back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Biografi e shkurtë e Prof. Sami Repishtit (1925-2024)

Gazeta

Prof. Sami Repishti (1925-2024)
Prof. Sami Repishti (1925-2024)
Biografi e shkurtë e Prof. Sami Repishtit
Ditën e largimit të tij në amshim

Prof. Sami Repishti lindi në Shkodër, Shqipëri, në vitin 1925; në Shkodër kreu studimet fillore e të mesme. Studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firenzes, Itali.
Student 14 vjeçar u aktivizue në demonstratat e 7 prillit 1939, dhe ma vonë në lëvizjen e rezistencës kundër pushtuesve fashistë italianë dhe nazistë gjermanë. I zhgënjyem nga propaganda dhe ushtrimi i terrorit masiv komunist, ai mbeti demokrat parimor dhe intelektual jokonformist. Gjatë L2B humbi babën, viktimë e terrorit fashist dhe kushërinin, viktimë e terrorit nazist.
Që nga viti 1945, me ardhjen e pushtetit diktatorial stalinist, ai u gjend në nji situatë që impononte, politikisht e moralisht, marrjen e nji qendrimi patriotik në lëvizjen klandestine antikomuniste. Me arrestimin e tij me 22.10.1946, studenti Repishti u torturue egërsisht për 14 muej; me 27.11. 1947, u dënue me 15 vjet burgim të randë. Më 1949, nana, motra dhe vëllai, të mitun, u internuen në Berat dhe Veliqot, Tepelenë, si viktima të komunizmit.
I liruem nga burgu, 01.07.1956, punëtor krahu i përbuzun dhe i përndjekun, vendosi të arratisej në Jugosllavi, më 22.09.1959, tue lanë familjen në gjendje shumë të vështirë.
Si emigrant politik u mbajt 11 muej në izolim “incommunicado”, u dërgue në kampin Gerovo, Kroaci, dhe u përjashtue në Itali më 01.09.1961.
Emigroi në Amerikë, 09.04.1962.

Prof. Sami Repishti - Nën Hijen e Rozafës
Prof. Sami Repishti – Nën Hijen e Rozafës

Në Botën e Lirë, refugjati Sami Repishti iu nënshtrue nji arsimimi rigoroz dhe fitoi diplomën B.A.(1964), dhe M.A.(1969) pranë Queens College, dhe Ph.D. (Universiteti “la Sorbonne”, Paris (bursist i Qeverisë franceze) dhe Graduate Center of the City University of New York, (French, shkurt 1973). Për 26 vjet me radhë ka dhanë mësim në gjimnazet amerikane, kryetar i departmentit për gjuhët e hueja (1974-1990) dhe pedagog i jashtëm pranë Adelphi University, N.Y. (1972-1978).
Dr. Sami Repishti ashtë autor, kryesisht i dy vëllimeve: “Pika Loti – Tregime burgu” (1997), dhe “Nën hijen e Rozafës – Narrativë e jetueme” (2004) bashkautor dhe publicist me shkrime për problemin e “Shqipërisë Lindore”, Kosova e lirë u ba leitmotivi i jetës tij.
I aktivizuem në lamin politik, ai bashkëthemeloi e drejtoi disa organizata shqiptaro-amerikane: nga këta Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (N.A.A.C) për shumë vite kanë qenë dy grupimet politike ma efektive në emigracion. Në vitin 1965, ai ka dëshmue para Kongresit Amerikan për probleme kombëtare shqiptare, me lidhje të vazhdueshme me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë.
Prof. Repishti asht dekorue disa herë nga qeveritë shqiptare, amerikane dhe kosovare.
Akti rebel që pothuejse e vrau, e çliroi njikohësisht. Si i ri, ai u ndërgjegjsue për rolin e tij, nga dashnia për atdhe dhe etja për liri, nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet. Gjatë udhës, ai njohu ma mirë “Njeriun”, krijesën fisnike. Udhëtimi e solli në botën e nëntokës komuniste ku takoi viktimën dhe e deshti me pasion, nji dashuni për Krijesën që mundi edhe kërcënimin e vdekjes…
Sot ai largohet nga kjo botë i shqetësuem që akoma nuk ka nji punë të organizueme me shkye perden e konspiracionit komunist. Akoma sot, Shqipëria nuk e ka pranue fajin publikisht: ajo jeton me nji ndërgjegje të randueme. Kjo gjendje fluide frikëson mendjet e ndrituna që kanë përqafue demokracinë. Nëqoftëse akoma refuzojmë me përballue demonët e së kaluemes, breznitë e ardhme do të pësojnë rrjedhimet e paevitueshme.
Dr. Repishti ka folë, ka shkrue, ka denoncue pa kompromis këtë tragjedi që shtrembnon çdo gja dhe çdo mendim dhe shtron pyetjen se a do të jemi në gjendje me rikrijue nji bashkësi vëllazënish e motrash të lirë, të ndërgjegjshëm për rolin e tyne në shoqëni e kryesisht të çliruem nga frika e persekutimit të organizuem shtetnor të “shtetit tonë”?
Pasiviteti sot mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit e lejon kryqëzimin e pafajnisë! Zemrat e djeguna si ajo e Sami Repishtit nuk gjejnë ngushëllim derisa të gjindet nji përgjigje.

Prof. Sami Repishti (1925-2024)
Prof. Sami Repishti (1925-2024)

Sot ai largohet nga kjo botë me shqetësimin se Shqipëria lëkundet në mes të së vjetrës që nuk jep shpirt, dhe së resë pa fuqi me lindë. Ai do të lutet për nji rilindje premtuese – me ndihmën e Zotit!
Sot ai largohet me dashuni për të gjithë, veçanërisht për herojt, dëshmorët e viktimët e regjimeve totalitare në Shqipëri dhe pa urrejtje për të gabuemët dhe të mashtruemët.
Ai largohet tue shfaqë mirënjohjen e tij të pakufishme për prindët e vet, Hava dhe Hafiz Ibrahim Repishti, dy viktima të diktaturave, për motrat Fejzije, Merjeme e Hadije, për vëllazënit Fahri e Vehbi e familjarët e tjerë në Shqipëri që vuejtën aq shumë…
Sot ai shpreh mirënjohjen ma të thellë për bashkëshorten e tij Diana Çipi, dashuninë e mirëkuptimin e saj të plotë; për djalin Daren e fëmijët Bryan, Julia e Nicole; për vajzën Ava Repishti-Safir, e fëmijët Åudrey T. e Ålexander H. Safir, që mundësuen rihymjen e tij në jetë “normale”, të gjithë burim gëzimi e kryenaltësie për mbi 60 vjet banimi në Shtetet e Bashkueme!
Dhashtë Zoti paqë në botë dhe mirëkuptim në mes të njerëzimit!

Marrë nga muri i Fb i Ardita Repishti, 28 nantor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.