asnjë albanologu qoftë edhe pak të njohur. Mahir Domi kur u kthye në Shqipëri punoi si mësues i latinishtes në Shkollën Normale të Elbasanit (shkollë e mesme). Ai u arrestua nga italianët në maj 1943, si një nga nxitësit e arratisjes masive të nxënësve të Shkollës Normale, të cilët shkuan në mal me partizanët. Por Domi nuk u internua në ishujt e Italisë; ai u lirua pas tre muajsh, para kapitullimit të Italisë. Merret vesh, ai firmosi për policinë sekrete fashiste, OVRA. Regjimi i Enver Hoxhës i pëlqente shumë këta njerëz për t’i keqpërdorur. Mahir Domi drejtoi sektorin e gramatikës dhe të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë nga viti 1957 në 1991. Domi nuk i kishte aspak atributet akademike për të qenë eksperti kryesor i ndërtimit të standardit gjuhësor në këto çështje kaq themelore të tij, që kishin të bënin me gramatikën dhe pikëpamjen për dialektet.

Profesor Eqerem Çabej
Profesor Eqerem Çabej

I katërti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Eqrem Çabej. Prof. Çabej ishte i vetmi ndër delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që kishte atributet akademike për t’u quajtur ekspert. Ai kishte diplomuar në Austri për gjuhësi krahasuese indoeuropiane dhe për albanologji në Graz dhe në Vienë të Austrisë, dy universitete me traditë në studimet albanologjike. Por Eqrem Çabej u privua që prej vitit 1944, pra që prej moshës 36 vjeç, nga mundësia për të thelluar studimet në katedrat e albanologjisë të Universiteteve perëndimore. Gjithashtu, Prof. Çabejit nuk iu dha vendi meritor në hierarkinë zyrtare të gjuhësisë shqiptare, ku postet që duhet të mbante ai i kishin zënë uzurpatorët sharlatanë. Një provë për këtë është dhe fakti se seria veprave të prof. Çabejit kishte filluar të botohej në Kosovë, para se kjo gjë të niste të bëhej në Shqipëri. Në fakt Vepra e Çabejit nuk u botua në Shqipëri sa kohë ishte në fuqi regjimi komunist. Emri i prof. Çabejit është keqpërdorur nga ata që duan të legjitimojnë Kongresin e Drejtshkrimit, por fakti është se Prof. Çabejit nuk iu dha mundësia që të shprehet si ekspert në Kongresin e Drejtshkrimit. Deri më sot ata që pretendojnë të kundërtën nuk kanë mundur të sjellin asnjë dokument.

I pesti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Idriz Ajeti, atëherë dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Idriz Ajeti, i cili ka lindur në Tupallë të Medvegjës, e ka kryer në turqisht arsimimin e tij që prej klasës së parë të shkollës fillore dhe deri në përfundim të shkollës së mesme. Idriz Ajeti u lind në 1917, dhe u shkollua në kohën e Jugosllavisë monarkiste, ku arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Shqiptarët muslimanë si Ajeti mund të shkolloheshin vetëm në turqisht, përveç serbishtes. Idriz Ajeti kreu Medresenë Mbretërore të Shkupit, një shkollë me bazë teologjike islame, ku mësimet bëheshin në turqisht dhe arabisht. Në 1938, ai filloi studimet për gjuhë dhe letërsi serbokroate në Universitetin e Zagrebit, të cilat nuk i përfundoi. Ajeti do t’i përfundonte studimet universitare vetëm në 1949, në Universitetin e Beogradit ku diplomoi për Romanistikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur një pjesë e trojeve shqiptare në Jugosllavi iu bashkuan Shqipërisë shtetërore, Ajeti shkoi për të kryer një kurs pranë albanologut italian Tagliavini, në Padova. Por, në periudhën e shkurtër që Ajeti qëndroi në Itali, thjesht u konstatua mangësia kryesore që e pengonte të bëhej albanolog, fakti se Ajeti asnjë cikël të shkollimit të tij nuk e kishte bërë në gjuhën shqipe. Natyrisht se në rrethanat në të cilat gjendeshin shqiptarët në Jugosllavi, Ajeti ishte i vlefshëm për të ndërtuar shkollën shqiptare atje, por ai nuk kishte profilin e duhur akademik për të marrë vendimin afatgjatë për gjuhën standarde shqipe.

I gjashti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Prof. Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Sigurisht që në një kongres ku do të vendosej për standardin e shqipes duhet të merrnin pjesë edhe shkrimtarë, por problemi me Prof. Shuteriqin ishte se ai pati vetëpohuar dështimin e tij si shkrimtar, kur në vitet pesëdhjetë nisi të shkruajë me bujë të madhe një roman epope, siç quhej në gjuhën e realizimit socialist një roman shumëvëllimësh. Por Shuteriqi e ndërpreu botimin e këtij romani me temë nga lufta partizane, pasi botoi vëllimin e dytë, se e kuptoi dhe vetë se ishte krejt i paaftë për këtë punë. Që prej vitit 1955, nuk botoi më asnjë roman deri në 1998! Prof. Shuteriqi nuk kishte as shkollim gjuhësor, se ai pati studiuar në Grenoble të Francës për filozofi.

I shtati në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Prof. Aleks Buda, i prezantuar si “historian në Institutin e Historisë”, i cili dy muaj më pas do të emërohej kryetar i Akademisë së Shkencave. Aleks Buda, ndonëse kishte nisur studimet universitare në Vienë për filozofi dhe letërsi, ai nuk mundi që të diplomohet dhe u kthye në Shqipëri pa diplomë universitare. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Aleks Buda nuk ka dorëzuar asnjë diplomë universitare në të gjitha institucionet shkencore ku ka punuar dhe ku është paguar. Që Aleks Buda nuk arriti të diplomohet kjo gjë del tërthorazi dhe nga kujtimet e tij, të botuara nga vajza e tij, ku nuk thotë se u diplomua. Aleks Buda ishte i vetmi historian që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe kjo ndodhi se ai ishte përzgjedhur për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe emri i tij duhej të figuronte në Rezolutë. Është absurde që në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të figurojnë edhe njerëz pa diplomë universitare. Kur ky është kryetari i ardhshëm i Akademisë së Shkencave, kjo tregon joseriozitetin total të atyre që organizuan këto farsa shkencore.

I teti në listën e firmëtarëve është Dr. Rexhep Qosja, i prezantuar si drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë. Në 1972, Rexhep Qosja nuk e kishte nivelin e duhur akademik për të qenë vendimmarrës për një çështje kaq madhore sa standardi i shqipes. Ai ishte emëruar drejtor i Institutit Albanologjik vetëm pak muaj më parë. Rexhep Qosja firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit vetëm pesë vjet pasiqë kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës! Ai diplomoi në 1967, në moshën 31 vjeç. Sesi një njeri mund të bëhet ekspert për të marrë vendime kaq të rëndësishme si ai i Kongresit të Drejtshkrimit, vetëm pesë vjet pas përfundimit të gradës së parë të studimeve universitare, dhe pa kryer asnjë gradë tjetër të studimeve pasdiplomike, kjo është një gjë të cilën Rexhep Qosja nuk parapëlqen ta shpjegojë. Por kjo tregon joseriozitetin e tij si shkencëtar, të organizatorëve të Kongresit të vitit 1972, dhe të vetë Kongresit. Rexhep Qosja erdhi në Kongres me gradën shkencore doktor dhe me hijen e drejtorit të Institutit Albanologjik, pra si koka më e madhe e madhe e Albanologjisë në trojet shqiptare në Jugosllavi pas Idriz Ajetit. Në fakt Rexhep Qosja nuk kishte as njohuritë që normalisht duhet t’ i kishte një student mesatar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për arsye që dihen, niveli i mësimdhënies universitare në Prishtinë atëherë ishte i ulët. Rexhep Qosja doktoroi me ngut me një temë mbi Asdrenin, para se të kryente studime pasdiplomike, në mënyrë që të vinte në Kongres me një gradë shkencore. Por Rexhep Qosja, në 1972, kur firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 36 vjeçare nuk pati botuar asnjë libër si gjuhëtar. Një të tillë madje ai nuk e ka botuar as sot e kësaj dite pas 40 vitesh. Më pas, Qosja u dëshmua të jetë një sharlatan i çuditshëm, ashtu që ai befas pretendoi të jetë politolog, historian dhe shkruajti libra të vëllimshëm në këto fusha dhe për të cilat vetëm qeveria e kryesuar nga një katundar i një katundi të pazhvilluar si Hashim Thaçi, mund të kishte idenë e çuditshme për t’i përmbledhur në një korpus shumëvëllimësh me shpenzimet e shtetit.

I nënti në radhë, ndër nënshkruesit e Rezolutës është Prof. Shaban Demiraj. Ky ishte edhe anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe një njeri me peshë në të, se ishte përgjegjës i katedrës së gjuhësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1962 në 1989. Shaban Demiraj nuk e kishte shkollimin e duhur për të kryer asnjë nga këto detyra. I lindur në 1920, në Vlorë, ai kishte kryer medresenë e Tiranës, një shkollë e mesme teologjike islamike, nga ku doli imam. Më pas ai shkoi me studime në Egjipt, në Universitetin e Kajros, të cilin nuk e përfundoi. Ai kishte kryer Institutin Pedagogjik në Shqipëri, që ishte një shkollë e lartë dyvjeçare që përgatiste mësues për shkollat shtatëvjeçare dhe ato të mesme. Me këtë shkollim krejt të mangët për një shkencëtar, Demiraj u bë një nga kokat e mëdha të gjuhësisë shqiptare. Me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit, ai në 1972 botoi me ngut librin e tij të parë, “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”.

I dhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës është Lirak Dodbiba, i cili prezantohet si Bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Sipas sistemit të kualifikimit shkencor të kohës, ky ishte një titull shkencor dhe jo një gradë shkencore. Titujt shkencorë, “bashkëpunëtor shkencor”, dhe “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, përgjithësisht u jepeshin atyre që regjimi nuk donte t’ju jepte mundësi të bënin karrierë shkencore. Karriera shkencore përgjithësisht që fillonte me gradën “kandidat i shkencave”, për të vazhduar me gradën “doktor”. Në vitin 1972, Lirak Dodbiba kishte mbetur ende “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, në moshën 60 vjeçare, dhe i tillë mbeti deri kur vdiq në 1982. Lirak Dodbiba kishte diplomuar në Universitetin e Lionit për pedagogji. Si të gjithë ata me shkollim perëndimor, ai nuk pëlqehej nga regjimi komunist. Fakti që ai kishte mbetur jashtë karrierës shkencore, të jep të kuptosh se në Kongresin e Drejtshkrimit ishte thirrur me funksion thjesht dekorativ.

I njëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Kolë Koci, i prezantuar si Mësues i Popullit. Kolë Koci, i lindur në Pogradec, i cili në atë kohë ishte 70 vjeç, ishte një nga veteranët e pedagogjisë shqiptare. Ai kishte diplomuar në Lion të Francës për pedagogji. Megjithatë regjimi komunist nuk e gjeti të përshtatshëm për karrierë shkencore, dhe ai nuk mori asnjë gradë apo titull shkencor deri në vdekje, në 1989. Shaban Demiraj, hoxha me diplomë të Institutit Pedagogjik merrte titujt shkencorë njëri pas tjetrit dhe Lirak Dodbiba e Kolë Koci me diploma universitare franceze, nuk merrnin asnjë gradë shkencore. Kolë Koci e meritonte të ishte delegate në çdo kongres për standardin e gjuhës shqipe, por në Kongresin e vitit 1972, ai ishte thjesht me funksion dekorativ.

I dymbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte magjistër Remzi Nesimi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike, Shkup. 39 vjeçari Remzi Nesimi nga fshati Odri i Tetovës, në jetëshkrimin e vet zyrtar, të publikuar edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, pretendon se ka diplomuar në Beograd për Albanologji, në 1960. Ky është një pretendim sharlatanor se Albanologjia është një term shumëpërfshirës shkencor, që përfshin shumë degë të shkencës, që prej gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnografisë etj. Në të vërtetë në Universitetin e Beogradit në atë kohë kishte tashmë një katedër të Albanologjisë, ku studioheshin disiplina të ndryshme të albanologjisë, dhe ku mund të bënin studime të thelluara studentët që kishin kryer shkallën e parë të studimeve universitare. Ata si Remzi Nesimi që pretendojnë se kanë studiuar dhe diplomuar për Albanologji në shkallën e parë të studimeve, në të vërtetë kanë studiuar dhe diplomuar për gjuhë dhe letërsi serbokroate, duke pasur dhe gjuhën shqipe si drejtim të dytë. Grada shkencore “magjistër”, që mbante Remzi Nesimi, ishte baras me atë të kandidatit të shkencave në Shqipëri. Një fakt domethënës: Remzi Nesimi do të doktoronte në Prishtinë, vetëm 17 vjet pasiqë firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit.

I trembëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Jorgji Gjinari, i prezantuar si bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Jorgji Gjinari, në atë kohë 41 vjeç, kishte diplomuar në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, në 1955, dhe nuk kishte asnjë gradë shkencore posë këtij titulli më tepër honorifik. Ai nuk kishte botuar asnjë libër në atë kohë. Megjithatë ai ishte titullar i kursit të dialektologjisë në Universitetin e Tiranës, nga viti 1958, deri në vitin 1989.

I katërmbëdhjeti në listën e atyre që nënshkruan Rezolutën ishte docent Anastas Dodi, zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Anastas Dodi, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç, pati diplomuar në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës. Ai pati kryer një specializim njëvjeçar në Universitetin e Leningradit në Bashkimin Sovjetik, në 1960-61. Një tjetër njeri me shkollim rus. Dodi nuk kishte sigurisht nivelin arsimor dhe akademik që kërkonte një vendim-marrje e tillë si ajo për standardin e gjuhës shqipe. Dodi nuk kishte asnjë gradë shkencore në atë kohë dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit.

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe
Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe

I pesëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Emil Lafe, i prezantuar si gjuhëtar, por që në atë kohë nuk kishte marrë ende asnjë gradë apo titull shkencor. (Në botimet e kohës mbi Kongresin e Drejtshkrimit, para emrit të delegatit të Kongresit të Drejtshkrimit janë të shënuara gradat ose titujt shkencorë kur ai ka të tilla.) Emil Lafe, në atë kohë 34 vjeç, pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe në 1959, dhe më pas filloi punë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë (më pas Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë). Emil Lafe, në 1972, nuk e kishte as nivelin arsimor dhe as atë akademik për të qenë anëtar i komisionit organizator të Kongresit të Drejtshkrimit dhe delegat i tij, si dhe firmëtar i Rezolutës për standardin e gjuhës shqipe.

I gjashtëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte docent Jup Kastrati, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Jup Kastrati, i cili në atë kohë ishte 48 vjeç, pati diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në moshën 48 vjeç ai nuk kishte ende një gradë shkencore dhe mbante vetëm titullin shkencor të docentit. Gjuha e huaj e vetme që ai njihte relativisht mirë në 1972, ishte rusishtja. Ai edhe sot nuk mund të quhet një gjuhëtar i mirëfilltë dhe është biograf po aq sa gjuhëtar. Një projekt i tij si ai i Historisë së Albanologjisë në tre vëllime, i ndërmarrë në vitet e fundit, e kompromenton si sharlatan, se vepra të tilla nuk shkruhen nga një njeri i vetëm.

I shtatëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve të Rezolutës ishte Engjëll Angoni, i prezantuar si specialist për gjuhën shqipe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, në Tiranë. Për të nuk thuhej që të kishte ndonjë gradë apo titull shkencor, dhe ai gjendej në Kongresin e Drejtshkrimit vetëm se ishte kushëriri i Enver Hoxhës, nga Gjirokastra. Engjëll Angoni është ndër nënshkruesit e Rezolutës së vitit 1972, që mungojnë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009, dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, se ai ishte “specialist” pa asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Ali Abdihoxha, shkrimtar dhe drejtor i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë. Ali Abdihoxha, i cili në atë kohë ishte 43 vjeç, kishte diplomuar në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore, “Maksim Gorki”. Niveli i tij si shkrimtar nuk ishte i tillë që të kishte të drejtë të ishte delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, por ai u përzgjodh se ishte i pëlqyer nga regjimi si autor romanesh me temë nga lufta partizane.

I nëntëmbëdhjeti në listën e nënshkruesve ishte Luigj Franja, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkodër. Është tregues i joseriozitetit të plotë të shkencës së kohës së regjimit komunist në Shqipëri, që në një forum shkencor të ngushtë, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit, të merrnin pjesë edhe mësues të shkollës tetëvjeçare dhe të mesme. Këta njerëz mund të qenë pyetur për të dhënë mendime në tubimet përgatitore, po jo të ftoheshin në kongres. Ata qenë të ftuar sipas logjikës me të cilën në mbledhjet shkencore për naftën dhe metalurgjinë, krahas njerëzve me tituj shkencorë ftoheshin dhe punëtorë, të cilët qenë “novatorë” dhe “shpikës”. Luigj Franja, natyrisht, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzeti në listën e nënshkruesve ishte Prof. Josif Ferrari, i cili prezantohet si studiues arbëresh dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit. Ky në fakt është Giuseppe Ferrari, një prift arbëresh i ritit të krishterë ortodoks, të cilit organizatorët e Kongresit të Drejtshkrimit, ia ndryshuan dhe emrin. Ai nuk ishte gjuhëtar profesionist. Ndryshe nga ç’u prezantua prej organizatorëve të Kongresit të Drejtshkrimit, Ferrari nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. Ai nuk ishte “profesor” në gjuhësi, por në teologji. Ai ishte shkolluar për teologji. I njohur ndër arbëreshët si “prifti i kuq”, ai ishte i pëlqyeri i regjimit komunist shqiptar, deri kur vdiq, pikërisht në 1990, ndoshta prej pezmit që regjimi komunist në Shqipëri ishte duke rënë. Ferrari ishte mësimdhënës në katedrën modeste të gjuhës shqipe, në Universitetin e Barit, por nuk ishte një gjuhëtar serioz, i cili mund të merrte një vendim kaq të rëndësishëm sa ai për standardin e gjuhës shqipe.

I njëzetenjëti në listën e nënshkruesve ishte Magjistër Ahmet Kelmendi, pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ky nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në 2008-2009.

I njëzetedyti në listën e nënshkruesve ishte Ahmet Limani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Mamurras, të rrethit të Krujës. Nëse Kongresi do të kishte qenë një forum shkencor serioz, ky njeri nuk duhet të ishte atje. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar në 2008-2009.

I njëzetetreti në listën e nënshkruesve ishte Ajet Bytyçi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe, në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Pavarësisht nga emri, kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Në 1972, Ajet Bytyçi nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor, madje nuk ishte as magjistër. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzetekatërti në listë ishte Ali Dhrimo, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ky ishte 34 vjeç në atë kohë. Ali Dhrimo, i lindur në fshatin Çorraj të Sarandës, ishte dërguar për të kryer studimet universitare në Gjermaninë Lindore, por nuk i përfundoi dhe më pas studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, ku diplomoi në 1963. Tetë vjet pas diplomimit, ai firmoste Rezolutën për gjuhën standarde, pa pasur ende asnjë gradë apo titull shkencor, madje as atë të kandidatit të shkencave!

I njëzetepesti në listën e firmëtarëve ishte Bahri Beci, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë, por që në vitin 1972, në moshën 36 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë apo titull shkencor.

I njëzetegjashti në listën e firmëtarëve ishte Bajram Hajrullai, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Vlorë. “Filialet” qenë degë të Universitetit të Tiranës, të cilat qenë hapur përkohësisht në qytetet kryesore të vendit, në mënyrë që të kryenin studimet e larta me korrespondencë mësuesit të cilët patën kryer vetëm institutet pedagogjike dyvjeçare, ose ata të cilët patën fituar të drejtën për të vazhduar me korrespondencë studimet universitare. Mësimdhënësit e filialeve qenë përzgjedhur ndër mësuesit e shkollave të mesme të qytetit, të cilët qenë diplomuar në Universitetin e Tiranës. Kuptohet se një mësimdhënës filiali nuk kishte atributet e duhura akademike për të qenë delegat në kongresin ku do të vendosej për standardin gjuhësor. Në rastin e dhënë, Bajram Hajrullai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I njëzeteshtati në listë ishte Prof. Bedri Dedja, i prezantuar si zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës. Bedri Dedja, i lindur në Korçë, i cili në atë kohë ishte 42 vjeç, kishte diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik për pedagogji.

I njëzeteteti në listë ishte Besim Bokshi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Pavarësisht nga emri kjo ishte një shkollë që përgatiste mësues për ciklin e ulët dhe të mesëm shkollor. Edhe Besim Bokshi, në jetëshkrimin e vet zyrtar ka pretendimin sharlatanor se ka diplomuar për Albanologji në Beograd, si gradë e parë e studimeve universitare. Gjithsesi, Besim Bokshi në kohën që firmoi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte një 42 vjeçar pa asnjë gradë ose titull shkencor, madje nuk ishte ende as magjistër.

I njëzetenënti në listë ishte docent Dalan Shapllo, i prezantuar si pedagog i letërsisë shqiptare në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Dalan Shapllo, i lindur në 1928 në Gjirokastër, kishte diplomuar në Moskë për gjuhë dhe letërsi ruse në vitet pesëdhjetë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit, ai ishte përgjegjës i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Por ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

E tridhjeta në listë ishte Drita Garuci, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkodër, çka do të thotë se ishte mësuese në ndonjë shkollë tetëvjeçare ose të mesme. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenjëti në listë ishte Dritero Agolli, i prezantuar si: shkrimtar, Tiranë. Dritëro Agolli, në atë kohë 41 vjeçar, pati diplomuar në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, për gjuhë dhe letërsi ruse.

I tridhjetëedyti në listë ishte Dhimitër (Miço) Samara, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai pati diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe, në 1960. Në vitin 1972, në moshën 35 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëetreti në listë ishte Dhori Qiriazi, i prezantuar si “shkrimtar, Ersekë”. Dhori Qiriazi në atë kohë ishte një mësues letërsie 39 vjeçar, në Kolonjë, i cili shkruante poezi. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në Kongresin e Drejtshkrimit u thirr për shkak të mbiemrit të tij, që ishte i njëjtë më atë të disa rilindasve të mëdhenj.

E tridhjetëekatërta në listë ishte Elsa Vakëfliu, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Berat. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëepesti në listë ishte Fadil Podgorica, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Nga mbiemri kuptohet se ishte një prej podgoriçanëve, ndryshe sllavë muslimanë të ardhur në Shkodër. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tridhjetëegjashti në listë ishte Fatmir Agalliu, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Fatmir Agalliu, i cili kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në kohën që firmosi Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, në moshën 39 vjeçare, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëeshtati në listë ishte Fatmir Gjata, i prezantuar si “shkrimtar, Tiranë”. Ai kishte kryer studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë, në vitet 1946-51.

I tridhjetëeteti në listë ishte Ferdinand Leka, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës, në 1960. Në 1972, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I tridhjetëenënti në listë ishte Gaqo Peci, i prezantuar si “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë”. Ky gjendej në Kongres se ishte djali i Sotir Pecit, një rilindas dhe pjesëmarrës i atij që regjimi komunist e quante “Revolucioni i Qershorit” (vetë atyre që e bënë nuk u shkoi mendja ta quanin kështu!) Disa vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, Gaqo Peci do të dënohej me burg si kundërshtar politik, i akuzuar për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit komunist. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzeti në listë ishte Hasan Sazani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Gjirokastër. Këtij të shkretit i patën “drejtshkruar” dhe mbiemrin, që të ishte politikisht korrekt, se në fakt e kishte “Zazani”, por meqënëse Enver Zazani qe pushkatuar nga regjimi komunist, Hasanit ia bënë mbiemrin “Sazani” në Rezolutën e Kongresit. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetenjëti në listë ishte Henrik Lacaj, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Henrik Lacaj studioi në Universitetin e Padovës në Itali për filologji klasike (latinisht) por nuk arriti të diplomojë. Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit ishte pedagog i latinishtes, dhe në moshën 62 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Duke qenë shkodran katolik, një specie kjo shumë e dyshimtë për regjimin komunist, ai as që do të guxonte të shprehte ndonjë mendim të vlefshëm në Kongres, ndonëse ishte ndër njerëzit e paktë që mund të thoshte diçka sadopak të vlefshme.

I dyzetedyti në listën e firmëtarëve ishte Hysen Qosja, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan. Instituti i Lartë Pedagogjik në Elbasan ishte një shkollë dyvjeçare që nxirrte mësues dhe jo një institucion arsimor ku mund të bëhej shkencë e mirëfilltë gjuhësore. Hysen Qosja nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetetreti në listë ishte Isa Bajçinca, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, Prishtinë. Në vitin 1972 ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetekatërti në listë ishte Ismail Bajra, drejtor i NGBG (shtëpia botuese) “Rilindja”, Prishtinë. Ismail Bajra nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetepesti në listë ishte Ismail Doda, i prezantuar si drejtor i Shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Ostros (Krajë). Ismail Doda ishte nga shqiptarët e Malit të Zi, drejtor i një shkolle fshati dhe nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I dyzetegjashti në listë ishte Ismail Kadare, shkrimtar. Kadare kishte diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas kishte studiuar në Moskë për letërsi.

I dyzeteshtati në listë ishte Jakov Xoxa, i prezantuar si shkrimtar, Tiranë. Jakov Xoxa kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Sofjes në Bullgari, në vitet pesëdhjetë, çka do të thotë se mësoi bullgarishten para frëngjishtes.

I dyzeteteti në listë ishte Jani Thomai, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Jani Thomai, i lindur në Seman të Fierit, dhe i diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në 1972, në moshën 38 vjeçare nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I dyzetenënti në listë ishte Jorgo Bulo, i prezantuar si historian i letërsisë shqiptare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit të Tiranës. Jorgo Bulo, nga Sheperi i Gjirokastrës, në atë kohë 33 vjeçar, kishte diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor. Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë ai gjendej prej vetëm gjashtë vitesh.

I pesëdhjeti në listë ishte Jorgji Çerepi, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Durrës. Edhe ky nuk kishte asnjë titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëenjëti në listë ishte Koço Bihiku, zëvendësdrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Koço Bihiku kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi ruse në në Bashkimin Sovjetik, në vitet 1949-54. Në vitin 1972, në moshën 46 vjeçare ai mbante vetëm titullin “bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe ende nuk kishte marrë asnjë gradë shkencore.

I pesëdhjetëedyti në listë ishte Kolë Ashta, pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Kolë Ashta, i lindur në Shkodër në 1918, kishte diplomuar në Romë për filozofi. Meqënëse njihte latinishten, u mor me gjuhësi. Në vitin 1972, nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor, dhe nuk pati asnjë të tillë deri kur vdiq në 1998.

I pesëdhjetëetreti në listë ishte Kristaq Shtëmbari, përgjegjës i kabinetit pedagogjik, Fier. Edhe ky natyrisht nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Liriku i Madh Lasgush Poradeci
Liriku i Madh Lasgush Poradeci

I pesëdhjetëekatërti në listë ishte Lasgush Poradeci, i cili ishte marrë në Kongres me funksion dekorativ. Lasgush Poradeci në atë kohë as që botonte më. Pasi doli nga kongresi, në stilin e tij, tha fjalët e famshme: Ky emri letrar paska pasur një të mirë që nuk e dija. Të shërben në raste të tilla. Në këtë kartë palaçosh hodhi firmën Lasgush Poradeci, por jo Llazar Gusho! (Ky ishte emri i tij i vërtetë.)

I pesëdhjetëepesti në listë ishte Luan Dino, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Përmet. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E pesëdhjetëegjashta në listë ishte Lumnie Shehetila, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Elbasan, e cila nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I pesëdhjetëeshtati në listë ishte Llazar Siliqi, shkrimtar. Siliqi, një minoritar serb në Shqipëri, kishte diplomuar në Institutin e Letërsisë Botërore, “Gorki” në Moskë, në vitin 1951.

I pesëdhjetëeteti në listë ishte Mehmet Çeliku, i prezantuar gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Mehmet Çeliku, i diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor në vitin 1972.

I pesëdhjetëenënti në listë ishte Menella Totoni, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Menella Totoni, i lindur në Përmet, në moshën 37 vjeç nuk kishte ende asnjë gradë shkencore dhe kishte vetëm titullin e bashkëpunëtorit shkencor. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.

I gjashtëdhjeti në listë ishte Mërkur Alimerko, drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor në Tiranë. Ai kishte diplomuar për rusisht në Tiranë. Nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëenjëti në listë ishte Mikel Zavalani, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë. Edhe ky u zgjodh për shkak të mbiemrit të tij që ishte ai i rilindasve të njohur. Por ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëedyti në listë ishte Myfit Trepça, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Peshkopi. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëetreti në listë ishte docent Munir Reso, i prezantuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. I lindur në Gjirokastër ai gjendej në Kongres vetëm se Enver Hoxha donte që atje të kishte sa më shumë gjirokastritë. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore dhe as nuk mori më vonë. Munir Reso nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëekatërti në listë ishte Naim Bardhi, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Kavajë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëepesti në listë ishte Nesti Bellovoda, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës, në Korçë. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E gjashtëdhjetëegjashta në listë ishte Nikoleta Cikuli, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I gjashtëdhjetëeshtati në listë ishte Niko Tanini, i prezantuar si redaktor letrar në gazetën “Zëri Popullit” (organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë). Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje e Shqipërisë Komuniste
Pamje e Shqipërisë Komuniste

I gjashtëdhjetëeteti në listë ishte Osman Myderrizi, i prezantuar si gjuhëtar dhe mësues veteran. Osman Myderrizi, i lindur në 1891 ishte një njeri i paarsimuar (Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2009 për të thuhet se “Lindi në Tiranë ku kreu mësime pedagogjike”?!) Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Por e patën bërë “Bashkëpunëtor të vjetër shkencor” me rastin që do të merrte pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit.

I gjashtëdhjetëenënti në listë ishte Pashko Geci, i prezantuar si gjuhëtar, mësues veteran, Tiranë. Ky ishte në fakt Pashko Gjeçi, të cilit ia patën ndryshuar mbiemrin, për shkak se pati qenë i burgosur politik, pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. Pashko Gjeçi pati diplomuar për gjuhësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ishte thirrur në Kongres me funksione dekorative, ashtu që regjimi komunist të pretendonte se standardin gjuhësor e patën miratuar dhe intelektualët katolikë, të cilët nuk njiheshin si njerëz pro regjimit. Me këtë rast, Pashko Gjeçit iu dha edhe titulli honorifik “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore. Natyrisht se Pashko Gjeçi nuk do të guxonte të shfaqte asnjë mendim kundër asaj që ishte linja zyrtare në Kongres.

I shtatëdhjeti në listë ishte Dr. Petro Janura, i prezantuar si drejtor i Degës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkupit. Ky ishte një person shumë interesant, një aventurier kërshëror. I lindur në 1911 në Fier, ai e bëri shkollën e mesme në Rumani. Në 1940, diplomoi si jurist në Universitetin e Pizës në Itali. Kur në 1941, në trojet shqiptare që deri më atëherë patën qenë në Jugosllavi dhe që iu bashkuan shtetit shqiptar, u çuan mësues dhe zyrtarë të ndryshëm nga Shqipëria e vjetër, siç quhej, shkoi edhe Petro Janura, si gjykatës në Gostivar. Në 1944 e kapën rob partizanët jugosllavë dhe ia dorëzuan OZNA-s (shërbimit të fshehtë, paraardhësit të UDB). Janura u mor vesh me OZNA-n aq sa qëndroi në Jugosllavi dhe nuk u kthye në Shqipëri, ku me siguri do të kishte përfunduar në burg. Në 1945, gjykatësi fashist Petro Janura u emërua kryeredaktor i parë i gazetës “Flaka e vëllazërimit”, dhe më pas i gazetës “Jehona”. Ai nuk ishte arsimuar për gjuhësi, nuk ishte gjuhëtar profesionist dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëenjëti në listë ishte Pjetër Fusha, i prezantuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Rubik të Mirditës. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëedyti në listë ishte Qemal Haxhihasani, i prezantuar si folklorist në Institutin e Folklorit në Tiranë. Qemal Haxhihasani kishte kryer dy vjet me korrespondencë në Universitetin e Firenze në Itali, për pedagogji (1940-42). Atij iu dha titulli honorifik Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit. Ai nuk kishte asnjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëetreti në listë ishte Remzi Pernaska, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Remzi Përnaska i lindur në Korçë në 1934, kishte diplomuar për gjuhën ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Në 1960-61, studioi në Moskë për gjuhën turke. Në 1972, në moshën 38 vjeç, nuk kishte ende asnjë gradë ose titull shkencor.

I shtatëdhjetëekatërti në listë ishte Sefedin Sulejmani, i prezantuar si drejtor i Njësisë së bashkuar të punës botuese (shtëpi botuese) “Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Ai nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëepesta në listë ishte Sofika Adhami, e prezantuar si mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Vlorë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E shtatëdhjetëegjashta në listë ishte Sofika Morcka, e prezantuar si gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I shtatëdhjetëeshtati në listë ishte Spiro Floqi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Spiro Floqi, i lindur në 1920 në Korçë, kishte diplomuar në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, për gjuhësi. Në 1972, në moshën 52 vjeçare, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, dhe mbante vetëm titullin shkencor të Bashkëpunëtorit të vjetër shkencor. As më pas ai nuk mori ndonjë gradë shkencore. E megjithatë ishte përgjegjës i sektorit të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

I shtatëdhjetëeteti në listë ishte Stefan Prifti, i prezantuar si gjuhëtar. I lindur në Arrëz të Kolonjës, ai pati diplomuar për filologji në Universitetin e Athinës në 1938. Në vitin 1972, në moshën 62 vjeç, ai nuk kishte asnjë gradë shkencore, por mbante vetëm titulli shkencor “docent”. As më pas nuk mori ndonjë gradë shkencore.

I shtatëdhjetëenënti në listë ishte Sterjo Spasse, shkrimtar, minoritar maqedon në Shqipëri. Ai kishte studiuar në Institutin e Letërsisë Botërore “Gorki në Moskë”.

I tetëdhjeti në listë ishte Shefqet Hoxha, pedagog i gjuhës shqipe në filialen e Universitetit të Tiranës, në Kukës. Ai nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëenjëti në listë ishte Shevqet Musaraj, shkrimtar. I lindur në 1914, në Vajzë të Vlorës, ai kishte kryer vetëm shkollën e mesme tregtare në Vlorë. Nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëedyti në listë ishte Tomor Osmani, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër. Ai kishte diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1972, në moshën 37 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëetreti në listë ishte Xhevat Lloshi, i prezantuar si gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. I lindur në Fier, ai diplomoi për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës. Në 1972, në moshën 34 vjeçare, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor.

I tetëdhjetëekatërti në listë ishte Ylli Ruli, i prezantuar si pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e Universitetit të Tiranës. Ylli Ruli, nga Libohova, nuk kishte asnjë gradë apo titull shkencor. Ai nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

E tetëdhjetëepesta në listë ishte Zana Daci, e prezantuar si pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk mori as më vonë. Ajo nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

I tetëdhjetëegjashti në listë ishte Prof. Zihni Sako, drejtor i Institutit të Folklorit në Tiranë. Zihni Sako, i lindur në 1912 në Gjirokastër, e pati kryer arsimin e mesëm dhe atë të lartë në Greqi, në Janinë dhe në Athinë. Në Universitetin e Athinës studioi dy vite për filologji klasike.

E tetëdhjetëeshtata në listë ishte Zhaneta Nova, mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Gjirokastër. Ajo nuk kishte asnjë gradë ose titull shkencor dhe nuk figuron në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit
Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit që nënshkruan Rezolutën për standardin e gjuhës shqipe, 72 nuk kishin asnjë gradë shkencore!!! Nga 15 nënshkruesit me grada shkencore, pesë prej tyre nuk i kishin ato në gjuhësi. Këta qenë: Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dedja, Josif Ferrari, Zihni Sako. Nga pesë gjuhëtarët me titull “profesor”, njëri, Androkli Kostallari kishte diplomuar për rusisht. Ndër delegatët me tituj shkencorë, kishte pesë docentë dhe shtatë bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë. Ndër bashkëpunëtorët e vjetër shkencorë, njëri Osman Myderrizi, nuk kishte as diplomë të shkollës së mesme. Pjesa më e madhe e delegatëve qenë shkolluar në Bashkimin Sovjetik dhe gjuha e huaj e vetme që njihnin mirë ishte rusishtja. Në fakt, për shkak të pranisë së delegatëve nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të shkolluar në Beograd dhe në shkolla ku gjuha e parë pas shqipes ishte serbokroatishtja, mund të thuhet se 80% e delegatëve nuk zotëronin mirë asnjë gjuhë të huaj përveç këtyre dy gjuhëve sllave. Madje edhe në vitin 2008, pra 36 vjet pas Kongresit, nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit, 37 prej tyre, nuk përmbushin kriteret e vëna për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, do të thotë nuk kanë marrë grada shkencore! Kjo shifër do të dilte edhe më e lartë nëse llogaritet se disa delegatë të Kongresit të vitit 1972, kanë hyrë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar thjesht si shkrimtarë mediokër të realizmit socialist si Ali Abdihoxha, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Sterjo Spasse, Dhori Qiriazi. Nëse Fjalori Enciklopedik Shqiptar i viteve 2008-2009 do të ishte bërë në 1972, atëherë 55 delegatë të Kongresit, nga 87, nuk do të mund të përmbushnin kriteret për të hyrë në Fjalorin Enciklopedik!
Merret vesh, firmëtarët e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit nuk përbënin një forum serioz shkencor. Apologjia e tyre do të kishte qenë nëse ata, pas rënies së regjimit komunist do të kishin thënë se vepruan në rrethana emergjente dhe të kërkonin që të mbahej një kongres i mirëfilltë shkencor për të vendosur standardin e gjuhës shqipe. Disa prej tyre në fakt e kanë thënë këtë gjë. Por pjesa më e madhe qenë përzgjedhur nga regjimi komunist të tillë që nuk kanë as minimumin e deontologjisë profesionale, dhe nuk mund të pritej tjetër gjë prej tyre, se profesioni bazë i tyre është ai i sharlatanit. Në vend që të mbanin qëndrimin e thënë më lart, ata pas vitit 1972 dhe madje pas vitit 1990 vazhduan që të shpërblejnë njëri-tjetrin me grada dhe tituj shkencorë që në thelb nuk qenë gjë tjetër veçse një ritual i zbatimit të “religjionit” të krijuar në 1972, në trajtën e standardit të gjuhës shqipe. Nëse sot, në vitin 2012 do të mblidhej një forum prej 87 vetësh me një përbërje të ngjashme me atë të vitit 1972, nga pikëpamja e kualifikimit shkencor, dhe do të diskutonte për standardin e gjuhës shqipe, ai do të kritikohej si joserioz, joprofesional, qesharak, madje edhe nga ata firmëtarët e mbetur gjallë të Rezolutës të vitit 1972.

.

Ps. Me blu janë paraqitur firmatarët e Republikës së Shqipërisë, dhe me violë ata të territoreve jashtëshqiptare.

.

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.