back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Bari i Ndangûhes” Kallzim i nji plaku aprripas në vitet ’30 – Me nji reflektim nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2013
Ilir Seci 2013

“Bari i Ndangûhes” (Visaret e Kombit)

Kallzim i nji plaku aprripas në vitet ’30

Me nji reflektim nga Ilir Seci

“Në kerrsh të Hordopit, afër Shpellës kû janë Shtagat e Lekë Dukagjinit, del nji soj bâri nën hije, pâ i râ kurr dilli. Trajten e kâ krejtiskrejt si giuhë me nji pêthë kahë mjedisi i lpushtes. Mbas bestytnís, kur u del Ndangûha, e nisë me u ajë giûha e fyti, shkojnë e marrin ket bâr tuj i a këputë rrâjët me nji pare e njiheri tuj thanë këto fjalë:
“More bâr, po të këputi për ilaç t’atij insani qi âsht i lig prej Ndanguhes. Për kollaj nu të këputi, veç un po t’a api gjânë, (paren) e ti me më dhanë derman!”.
Marrin barin e lânë atë pare në vend ku e kan zhgulë. Të zhgulmen barin, nisë e banë mâ mirë i ligu. Shkojnë e e vênë mbî kry të ligut e kûr të thahet ky bâr, përthahet e shkon lëngata krejt…”
.

Alpe Shqiptare (foto Ilir Seci)
Alpe Shqiptare (foto Ilir Seci)

***

Ky kallzim i rrëfyem nga nji plak i moçëm Aprripas, asht nji nga dëshmite ma të spikatuna mbi pasunitë e traditave tona të shumta, në mesin e të cilave ban shenjë edhe Mjeksia Popullore…
Ajo çka të ngërthen ma së pari në kët kallzim asht Toponimia e përdorun: “Kerrshi i Hordopit” – “Shkambi i Hordopit” , në nandialekin e dy brigjeve të Drinit të Bashkuem, Shkambit, (Shkëmbit) i thuhet Kërrsh (Gërrxh – Shkamb i thepisun). Kërrshi i Hordopit athue prej ç’kohe vjen?! Në cilët shekuj asht ngjite ky emën?! Emna mistere, prej atyne mistereve që njerì ka qejf me i ftillue në mendje netëve ulun bri zjermit me vetëm qiellin plot yje si mblojë…
Mbas toponimit të Kërrshit të Hordopit kallzimi na përmend toponimin tjetër mahnitës: “Shtagat e Lekë Dukagjinit”…!! Shtagat për ata që nuk e dinë, janë shkopinjtë në të cilët janë mbajtë pleqte për me ecë, (bastunet)… Natyrshmënia e kësaj toponimie, “Shtagat e Lekës”, familjariteti me emnin e legjendarit Lekë Dukagjini të shitojnë me bukurine qe mbartin ashtu si shiton nji Zanë. Asocimi me shtagat i Urtakut të Kanunit që mban emnin e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, asht kaq i goditun… Topomimia asht kaq shprehese në kët rast, sa pleqnari ma i madh i Maleve Tona asht përjetësue me Shtaga në toponimi, të bahet se e sheh tue u ngjitë përpjet brigjeve të rrmyeta të Drinit mbajtun mbi shtaga.
Pjesa tjetër e kallzimit shpalon magjinë e Panteizmit! Komunikimi i njeriut me Natyrën që në kët kallzim shpërthen si nji uverturë kur njerì që ka shkue me marrë bârin thotë:
“More bâr, po të këputi për ilaç t’atij insani qi âsht i lig prej Ndanguhës. Për kollaj nu të këputi, veç un po t’a api gjânë, (paren) e ti me më dhanë derman”.
…Njerì i lutet barit, “Për kollaj nu të kputi”, dhe i difton se po len aty paren pse nuk don me i hy në hak barìt, as don me i mbete borxh kujt. Kjo harmoni e njeriut me Natyrën të kujton Agun e Njerëzimit, kur njeri i parë dhe natyra që e rrethonte ishin në nji harmoni të përsosun.
.
Lahutar...
Lahutar…
Hymjen e Shpellës jo rastësisht e shënjojnë Shtagat e Lekë Dukagjinit, hymja e shpellës së shenjueme nga ato shtaga asht hymja për botën e nandheshme nga vijnë edhe kumtet e mistershme. Njerì gjithnji ka gjetë strehë e mbrojtje në ato shpella, në Agun e Njerëzimit ato shpella e ruejtën racën njerëzore, tue mbajtë zjermin të pashkimun e tue mbrojtë rodin e njerëzimit pa dalë fare prej bishave e egërsinave…
Barì që rritet në hije “pâ i râ kurr dilli”, merret si derman për njerìn e ligun nga Ndanguha.
Çfarë mistike!
Barì që rritet nën hije të shpellës “pâ i râ kurr dilli” shëndoshë ligësinën ndân giuhën e njerit, ligësinën që po ashtu rritet aty “pâ i râ kurr dilli”… Çfarë kumti të vyeshëm kena humbë na njerëzit e ksaj kohe në kët shtegtimin tonë prej lashtësie e deri m’ditë sodit!? A thue mos asht tret ai kumt në kohën kur u prish harmonia mes njerìt e natyrës!? E k’si Kumti sot s’mund e gjajmë ma askund…
maj 2017
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.