
Bashkia e Lushnjes nderon Gjergj Velon “Qytetar Nderi” – firmtar i internimeve
Një vendim i Këshillit Bashkiak të Lushnjës
për të dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” Gjergji Velon,
një ish-drejtues në periudhën e sistemit komunist,
ka nxitur reagime të forta nga bota e politikës, dhe jo vetëm.
Vendimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”
është më marrë më datë 19 tetor, me firmë të kryebashkiakes
Eriselda Sefa, ndërsa në relacion thuhet se
propozimi u bë nga Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ
dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, dega Lushnjë,
pasi Velo ka kontribuar në zhvillimin e qytetit….
https://shqiptarja.com/lajm/

Një nga qytetet më të vuajtura të Shqipërisë, Lushnja, që për dekada ka mbajtur mbi shpinë barrën e kampeve të internimit, sot po poshtëron kujtimin e viktimave të diktaturës.
Këshilli Bashkiak i Lushnjës, me një vendim të paprecedentë, ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” ish-funksionarit të regjimit komunist Gjergj Velo, i cili në vitet 1983-1989 ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Lushnjës – firmëtar i internimeve dhe dëbimeve politike të dhjetëra familjeve të pafajshme.
Ky nderim, i shoqëruar me ceremoni zyrtare, në prani të kryetares së bashkisë dhe deputetëve të Partisë Socialiste, është një shuplakë morale dhe politike për qindra familje që kanë vuajtur në kampet e Grabianit, Savrës, Gradishtës, Çermës Plugut, Gjazës, Rrapzës, Dushkut, Bedatit, dhe mjaft të tjerave për gjithë ata që nuk panë kurrë drejtësi.
Sipas dokumenteve arkivore, Gjergj Velo ka qenë një ndër zyrtarët më të zellshëm të sistemit, që propozonte personalisht internimet për në Komitetin Qendror në Tiranë, shpesh pa thirrur as komisionin vendor, duke dëshmuar bindje të verbër ndaj regjimit të Enver Hoxhës.
Të nderosh një firmëtar të internimeve, në një kohë kur bota demokratike përkujton viktimat e komunizmit, është një akt i turpshëm, provokues dhe antikombëtar.
Është fyerje ndaj kujtesës historike, rrëmbim i dinjitetit të qytetit dhe shkelje mbi plagët që ende nuk janë shëruar.
Ky skandal ndodh vetëm pak ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë kërkoi “ndjesë publike” për përmendjen e diktatorit Enver Hoxha si figurë kombëtare – dhe tani, në Lushnjë, nderohet një nga zbatuesit e urdhrave të atij sistemi që varrosi Shqipërinë për gjysmë shekulli.
A është ky mesazhi që duam t’u japim brezave të rinj?
Që viktimat të harrohen dhe kriminelët të nderohen?
Lushnja, qyteti i kampeve dhe i dhimbjes, nuk mund të kthehet në skenë për glorifikimin e persekutorëve të saj.
Të nderosh Gjergj Velon, do të thotë të fyesh çdo grua, burrë e fëmijë që ka kaluar nëpër telat me gjemba të diktaturës.
Kjo nuk është kujtesë.
Ky është poshtërim!
Marrë nga Muri i FB Kujtim Cekani, 21 tetor 2025

Deputeti Erald Kapri
Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka turpëruar qytetin duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi” Gjergj Velos, njeriut që si kryetar i Komitetit Ekzekutiv firmoste internimet famëkeqe në Grabian dhe zonat e tjera të Lushnjes.
Edhe më e rëndë është që ky nderim iu dha me ceremoni zyrtare, në prani të kryetares së bashkisë dhe disa deputetëve. Një fyerje e hapur ndaj kujtimit të qindra familjeve të internuara. Një glorifikim i autorëve të krimit, vetëm pak ditë pas ndjesës që Kuvendi kërkoi për Enver Hoxhën.
Ky vendim duhet të tërhiqet menjëherë! Qyteti i vuajtjes dhe i rezistencës nuk mund të nderojë persekutorët e vet.
Deputeti Saimir Korreshi
Gjergj Velo ka qenë ithtar i Partisë Komuniste, i paepur. Maniak për të dënuar familjet! I kam dëshmitarët e gjallë që janë internuar me propozimet e shkresat e tij. Do të vë në dispozicion të autoriteteve të dosjeve, dokumentet që kam bërë publike, pasi nuk bën sens. Me ç’kurajë kundrejt këtyre njerëzve, dalin e i japin titull nderi në Lushnjë?! Kjo është të të fusë thikën në plagë.
Duhet të kishte patjetër një ligj për dekomunistizimin.
Në Gjermani s’e mendonin që të kishin në administratë të tyre asnjë nga nazizmi, e kanë dënuar me ligj nga Bundestagu. S’e arrinin ta besonin, se te ne ndodhnin të tilla fenomene. Ne kemi dështuar!

Fredi Sulaj
Sundimi komunist i vendit dhe krimet e komunizmit janë të lidhura pazgjidhshmësisht me njeri-tjetrin.
Pasardhësit heretikë të vrasësve komunistë të Lushnjes që drejtojnë Bashkinë e këtij qyteti shpallin qytetar nderi të Lushnjes Gjergji Velon, një kriminel gjakftohtë të regjimit të Enver Hoxhës.
Krimet e komunizmit jo vetëm nuk janë dënuar por edhe glorifikohen me ndere publike…
Ilir Cullhaj
Akoma këtu banojmë në Çermë, ku u lindëm, u rritëm dhe punojmë këtu.
Për Gjergj Velon, mbajmë kujtimet me të hidhura. Të gjithë si fis, pas internimit.
Ka qenë një monstër, hakmarrës. Në vitet ’83, u përjashtuam nga shkolla unë, mbesa dhe dy vajzat e xhaxhait, nga fjalët e Gjergj Velos.
Diskretitimi i disa familjeve në Çermë u bë me direktivë të Gjergj Velos.
Do bëjmë një marsh protestë kundër këtyre dekorimeve. Kjo ndodh fill pas aktit të turpshëm në Kuvend, për Enver Hoxhën. Dhe jo pa qëllim janë hequr figurat historike të Kongresit të Lushnjës, Sulejman Zdrava e shumë figura të tjera.
S’janë të parëndësishme këto që ndodhin në qytetin e Lushnjës, ku kryetarja e bashkisë del edhe më deklarata të tilla: “për respekt të të përndjekurve”, duke marrë një vendim absurd dekoron një nga xhelatët e diktaturës.