
Beteja e Macukullit unikale në Shqipëri
nga Ilir Vata
Sot, 82 vite nga Beteja e Macukullit kundër komunizmit
Homazh dhe nderim për antikomunistët e Macukullit – baballarët dhe gjyshërit tanë
Më 14 korrik 1944, në një ditë si kjo, 82 vite më parë, Macukulli dhe zonat përreth, përfshirë Semtin e Prellit, nisën betejën më të madhe kundër komunizmit që është shënuar ndonjëherë në Shqipëri.
Edhe pse vitet e fundit është hedhur pak më shumë dritë mbi këtë betejë antikomuniste dhe ekziston një vend kujtese, ende nuk janë zbuluar plotësisht vlerat e vërteta të kësaj qëndrese për liri dhe demokraci. Madje, edhe komandanti i kësaj lufte, Xhemal Vata – i ekzekutuar nga regjimi në vitin 1947 në Dëbrovë të Dibrës – nuk ka një varr.
Martirët e ekzekutuar nga diktatura ende nuk kanë një vend për t’u nderuar siç e meritojnë, sepse urrejtja e vjetër e trashëguar nga krimet e komunizmit ende mbetet e gjallë dhe fuqiplotë, duke tentuar të zhbëjë vlerat e një krahine të tërë, që qëndroi për liri.
Pse Beteja e Macukullit është unikale në Shqipëri?
E para betejë e vetëorganizuar antikomuniste në Shqipëri. Ndryshe nga përpjekjet e tjera që u drejtuan nga forcat mbretërore, Macukulli e organizoi vetë rezistencën e tij kundër komunizmit. Shtëpitë e para dhe burrat e Macukullit, të mbështetur nga fshatrat përreth, ngritën pushkën e parë antikomuniste në një ushtri të organizuar. Ata e panë komunizmin si pushtues, duke qenë se regjimi plebishitar dhe liria e vendimmarrjes ishin pjesë e traditës së tyre, të trashëguar nga Kanuni i Skënderbeut dhe ai i Lekë Dukagjinit.

Lidhjet e drejtpërdrejta me Perëndimin
Shumë nga bijtë e Macukullit ishin të shkolluar në universitetet më të mira të botës dhe kishin lidhje me misionin anglez dhe lëvizjet antikomuniste ndërkombëtare. Në takimin e parë në verën e vitit 1944, ku morën pjesë Bilal Kola, Xhemal Vata, Sali Vata, Taf Vata, Shahin Doçi dhe të tjerë, u vendos që komunizmi duhej konsideruar si një pushtues i ri.
Strategjia dhe Beteja
Bilal Kola – strateg i spikatur dhe njeri me ndikim të madh – propozoi që komandant të ishte Xhemal Vata, një burrë trim që përfaqësonte shumicën e luftëtarëve. Ai vetë drejtoi një njësi të specializuar për patrullim dhe mbrojtje të pjesës verilindore të Macukullit.
Sali Vata, ish-zv/komandant i kufirit në Shkodër gjatë mbretërisë, së bashku me shënjuesin Llan Gjata, vendosën mitralozët në kodrën kryesore të Macukullit.
Më shumë se 250 burra të armatosur me pushkë, mitralozë dhe mortaja ishin të përgatitur në çdo pikë strategjike. Për tre ditë u organizuan pritë në disa drejtime për të ndaluar çetat e Shefqet Peçit, të cilat u zmbrapsën me humbje dhe turp nga forcat e Macukullit.
Pasojat
Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, pasojat për këtë betejë ishin të rënda:
-Zhdukja pa gjurmë e grupit të Bilal Kolës – 13 burra u zhdukën nga regjimi.
-Ekzekutimi i Xhemal Vatës në vitin 1947.
-Dënimi me 101 vite burg për Sali Vatën, 25 vite për Taf Vatën dhe Shaqir Vatën.
-Torturat dhe burgimet e Nezir Vatës, Haziz Vatës, Xhemal Doçit dhe shumë të tjerëve nga fiset Vadodaj, Saldoçe, Sucaj, Bicaj, Metaj etj.
-Persekutime, internime, sekuestrime pasurish dhe ndalim i arsimimit për dekada.
Macukulli – Kështjella që nuk u nënshtrua
Macukulli është një kështjellë natyrore dhe shpirtërore e lirisë shqiptare. Kurrë nuk u pushtua nga otomanët, nga serbët dhe as nga komunizmi. Ajo është drejtuar gjithmonë nga pleqësia dhe vlerat e Kanunit, duke ruajtur ndjenjën e drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Megjithëse e lënë në harresë nga pushtetet pas diktaturës, pa investime, pa rrugë e pa institucione, historia e saj është kënduar dhe ruajtur brez pas brezi. Por ajo kërkon më shumë: drejtësi, vlerësim të denjë për sakrificën dhe kujtesë historike.
Thirrje për kujtesë
Le ta kujtojmë këtë ditë me nderim për baballarët tanë që qëndruan në llogore për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë. Zbardhja e së kaluarës dhe transparenca për krimet e diktaturës janë themeli për një të ardhme më të ndritur. Përulemi me respekt para të gjithë atyre që u bënë martirë për idealin më të lartë – lirinë.
Kryetari i PDM-së, Ilir Vata 14 korrik 2026