back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Bashkpunimi ndërmjet Shqiptarëve nga Luigj Gurakuqi

Gazeta

Luigj Gurakuqi (1879-1925)
Luigj Gurakuqi (1879-1925) 

Bashkpunimi ndërmjet Shqiptarëve

nga Luigj Gurakuqi

Bazat e bashkpunimit ndërmjet Shqiptarëve: Muhamedanë e të Krishtenë.

Arsyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohen, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”
Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuan as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sesa janë të lidhun për gjuhën e, sesa kryenaltë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet. E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.
Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.
E me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjen e Shqipnisë nga Turqia. Edhe të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasysh këte punë e, as nuk i dhanë randësi konseguencave të saja.
Vazhduen, pra, së bashku, si vëllazën që ishin, e me zell ditë përditë ma të ngrohtë e me guxim herëpërherë ma të madh, veprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.
Në kohët e para të Pavarësisë sonë ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë se po u epshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimeve e qellimeve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimeve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombësisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.

Mjeda - Fishta - Gurakuqi 1908
Mjeda – Fishta – Gurakuqi 1908

Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrethanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhet të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimeve.
Kur ta meendojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhet të mrekullohemi sesi Populli i saj, ka mundë ta mblidhte veten e, sesi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!
Përsa i përket, tashti, çeshtjes fetare e kundërshtimeve që mund të ngjajnë ndërmjet besimeve të ndryshme, mund ta thomi me krye nalt se edhe në këtë pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën. Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e se, në mungesë argumentesh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.
Po të krahasojmë gjendjen shoqnore t’Irlandës me atë të Shqipnisë, e po të masim shkallën kulturore të Popullit të sajë me atë të Popullit tonë; e po të kujtojmë mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahen nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhet të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjell pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sesa në vendin tonë të mjerë.
Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rallë se gjindet tjetërkund!
Përpara se të përfundojmë, po ju, pyes: Si do të sillen, si do të rregullohen Shqiptarët që të mundën me bashkpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshen në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimeve?
Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhen besimet për me largue konfliktet që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjes së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.
Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që t’i shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohen ligjeve të Shtetit. Unë besoj, se qëllimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes  besimeve largojmë konfliktet, mund të arrihet lehtë e vetëm e vetëm, tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimeve, e tue ndalue që Shteti të përzihet në punët e tyne.

Luigj Gurakuqi me Kel Marubi (qender) e Mati Logorecin.
Luigj Gurakuqi me Kel Marubi (qender) e Mati Logorecin.

Ndërhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekuilibri ndërmjet tyne, do të shkaktohen hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedanë e të Krishtenë duhet të mbetën gjithnjë ato të parat e, duhet të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimeve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue veprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurt se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohet, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejt udhës së qytetnimit dhe të përparimit.
1923
Përgatiti Fritz Radovani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.