back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 18 Janar, 2026

Bestiariumi – strukturë figurative, alegorike, por edhe dëshmi, akuzë e ndërgjegjësim – nga Margarit Done

Gazeta

Margarit Done
Margarit Done
Bestiariumi – strukturë figurative, alegorike, por edhe dëshmi, akuzë e ndërgjegjësim
nga Margarit Done

Kalon çdo suprizë,
kur dikush të lexon pa tw njohur
dhe shkruan për ty, pa asnjë lloj klani
apo piramide të caktuar kulturore dhe letrare.
Mirënjohje, Emy Krosi

Mbi poemën “Koha e (tej)shkruar e përdhosjes së Republikës” të autores Emi Krosi.
Koncepti i bestiariumit ka një histori të gjatë në letërsi, duke filluar nga bestiariumet mesjetare, ku kafshët përdoreshin për të ilustruar virtyte dhe vese njerëzore, e deri tek letërsia moderne dhe bashkëkohore, ku figura shtazore shndërrohen në një instrument kritik dhe subversiv.
Në poezinë e Emi Krosit, bestiariumi funksionon si strukturë themelore e diskursit poetik. Ai (bestiariumi) ndërton një alegori totale, ku realiteti politik dhe moral i Republikës shfaqet si një habitat shtazor, i rregulluar jo nga ligji, por nga instinkti grabitqar.
Sipas teorisë së alegorisë (nga Benjamin), alegoria shfaqet aty ku realiteti është i thyer dhe i pashërueshëm. Poema e Krosit operon pikërisht në këtë terren. Republika nuk është më një ide abstrakte juridike, por një “trup i gjallë”, i përdhunuar dhe i ekspozuar ndaj dhunës së bijve të saj.
Bestiariumi poetik shërben për të realizuar çnjerëzimin e pushtetit. Vampirët që pinë gjak, hienat dhe ulkonjat që rrethojnë territorin, aligatorët “mbretërorë” që klithin mallkime. Të gjitha këto figura përfaqësojnë elita politike dhe struktura pushteti, të cilat janë zhveshur nga çdo dimension etik dhe qytetar. Këtu njeriu nuk është më subjekt politik, por “organ biologjik” grabitqar.
Bestiariumi në poemë ndërtohet përmes një gjuhe groteske, ekspresioniste dhe shpesh tronditëse.
Në poemën e Krosit, shenjtëria (Kushtetuta, Republika, flamuri) përdhoset, figura shtazore shpallen “shën” (shën-ulkonja, shën-hiena),
morali përmbyset dhe ironizohet.
Kjo estetikë nuk është nihiliste, por rezistuese. Ajo shërben për të shkundur, zgjuar e tronditur lexuesin, për ta nxjerrë nga rehatia morale dhe për ta detyruar të shohë realitetin pa filtra ideologjikë.
Një nga funksionet më të rëndësishme teorike të bestiariumit në këtë poemë është ndërtimi i një “harte morale” të shoqërisë. Çdo kafshë përfaqëson një pozicion etik:
– grabitqarët – pushteti dhe korrupsioni,
– qengjat – masa e nënshtruar,
– qentë – instinkti i verbër i bindjes,
– “prishësit e rendit” – zërat kritikë dhe intelektualë.
Kjo ndarje nuk është manikeiste, por tragjike. Nuk ka shpëtim brenda këtij sistemi.
Në qendër të këtij bestiariumi qëndron një zë femëror, intelektual dhe i përjashtuar, që refuzon të heshtë. Urdhrat “hesht”, “mos protesto”, “mos u merr me politikë” janë forma të dhunës simbolike që sistemi ushtron mbi individin kritik.
Hedhja e gurit në fund të poemës është një veprim simbolik që të bën të tërheqësh vëmendjen. Edhe në ikje, poetja nuk dorëzohet. Ajo lë një shenjë kujtese për rikthim, ndërgjegjësim, për brezat, për “fëmijët e natës plangprishëse”.
Duke përfunduar shkrimin mund të themi se bestiariumi poetik në “Koha e (tej)shkruar e përdhosjes së Republikës” nuk është vetëm një teknikë figurative, por dhe një etikë poetike e politike. Ai i jep poemës funksionin e saj më të lashtë: të dëshmojë, të akuzojë dhe të zgjojë kujtesën.
Emi Krosi, përmes këtij bestiariumi, ndërton një poemë që nuk kërkon marrveshje, por ndërgjegjësim. Ajo e shndërron fjalën në formën e një rezistence dhe alegorinë në formë drejtësie poetike, duke e vendosur veprën e saj në vijën e fortë të letërsisë kritike bashkëkohore.
Urime poetes!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.