back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Baca i Bjeshkëve… nga Ilir Seci

Gazeta

Alpe Shqiptare (foto Ilir Seci)
Alpe Shqiptare (foto Ilir Seci)

Baca i Bjeshkëve…

nga Ilir Seci

…Po ecnim nalt kunorës së Bjeshkëve të Namuna, maje në maje… prej Vermoshit e deri n’Theth… Pamja e asaj kunore asht mahnitëse, bukuri e papërshkrueshme me fjalë… Dikur, në nji vend deshtëm me u ulë e me pushue pak, skej do çetinakëve në nji shpatije, kur maje nji kodre pamë tue u ngjitë nji tubë me dhen…
-Hajde shkojmë deri atje burra, e ta takojmë çobanin! – thamë pothuej të tanë njizani…
Kishim shumë dëshirë me folë me të… dhe shkuem atje… Çobani sa na pa, i bezani qenit mos me na mësy, se na pat vu oroe që po ecshim mes tubës së dhenve…
-A mujtët burra! – u fal me ne çobani kur ia dhamë dorën…
-Paj kadale! – i thamë na – Po a je burrë? Si ke shkue, a je lodhë…? – dhe u ulëm në livadh…
-Burra me m’falë… se koria për burra asht, por mue m’asht mbarue duhani e nuk e kam rodin me jau qitë deri sa t’shkoj në mbramje te stani! Sot kam pi bukur shumë duhan… s’e di… diqysh m’u shkrep!
-Qe Bace mos ke gajle se vetëm njani prej nesh e dhezë duhanin! Edhe ai e dhezë me raste jo tanaherat! – i thamë na…
-Po sod tanë burrat njashtu thonë… Duhani kshtu e duhani njashtu?! – vazhdoi Baca plak, – Shazoten 92 vjet i kam… e qysh 12 vjeç ma ka dhanë Baba kutinë teme të duhanit qe hala e ruej! Send në dynja mue s’më ka ba deri sot… Rrafsh 92 vjet i bana, tue pi duhan!
Miku jem, Përparimi, pi nganjeherë duhan puro dhe kishte nji kuti purosh me veti… Ai nxorri nji puro amerikane dhe ja zgjati Bacës plak…
-Kalle i herë e qitja tymin qesaj Bacë! – i tha, Perparimi, – Duhan puro prej Amerike!
-Puro?! Çka asht ajo?! Amanet, mos asht qasijit qe e mbrapshto njerin?! – qeshi Baca tue ba hoka!!! S’po kam dert për veti jo, po thonë se njaj soj duhani e mbrapshton njerin e ja merr mendtë… drue me harrue dhentë!
Qeshem me za… Baca ishte shakaxhi… Mbasi ja dhezi puron Perparimi, ai e tymosi fort njiherë e tha: “Shazoten prej se leva dej n’dite të sodit, kurr qeta se provova! Tu konka boll i mirë shazoten!”
Bamë muhabet me të nji copë kohe… E pyetëm për përvojat e tij në tanë ato vjete…

Baca i Bjeshkeve
Baca i Bjeshkeve

-Bace me tanë kto vjete a mund na thue qysh të duket ky vakti i sodit?!
-Eh pasha njat Zot po! – nisi muhabetin Baca, – Për qeto vjete kam pa boll e boll kam ndie!… Kurr shqiptarët ma mirë se sod s’kanë jetue prej se ka mbi Lisi, por edhe kurrë ma shumë s’janë ankue se në kët vakt të sodit! Shazoten e di, ka rri në rradhë për nji bukë kollomoqi me drithë të hjekun embrioni se e bajshin voj!… Bukë që as qeni s’e hante! Sot e kanë bukë gruni me miell zero e sa ta hanë… pa e çue mirë në stomak nisin e ankohen!
-Po pse kështu bre Bacë!? – e dvetëm na, – Pse ndodh kjo gja athue?!
-Goja e do-dove s’di kurrë me thanë lum! – na e ktheu Baca, – Do gjind janë le për së mbrapshti… Dikush nuk ban lum bash me ja falë Amerikën! Vakti i sodit asht vakti i gjallnikëve, qata qe shpurdhin e punojnë janë mirë e gzojnë… qata që janë mësue me rrnue qyl sa hapin sytë në sabah ankohen! Shazoten edhe unë kisha ditë me ndejtë por jo, s’mund rri, duhet me gjallnue… Për çdo verë që e fal Zoti dal në bjeshkë me dhen edhe e kam njet me dalë deri m’at ditë që t’më lshojnë shpirti! Qata që duen me rrnue kollaj ankohen! Do gjind ankohen edhe për tjera shkaqe… – dhe e thithi njihere puron Baca e vazhdoi… Po ua kallzoj nji shembull na tha: “Ishim mbledhë në nji rast te kulla e nji shoqi, tanë burrat e krahinës sonë… Mes tyne edhe ish-Kryetari i Këshillit të kooperativës tonë në kohë të Partisë së Punës… Ky ish-kryetari veç ndejke tuj u ankue! Ankou e shfryj! Ja priti njani: “Po pse ankohesh kaq shumë mor burrë se shazoten në tanë kët Malsi kush punët ma mirë se ti s’i ka e!? Ti nji shpi si vilë e ke ba ktu në Malsi, nja e ke në sheher mes të Shkodrës e nja në plazh të Velipojës?!… Edhe tri makina i kini si familje! Unë s’di çka ke që ankohesh?!”
Si duket pak prej se u nxu ngusht e pak prej se pat pi bukur mirë raki, ish-kryetari u gjegj si e mendonte:
-Po, po asht e vërtetë që kam tri shpija si thatë, edhe tri makina! Por puna asht se sot shpija e makina po ka gjithkush! Eeeh, në vakt temin kur isha vetë Kryetar Këshilli makinë kam pasë vetëm unē në këto anë! Shazoten vrajsha e kthjellsha vetë n’këto anë! S’fejohej as nuk martohej kush pa lejen teme! Shazoten nuk asht pre nji pulë në Malsi pa me thirrë mue! Sot nuk më dvetë kush ma! E për qata nuk i gëzohem ksaj kohe se s’kam ma Fuqi”… – Pasha Zotën! – e mbylli rrëfimin Baca – Kështu asht edhe puna e shumëkujt që ankohet sot… Ma s’parit e politikanve të sodit kur ankohen, se krejt hallin e kanë bash te njajo Fuqia që s’e kanë ma si dikur!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.